OpEd

Tabloid: Shiptarët do të na vrasin!

Çka po paralajmëron shtypi i verdhë beogradas dhe si ndodhi që në të njëjtën kohë “triumvirati” Vuçiq, Thaçi e Rama të kenë takime të niveleve më të larta në Washington dhe në Moskë?

Ballina me 945 lajme të rreme

KRAHASUAR ME shumë shtete të rajonit, por edhe me shtete të tjera në botë, Serbia sot vazhdon ta ketë një “përparësi”. Teksa në shumicën e vendeve vazhdon të bjerë në mënyrë drastike leximi i gazetave të shtypura, në Serbi një sërë prej tyre vazhdojnë të gëzojnë tirazhe gjashtëshifrore.

Zakonisht bëhet fjalë për shtyp të verdhë, ose tabloide, gazeta me tituj të mëdhenj goditës, shumë fotografi, pak tekst, shumë krim dhe – edhe më e rëndësishme – edhe më shumë cullakhane. Synimi, si i gjithë shtypit të verdhë: sa më shumë lexues, sa më pak informim. Ose: sa më shumë zbavitje, që sjell shumë lexues, por pak lajme, lajme të sakta.

Një hulumtim i pavarur në Beograd ka nxjerrë të dhënën se gjatë vitit 2019, katër tabloidet me tirazhin më të madh – “Informer”, “Srpski Telegraf”, “Alo” dhe “Kurir” – vetëm në ballinat e tyre kanë botuar plot 945 artikuj të rremë ose të pabazuar.

Jobefasisht, më së shumti rrena nga ballinat e këtyre të përditshmeve janë lansuar kundër opozitës serbe dhe “armiqve të Serbisë”, kurse gjithnjë me primesa prej heroi është portretizuar kryetari serb Vuçiq dhe ai rus, Putin.

Projekti “Raskrinkavanje”, i cili ka publikuar të dhënat, ka vërejtur se armiqtë në ballina kanë qenë kryesisht “shiptarët” (siç vazhdojnë t’i quajnë shqiptarët), Haradinaj, Thaçi, Kurti e Veseli, NATO-ja, “ustashët” etj.

Nga 7 milionë banorë në Serbi, rreth 2.5 milionë kanë deklaruar se rregullisht informohen nga gazetat, kryesisht nga këto gazeta.

Vuçiq synon 70 për qind

KA KOHË QË Vuçiq dhe partia e tij, Partia Përparimtare Serbe, lehtësisht fitojnë më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e Serbisë, kurse opozita tash e sa vite s’po mund të këndellet, duke prodhuar opsione politike të cilat lindin e shuhen më parë sesa shumica e votuesve t’ua mësojnë emrat.

Ndikimi jashtëzakonisht i madh që e ka Vuçiqi në mediat e Serbisë, të cilat gjithashtu, për shkak të lexueshmërisë së madhe, kanë ndikim në masat votuese, i kanë veshur atij fuqi aq të madhe politike, sa të operojë lehtësisht me çështjet më të ndërlikuara pa u frikësuar nga opozita dhe, rrjedhimisht, ndëshkimi qytetar.

Më 26 prill pritet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato lokale në Serbi, në të cilat sërish pritet të fitojë partia e Vuçiqit. Madje kjo fitore mund të jetë edhe më e thellë sesa deri më tash, deri në 70 për qind, për shkak se një pjesë e opozitës ka paralajmëruar bojkotimin e tyre. Pas këtyre zgjedhjeve, me legjitimitetin e rifituar politik, Vuçiq duket të jetë i vendosur që të arrijë edhe një “zgjidhje përfundimtare për problemin e Kosovës”.

Kështu, së fundi, në këto media të afërta të Vuçiqit, ka filluar të luhet skenari i njëjtë me atë të para një viti e gjysmë më parë, kur ai kishte paralajmëruar zgjedhjen e çështjes me kufizim (razgranicenje) ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, duke e ndarë Kosovën.

Atëbotë, përnjëherë “Informer”, “Kurir”, “Alo” dhe “Srpski Telegraf” kishin filluar me një sërë artikujsh, analizash, studimesh, deklaratash, të cilat flisnin për përparësitë e një ndarjeje të Kosovës, si dhe kostos që do ta kishte për Serbinë mbajtja e status quos.

Duke qenë se tash plani i ndarjes duket të ketë rënë në ujë përfundimisht, ditëve të fundit të njëjtat mediume kanë filluar botimin e të rejave “plane të fshehta” për një marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi.

“Jam i bindur se deri në fund të vitit do të na servohet diçka që vështirë se do të mund ta refuzojmë, por që nuk do të mund as ta pranojmë”, ka shprehur “brengën” Vuçiq.

Pa një pa dy, ballina e “Kuririt” ka zbardhur me tekstin për Ahtisaari Plus Plus (duket sikur Vuçiq vetë t’i ketë thënë shtojeni edhe një “plus” më shumë se nuk bëhet nami, por tingëllon më shumë!), i cili do t’i ofrohej në formë të ultimatumit Serbisë, por që refuzimi i tij do të mund ta fuste Beogradin në luftë të drejtpërdrejtë me shtetet më të fuqishme në botë.

Pas “Kuririt”, me temën e njëjtë kanë vazhduar në kor edhe tabloidet e tjera.

Ahtisaari, me sa plusa?!

NUK KA FARE RËNDËSI se a është edhe një lajm i ri i rremë në ballinat beogradase Ahtisaari + +. Ajo që ka rëndësi të dihet është se një lajm i këtillë vështirë të botohej pa mbyllje syri nga Vuçiqi. Që do të thotë se kryetari serb është duke e lansuar edhe një balon të ri provues për opinionin e brendshëm, e rrjedhimisht edhe të jashtëm.

Ahtisaari + +, sipas shtypit të verdhë beogradas - ose notesit të Vuçiqit, njësoj kjo! – do të nënkuptonte se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por vetëm pasi të sigurohet se komunat me shumicë serbe në veri do të merrnin statusin e rajonit autonom; të ardhurat nga mbledhja e tatimeve dhe taksat e pikave doganore të veriut do t’i merrnin komunat në veri; kishat dhe manastiret do të gëzonin statusin e ekstraterritorialitetit. Si kundërshpërbim, me pranimin e Ahtisaari + +, Serbia do të merrte garanci për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Në margjina të këtyre raportimeve, mediat kanë lajmëruar se javën që vjen Vuçiq do të shkojë për një vizitë të rëndësishme në SHBA.

Rastësi?!

Thaçi në Washington, Rama në Moskë

KUR JEMI TE SHBA-ja, atje këtë javë ka qëndruar edhe presidenti i Kosovës, Thaçi. Vetë Thaçi dhe Vuçiq, para një viti e gjysmë kishin qenë protagonistët kryesorë, të cilët e kishin shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi, e cila do të bazohej edhe në shkëmbim territoresh, ose në lëvizje kufijsh. Kësaj radhe, nga Washingtoni, Thaçi nuk e ka komentuar fare kërkesën e kryeministrit Kurti për shkarkimin e tij, shkaku i marrëveshjes së fshehtë me NATO-n për veriun, por me qetësi ka postuar për takime të rëndësishme në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon.

Një tjetër takim i rëndësishëm këtë javë ka ndodhur edhe për personazhin e tretë të serialit “lëvizja e kufijve”, kryeministrin e Shqipërisë. Rama ka qëndruar për vizitë zyrtare në Moskë, ku ka takuar shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.

I pyetur lidhur me mundësinë e njohjes së Kosovës, Lavrov është përgjigjur se çdo marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte e pranueshme për Federatën Ruse. Kjo mund të jetë menduar edhe si mbyllje e një vrime tjetër dyshimi, se si do të sillet Kremlini në rast të marrëveshjes eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit.

Pra, nëse Kosova dhe Serbia merren vesh mes vete, Rusia s’do të bëhet bllokuese, ndërkohë që heshturazi e pranon që ndërmjetësimin e kësaj marrëveshjeje ta bëjë SHBA-ja.

Margjinë: a po hiqet taksa, a jo?!

[email protected]

Twitter: @adriatikk