OpEd

Ta lakmosh Zvicrën e ta kopjosh Ugandën

ÇKA ËSHTË krenaria? Ose kush duhet t’ia përcaktojë një individi apo grupi shoqëror se me çka duhet të jenë krenarë?

Pa dyshim, krenaria është një ndjenjë shumë personale. Shpesh e pakuptueshme për të tjerët, por shumë domethënëse për subjektin.

Për shembull, sot mund të jemi krenarë me Kosovën. Një komunitet i caktuar, i mbështetur edhe nga shumë njerëz të tjerë jashtë komunitetit, kërkuan që të vërehen dhe që të njihen.

Në Paradën e Dytë të Krenarisë, me qindra e qindra përkrahës, pa asnjë incident për t’u shënuar.

Meqë kjo nuk është e lehtë as sot e kësaj dite edhe në shtete shumë më të zhvilluara të Kosovës, është ndjenjë e bukur tek sheh se secili mund të ndihet krenar për vetveten dhe madje ta shprehë publikisht!
 

PRA, NUK ËSHTË abnormal ai/ajo që përcaktimin e tij/saj fetar, etnik, gjinor, seksual e mbron dhe e shpreh publikisht.
Abnormal mund të jetë vetëm ai/ajo që i jep vetes të drejtë t’ia ndalojë tjetrit të ndihet mirë me vetveten!
Respektimi i së drejtës së tjetrit për të qenë vetvetja, edhe nëse vetë nuk je pjesë e përcaktimit të tij/saj, është respekti më i madh që mund t’ia bësh vetes.
Në të kundërt, nesër edhe ty dikush mund të ta bëjë një ndalesë për shkak se nuk e duron se je mysliman/katolik/ortodoks, shqiptar, burrë/grua, heteroseksual/LGBTI!

PSE KJO ËSHTË shumë e rëndësishme veçanërisht për ne, që jetojmë në Kosovë?

Është bukur e thjeshtë: si kolektivitet, jemi ndër qytetarët më të diskriminuar dhe më të paragjykuar.

Kemi qenë të diskriminuar dhe të paragjykuar si shqiptarë në ish-Jugosllavi.

Kemi qenë të diskriminuar dhe të paragjykuar si shumicë myslimane në një shtet predominues të krishterë.

Vazhdojmë të jemi të diskriminuar dhe të paragjykuar edhe sot, nga Evropa.

Jemi shteti i vetëm që nuk e ka rrumbullakuar procesin e pavarësimit në këtë pjesë të Evropës; jemi shteti i vetëm që nuk e kemi ende të garantuar lëvizjen e lirë. Jo pak nga këto procese të papërfunduara në thellësi përmbajnë diçka edhe nga paragjykimi ndaj nesh.

Do t’i binte se ka diçka prej Sindromës të Stokholmit në sjelljen e një pjese të shoqërisë sonë paragjykuese ndaj të tjerëve. Se disa prej nesh po veshim veset e liga që na kanë bërë ne të vuajmë, duke i bërë ne tash të tjerët të vuajnë.

KA STATISTIKA krahasuese sot. Në shtete të ndryshme ka pasur evolucion të pranimit në shoqëri të njerëzve që kanë përcaktime të ndryshme e që zakonisht shihen si pakicë. Njëjtë ka ndodhur edhe me pranimin e personave të komunitetit LGBTI. Nuk ka qenë gjithmonë njësoj. Niveli i sotëm i pranimit të këtij komuniteti ka qenë larg më i vogël vetëm 20-30 vjet më parë.

Mirëpo sot shtetet ku ka pranueshmëri më të madhe të personave të komunitetit LGBTI janë: Islanda, Suedia, Holanda, Norvegjia, Danimarka, Zvicra e kështu më radhë. Në të njëjtën kohë, shumica e këtyre shteteve sot renditen si vendet me cilësinë më të mirë të jetesës. Në indeksin e cilësisë së jetës sot merren për bazë kriteret si: stabiliteti ekonomik, sistemi arsimor, shëndetësia, ndotja e ajrit, pagat, infrastruktura e të tjera të ngjashme.

Nuk është e rastësishme pra që sa më e shëndoshë dhe e përparuar një shoqëri të jetë, aq më e hapur është edhe në pranimin e të tjerëve të tillë çfarë janë.

Diskriminimi dhe paragjykimi vështirë të sjellin ndonjëherë ndonjë të mirë.

Shpesh sjellin vetëm konflikt, luftëra dhe izolim.

Njësoj jo rastësisht, vendet më diskriminuese dhe paragjykuese ndaj komunitetit LGBTI sot në botë janë: Uganda, Kenia, Tunizia, Gana e Nigeria.

Në cilën prej këtyre shoqërive do të zgjidhnit të rrisnit fëmijët tuaj?

Duke qenë se shumica e kosovarëve që kanë zgjedhur të jetojnë në diasporë kanë zgjedhur Suedinë, Zvicrën e Norvegjinë dhe thuaja askush Ugandën, Ganën ose Nigerinë, besoj se përgjigjja tashmë është dhënë.

Së këndejmi, s’mund ta bëjmë Kosovën Zvicër duke u sjellë si qytetarë të Ugandës.

Nëse e kemi kuptuar qartë, meritojmë të jemi krenarë!

[email protected]

Twitter: @adriatikk