Dikujt nga Serbia nesër do t’i nevojiten vetëm numrat personalë të 150 mijë personave, të ulet në një kafene të tymosur në Prokuplje, t’i plotësojë ato vetë, t’i bjerë fizikisht deri në postën nr. 6 në Prishtinë, t’i bëjë bashkë ato vota me rreth 50 mijë vota të serbëve brenda Kosovës dhe – ja ku jemi! - ta shpallë Listën Serbe si fituese të zgjedhjeve në Kosovë.
NËSE TI JE qytetar që jeton brenda Kosovës, ti mund të bësh vepër penale vetëm pse i ndihmon një plake për të votuar, kurse nëse je votues në të njëjtat zgjedhje, dhe voton nga Serbia, atëherë ti jo vetëm që mund t’i ndihmosh kujtdo për të votuar dhe për këtë të mos pësosh asgjë, por ti mund të ulesh në një kafehane të mbushur me tym duhani në ndonjë paralagje të Prokupljes, t’i rendisësh nja 10 mijë fletëvotime në një tavolinë me erë birre të derdhur, t’i mbushësh ato krejt vetë me një kimik dhe pastaj t’i vendosësh në bagazhin e “Zastavës”, të nisesh drejt kufirit me Kosovën, të pritesh nga veturat zyrtare të Policisë së Kosovës, t’i dërgosh ato me thes në postën numër 6, në rrugën “Agim Ramadani” të Prishtinës, t’i vulosësh aty dhe pas pak në të njëjtin vend të vijë përfaqësuesi i KQZ-së për t’i marrë ato vota tuaja dhe kështu të ndikosh drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve.
Nëse je votues nga Serbia, atëherë i bie se je votues superior, krejt në një ligë tjetër votuesish, i paprekshëm nga ligji, i pandjeshëm ndaj rregullave, i privilegjuar në raport me secilin votues për zgjedhjet në Kosovë, qoftë brenda vendit, qoftë kudo tjetër në meridianet e botës. Kjo nënkupton, në radhë të parë, shkeljen më flagrante të të drejtave të njeriut, duke bërë diskriminim të hapur ndaj qytetarëve të tjerë, të cilët, duke mos e pasur “privilegjin” e të jetuarit në territorin e Serbisë, duke vepruar njëjtë, mund ta shohin veten prapa grilave. Ky është skandali më i madh, i cili po përsëritet nga zgjedhjet në zgjedhje, me votat që vijnë nga Serbia, e të cilat nuk respektojnë asnjë nga ligjet dhe rregullat zgjedhore, të cilave duhet t’iu përmbahen me rreptësi të gjithë votuesit e certifikuar për të votuar në cilindo cikël zgjedhor në Republikën e Kosovës.
PLOT 3.782 ZARFE në pako të supozuara të mbushura me fletëvotime nga Serbia janë dorëzuar fizikisht nga individë serbë në postën nr. 6, në Prishtinë. Ashtu edhe siç tregoi në “Rubikon” Fatmir Limaj, koalicioni Nisma-AKR-PD i ka bërë shkresë zyrtare Postës së Kosovës për të marrë shpjegime se si janë sjellë dhe si janë pranuar pakot me fletëvotime nga Serbia dhe kanë marrë përgjigjen se ato vetëm janë pranuar fizikisht nga posta dhe janë tërhequr prej aty nga përgjegjësit e KQZ-së.
Në anën tjetër, të gjitha votat e tjera të personave që nuk janë ndodhur në Kosovë, ditën e 6 tetorit, është dashur që ta mbushin fletëvotimin dhe atë ta nisin me postë nga cilido shërbim postar në glob dhe i njëjti të pranohet nga ana e postës nga KQZ-ja në Prishtinë. Pra, askush dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur asnjëherë mundësi që ta çojë një fletëvotim nga një zyrë postare brenda territorit të Kosovës dhe kjo të shkojë në KQZ dhe të llogaritet si një votë e vlefshme, aq më tepër nuk ka të drejtë që një veprim i këtillë të konsiderohet si votim nga jashtë.
“Personi me të drejtë vote, i cili përkohësisht mungon në Kosovë, mund të votojë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për Votim Jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së”, është përkufizimi kristalisht i qartë që e jep neni 96 i LPZRK-së.
Si i këtillë, secili person i cili në ditën e zgjedhjeve nuk shkon fizikisht për të votuar në qendrën votuese ku është i regjistruar (përveç personave të cilëve ligji ua lejon ndryshe, shkaku i profesioneve specifike, ose pse janë të burgosur), brenda territorit të Republikës së Kosovës, vlerësohet se ka të drejtë të votojë nga jashtë këtij territori. E një person që voton për zgjedhjet në Kosovë nga Serbia, njësoj si Turmenistani ose Mongolia, konsiderohet se ka votuar jashtë Kosovës.
Përveç nëse dikujt i shkon mendja se Serbia qenka pjesë e territorit të Kosovës, mirëpo ky pretendim do të bjerë poshtë me t’iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, të cilat e përcaktojnë qartë se cili është territori i vendit.
PROBLEMI KËTU qëndron se subjektet politike të Kosovës nuk ishin unike dhe të vendosura që të bëhen bashkë dhe ta kundërshtojnë me vendosmëri një praktikë të këtillë votimi nga Serbia. Kjo është për keqardhje dhe zhgënjyese.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur poshtë ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, me të cilën ata kishin kërkuar që të anuloheshin si të parregullta fletëvotimet e ardhura nga Serbia, përmes postës, me pretekstin se në kohën kur ishte bërë kërkesa tashmë kishte skaduar afati i paraparë për ankesa. Mirëpo, përtej asaj se a bëhet fjalë për ankesë të një subjekti të caktuar politik, i cili në rastin konkret po lufton të mbetet brenda legjislaturës së ardhme të Kuvendit ose çfarëdo motivi tjetër – precedenca që është bërë me pranimin e afro katër mijë zarfeve të ardhura nga një shtet tjetër në një mënyrë jashtëligjore dhe duke shkelur rëndë ligjet dhe rregulloret e KQZ-së është e tmerrshme.
Me një precedencë të tillë - mos iu shkoftë mendja! - në zgjedhjet e ardhshme, fare lehtë, mund ta shohim të vijë në jetë një skenar si ky: Danilos nga Serbia i nevojiten vetëm numrat personalë të 150 mijë personave, të ulet në një kafene të tymosur në Prokuplje, t’i plotësojë ato doravetë, t’i bjerë fizikisht deri në Postën nr. 6, në Prishtinë, t’i bëjë bashkë ato vota me rreth 50 mijë vota të serbëve brenda Kosovës dhe – ja ku jemi! - ta shpallë Listën Serbe si fituese të zgjedhjeve në Kosovë.
Kjo s’duhet të lejohet të ndodhë! Jo pse bëhet fjalë për një parti, cilado qoftë ajo, jo pse bëhet fjalë për një etni, cilado qoftë ajo, porse bëhet fjalë për deformim të vullnetit të qytetarëve votues për zgjedhjet në Kosovë.
Një herë e mirë, një praktikë e këtillë manipuluese duhet të ndalet. Për këtë arsye, për t’i rrumbullakësuar si të suksesshme zgjedhjet e 6 tetorit, duhet shpallur ma mëdyshje si të pavlefshme pakot e ardhura në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia.
Nëse ka vullnet në Prishtinë dhe në Beograd që t’i realizohet vullneti për të votuar secilit qytetar të Kosovës, i cili ndodhet në territorin e Serbisë, ta mundësojnë që të bashkëpunojnë si duhet shërbimet postare Kosovë – Serbi. Me pak vullnet politik, kjo është çështje që kryhet brenda orëve. Fundi i fundit, 5 vota të vlefshme edhe kanë ardhur me postë nga Serbia në Kosovë.
Twitter: @adriatikk