OpEd

“Të fala nga Buenos Airesi!”

Uroj për një vit më të qetë brenda dhe jashtë rrjeteve sociale, më pak negativitet dhe komunikim më të shëndoshë mes nesh

As nuk do ta kisha paramenduar se kolumna ime e radhës për numrin festiv të “Kohës Ditore” do të ishte prapë e ndikuar nga efekti i pandemisë së koronavirusit, e cila vazhdon të jetë e pranishme, në një formë apo tjetër. Që prej fillimit të saj, e cila tashmë po hyn në vitin e tretë që kur na u çrregullua jeta, mbijetesa ishte kryefjala. Jo vetëm në aspektin shëndetësor të një virusi misterioz që u shfaq, derisa bota mbarë, me në krye shkencëtarët dhe ekspertët shëndetësorë mundoheshin t’i gjenin zgjidhje, shërim, por edhe frenim të përhapjes, kjo nuk kurseu as çrregullimin e përditshmërisë, profesioneve dhe në përgjithësi funksionimin e botës siç ishim mësuar.

Takimet ishin të ndaluara, apo edhe ato që mbaheshin duhej mbajtur në distancë së paku 1-2 metra. Për udhëtime as që bëhej fjalë. Takimet e familjarëve dhe miqve, të cilët nuk jetonin në Kosovë, ishin shtyrë “kur të kalojë kjo situatë“. Megjithatë, zhvillimi i hovshëm teknologjik i shekullit XXI filloi të gjente zgjidhje për problemin e ndalesës së takimeve fizike, duke bërë të mundur që ato të mbaheshin përmes platformave online, zoom, skype, etj.

“Ruani distancën fizike, mbani afërsinë sociale”, ishte bërë motoja e muajve të parë të periudhës kur u shfaq pandemia në Kosovë, në pranverën e vitit 2020. Disa ishin të mësuar me përdorimin e tyre, por kishte edhe shumë, përfshirë mua, që nuk ishim mësuar për takime dhe biseda të asaj forme.

Jo që nuk isha i mësuar me përdorimin e rrjeteve sociale, por deri atëherë në përgjithësi isha mësuar t’i përdorja si formë komunikimi joformal. Lidheshim me familjarë e miq, kryesisht ata të cilët nuk jetonin në vendlindje apo me të cilët kishte kohë që kishte humbur kontakti. Megjithatë, rrethanat e reja filluan të na detyronin që përmes tyre tani të kalonim në një nivel tjetër, kur përmes tyre do të fillonim të kishim edhe biseda më tepër formale.

Përvoja me rrjetet sociale, sikurse edhe secili, janë ekskluzivisht të veçanta për çdonjërin, e edhe unë përmes tyre kam pasur disa prej kthesave të mëdha. Ishte pikërisht Facebook-u përmes të cilit unë, pas një periudhe disavjeçare duke i kërkuar, gjeta familjarët dhe pasardhësit e njërës nga familjet hebraike të cilat stërgjyshi im i kishte shpëtuar gjatë Holokaustit. I rritur duke dëgjuar për këtë familje, unë pareshtur kisha kërkuar që të gjeja kontaktin me ta. Dhe, një ditë prej ditësh, duke u munduar të bëja kombinime të ndryshme me ato pak informacione që kisha, e po ashtu edhe me kujtimet e bisedave me gjyshin tim të ndjerë, hasa në një emër përdoruesi. Me një “add as friend” i dërgova një porosi private, kur në një tekst me shumë informacione i shpjegova se kush jam dhe se kë po kërkoja. E bija e zonjës Ivetta më pranoi në listën e saj të miqve të Facebook-ut të saj, ndërsa pas një dite m’u përgjigj se kishte pranuar porosinë, dhe duke e konfirmuar se janë pikërisht pasardhësit e asaj familjeje që po kërkoja, vazhduam bisedën.

Madje pas disa ditësh e aranzhuam edhe një telefonatë për të komunikuar edhe me zë. Biseda me shkrim në Messenger-in e Facebook-ut nuk mjaftonte. Familja jetonte në Amerikën Latine, ndërsa bisedën telefonike e zhvilluam në anglisht dhe me pak fjalë, aq sa mundja të flisja, edhe në spanjisht. U thelluam në bisedë dhe që nga atëherë jemi në kontakt. Me këtë shembull, unë gjithmonë preferoj ta ilustroj përvojën më të mirë me rrjetet sociale, që kur kam filluar t’i përdor. Madje, që nga ajo ditë, unë jo vetëm që komunikoja me ta, por edhe fillova të bisedoja për idenë e një udhëtimi dhe takimi të përbashkët me pjesëtarët e tjerë të familjes në Argjentinë.

Pashmangshëm i kthehem pandemisë prapë. Ndalesa për qarkullim, komunikim fizik, mbajtja e distancës madje edhe brenda shtëpisë në periudhën e parë, kishte bërë që fokusi ynë të zhvendosej në telefonat e mençur, kompjuterë e televizorë, që ishin bërë mjeti i vetëm i komunikimit dhe i bashkëbisedimit. Dhe, përderisa shumica e veprimtarive, puna e administratës e shërbimet e tjera ishin krejtësisht të mbyllura, puna në disa fusha, mes tyre e mediave, vazhdonte. Madje jo në ritmin e zakonshëm, por me dinamikë të shtuar. Puna për të informuar publikun vazhdonte, intervistat ishin zëvendësuar me lidhje me Zoom e Skype, ndërsa shumica e komunikimit me zyrtarët shtetërorë zhvillohej përmes statuseve në Facebook. Me këtë edhe reagimi qytetar u zhvendos në rrjetet sociale.

Statuse e komente të llojllojshme mund të lexoheshin çdo sekondë. Me zbutjen e masave dhe me fillimin e normalizimit të asaj gjendjeje jonormale, ndryshoi edhe forma e komunikimit. Filluan takimet, distanca filloi të mos përfillej e as të kërkohej si masë kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit, por jo edhe dinamika e reagimit në rrjete sociale. Kjo e fundit jo vetëm që nuk u zvogëlua, por filloi të zhvillohej edhe më tepër. Përderisa në rrjete sociale “protestohej” për parregullsi e fenomene negative, protestat fizike në shesh nuk merrnin mbështetje. Duke mos dashur të fokusohem tek asnjëra, megjithatë kemi parë shumë raste të një disproporcioni të reagimit me statuse në Facebook e Twitter dhe pjesëmarrjes në protestën e thirrur. Pa dyshim dëshpëruese.

Prej më shumë se një viti që nuk jetoj në Kosovë dhe duke mos qenë i informuar për gjithçka që ndodh në atdhe, në shumicë e rasteve, më ka ndodhur që të lexoj statuse në Facebook lidhur me një çështje, për të kuptuar se diçka ka ndodhur dhe më pas interesohesha për lajmin. Duke qenë se karrierën në televizion e kam filluar dhe zhvilluar në një shtëpi krejt të pavarur mediale, si KOHA, lirinë e fjalës e kam kryefjalë. Megjithatë, vija është e hollë mes shprehjes së mendimit dhe fjalës së lirë dhe komenteve të cilat lehtë kalojnë në ofendime. Dhe, nuk ka se si të mos ndërlidhet shtimi i përdorimit të rrjeteve sociale gjatë karantinës së pranverës 2020 me shprehinë “për të komentuar gjithçka, ke apo jo njohuri bazike për fushën apo ngjarjen e caktuar”.

Kampionati Botëror në futboll që u mbajt në Katar solli edhe finalen e madhe me Argjentinën, fituesen e Kupës së Botës. Nga Argjentina kam kujtime të çmuara nga udhëtimi i fundit që realizova para se të bllokohej mbarë bota nga pandemia. Në Prishtinë u ktheva natën e Vitit të Ri, pikërisht më 31 dhjetor 2019. Arsyeja ishte ta takoja familjen që e përmenda në fillim të kësaj kolumne. Por jo vetëm kaq. Prapë, me ndihmën e Facebook-ut, u lidha me monsinjor Alejandro Grecon, peshkopin mitropolit ortodoks të shqiptarëve në Argjentinë. Duke komunikuar me një spanjishte krejt bazike timen arritëm ta caktonim takimin, pikërisht Ditën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor 2019, në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires. Intervista e realizuar u publikua në KTV dhe në portalin Koha.net më 25 korrik 2021. Por ngjarja në Katar, kur futbollisti Lionel Messi ngriti kupën e botës, ma kujtoi një detaj të kësaj interviste. Në pyetjen time nëse Messi kishte ndonjë lidhje me arbëreshët e Argjentinës, monsinjor Greco nuk e përjashton si mundësi. Madje, shpjegon disa detaje për Rosarion, vendlindjen e Messit dhe një prani të konsiderueshme të arbëreshëve në atë rajon të Argjentinës.

Megjithatë, reagimet në rrjete sociale ndaj intervistës së realizuar tregonin nivel shqetësues të devijimit të mbarë kontekstit. Shpërndarja dhe komentet, me cinizëm, ironi, madje edhe përqeshje të një informate të tillë tregonin qartë se një shumicë e madhe madje as nuk e kishin lexuar përmbajtjen e intervistës, e aq më pak shikuar intervistën e realizuar në Buenos Aires më 2019. Ndërsa ky vazhdon të jetë shembulli më negativ personal, si ilustrim i përvojës më të keqe me rrjetet sociale.

Dhe për t’u kthyer te fillimi. Si është e mundur që me kaq shumë lehtësi tejkalojmë kufijtë e arsyeshëm të reagimit publik? Si është e mundur që me çdo kusht me çdo fenomen duhet të bëhet shaka, të krijohet konfuzion mosbesimi dhe të shtrembërohet e vërteta?

Prandaj, uroj për një vit më të qetë brenda dhe jashtë rrjeteve sociale, më pak negativitet dhe komunikim më të shëndoshë mes nesh. Gëzuar 2023!