OpEd

Ta rrënojmë monumentin e uzurpimit

Qeverisja “xhandarski”, ku pagat në sektorin publik rriten, por produktiviteti bie; ku hapen gjithnjë e më shumë ambasada, por izolimi rritet; ku hapen më shumë universitete publike, por ka më pak dije; ku punësohen më shumë mjekë, por ka më pak mjekim

Në ditët e para të pasluftës, aty pranë tymtarit të ngrohtores “Termokos” në hyrje të Prishtinës, u vendos një kopje e vogël e Statujës së Lirisë, e cila do të simbolizonte lirinë e shumëpritur të kosovarëve. Statuja u vendos mbi një objekt, i cili shumë shpejt mori formën e një hoteli, të cilit iu vu emri “Victory”, për të simbolizuar fitoren e luftës çlirimtare. E “statuja e lirisë” dhe “hoteli i fitores” u vendosën mbi pronë të uzurpuar publike. Andaj, më shumë sesa simbol i lirisë e i fitores, ai vend sot është një simbol i uzurpimit.

* * *

Në 18 vjetët pasues, liria, fitorja e uzurpimi do të ecnin krah për krah në Kosovë. E në shumë raste, çlirimtarët e djeshëm u shndërruan në uzurpatorë të sotëm. Ata që tentuan të ndalnin anarkinë në ndërtime dhe në uzurpime të pronës publike e pësuan me jetë, ashtu sikurse arkitekti Rexhep Luci. E vetëm pak metra larg hotelit “çlirimtar”, i ndërtuar në tokë shoqërore, nga i njëjti person, Bedri Selmanaj, u uzurpuan edhe dy pika të karburanteve, të cilat u emërtuan si “Kosova Petrol”. Kur më 2016 Agjencia e Privatizimit e Kosovës publikoi listën e pronave të uzurpuara shoqërore, Selmanaj kishte plot 13 pika të karburanteve në pronësi. I njëjti person, për një periudhë kohore ishte deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe më pas këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi. Krahas 13 pikave të karburanteve të uzurpuara, në fillim të 2016-s ishin gjithsej 170 asete të AKP-së të uzurpuara, 30% prej tyre në Komunën e Prishtinës.

E në aksionet për lirimin e pronave të uzurpuara, përkrah AKP-së dhe Policisë së Kosovës, ishte edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili inkurajonte aksionet e policisë, ani pse anëtarë të partisë dhe biznesmenë të lidhur me partinë e tij ishin uzurpatorë të pronave. Në vitin 2010, Këshilli Kombëtar Amerikan për Politikë të Jashtme, në një raport të shkruar nga David L. Phillips, shkruante se qarkullimi vjetor i SHIK-ut, organizatë e nëntokës e lidhur me PDK-në, me të cilën udhëhiqte Kadri Veseli, ishte 200 milionë dollarë. Nëse jo prej pikave ta karburanteve e pronave të tjera të uzurpuara, prej nga u financua kjo organizatë? Një nga klientët e “Kosova Petrol” ishte edhe kompania e kompjuterëve “Kobit PC”, shef ekzekutiv i së cilës ishte Kadri Veseli. E raportet e Inteligjencës së NATO-s, të publikuara nga “Koha Ditore” në maj të 2014-s, tregonin se si figurat kryesore të luftës, që tash janë të shpërndara në koalicionin PAN, ishin të përfshira në kontrabandë me naftë, cigare dhe vjelje “tatimesh lordësh”.

* * *

Përkundër asaj se në Qeverinë e parë në vitet 2001-2004, PDK-ja ishte në bashkëqeverisje me LDK-në dhe AAK-në, pushtetin e vërtetë PDK-ja do ta fitonte vetëm në zgjedhjet parlamentare të 2007-s. Nga viti 2008, strukturat e nëntokës do të fillonin ngadalë të hynin nëpër institucionet më të rëndësishme publike. E ata 200 milionë dollarë nga pikat e karburanteve e nga burime të tjera nga veprimtari ilegale, do të zëvendësoheshin me burimet shtetërore. E para që do ta pësonte ishte PTK-ja, e cila nga një aset shtetëror që planifikohej të shitej për 500 milionë euro, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2010-2012, u soll në situatë kur borxhet e saj të mbuloheshin nga buxheti i shtetit në rast se zbatohet vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, i cili e obligon PTK-në që t’ia paguajë 32 milionë euro kompanisë telefonike Z-mobile. Përveç PTK-së, në të njëjtën formë do të veprohej edhe me dhënien e licencave për terminalet doganore, me homologimin e veturave, kontrollet teknike, dhe me çdo licencë shtetërore. Për një periudhë të shkurtër kohore, PDK-ja u shndërrua në një agjenci punësimi, e cila u ofronte mundësi për avancim në karrierë të gjithë atyre që ishin të etur për të shuar komplekset e tyre dhe para emrit të vendosnin tituj universitarë, të jenë ambasadorë, anëtarë bordesh, shefa agjencish, e madje edhe gjykatës e prokurorë. PDK-ja, siç shpreheshin edhe protagonistët e aferës “Pronto”, i “m’shoj xhandarski”.

* * *

“Pushteti fitohet më lehtë kur je në pushtet, por kur ta humbësh pushtetin, është shumë vështirë për ta fituar sërish”, thoshte më 2010 ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në një tubim elektoral në Skënderaj. E pikërisht kjo frikë nga humbja e pushtetit e ka shtyrë PDK-në që të krijojë një shtet jofunksional. Shtet në të cilin punësimi në sektorin publik vazhdimisht rritet, por shërbimet nuk kryhen; ku pagat në sektorin publik rriten, por produktiviteti bie; ku hapen gjithnjë e më shumë ambasada, por izolimi rritet; ku hapen më shumë universitete publike e ndërtohen më shumë shkolla, por ka më pak dije; ku gjithnjë e më shumë punësohen mjekë, por ka më pak mjekim. Ngase punësimi, rritja e pagave e ndërtimi i infrastrukturës nuk janë bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit në administratë dhe ngritjes së cilësisë në arsim e shëndetësi, por janë përdorur si mjete për të fituar vota. Për t’u kapur pas pushtetit, duke e kapur shtetin.

E pikërisht frika nga humbja e pushtetit e shtyu partinë-shtet të bëjë lëmsh institucionet e funksionet shtetërore. Kur iu deshën votat në zgjedhjet 2010, PDK-ja premtoi hapjen e një universiteti në secilin qytet të madh. Kështu u hap Universitet në Gjilan, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj. Kur iu deshën votat në zgjedhjet lokale 2013, PDK-ja premtoi një komunë të re në territorin e secilës komunë aktuale. E për votat në zgjedhjet lokale 2014, kjo parti filloi të premtojë krijimin e zonave ekonomike në secilën komunë dhe u shpallën zona ekonomike Gjakova, Mitrovica dhe Prizreni. E sot, universitetet publike nuk arrijnë të akreditohen e studentët marrin diploma të paakredituara, komunat nuk arrijnë të vetëfinancohen, e zonat ekonomike nuk janë askund.

* * *

Për nëntë vjet shtet është krijuar një administratë shtetërore e paaftë dhe e ngurtë, reformimi i së cilës do të marrë kohë e mund. Por një ndryshim i tillë rrënjësor duhet të fillojë. E diela e ofron një shans të tillë, ku qytetarët përmes votës mund të bëjnë ndryshimin, mund ta rrënojnë së paku simbolikisht “monumentin e uzurpimit”. Vota mund ta ndalë këtë keqqeverisje dhe shtet-kapje që ndodhi para syve të prokurorisë e gjykatave dhe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Liria e plotë arrihet vetëm atëherë kur shoqërohet me lirinë ekonomike, e cila ua mundëson njerëzve t’i blejnë ilaçet e nevojshme dhe të marrin shërbimin e duhur shëndetësor, të ushqehen mjaftueshëm dhe shëndetshëm, të arsimohen e punësohen, dhe të lëvizin lirshëm. Liri të cilën nuk po e shijojmë as 18 vjet pas lirisë nga okupimi.