Prej së enjtes, 29 mars, Kosova nuk do të jetë më e njëjtë. Prej kësaj date, për shkak të arrestimit të 6 shtetasve turq, Kosova më nuk do të trajtohet si shtet ku ka siguri juridike. Është vështirë të thuhet se a është tragjedi më e madhe nëse liderët politikë nuk e kanë ditur, apo nëse ata kanë bashkëpunuar në këtë operacion. Tragjedia e Kosovës është edhe padija e liderëve, edhe intrigat e tyre. Fati personal i liderëve politikë është më pak i rëndësishëm tash sesa e ardhmja e Kosovës si shtet funksional. Lojërat personale politike e kanë sjellë tash Kosovën në një kaos të ri. Me këtë veprim do të dëmtohen edhe raportet miqësore me popullin dhe shtetin e Turqisë, e Kosova do të largohet nga standardet evropiane.
Para shumë muajsh në Bruksel kishte shkaktuar huti një deklaratë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se “ata që janë terroristë për Turqinë janë edhe për Kosovën”. Në atë kohë e tërë BE-ja dhe NATO-ja e kishin dënuar tentimin e grusht shtetit në Turqi dhe i kishin shprehur mbështetje Qeverisë turke. Por as atëherë e as sot në Bruksel nuk duan që kriteret për shpalljen e njerëzve si “terroristë” të jenë të njëjta me ato të autoriteteve turke, sepse, besojnë në Bruksel, ka mundësi që kjo të shfrytëzohet për të goditur kundërshtarët politikë. Dhe shqetësimi ishte se Kosova, nëse Thaçi e thoshte të vërtetën, do të pranonte se edhe aktivistë të shoqërisë civile, edhe gazetarë, edhe akademikë, janë terroristë. Ndaj kësaj deklarate të Thaçit atëherë nuk kishte reagim zyrtar, por privatisht pati pak shqetësim. Kjo, për shkak se Kosova, si vend që fitoi pavarësinë me mbështetje ndërkombëtare, jo vetëm nga Turqia, por edhe nga vendet e Perëndimit, e që synon të arrijë standardet evropiane, do të duhej që edhe kriteret për të konsideruar dikë terrorist t’i përshtatë me Bashkimin Evropian. Thaçin nuk e morën shumë seriozisht, për shkak se ai këtë deklaratë ka mundur ta thoshte i impresionuar nga mikpritja që iu kishte bërë në Turqi. Dhe nuk do të ishte hera e parë që ai të thotë diçka që tingëllon mirë në veshët e mikpritësve.
Por ajo deklaratë e Thaçit e asaj kohe mund të fitojë konotacion tjetër tash, pasi Kosova lejoi që dikush në territorin e saj, me apo pa dije të autoriteteve përkatëse, të arrestojë gjashtë shtetas të Turqisë dhe, me sa dihet deri tash, ka lejuar që ata pa procedura të duhura, pa të drejtë që të shprehen, pa inkuadrimin e organeve kosovare të drejtësisë, të sillen në Turqi, ku janë të akuzuar për terrorizëm.
Thaçi nuk e sqaroi qëndrimin e tij rreth rastit. Më shumë e arsyetoi sesa që e dënoi. Kjo është në stilin e tij, sepse me këtë mund të marrë meritat në Ankara, ndërsa përgjegjësinë në Kosovë dhe para syve të shoqërisë evropiane tua lërë “dështimit të institucioneve të Kosovës”.
Kosova ka të drejtë dhe nevojë të madhe që ta dijë deri në fund qëndrimin e liderëve të saj. Nëse është dashur që ata të dorëzoheshin, le të jetë ashtu, dhe t’i bartim përgjegjësitë. Nëse nuk duam t’i respektojmë standardet evropiane të sigurisë juridike, të drejtat themelore të njeriut, edhe këtë kemi të drejtë legjitime ta bëjmë. Por këtë duhet thënë qartë. Nëse duam që në konfliktin e brendshëm në Turqi dhe në acarimin e raportit të Qeverisë turke me Perëndimin të jemi në anën e Turqisë, edhe për këtë kemi të drejtë legjitime. Kemi të drejtë të jemi aq të irrituar me BE-në, saqë të orientohemi nga Turqia, sikurse Serbia është e orientuar nga Rusia. Dhe pasi edhe Turqia e Rusia kanë tash lidhje të forta, kjo mund të jetë një orientim i ri i Kosovës. Pse jo? Por duhet thënë këtë e jo të vazhdojmë të flasim për “orientim evropian” e të veprojmë në drejtim të kundërt.
Nuk mjafton që kryeministri t’i shkarkojë ministrin e Brendshëm dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit. Madje nuk dihet se a janë shkarkuar efektivisht ende apo jo. Dhe është vërtet enigmë e madhe se a kanë qenë ata vërtet të përfshirë apo jo, apo a kanë qenë ata të vetmit që kanë qenë të përfshirë. Nëse është për t’iu besuar mediave në Turqi, janë dy ministri të tjera të Kosovës që thuhet se kanë bashkëpunuar në realizimin e këtij operacioni. E përditshmja “Hurriet” në gjuhën angleze ka shkruar, duke u mbështetur në burimet e shërbimeve të Turqisë, se ka pasur bashkëpunim “në nivelin më të lartë” me Ministrinë e Jashtme dhe atë të Drejtësisë. Pra, me ministritë që udhëhiqen nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, dhe ajo që udhëhiqet nga Abelard Tahiri. Dhe kjo do të duhej të jetë e logjikshme, sepse për ekstradimin e të huajve rol kyç do të duhej të kishin pikërisht këto dy ministri. Bëhet fjalë për një çështje jo vetëm të brendshme, por edhe të jashtme dhe të drejtësisë. Kosovarët që kanë pasur rast të arrestohen me akuza për krime lufte të lëshuara nga Serbia e dinë këtë procedurë, e këtu janë edhe kryeministri i Kosovës (i ndalur në Francë) edhe presidenti (i ndalur në Hungari). Ata ishin arrestuar nga policia, por procedura kishte shkuar deri në lirim përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe komunikimi përmes ministrive të jashtme.
I njëjti medium i Turqisë ka shkruar se deri tash Pakistani, Sudani dhe Afganistani kanë ekstraduar në Turqi pjesëtarë të FETO-s, ndërsa Kosova po bëhet shteti i parë në Ballkan dhe në “Kontinentin Evropian” që bën një gjë të tillë. Në mënyrë triumfale nga autoritetet e Turqisë kjo u mor si dëshmi për të kërcënuar FETO-istët se “as në Evropë nuk mund të jeni më të sigurt”.
Kosovarët kanë të drejtë dhe nevojë të dinë edhe qëndrimin e vendeve të Quintit. Sepse nëse ata nuk deklarohen qartë, atëherë lë përshtypjen se e tërë kjo punë është bërë edhe me lejen e tyre. Dhe këtë qëndrim duhet ta shprehin qartë e jo vetëm me deklarata diplomatike se “sundimi i ligjit është i domosdoshëm”. Sepse për dikë pikërisht arrestimi i 6 shtetasve turq mund të jetë dëshmi se në Kosovë ekziston sundimi i ligjit, por për të tjerët kjo mund të jetë dëshmi se nuk ekziston sundimi i ligjit. Pasi që në Kosovë dhe më gjerë ekziston bindja se liderët e sotëm janë aty dhe për shkak të votave, por edhe për shkak se “të huajt duan ashtu”, vendet e Quintit dhe BE-ja duhet të deklarohen qartë se si e shohin këtë akt. Për qytetarët e Kosovës do të jetë edhe një goditje nëse BE-ja vazhdon të jetë e paqartë në prononcime e në të njëjtën kohë këtë rast ta marrë si dëshmi për të mos liberalizuar vizat. E parakusht i parezervë për liberalizim vizash, për të cilin as nuk negociohet e as që duhet të jetë në Udhërrëfyes, është ekzistimi i shtetit ligjor, sigurisë juridike dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut.
Ajo që do të jetë si pasojë e rëndë për Kosovën nuk janë vetëm reagimet politike. Ato edhe mund të kamuflohen përmes frazave diplomatike. Por Kosova tash ka filluar të jetë në shënjestër të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe nëse nga to konsiderohet si vend ku nuk janë më të siguruara këto të drejta, atëherë duhet harruar liberalizimin e vizave, jo vetëm për sivjet, por për disa vjet me radhë. Dhe duhet shtuar kësaj edhe frikën e shtetasve të huaj që vijnë në Kosovë, përfshirë edhe investuesve potencialë. Sepse autoritetet e Turqisë kanë edhe një varg shtetasish të BE-së që i konsiderojnë dhe kërkojnë me dyshime për terrorizëm apo për ndihmë terroristëve. A mund të arrestohen edhe ata potencialisht në Kosovë. "Garancitë" e liderëve politikë të Kosovës se “kurrë më kjo nuk do të ndodhë” nuk i merr askush seriozisht më.
Prej së enjtes, 29 mars, Kosova nuk është më e njëjtë. Prej kësaj date, për shkak të arrestimit të 6 shtetasve turq, Kosova më nuk do të trajtohet si shtet ku ka siguri juridike. Është vështirë të thuhet se a është tragjedi më e madhe nëse liderët politikë nuk e kanë ditur apo nëse ata kanë bashkëpunuar në këtë operacion. Tragjedia e Kosovës është edhe padija e liderëve, edhe intrigat e tyre. Fati personal i liderëve politikë është më pak i rëndësishëm tash sesa e ardhmja e Kosovës si shtet funksional. Lojërat personale politike e kanë sjellë tash Kosovën në një kaos të ri. Me këtë veprim do të dëmtohen edhe raportet miqësore me popullin dhe me shtetin e Turqisë, e Kosova do të largohet nga standardet evropiane.
Sa i përket arrestimit tjetër që ka ndodhur në Kosovë, atij të Marko Gjuriqit, të gjithë politikanët jo vetëm se thonë se i dinë të gjitha hollësitë, por thonë se kanë qenë direkt të përfshirë, duke qenë tërë kohën të informuar. Pra, ata nuk paskan pasur ide se çfarë po ndodhë në Prishtinë, por e paskan ditur në detaje se çfarë po ndodh në veri të Kosovës, ku njësitë speciale vetëm shkuan për ta arrestuar Gjuriqin e u kthyen.
Edhe arrestimi i Gjuriqit dhe mënyra se si u mbulua në Kosovë do të ketë pasoja. Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për ta arrestuar atë. Madje ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vetë e provokuan këtë arrestim. Vuçiqi të premten në televizionin serb, duke iu kërcënuar autoriteteve të Kosovës, tha se “do të lejoni, lejoni apo jo, ai do të shkojë, dhe të shohim se si do të veproni në këtë drejtim”. Në Bruksel sqarojnë se Beogradi, me gjasë qëllimisht, tek të premten pasdite i kishte njoftuar autoritetet e Kosovës se Gjuriqi do të shkonte në Kosovë. Kjo, sipas interpretimit të Serbisë mjafton, sepse njoftimi duhet të dërgohet 24 orë më herët sesa që ndodh vizita. Por këtu ekziston një detaj tjetër; se ky 24-orësh vlen vetëm për ditët e punës. Pra, sipas kësaj, Gjuriqi ka mundur të shkonte të martën në mëngjes e jo të hënën. Pra, edhe kjo është një dëshmi për përgatitjen e skenarit të arrestimit.
Nga rasti Gjuriq të gjithë dolën fitues, pos njerëzve në Kosovë. Autoritetet e Kosovës - se ato dëshmuan se mund ta arrestojnë dhe nuk lëshojnë pe, autoritetet e Serbisë - se ai u lirua dhe “shqiptarët u frikësuan nga kërcënimi i Vuçiqit”. Pastaj presidentët Thaçi dhe Vuçiq duke iu paraqitur opinionit të tyre si trima e bashkësisë ndërkombëtare si njerëz që arritën të ulin tensionet. Pra, nuk është hera e parë që të provokohen skandale të tilla, të nxiten tensione, të ndizet zjarr dhe pastaj të njëjtët të paraqiten si zjarrfikës, dhe të gjithë tu brohorasin.
Por ajo që në Bruksel ua zënë për të madhe autoriteteve të Kosovës është defilimi i panevojshëm, dhe poshtërues, i Marko Gjuriqit para ndërtesës së Policisë në Prishtinë. Ka edhe të tillë në Bruksel që mendojnë se njësitë speciale ROSU kanë ushtruar “përdorim të tepruar të forcës” gjatë arrestimit. Dhe në fund mund të shfrytëzohet e gjithë kjo si një argument se “serbët kanë frikë nga njësitë speciale të Kosovës” dhe që të kërkohet që as ROSU e as FSK në të ardhmen të mos mundë të shkojnë në veri të Kosovës. Me këtë vetëm avancohen skenarët e ndarjes së Kosovës.
Por, sikur në rastin Gjuriq, ashtu edhe në atë të arrestimit të gjashtë shtetasve të Turqisë, duket se llogaritë janë bërë bazuar në interesa personale të politikanëve e jo bazuar në interesin e Kosovës. Për rastin Gjuriq kishte reagime në Bruksel, ndërsa për rastin e 6 turqve nuk pati kush të reagonte, sepse tashmë kishin shkuar në pushimet e Pashkëve. Dhe ndoshta edhe ky moment është zgjedhur qëllimisht mu për këtë shkak. Por kur të kthehen pas pushimeve mbetet të shohim se nga do të shkojnë reagimet në Bruksel. Druajmë se nuk do të jetë mirë, sepse ka mjaft mbështetës të Kosovës në institucionet e BE-së që kanë qëndrim kritik ndaj sjelljes së autoriteteve të Turqisë karshi kundërshtarëve të tyre politikë.
© KOHA Ditore