Popullizmi nuk e ka zgjidhur asnjë problem të popujve e shteteve, porse shumë sosh i ka shpënë në luftë dhe shkatërrim. T’u japësh mbështetje shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm kjo domethënë ta shpiesh shtetin në qorrsokak, duke legjitimuar paligjësinë dhe duke e suspenduar Kushtetutën. Duke qenë se konstituimi shpirtëror i shoqërisë kosovare është bërë nën postulatet e Kanunit të Maleve, në oda dhe nën diktatin e betë e pleqve të fiseve, është e qartë se popullizmi identifikohet me folklorin më në fund.
Idetë dhe aktivitetet politike nga e djathta ose e majta, e që kanë për qëllim të marrin mbështetjen e njerëzve të rëndomtë, në teori quhen popullizëm.
Në garën për president të ShBA-së edhe Donald Trump, edhe Bernie Sanders u mishëruan me popullizmin, i pari atë kombëtarist të djathtë, kurse i dyti atë social dhe liberal.
T’u mëshosh fort retorikave etnonacionaliste, askush s’pyet për rezultatin final, porse të gjithë ekzaltohen – gjatë evokimit për dëshirat e tyre të ndrydhura - duke u dhënë turmave atë që duan, përafërsisht ky është popullizmi.
Popullizmi është të folurit me shpirtin e turmave, porse në aspektin kushtetues është i rrezikshëm – prandaj burrat dhe gratë e shtetit duhet t’ia mbajnë anën mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe jo të njëjtësohen me turmat, për të cilat Gustav Le Bon thoshte se e kanë trurin në muskuj!
Në kontekstin kosovar, popullizmi përthith të gjitha energjitë kombëtare, duke i dhënë vendit vetëm mjerim.
Ndonëse Hashim Thaçi është president i vendit, garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, i mirëmbajtjes dhe i unitetit të popullit, ai shpesh u kthehet këtyre postulateve tribale, rëndom kur ka nevojë për shfajësim ose protagonizëm.
Së këndejmi ai iu la duke shprehur gatishmërinë për të bërë be me 24 pleq vëllait të Haki Imerit, i vrarë në pritë nga kundërshtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa po ato ditë u përfshi në “tregimin me trenin rus”, duke u krekosur se ai kishte urdhëruar policinë speciale për ta ndalur trenin, për të marrë sa më shumë lavdi rreth vetes, sa për një këngë fshati (ç‘është e vërteta, atij iu realizua ajo që e thoshte për të dhe shokët e tij shkrimtari Ismail Kadare - gjatë Konferencës se Rambouillet-së - ngase ai edhe u bë se u la, duke shprehur gatishmërinë për të bërë be me 24 pleq, pra u bë protagonist i një rapsodie të tillë) për përdorim të brendshëm, derisa për median e huaj ai flet si një pacifist i përsosur, duke ia kapërcyer kështu edhe vetë ideologut të lëvizjes paqësore në Kosovën e viteve ’90, Ibrahim Rugovës.
Sapo dikush nga ndërkombëtarët përmend Gjykatën Speciale, presidenti i vendit shkon dhe “derdh lot” tek pllakat përkujtimore të viktimave serbe të luftës së Kosovës, në të cilat shkruan zi e terr për shqiptarët dhe guerilen, drejtor politik i së cilës ka qenë dikur presidenti!
Dhe sapo diku ka nevojë që të shesë heroizma, ai ngarend të dalë i pari, qoftë kur urdhëron policinë (gjë që nuk është kompetencë e tij kushtetuese), qoftë kur e thërret në telefon kryeministrin serb, Vuçiq, paçka që nuk është homolog i tij.
Eksponentë të Thaçit, njerëz nga turma – nuk e lënë pa të sharë - përse ua përkujton Kushtetutën, sepse, sipas tyre, s’ka rëndësi kush jep urdhra, me rëndësi që “HTh na paskësh shpëtu me fytyrë”!?, - kështu flet turma, e cila e rikthyer në politikë i vërsulet Kushtetutës dhe liderëve politikë për të marrë nga ata të dëshirueshmen e ndrydhur.
E lidershipi është aty pikërisht për ta mbrojtur kushtetutshmërinë nga turmat që trurin e kanë në muskuj.
Porse presidenti në krahasim me themeluesin dhe ideologun e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, duket i moderuar, sepse Kurti me retorikat e tij të forta të toneve populliste është kampion!
Dhe, ai, në kontinuitet u jep turmave atë që e dëshirojnë, duke i rikthyer në skenën politike kosovare edhe ashtu folklorike “tregimet e mëdha” (metanarracionet) për unifikimin e kombit shqiptar (kombi si deklaratë politike, revolucionin permanent, vëllazërinë në barazi etj.)
Ajo udhëhiqet nga besimi se qëllimet politike dhe sociale janë arritur më mirë nga veprimet e drejtpërdrejta të masave.
Fillimisht qëllimi i popullistëve është për të bashkuar njerëzit e pakorruptuar dhe të çiltrit kundër elitave të korruptuara dominante (zakonisht politikanët konservatorë) dhe pasuesit e tyre të kampit liberal (zakonisht të pasurit dhe intelektualët.)
Mirëpo pastaj retorikat e përdorura shndërrohen në kërkesa popullore, duke e shembur shtetin.
Ideja e Lëvizjes Vetëvendosje! se “duke shpërthyer në veprim” (term i Giovanni Sartorit) demokracia u afrohet idealeve të saj, është ide populliste, sepse “shpërthimi” krijon të përmbysur, përkatësisht të mundur, pra armiq, në vend të idealit të demokracisë pa armiq…
“Një turmë prej mijëra vetash” – sipas Giovanni Sartorit – “miraton me brohoritje propozime që e njëjta turmë, e ndarë në grupe të vogla, do t’i hidhte poshtë”. Më tej Sartori citon Mikels-in që thoshte me një fjali se është më lehtë të zotërosh masën se auditorin e vogël.
Dhe gjithnjë, sipas Sartorit, ai që fiton këtë rrugë është demagogu, është manipuluesi shembullor i sovranitetit të popullit. Demagogu u bën thirrje turmave, duke bërtitur se populli ka gjithnjë të drejtë. Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet.
Parimi demokratik është që populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar (përndryshe, ç‘sovran do të ishte?)
Po, nëse populli ka të drejtë të gabojë, nuk do të thotë se është e lavdërueshme ta shtysh të gabojë.
Sepse ai që me retorika populliste e shtyn popullin që të gabojë ai s’është gjë tjetër pos një demagog i përkryer!?
Dhe demagogu kërkon pikërisht këtë. Ai është popullmashtrues për antonomazi. Pra, të kemi mendjen të mos i ngatërrojmë thirrjet në rrugë dhe “demokracinë e demonstratave” me demokracinë qeverisëse.” (G. Sartori: “Ç‘është demokracia”? Fq. 69.)
Duke gjykuar nga reagimi ndaj artikullit të Timothy Less në Balkan Insight rreth ndryshimit të kufijve në Ballkan, Marcus Tanner thotë se Less gjithashtu është fajtor për hedhjen e gurëve ndaj një zgjoi bletësh. Në thelb, Less thotë se shtetet multietnike në Ballkan kanë dështuar ose janë në dështim dhe propozon rishqyrtim të kufijve shtetërorë për të krijuar entitete më homogjene etnikisht, që ai thotë se do të jenë më të qëndrueshme.
Less nuk shprehet se shtetet multietnike nuk mund të funksionojnë, por thotë se ato nuk mund të funksionojnë në Ballkan, sepse, sipas tij, kontrollet dhe balancat e nevojshme të projektuara për të mbajtur minoritetet të lumtura ose mungojnë, ose nuk funksionojnë në atë mjedis.
Sipas Tanner-it, shumica e politikanëve perëndimorë, përveç atyre të së djathtës ekstreme, të paktën e përmendin me fjalë boshe multietninë si një aset – dhe qortojnë kundërshtarët më të zëshëm të tij si racistë. Hija e Gjermanisë naziste dhe e një nxitjeje të Hitlerit për të krijuar një super-shtet me etni të pastër varet mbi të gjithë debatin rreth etnisë, ndaj për këtë arsye shumë njerëz e shohin si toksik.
Aktualisht popullizmit i ka dhënë hez Trump, i cili të kujton McCarthy-n dhe “ndjekjen e shtrigave” në emër të ndjekjes së komunistëve, duke e shndërruar Amerikën në log të frikës, dyshimit dhe rrënimit të fateve e karrierave të mijëra njerëzve të artit e kulturës, të politikës e ekonomisë.
Duke qenë se Amerika është 'kombi i domosdoshëm' dhe "hegjemonia qëllimmirë" ajo është përgjegjëse jo vetëm për jetën e amerikaneve dhe amerikanëve, por edhe për jetët e miliona njerëzve kudo nëpër botë që ende nuk e kanë fituar lirinë e tyre ose që nuk kanë krijuar stabilitet dhe nuk kanë përmbushur dëshirën për lumturi!
Kjo që proklamon Donald Trump nuk është Amerika e katër lirive që proklamoi presidenti Franklin Delano Roosevelt: Liria e shprehjes, liria e besimit, liria e dëshirimit (ekonomike) dhe liria nga frika!
Fjalimi 17-minutësh i Trump-it ishte në thelb popullizëm i sofistikuar, ndonëse përmban edhe dy-tri momente brilante për të sotshmen dhe të ardhmen e njerëzimit.
Trump së këndejmi mbolli shumë shpresë kur tha:”Ne qëndrojmë në lindjen e një mijëvjeçari të ri, të gatshëm për të zhbllokuar misteret e hapësirës, për të liruar Tokën nga mjerimet e sëmundjes.” Porse edhe patriotizmi i tij kushtetues ishte mbresëlënës.
“Nuk ka rëndësi a jeni të bardhë, të zi a të kaftë, ne të gjithë jemi patriotë të këtij shteti”.
Megjithatë fjalimin inaugurues e mbizotëroi nacionalizmi ekstrem dhe fanatizmi fetar dhe si i tillë nuk jep shpresë se bota po bëhet më e mirë!
Se bota po bëhet më e jetueshme!
Fjalimi i Trumpit është frikësues...
Fjalia e tij "America First" sipas “The Washington Post” ishte slogan antisemit në ShBA në vitet '30 dhe përsëritja nga Trump tingëllon ose mund të lexohet si slogani i Adolf Hitlerit: "Deutschalnd uber alles..." (Gjermania mbi të gjithë!)
Së këndejmi popullizmi edhe në Evropë ka një traditë të gjatë.
Që nga Jor Heider, lideri i ndjerë i së djathtës ekstreme austriake, përmes Marine Le Pen e Silvio Berluskonit deri te kryeministri hungarez, Viktor Orbán, dhe liderët e BREXIT-it – këta politikanë – duke e rikthyer dendur në foltoret politike popullizmin - braktisën vlerat e përbashkëta evropiane dhe iu rikthyen zgjidhjeve etnike, duke u thënë jo globalizmit dhe liberalizmit – jo të huajve, si dhe duke i dhënë shtytje të re rikthimit të Zotit në politikat kombëtare!?
Derisa Ernest Gellner (Nacionalim, 1997) nacionalizmin e shihte si shfaqje me rrënjë të forta tek shumica e njerëzve, “rrënjë që kanë zënë vend shumë thellë në kondicionin njerëzor të epokës sonë”, Milan Kangerga e sheh edhe patriotizmin - pavarësisht nga fakti se "tingëllon bukur" në shikim të parë - një pozicion në thelb egocentrik. Përse?
Pikërisht për shkak se është tashmë në konceptin e vet (definicion substancial!) fle përbuzja e njeriut si njeri, dhe njashtu si nacionalizmi është reduktuar në një orientim të thjeshtë biologjik (për të mos thënë "zoologjik"!)
“Nacionalisti dhe nacionalizmi (dhe si ne e shohim, edhe patriotizmi) mbesin dhe ndalojnë në pragun e historisë njerëzore, dhe nuk përmbajnë asnjë vlerë të vërtetë njerëzore, por në të kundërtën, antipode të njeriut.
Kjo është arsyeja pse ne duhet të theksojmë edhe një herë: nacionalisti është primitiv, i pazhvilluar, (i mbetur) i papjekur, njeri jo-ende-formuar, në vetvete jo-ende - fisnikëruar, bosh, psikikë dhe ekzistencë e brendshme e uritur”. (Nacionalizam ili demokracija”, Razlog, Zagreb, 2006.)
Nëse nga intelektualët pranohet me përulje teza se në raportet e shtetasve me shtetin ka të drejtë të ndërhyjë një “instancë e mesme” – kombi – atëherë ata duhet ta dinë se po bëhen fillimisht ispatë e pastaj edhe aktorë të infektimit të këtyre raporteve me virusin e nacionalizmit, të cilin Danilo Kish thjesht e cilësonte si kitsch!
Patologji shoqërore.
Derisa në Kosovë (dhe te shqiptarët përgjithësisht) kombi - flitet për kombin e shprehet etnia - shihet si identitet mbi shtetin, ose si ndërmjetës për t’u lidhur me shtetin kombëtar, Urs Aletrmatt (Etnonacionalizmi në Europë, Phoneix, 2002) mendon se koncepti i shtetit komb e vendos në qendër parimin e barazisë dhe të përbashkësisë.
“Vendimi subjektiv i individit qëndron në rrënjët e kombit të shtetasve. Shtetasi i veçantë i përket drejtpërdrejt shtetit, pa ndërmjetësinë e një instance të mesme që quhet komb ose etni”. (Altermatt, fq. 95)
Lideri serb, Slobodan Milosheviq, më 1989 në Fushë-Kosovë u ishte drejtuar serbëve të mllefosur se askush nuk do të guxonte t’i rrihte, mirëpo kur turma kishte shpërthyer: “Duam armë, duam armë…” ai nuk u hamend t’u premtonte dhe ato.
Dhe kjo ishte uverturë e luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve ’90.