OpEd

Të drejtat e të dyshuarve dhe të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës

Gjatë vitit të fundit, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) hynë në fazën më të rëndësishme që nga themelimi i tyre, që filloi me nisjen e procedimeve nga Prokurori i Specializuar në shkurt dhe kulmoi me arrestimin dhe transferimin në objektin e paraburgimit në Hagë, Holandë, të pesë të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe dy të dyshuarve për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Përkujtoj në këtë aspekt se DHSK-ja është gjykatë e themeluar si rezultat i marrëveshjes midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe ka për qëllim t’i përmbushë obligimet e Kosovës që burojnë prej saj. Ajo ka juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera ose të filluara në Kosovë midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000, ku viktima ose kryerësi i krimit ishte qytetar i Kosovës ose i Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme. DHSK-ja, gjithashtu, ka juridiksion mbi veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

Është e rëndësishme të theksohet se DHSK-ja merret vetëm me përgjegjësi penale individuale. Sikurse pasqyrohet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji), i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, DHSK-ja mban përgjegjës vetëm individët e shpallur fajtorë për krimet e paraqitura në aktakuzë; jo grupe etnike, organizata ose komunitete.

Me arrestimet dhe transferimet e kohëve të fundit, DHSK-ja tani ka marrë përgjegjësinë për shtatë individë dhe ka detyrimin të sigurojë që të drejtat e tyre, që parashihen në Ligj dhe në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave (Rregullorja), të respektohen gjatë procedurave penale kundër tyre dhe, në të njëjtën kohë, të sigurojë mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve dhe viktimave që mund të paraqiten para DHSK-së.

Obligimi i DHSK-së për t’i siguruar të drejtat e të dyshuarve dhe të akuzuarve fillon prej momentit kur një individ thirret për t’u marrë në pyetje, kur nxirret fletarrestim ose vendim në lidhje me këtë për një individ, ose kur konfirmohet aktakuza.

Ky obligim qëndron gjatë gjithë procedimit dhe pushon së ekzistuari nëse aktakuza nuk konfirmohet, i akuzuari shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që përmban aktakuza, ose personi shpallet fajtor dhe e kryen dënimin që iu dha pasi u shpall fajtor.

Kjo tërësi e të drejtave themelore nuk mbron vetëm të akuzuarit dhe të dyshuarit. Është e rëndësishme gjithashtu se këto të drejta sigurojnë integritetin e procedimeve, duke garantuar që drejtësia të zbatohet në mënyrë transparente dhe të drejtë, dhe që të gjitha palët në procedime të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe t’u jepet mundësi e mjaftueshme që të paraqesin prova dhe t’i kundërshtojnë ato, sipas rastit.

Prezumimi i pafajësisë është një parim i pranuar botërisht, të cilit DHSK-ja i përmbahet fuqishëm. Ai dikton që të dyshuarit dhe të akuzuarit të konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm. Kjo do të thotë se ata nuk kanë obligimin që ta provojnë pafajësinë e tyre. Në të vërtetë, e drejta e prezumimit të pafajësisë e ngarkon Prokurorinë e Specializuar me barrën që t’i provojë akuzat në aktakuzë jashtë dyshimit të arsyeshëm. Ky është një standard i lartë, i cili përmbushet vetëm kur provat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar tregojnë qartë se përfundimi i vetëm logjik është që i akuzuari i ka kryer krimet për të cilat akuzohet.

Po kështu, Prokurori i Specializuar ka detyrimin që t’i japë mbrojtjes provat në të cilat synon të mbështetet për t’i provuar akuzat kundër të akuzuarve, si dhe provat që ka në posedim që sugjerojnë pafajësinë e të akuzuarve. Prokurori i Specializuar duhet t’ia japë këto prova mbrojtjes brenda afateve të rrepta, përmes një procesi që njihet si “nxjerrje e materialit”. Nëse provat në të cilat synon të mbështetet Prokurori i Specializuar nuk do t’i jepeshin mbrojtjes, ajo nuk do të ishte në gjendje t’i kundërshtonte akuzat kundër të akuzuarve dhe procesi nuk do të ishte i drejtë dhe transparent.

Për të siguruar që të dyshuarit dhe të akuzuarit të marrin pjesë në mënyrë domethënëse gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore, për shembull, duke ekzaminuar dhe kundërshtuar provat kundër tyre apo duke apeluar vendimet procedurale ose materiale të gjykatësve, ata kanë të drejtën të përfaqësohen nga mbrojtës të zgjedhur prej tyre. Kur i dyshuari ose i akuzuari nuk është në gjendje të paguajë mbrojtësin, DHSK-ja e paguan mbrojtësin në pajtim me sistemin e saj gjithëpërfshirës të ndihmës juridike.

Të akuzuarve u jepet kohë dhe mjete të mjaftueshme të përgatisin mbrojtjen e tyre. Ata duhet të informohen pa vonesë dhe në hollësi për natyrën dhe shkakun e akuzave kundër tyre në një gjuhë që e kuptojnë. Në të vërtetë, të akuzuarit do të mund t’i kundërshtojnë akuzat dhe t’i hetojnë provat kundër tyre, t’i marrin në pyetje dëshmitarët dhe të organizojnë mbrojtjen e vet vetëm nëse e dinë dhe kuptojnë se për çka janë akuzuar.

Të dyshuarit dhe të akuzuarit gjithashtu kanë të drejtën t’i përcjellin procedurat gjyqësore në një gjuhë që e kuptojnë. Në lidhje me këtë duhet të theksohet se gjuhët zyrtare të punës të DHSK-së janë: shqipja, serbishtja dhe anglishtja, dhe seancat përkthehen në këto gjuhë gjatë tërë kohës. Nëse i dyshuari ose i akuzuari nuk kupton asnjë nga këto gjuhë, sigurohet përkthyesi për të ndihmuar me përkthimin në gjuhën përkatëse.

E drejta për t’u informuar për akuzat kundër tyre dhe e drejta që procedurat të zhvillohen në gjuhën që të dyshuarit dhe të akuzuarit e kuptojnë qëndrojnë në themel të së drejtës për gjykim të drejtë.

Një e drejtë tjetër e rëndësishme që gëzon i akuzuari është e drejta për t’u gjykuar brenda një kohe të arsyeshme. Se çfarë përbën kohë të arsyeshme varet nga natyra dhe rrethanat e secilit rast. Procedurat penale përbëjnë sfidë për të gjitha palët e përfshira në to dhe sigurimi i zgjidhjes së shpejtë është në dobi jo vetëm të viktimave dhe të dëshmitarëve që duan të shohin se drejtësia është zbatuar, por edhe në dobi të të akuzuarve që jetojnë në pasiguri për të ardhmen e tyre deri në momentin kur shpallet aktgjykimi.

Dhe së fundi, të dyshuarit dhe të akuzuarit nuk mund të detyrohen që të dëshmojnë kundër vetes ose të pranojnë fajësinë dhe çdo zgjedhje e tillë nuk mund të përdoret kundër tyre. Pra, ata nuk mund të mbahen përgjegjës ose të kenë frikë se do të ndëshkohen nëse refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve që mund t’i inkriminojnë, ose nëse vendosin të mos vetëdeklarohen fajtorë. Është përgjegjësi e Prokurorit të Specializuar që të provojë akuzat kundër të akuzuarit jashtë dyshimit të arsyeshëm. Siç u theksua më lart, personat të cilët nxirren para përgjegjësisë konsiderohen të pafajshëm derisa Prokurori i Specializuar të provojë fajësinë e tyre jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Të drejtat themelore të përmendura më lart, të mishëruara në Ligj dhe Rregullore, nuk janë as të reja e as të veçanta për DHSK-në. Ato pasqyrojnë standardet ndërkombëtare dhe gëzohen nga të akuzuarit në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar. Theksimi i këtyre të drejtave themelore nuk ka për qëllim t’i komprometojë aspektet e tjera të rëndësishme të procedimeve, përfshirë edhe detyrën thelbësore për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe viktimave që paraqiten para DHSK-së. Përkundrazi, DHSK-ja i merr shumë seriozisht të drejtat e të dyshuarve dhe të akuzuarve, dhe do t’i mbrojë ato duke u kujdesur në të njëjtën kohë që procedurat gjyqësore të zhvillohen në mënyrë të sigurt. Me këtë, DHSK-ja do të sigurojë integritetin, drejtësinë dhe transparencën e procedimeve të saj. Ajo do të sigurojë që drejtësia të vendoset në pajtim me mandatin e saj.

(Ekaterina Trendafilova është presidente e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë. Shkrimi është dërguar për botim ekskluziv në KOHA).