Ky nuk është “problem kompleks shoqëror”, as “pasojë e shkaqeve strukturore dhe të thella”. Jo, gjërat janë fare të thjeshta, por veç kemi qejf me i kompliku dhe me këqyrë diqysh me e fut edhe këtë rast nën tepih. Tepih i cili u bë katran nga dhimbjet e vajzave, grave dhe familjeve tona. Ky terror nuk është fati ynë. Nuk është rezultat i “kompleksitetit shoqëror”. Është rezultat i mungesës së interesimit të shtetit për të
Para më shumë se një viti u dhunua një vajzë e mitur në Pejë. Dhunuesi ishte Xhevdet Januzaj, mësimdhënësi i saj. Kur babai i vajzës, Gëzim Kastrati, tentoi të mbronte vajzën e vet dhe e lajmëroi rastin në polici, mësimdhënësi dhunues vrau Gëzimin. Nën emocionet e këtij rasti të rëndë unë fajësova drejtpërdrejt shtetin për çfarë kishte ndodhur. Me një shkrim tërhoqa paralele në mes reagimit radikalisht ndryshe të dy shteteve në botë kur ballafaqohen me dhunimin e vajzave të mitura - Kosovë dhe SHBA. Mesazhi kryesor i shkrimit ishte që rastet sikur ky janë pasojë e një shtetit të dështuar, i cili nuk arrin të mbrojë fëmijën nga dhunuesi dhe si pasojë ngjarja përfundon në tragjedi.
Disa nga miqtë e mi më kritikuan se kisha shkuar shumë larg me kritikën ndaj shtetit, pasi që çdo rast ka veçantitë e veta dhe se nuk është fer që për shkak të disa rasteve të izoluara të nxirren konkluzionet e përgjithshme mbi suksesin apo dështimin e shtetit.
Nuk jam pajtuar me këtë kritikë as atëherë, as sot. Ky nuk ishte rast i izoluar. Para rastit në Pejë, Pjeter Ndrecaj ekzekutoi gruan dhe vajzën e tij; Lulëzim Sopa vrau gruan e vet; Adnan Jashari vrau Dianën; në Drenas një mësimdhënës dhe një polic dhunuan një të mitur; në Prishtinë, Mitrovicë dhe Fushë-Kosovë në raste të ndara u dhunuan vajzat e mitura. Ndërsa tre muaj pas rastit të Pejës, Dardan Krivaqa torturoi dhe vrau në mënyrë makabre Marigonën, e sot një e mitur u dhunua nga pesë persona në Prishtinë, ndërsa një tjetër grua u dhunua në Fushë- Kosovë.
Këto nuk janë raste të izoluara. Këto janë viktimat e një shteti që sistematikisht dështon të mbrojë me vendosmëri më të pambrojturit në shoqërinë tonë. Dhe këtë e kuptojmë jo vetëm nga rastet tragjike të dhunës ndaj vajzave dhe grave. E kuptojmë edhe çdo ditë në rrugët tona. Ju kujtohet dënimi i një vajze vetëm sepse po qeshte me zë të lartë në rrugë. E a ju kujtohet ndonjë rast ku një mashkull është dënuar që ka ngacmuar seksualisht ndonjë vajzë në rrugë? Natyrisht se jo. Sepse i gjithë sistemi nuk është i kalibruar në atë formë që të luftojë këtë terror. Në fakt, nuk e njeh si terror fare. Terror është një vajzë që buzëqesh, jo një djalë që ngacmon. Thuhet se “ai që rren, ai edhe vjedh, e ai që vjedh, ai edhe vret”. Kështu njëjtë “ai që ngacmon, ai edhe dhunon, e ai që dhunon, ai edhe vret.” Mbi këtë premisë duhet ndryshuar radikalisht mekanizmat shtetërorë në luftë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave. Nga klasat e shkollës deri tek sallat e gjyqit.
***
Është kurioze se si pas çdo rasti të dhunimit të vajzave dhe grave në diskursin tonë publik shfaqen zëra relativizues që kanë për synim arsyetimin e rastit. Ndër ta më të bezdisshmit janë shpjegimet e llojit “ky është problem kompleks shoqëror” dhe “shkaqet janë strukturore dhe të thella”. Jo, gjërat janë fare të thjeshta, por veç kemi qejf me i kompliku dhe me këqyrë diqysh me e fut edhe këtë rast nën tepih. Tepih, i cili u bë katran nga dhimbjet e vajzave, grave dhe familjeve tona. Ky terror nuk është fati ynë. Nuk është rezultat i “kompleksitetit shoqëror”. Është rezultat i mungesës së interesimit të shtetit për të. Të gjithë kemi parë se kur shteti është i vendosur të adresojë një problem, ai problem adresohet.
Kur nga pandemia vdisnin njerëzit për shkak mosrespektimit të rregullave, kësisoj u arsyetonim duke thënë se është “problem kompleks shoqëror”. Por, kur shteti i shpalli luftë pandemisë, përvoli mëngët, vendosi kufizimet, obligoi maskat dhe vendosi inspektorët dhe policinë në rrugë, ne e kuptuam fuqinë e shtetit. Infektimet u ndalën dhe jetët u shpëtuan.
Kur u patën rritur aksidentet e trafikut dhe vdisnin njerëzit çdo javë, kësisoj u arsyetonim duke thënë se është “problem kompleks shoqëror”. Por kur shteti u shpalli luftë kamikazëve pas timonit dhe përvoli mëngët e vendosi policinë në çdo rrugë dhe rrugicë, ne e kuptuam fuqinë e shtetit. Aksidentet u ndalën dhe jetët u shpëtuan.
Mundem të vazhdoj kështu pa fund, por ajo çfarë dua të them besoj se është e qartë. Ky terror i dhunimeve dhe vrasjeve të vajzave dhe grave nuk është “problem kompleks shoqëror”. Është fare i thjeshtë. Por, fillimisht ai kërkon të njihet si problem nga shteti. Jo të futet nën tepih. Shteti duhet t’u shpallë luftë talibanëve në mesin tonë. Dhe në luftë nuk mund sillesh si në kushte normale, por duhet ndryshuar radikalisht gatishmërinë e shtetit për luftë. Në fjalët e Brikendes: me poezi ky terror nuk do të ndalet. Duhet mbledhur Këshillin e Sigurisë Nacionale, duhet ndarë resurse financiare, duhet ndryshuar në tërësi mekanizmat institucionalë dhe kapacitetet njerëzore për të fituar këtë luftë. Dhe, më e rëndësishmja, duhet folur për këtë problem që kemi si vend. Nëse mundem çdo ditë të flas për Asociacionin dhe dialogun me Serbinë, mundem një herë në muaj të flas edhe për dhunën ndaj vajzave dhe grave. Nëse kemi Këshillin Kombëtar për Ndryshime Klimatike, përse nuk kemi Këshill Kombëtar për Sigurinë e Vajzave dhe Grave. Është e qartë se për vajzat dhe gratë në Kosovë dhuna e burrave është më e rrezikshme se ndryshimet klimatike. Momentalisht çështjet e të drejtave të grave dhe vajzave janë të varrosura thellë në burokracinë institucionale, në nivele qesharake të një zyre me titull edhe më qesharak “Zyra për Qeverisje të Mirë” në Zyrën e Kryeministrit. Me një mungesë kaq të madhe të vëmendjes, natyrisht që asgjë nuk ndryshon. Kjo është arsyeja përse asnjë mësimdhënës, drejtor shkolle, polic, ministër i Brendshëm, prokuror apo gjykatës nuk u shkarkua për shkak të mosparandalimit të dhunës ndaj vajzave dhe grave. Dhe, në gjithë këtë mes pak çka kemi për të bërë ne si individë, përveç ngritjes së zërit tonë. Por, minimalisht çfarë nuk duhet të bëjmë është të mos realtivizojmë këtë sëmundje që na ka kapluar si vend duke zhvendosur vëmendjen tek “kompleksiteti i problemit” dhe “thellësia e shkaqeve”.