Tarifën e vendosur doganore e paguan biznesi i vendit importues e në instancë të fundit e paguan konsumatori, duke qenë se ajo llogaritet në çmimin përfundimtar të shitjes. Anasjelltas, heqja e tarifave doganore bën që malli i importuar të jetë më i lirë, dhe kjo mundëson që konsumatorët të blejnë më lirë dhe mirëqenia e tyre të rritet. Por, shtrohet pyetja si do të blejmë produktet e jashtme kur eksporti ynë e mbulon importin për vite me radhë vetëm prej 12-15%
Këto ditë, bota u trazua nga politikat ekonomike, përkatësisht politikat tarifore të SHBA-së, e cila duke marrë vendime të njëanshme e vendosi jashtë “lojës” edhe Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) e cila është e vetmja organizatë ndërkombëtare që merret me rregullat e tregtisë përmes marrëveshjeve të negociuara dhe të nënshkruara deri me tani nga 166 vende anëtare e të ratifikuara në parlamentet e tyre. U trazuan tregjet ndërkombëtare financiare dhe të kapitalit, u trazuan edhe bursat, por edhe vetë tregu amerikan.
Për të qenë më i shkurtë në këtë shkrim, po kaloj në temën aktuale që javën e kaluar e tronditi skenën politike të Kosovës, e që po vazhdon të mbetet pjesë e debateve aktuale për ekonomi. Ky është “zbulimi” se Kosova i paska vendosur e para tarifën prej 10% produkteve amerikane dhe “mrekullinë që na i hapi sytë” dhe e kuptuam për gabimin që e paskemi bërë për më shumë se qe dy dekada. Deklarimi “unanim” në medie dhe debatet televizive ishte se qenkemi vonuar dhe se nuk duhet të na zërë “sabahi” pa e hequr këtë tarifë ndaj një vendi mik siç është SHBA-ja. Debatet, titujt e nëntitujt, të krijojnë bindjen se kjo tarifë është vendosur “fshehtas” ashtu që deri tani pakkush e paska ditur. Askush nuk e përmendi faktin se deri më tani Kosova ka gëzuar tretman preferencial për eksport në tregun amerikan dhe atë pa tarifa. A thua qeveritë e mëparshme amerikane që kanë lejuar këtë përfitim për bizneset kosovare, nuk e paskan ditur se Kosova ka një tarifë doganore unike prej 10% për të gjitha importet pa përjashtim se nga cili vend vijnë ato, pra edhe nga SHBA-ja. A thua gjithë ato ndihma financiare dhe të tjera, që kanë ardhur në Kosovë në forma të ndryshme nga SHBA-ja, paskan ndodhur pikërisht se “për këtë zbulim” nuk paskan qenë të njoftuar as qeveritë e as ambasada dhe përfaqësuesit e tjerë të shtetit amerikan. Debatet, titujt e nëntitujt dhe mendimet e disa njohësve të ekonomisë në mediat publike më shtynë që të shkruaj disa rreshta lidhur me këtë çështje.
E para, ndonëse vendi ynë nuk është anëtare e OBT-së, ku sigurisht se në një të ardhme pretendon që të jetë, duhet të kemi parasysh se, që nga viti 1995 shtetet anëtare dhe ato që pretendojnë që të anëtarësohen në OBT, janë të detyruara që të respektojnë parimin bazë të tregtisë ndërkombëtare e që është parimi i mosdiskriminimit. Ky parim thotë “një vend nuk duhet të diskriminojë ndërmjet partnerëve të tij tregtarë dhe nuk duhet të diskriminojë ndërmjet produkteve, shërbimeve apo shtetasve të tij dhe të huaj”. Kjo nënkupton se kur një vend vendos një tarifë doganore, ajo duhet të jetë jodiskriminuese, në kuptimin që produkti i njëjtë nuk mund të tarifohet ndryshe ndaj një vendi dhe i njëjti produkt ndryshe ndaj një vendi tjetër. Kjo nënkupton se nëse Kosova ka një tarifë doganore prej 10 % ndaj një produkti që importohet nga BE-ja po aq duhet të jetë për të njëjtin produkt nëse ai importohet nga SHBA-ja, Kanadaja apo nga Kina.
Përjashtim nga ky parim bëjnë rastet kur vende të caktuara nënshkruajnë marrëveshjeve për tregti të lirë apo format e ndryshme të integrimeve ekonomike, ku vendeve u lejohet që me marrëveshje bilaterale apo multilaterale t’i rregullojnë raportet e tyre tregtare, e në këtë rast edhe të vendosin tarifa me të ulëta apo edhe t’i heqin ato krejtësisht midis tyre dhe i mbajnë në fuqi ndaj vendeve të tjera që nuk janë anëtare, ose nuk janë nënshkrues të marrëveshjes së tregtisë së lirë.
Po ashtu përjashtim nga parim i mosdiskriminimit bëjnë edhe rastet kur një vend i zhvilluar vendos që ta ndihmojë një vend të varfër me ç’rast me vetëdije aplikon tarifa më të ulëta doganore ose i heq ato në mënyrë të njëanshme duke i dhënë vendit tretman preferencial, siç ka qenë deri më tani rasti i ShBA-së ndaj Kosovës, ku produkte kanë mundur të tregtohen lirshëm në tregun amerikan pa tarifa. Apo siç është rasti për shumë produkte që Kosova i eksporton në tregun e BE-së pa tarifa, pikërisht për shkak të këtij tretmani preferencial që ndjekin këto vende ndaj Kosovës.
Përjashtim nga ky parim bëjnë rastet kur vendi i caktuar aplikon çmime “dumping” apo udhëheq politika diskriminuese ndaj vendit tjetër, në këtë rast p.sh., ndaj vendit tonë, më ç’rast edhe OBT lejon politika kundërpërgjegjëse për vendosjen e tarifave të ndryshme, siç ishte rasti me tarifat e reciprocitetit (100%) të cilat i vendosi Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë si rezultat i masave jotarifore që ajo i ndiqte në raport me Kosovën.
Së dyti, vendet nënshkruajnë marrëveshje të tregtisë së lirë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve. Por, praktikat tregojnë se ato janë të suksesshme dhe në interes të vendeve nënshkruese vetëm kur nënshkruhen në mes të vendeve që janë përafërsisht në nivel të njëjtë të zhvillimit dhe kanë afërsi gjeografike (edhe pse ka shumë raste kur ato janë nënshkruar edhe në mes të vendeve që janë larg gjeografikisht), pikërisht për t’i shfrytëzuar përparësitë krahasuese që i kanë. Përndryshe, të dy këto kritere janë jo shumë të favorshme kur është fjala për tregtinë e lirë në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Kjo për faktin se dallimi në zhvillim është i pakrahasueshëm, ashtu që edhe vëllimi i tregtisë është shumë i vogël, kështu p.sh., në vitin 2024, eksporti i Kosovës në SHBA ishte vetëm106.3 milionë € kurse importi ishte 84.5 milionë €. Shpenzimet e transporti, ato të sigurimit dhe shpenzimet e ngjashme përcjellëse, dhe kur kësaj i shtohet cilësia dhe shkalla e ulët e produktivitetit, bëjnë që produktet e prodhuara në Kosovë, të jenë jokonkurruese në tregun amerikan edhe në periudhën kur tarifat ishin zero. Po kështu, cilësia, e së bashku me të çmimet dhe kostot shoqëruese, kanë bërë që importi, përkatësisht produktet nga tregu amerikan të jenë shumë pak të pranishme në tregun e Kosovës.
Megjithatë, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tregtisë së lirë për produkte të caktuara sigurisht se është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, kjo sigurisht se do të bëjë më të lirë importin për 10%, megjithëse kjo nuk nënkupton se për të gjitha produktet duhet të hiqet tarifa doganore, por kjo është çështje e vlerësimeve të ekspertëve të fushës. Heqja e plotë e tarifës, më shumë mund të duket si efekt politik në kuptimin e “përkushtimit për miqësi të përhershme” me SHBA-në, sesa që mund të krijojë ndonjë favor të veçantë për këtë vend mik, në përmirësimin e bilancit të saj negativ tregtar me Kosovën prej 21.8 milionë €, të një ekonomie gjigante që ka Bruto Produkt (GDP) vjetor prej 26.889 trilionë $.
Së treti, vendosja e tarifave doganore ka efekt të trefishtë. Vendosja e një takse doganore është burim i të hyrave për buxhetin e shtetit. Vendet e pazhvilluara siç është Kosova, pjesën më të madhe të të hyrave buxhetore e sigurojnë nga tarifa doganore ose nga arkëtimet tarifore në kufi. Të hyrat nga dogana duke përjashtuar TVSH-në e inkasuar në kufi vazhdojnë të jenë burim i konsiderueshëm i të hyrave buxhetore për Kosovën. Kështu në vitin 2023 të hyrat doganore ishin 712.5 milionë €, që në raport me të hyrat e gjithsejta të buxhetit (2,860.7) merrnin pjesë rreth 24.9%. Ko nënkupton se të hyrat nga tarifat doganore janë burimi i konsiderueshëm për funksionimin e shtetit të Kosovës. Ndryshe qëndron puna kur është fjala për vendet e zhvilluara, ku të hyrat kryesore të shtetit arkëtohen brenda nga tatimet e brendshme.
Tarifat doganore e kanë edhe një qëllim tjetër, ato ndihmojnë që të mbrohet prodhimi i brendshëm vendor, përkatësisht prodhuesit e vendit nga konkurrenca e ashpër e tregut ndërkombëtar, e së bashku me këtë edhe për të mbrojtur punësimin. Tregtia e lirë parimisht e rrit vlerën e përgjithshme ndërkombëtare, por fitimet nga tregtia e lirë janë të ndryshme. Një vend me një ekonomi të dobët, përfiton pak nga tregtia e lirë me një vend shumë të zhvilluar, për faktin se prodhuesit vendorë nuk janë në gjendje që të përballojnë konkurrencën, ashtu që do të janë të detyruara që të largohen nga tregu, thjesht do të shuhen, kështu do të bjerë edhe punësimi dhe do të rritet papunësia. Duhet theksuar se, edhe OBT lejon që vendet e varfra, madje edhe ato të zhvilluarat, për një periudhë të caktuar mund të mbrojë me tarifa doganore të ashtuquajturat sektorë apo degë të ekonomisë së tyre të njohura si degë apo industri “foshnjore” të cilat akoma janë të pazhvilluar për t’u ballafaquar me konkurrencën ndërkombëtare. E për të qenë të sinqertë, ekonomia e jonë është tërësisht “foshnjë” në muajt e parë të zhvillimit krahas një ekonomie gjigante siç është ajo amerikane, e cila për vite me radhë përmes formave dhe fondeve të ndryshme ka ndihmuar në krijimin, ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe ekonomisë së saj. Duke marrë parasysh angazhimin e qeverive amerikane në mënyrë të vazhdueshme për krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës (ku pa dilemë kanë hise), në një dialog të sinqertë, mendoj që edhe vetë ekspertët amerikanë do të na sugjerojnë që në disa produkte të caktuara të vazhdojmë që t’i mbajmë tarifat doganore edhe në raport me ekonominë amerikane, si burim i të hyrave të qeverisë por edhe si mburojë për rritjen e bizneseve dhe zhvillimit e ekonomisë, derisa të njëjtat mjaftueshëm të përgatitemi për tregti të lirë edhe me vendet e zhvilluara.
Përndryshe, tarifën e vendosur doganore e paguan biznesi i vendit importues e në instancë të fundit e paguan konsumatori, duke qenë se ajo llogaritet në çmimin përfundimtar të shitjes. Anasjelltas, heqja e tarifave doganore bën që malli i importuar të jetë më i lirë, dhe kjo mundëson që konsumatorët të blejnë më lirë dhe mirëqenia e tyre të rritet. Por, shtrohet pyetja si do të blejmë produktet e jashtme kur eksporti ynë e mbulon importin për vite me radhë vetëm prej 12-15%? Kështu p.sh., në vitin 2023 eksporti i mallrave ishte 863.1 milionë €, kurse importi ishte 5.9 miliardë €. Kjo tregon se ne kishim një deficit tregtar prej 5.01 miliardë €. Kjo do të thotë se importi mbulohej me eksport vetëm 14.6%. Një rezultat jo shumë më i mirë ishte edhe në vitin 2024 ku deficitit tregtar nga të dhënat jopërfundimtare ishte 5.4 miliardë € kurse shkalla e mbulimit të importit me eksport është vetëm 14.9%.
Pra, debati i “zjarrtë” se si është e mundur që Kosova e para t’i ketë vendosur tarifa ekonomisë amerikane, duhet të ketë parasysh faktin se Kosova ka një tarifë doganore uniforme (të njëjtë) për të gjitha vendet me të cilat nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë. Kjo tarifë është vendosur që nga periudha e UNMIK-ut dhe deri më tani nuk është ndryshuar asnjëherë. Po kështu, në produkte të caktuara të importuara përpos taksës së “sheshtë” doganore, paguhet edhe taksa specifike e njohur si akcizë, e cila është e ndryshme varësisht nga lloji i produktit. Heqja e taksës së “sheshtë” apo edhe akcizës në raport me një shtet tjetër sigurisht duhet të jetë pjesë e negociatave për tregti të lirë, pra në këtë rast edhe me SHBA-në, e një marrëveshje e cila do të ishte në interes të përbashkët të dy vendeve mike, pra edhe të forcimit të ekonomisë dhe shtetit të Kosovës.
(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”)