Me u ndalë e me mendu hollë e hollë, vendi i vetëm ideal për një shesh përnjëmend në Prishtinë, është rrethi i flamurit. Ai i plotëson të gjitha kushtet: është i gjerë, e ka një flamur në mes dhe mund të mbyllet nga të katër anët. Uroj që kryetarit të mos i shkojë në mendje kjo mundësi. Bile jo sivjet ?.
Eh pra java e dytë e vitit nuk pati si ndryshe të niste pos me një “grip të keq” (të cilit konstatim përherë i përgjigjem, “pse, a ka grip të mirë”?) i cili ma rrëzoi përtokë edhe atë pak imunitet që kisha menduar se e kisha pasur të akumuluar. Sikur ta kisha ditur, javën e shkuar e pata përmendur punën e vaksinës kundër gripit - fatmirësisht ka dy muaj e kam marrë, dhe sërish ma bëri të mundur që ta kaloja edhe kësaj radhe në këmbë. Nejse, ulur në zyrë, para kompjuterit ?.
Lajmi i javës qe largimi i kasolleve “verë në dimër” nga hapësira para Katedrales, ku njerëzit mblidheshin natë për natë për të dëgjuar koncerte live, sponsorizuar nga Komuna për festat e fundvitit. E mirë ishte ideja që njerëzit të mblidheshin në rrugë, të takoheshin e të kalonin kohë bashkë, edhe pse shans nuk kishin të flisnin mes vete. Zhurma që e emetonin altoparlantët ishte tepër e madhe, aq sa gjysma e qytetit ushtonte. Shpesh e kam pyetur veten nëse unë e kam gabim, por njëmend nuk e kuptoj kënaqësinë e të dëgjuarit të muzikës me zë “në kupë të qiellit”, përderisa i gjithë trupi të dridhet prej basit. Edhe muzika, e besoj e ka një marifet. Por ne, si popull, përfundimisht tregojmë se kemi telashe shumë serioze me dëgjimin.
Nejse. Pra, masa e njerëzve të interesuar për të dalë derisa moti shërbeu njëmend mirë, sikur të ishte pranverë e hershme, zuri të grumbullohej te katedralja, e jo te “Grandi” siç kishte qenë qëkur kishte nisur kjo mënyrë kremtimi. Andej nga “Skënderbeu” nuk pati njerëz, për shkak se andej nuk kishte kasolle, kurse pjesa e rrugës së quajtur shesh, nga përmendorja e Nënës Terezë, e deri te ndërtesa e Radio Prishtinës shërbeu si korzo.
Motoja e kryetarit të Komunës së Prishtinës është që hapësira t’i kthehet qytetarit dhe unë jam shumë e pajtimit me këtë ide. Dhe po ta merrte seriozisht propozimin që e pata shkruar nja dy javë para Vitit të Ri, qysh tash do të merrej me aktivitetin e kthimit të hapësirës jo qytetarit, por këmbësorit dhe banorit të lagjes. Sepse qytetarë janë edhe shoferët e shumë veturave që i ka Prishtina, e qytetarë janë edhe shumë gastronomë që gjithashtu i ka shumë Prishtina.
* * *
Njëra nga rrugët që do të mbyllet për qarkullim do të jetë edhe ajo në të cilën kam rastisur të jetoj. Me sa kuptova, do të mbyllet gjysma e saj. Do të bëhet, siç e kishte thënë nënkryetari i Prishtinës më moti, “hapësirë argëtimi”, pa specifikuar konkretisht çfarë do të thotë argëtim. Vetëm më kujtohen altoparlantët e “verë n’dimër” dhe më kaplojnë mornicat. Sepse me automatizëm, zhurma është argëtim në Prishtinë.
Në rrugën ku jetoj, nëse nuk e kam gabim, janë nja 18 lokale, prej të cilave bash nja 18 kanë uzurpuar bile pak nga hapësira publike: bile nja dhjetë i kanë ngjitur shkallët metalike, për t’u ngjitur e për të hyrë në dyqane që dikur kanë qenë banesa përdhese. Bile nja shtatë e kanë hëngër atë grimë gjelbërimi që ka pasur secila hyrje përpara. Që të gjitha gjelbërimet janë betonizuar dhe janë mbyllur e izoluar me metal e xham të turli lloji. Gjelbërimi është mbuluar me kubëza betoni, me dërrasa, e diku-diku edhe me pllaka të mëdha qeramike e me ngrohje në dysheme.
Nëse kryetari e ka njëmend qëllimin për t’ia kthyer hapësirën publike qytetarit, në këtë rast banorit, atëherë do të duhej urdhëruar rrënimin e të gjitha tarracave që kanë uzurpuar hapësirë të gjelbër, dhe t’i detyrojë gastronomët që t’i gjelbërojnë këto hapësira. Ajo që ka qenë më nuk kthehet, porse bar e lule, e diku-diku edhe drunj, mund të mbillen pa asnjë telashe.
Në vijim, do t’i largonte krejt tavolinat nga trotuaret, aty ku nuk ka hapësirë edhe për mysafirë edhe për këmbësorë. Sepse edhe mysafirët janë qytetarë, pra për pasojë, edhe ata duhen shfrytëzuar hapësirën publike, por jo në dëm të qytetarëve të tjerë. E kjo është pikërisht ajo që ndodh tash e sa vjet.
Me këto veprime, kryetari do t’ia kthente bile pak sharmin kësaj rruge, e cila njëmend do të zbukurohej edhe më, po qe se do t’i hiqej asfalti i shtruar mbi kubëza. Kalldrëmi është dhe nuk ka lëvizur që nga 1975-a, kur është mbuluar në emër të modernizimit të qytetit.
* * *
Ideja e shndërrimit të arteries kryesore në “shesh” deri te “flamuri” mbase e ka ndonjë logjikë, por po është vështirë t’i gjendet në këtë çast. Ende e kam shumë të vështirë ta absorboj idenë se një rrugë mund të shndërrohet në shesh. Kur i shikon njeriu fotografitë e shesheve nëpër botë, sheh hapësira të gjera me ndonjë monument në mes, me ndonjë fontanë, me një diçka që e dallon si vend emblematik të atij qyteti. Në Prishtinë, në më pak se 300 a 400 metra i kemi pesë sheshe: sheshi “Ibrahim Rugova”, sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Nëna Terezë”, sheshi “Zahir Pajaziti” dhe tash sheshi “Xhorxh Bush”.
Sipas idesë së kryetarit Rama, dhe duke e përcjellë trajektoren e së njëjtës rrugë që dikur e ka pasur një emër, e tash i ka katër derisa të mbërrin te “rrethi i flamurit”, është që t’i kemi edhe dy sheshe: sheshi i Dëshmorëve të Kombit dhe sheshin te Posta/Xhamia deri te “rrethi i flamurit”. Me u ndalë e me mendu hollë e hollë, vendi i vetëm ideal për një shesh përnjëmend në Prishtinë, është vetë “Rrethi”. Ai i plotëson të gjitha kushtet: është i gjerë, e ka një flamur në mes dhe mund të mbyllet nga të katër anët. Uroj që kryetarit të mos i shkojë në mendje kjo mundësi. Bile jo sivjet ?.
Ideja për mbylljen e rrugës deri te rrethi i flamurit nuk kaloi pa kritika nga njëra anë dhe lëvdata nga tjetra. Ata që kritikonin përherë përmendin tollovinë e pafund në trafikun e Prishtinës për çdo ditë, tash madje edhe ditëve të fundjavës. Ata që e lëvdojnë konstatojnë se Rama vetëm po e përmbush një premtim zgjedhor. Mbase edhe vetëm është duke e përmbushur premtimin zgjedhor, porse nuk po duket se e ka krejt të qartë se si ta realizojë atë.
* * *
Dje, pas një muaji e gjysmë u hap qarkullimi në “sheshin” Xhorxh Bush. U vizatua nga një vijë e verdhë mbi asfalt nga të dyja anët e rrugës dhe u vendos nga një tabelë: në shiritin e djathtë qarkullojnë autobusët, taksitë, ambulancat, zjarrfikësit dhe policia, me shpejtësi prej maksimum 20 km në orë, kurse në shiritin e majtë, qarkullojnë këmbësorët. Në mes, është oaza, me gjelbërim dhe banderat e ndriçimit.
Me të shikuar dje se çka po ndodhte, nuk ishte se kjo zgjidhje kishte ndonjë kuptim. Posaçërisht nuk ka asnjë kuptim përderisa dalja e parkingut nëntokësor të shërbejë për qarkullimin e veturave nëpër hapësira të rezervuara për trafikun urban, taksistët, policinë, ambulancat dhe zjarrfikësit. Për të funksionuar si hapësirë për këmbësorë do të duhej eliminuar oazën dhe banderat nga mesi i rrugës; do të duhej zgjeruar trotuaret dhe qarkullimin e veturave të lartpërmendura do të duhej përqendruar në mes të rrugës në të dyja drejtimet. Por që kjo të kishte sukses, kështu do të duhej vepruar deri te “rrethi i flamurit”. Po qe se kjo është intenca e kryetarit, do të harxhojmë shumë kohë e para në eksperimente të cilat, askush nuk e ka sigurinë, se do të dëshmohen të suksesshme, përderisa nuk punohet paralelisht në zvogëlimin e numrit të automjeteve që qarkullojnë në qytet.
* * *
Prishtina sui generis bëhet edhe me dy a tri a katër sheshe prej vetëm një rruge, që madje nuk e di a mund të quhet bulevard. Por mbetet me shumë probleme të cilat janë grumbulluar me dekada. Dhe njëri nga ta do të vazhdojë të jetë ndërtimi i lartë. Prishtina ka aq shumë ndërtesa, sa shtrohet pyetja kujt i shërbejnë, nëse njëmend shiten të gjitha, dhe nëse njëmend të gjitha janë të banueshme. Çdo ndërtesë e re nënkupton potencialisht më pak ujë, e më pak rrymë e më shumë probleme për shërbimet publike.
Mbase në vend të shesheve do të ishte mirë të dëgjonim diçka më shumë edhe për problemet e tjera që nuk po na e bëjnë jetën fort të lehtë në këtë kaos.