OpEd

Tallja me veten

Kur as ne veten nuk e marrim seriozisht, pse do të duhej dikush tjetër të na shikonte me sy të tjerë? Përse do të duhej të na merrnin seriozisht, kur qe sa vjet jemi shtet me të cilin kushdo mund të tallet kurdo dhe si t’ia ka ënda?

E dini se në cilin shtet ndodh që dikush që dënohet me burgim me kusht për keqpërdorime, por të cilit gjykata nuk ia ndalon punën në shërbimin publik, mund të punojë si drejtor prokurimi në ministrinë me buxhet qindra milionësh?

E, a e dini se në cilin shtet ndodh që një drejtor që futet në listën e zezë të SHBA-së suspendohet e që vetëm pas dy javësh emërohet drejtor investimesh rrugore?

Me siguri e dini. Në shtetin hajgare.

Përtej krejt llafeve dhe debateve deri në shterje, për një dokument të cilin Qeveria me këmbëngulje e mban të fshehur, për shkak “se partnerët ndërkombëtarë” ashtu po insistojnë, u spikatën edhe temat, si e këtij drejtori në Ministrinë e Infrastrukturës, që tregojnë për talljen që ne vetë ia bëjmë shtetit tonë.

Pra, njeriu i cili u shpall fajtor për keqpërdorim, edhe në qeverinë e cila kishte premtuar luftën e pakompromis kundër korrupsionit, mbajti postin kyç ku mund të vidheshin paratë. Dhe, nuk u mbajt aty tri ditë, por tre vjet, derisa amerikanët nuk e qitën në listë të zezë.

Arsyetimi i Ministrisë ka qenë se këtij personi nuk mund t’ia shkëpusnin kontratën për shkak se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e kishte kthyer në ministri. Por veprimi i kësaj jave tregoi se paska pasur mundësi edhe ligjore për ta lëvizur këtë njeri prej një vend pune në tjetrin.

Pra, çështja del të jetë se vetë udhëheqësit e këtij dikasteri nuk paskan dashur ta largonin një njëri të dënuar nga vendimmarrja për kontratat më të shtrenjta në Kosovë. Nuk paskan dashur ta largonim prej aty dhe me plot të drejtë kanë ngjallur dyshime shumë të thella në mos e kanë mbajtur aty për t’iu shërbyer në zanatin që e ka pjekur mirë në qeveritë e tjera ku ka shërbyer.

Askush nuk e ka ndalur sekretarin e kësaj ministrie ta themelojë drejtorinë për fotokopje brenda ministrisë dhe këtë njeri ta mbajë aty, po qe do të duhej të respektohej vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Askush nuk e ndalon sekretarin ta ketë një drejtor pa portofol e që njësoj ta respektojë këtë vendim. Dhe askush nuk e ka detyruar sekretarin që këtë njeri ta mbajë shef të prokurimit, me gjithë vendimin fajësues për korrupsion. Apo ndoshta ekziston dikush që e paska detyruar. A thua pse?

Pra, anëtari më i ri i listës së zezë amerikane, që nga pardje është drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore. Pra, shef i departamentit me më së shumti buxhet dhe me më së shumti dështime në ministrinë që e udhëheq Liburn Aliu. Në vitin 2023 janë planifikuar 257 projekte nga kjo ministri. Jemi thuajse në fund të vitit, madje 169 projekte NUK janë nisur fare, pra 65% e planit është në pikën zero.

Dështimet monumentale të kësaj ministrie janë: mospërfundimi i rrugëve për Podujevë, për Mitrovicë, për Gjilan dhe për Gjakovë. Duke i pasur në dispozicion madje 215 milionë për investime kapitale, kjo ministri nuk arrin ta kryejë asnjërën nga këto rrugë (ta merr mendja secila i ka nga 1.000 kilometra gjatësi) dhe arrin t’i shpenzojë e t’i zotojë vetëm 144 milionë euro për këtë vit. D.m.th., 71 milionë euro shkojnë në suficit. Apo ndoshta edhe nuk shkojnë, meqë tash sektorin e rrugëve e kontrollon dikush që Amerika e qet në listë të zezë.

Pas tre vjet dështimesh të këtij lloji njëmend shtrohet pyetja: Pse është Aliu ende ministër i këtij dikasteri? Për t’i vizituar marketet e për t’i shikuar qeset e trasha që shiten 5 centë? Apo për ta bllokuar komplet rrjedhën e parasë dhe për ta ngufatur tregun edhe ashtu të ngufatur të punës në Kosovë? Pse?

* * *

Punët publike, dhe nuk është filozofi e as shkencë jashtëtokësore, janë ato që krijojnë vende pune, qoftë edhe të përkohshme, dhe sigurojnë derdhjen e parave në treg. Paramendojeni situatën po qe se MMPHI-ja do t’i kishte shpenzuar të 200 e kusur milionët sivjet, sa më shumë para do të kishte pasur në qarkullim, e për pasojë do të kishte pasur edhe më shumë të hyra në buxhetin e shtetit në formë tatimesh.

Dhe, në një situatë ku ministritë performojnë keq; ku nuk u përmbahen planeve dhe projeksioneve buxhetore dhe në një situatë ku insistohet që paratë e shtetit të copëtohen në subvencione që krijojnë parazitë dhe që ndikojnë direkt në rritjen e ekonomisë joformale, kalon në parim Ligji për buxhetin e vitit 2024.

Si çdo vit, thuhet se ky është buxheti më i madhi që ka pasur Kosova ndonjëherë: 3.3 miliardë euro. Dhe po, nuk kemi pasur kurrë buxhet më të madh. Por, as inflacion më të madh sesa në kohën kur miratohet ky buxhet.

Kur e zbërthen buxhetin, e sheh se ku do të na shkojnë paratë: rreth 800 milionë bëjnë rrogat e sektorit publik – pra rrogat e politikanëve, pjesëtarëve të qirkuzit, shërbimit civil, mjekëve, mësimdhënësve, policëve dhe krejt atyre që marrin rroga nga shteti.

Kjo është rreth 25% e buxhetit, njëfarë lloj tavani përtej të cilit nuk duhet shkuar. Dikur ka qenë rreth 28-30%, pra e kemi një përmirësim, por optimalisht ky shpenzim duhet të bjerë nën 20% për të qenë i pranueshëm sipas standardeve evropiane.

Nëse tatimi maksimal në të ardhura është 10%, nga rrogat e mbi 90 mijë njerëzve që marrin rroga nga shteti, shteti i kthen prapa maksimalisht 80 milionë, mbase as aq. Pjesën tjetër të rrogave të tyre i siguron sektori privat, që për fat të keq tash e ka mesataren e të ardhurave personale më të vogël sesa sektori publik. Si në shtet hajgare më, çka më thânë?

E tash – kur jemi te subvencionet ato “parazitoret” dhe transferet, vitin tjetër një e treta e buxhetit do të na shkojë për ndihma sociale e subvencione të imëta, për rrymën në veri (e cila vazhdon të jetë diskriminim i pastër ndaj shumicës së popullatës), “Trepçën”, e kushedi edhe çka tjetër, d.m.th. më shumë se 1 miliard euro.

Dhe kush do ta paguajë këtë ndarje e copëtim buxheti? Sektori privat natyrisht.

E kjo nuk do të ndodhë për shkak se ekonomia do të rritet dhe do të krijohen vende të reja pune, por për shkak se sektori privat do të vazhdojë t’i mbajë rrogat e vogla për të mundur të mbijetojë, ndërkohë që do të detyrohet të paguajë tatime. Plus, ekonomia nuk do të rritet e nuk do të na rritet as eksporti, për shkak se pos njerëzve nuk është se kemi çka tjetër të eksportojmë. Ndërkohë që paratë e gatshme do t’i përdorim për të blerë domate të plastifikuara nga Turqia dhe në import do të paguajmë doganë e TVSH, dhe kështu do ta mbushim buxhetin sërish.

Investime të jashtme natyrisht se nuk do të ketë, për shkak se nuk ka strategji për ta siguruar investimin e jashtëm këtu: as nuk ka lehtësi fiskale e as nuk ka vullnet për t’i vënë në dispozicion asetet (që nuk është uji i pakët për prodhimin e rrymës që asnjë fshat nuk e furnizon me të) për këso investimesh. Nuk kemi ide. Sepse jemi shtet hajgare.

Buxheti i vitit që vjen parasheh nja 850 milionë investime kapitale në të gjithë shtetin: ministri e komuna. Dhe në fund i lë disa para për rezerva shtetërore nga e cila paratë zhduken, ndërkohë që koalicioni qeveritar refuzon të marrë pjesë në komisionin hetimor të Kuvendit për t’u marrë me këtë çështje. Pse?

Pra, 3 miliardë do të shkojnë ashtu siç është paraparë të shkojnë dhe sektori privat, për të tretën herë me radhë, injorohet plotësisht, pos tek idetë e marra, sikur ajo e subvencionimit të tri rrogave në lartësi prej 170 eurosh për punësimin e dikujt. E çfarë të bësh pas tre muajsh? E çon në shtëpi apo e mban me 170 euro rrogë në të zezën? Pikëlluese.

* * *

Javën që vjen bëhen dy muaj qëkur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë dhe ende nuk ka asnjë rezultat të një hetimi gjithëpërfshirës që do ta mbante Serbinë përgjegjëse. Pra, është një shtyrje e pafund e një hetimi, e cila më së shumti i konvenon Serbisë, e cila tash hyn në fushatë zgjedhore. U konvenon edhe Borrellit e Lajçakut që nuk do të donin assesi të dilte në pah sulmi frontal i Serbisë me sasi armatimi sikur nga koha e luftës, sepse do të donin të vazhdonin me trajtimin asimetrik të palëve në procesin e bërë përshesh. E dini pse ndodh kjo me kaq lehtësi?

Për shkak se kur as ne veten nuk e marrim seriozisht, pse do të duhej dikush tjetër të na shikonte me sy të tjerë?

Përse do të duhej të na merrnin seriozisht, kur qe sa vjet jemi shtet me të cilin gjithkush tallet kurdo dhe si t’ia ka ënda?

Shtet hajgare!

[email protected]