OpEd

Strategjia kundër Rusisë po funksionon dhe duhet të vazhdojë

Lufta nuk ka marrë fund dhe regjimi i Putinit ende po i mban në duar disa karta. Mirëpo me strategjinë aktuale perëndimore, Kremlini do ta ketë praktikisht të pamundur që ta ndryshojë rrjedhën. Koha dhe historia janë në anën e ukrainasve – për aq kohë sa i përmbahemi strategjisë sonë

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në një fazë të re. Ushtria ukrainase po bën përparime spektakolare, duke çliruar shumë qytete e fshatra dhe duke i detyruar forcat ruse që të zmbrapsen. Përderisa mbetet të shihet se sa larg do të shkojë kundërofensiva ukrainase, tashmë veç është e qartë se ekuilibri strategjik në terren po ndryshon.

Bashkimi Evropian në ndërkohë është plotësisht i mobilizuar për t’iu kundërvënë krizës energjetike. I kemi mbushur uzinat tona të depozitimit të gazit deri në mbi 80 për qind – bukur përpara datës së synuar të 1 nëntorit – dhe jemi dakorduar për caqe të qarta në reduktimin e konsumimit të gazit përgjatë dimrit. Për t’i ndihmuar konsumatorët e ndjeshëm dhe bizneset në menaxhimin e rritjes së çmimeve, jemi duke ecur përpara me propozimet, si taksa e papritur në kompanitë energjetike, që kanë siguruar përfitime të tepërta.

Për më tepër, në koordinim me G7-n dhe partnerët e tjerë të ngjashëm, jemi duke i diskutuar planet për ta kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse. Dhe po i ndihmojmë partnerët tanë në Jugun Global për t’u dalë ballë pasojave të agresionit brutal të Rusisë dhe shndërrimit cinik në armë të energjisë dhe të ushqimit.

Me pak fjalë: strategjia në përgjithësi po funksionon. Ne duhet të vazhdojmë që ta mbështesim Ukrainën, t’i ushtrojmë presion Rusisë me sanksione dhe t’i ndihmojmë partnerët tanë globalë në një frymë solidariteti.

Ata që kanë dyshime nëse sanksionet po funksionojnë ndodhen në një terren përherë e më të lëkundshëm. Në përgjithësi, sanksionet kanë funksion të dyfishtë: të sinjalizojnë dhe të detyrojnë. Sinjalizimi e shpreh kundërshtinë ndaj sjelljes së një shteti – i cili në këtë rast përfshin shkeljen e së drejtës ndërkombëtare dhe sulmet e paarsyeshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Dhe përderisa ne nuk jemi në luftë me Rusinë, detyrimi ka për synim edhe ta imponojë një ndryshim në sjelljen e saj e edhe t’ia gërryejë mjetet ekonomike dhe teknologjike për agresionin e saj.

Në një sinjal teket të qartë, BE-ja ka marrë një vendim historik për t’i dhënë fund varësisë së saj nga energjia ruse. Kremlini ka shkelur kontratat, duke i ulur në mënyrë dramatike vëllimet e eksportit të gazit, për t’i tronditur tregjet në këtë proces. Aftësia për t'u përfshirë në një lloj shantazhi të tillë mund të duket si një forcë ruse; por në fund të fundit kjo është një strategji humbëse. Në të kundërtën e besimit popullor, Rusia nuk mund aq lehtësisht të gjejë zëvendësues të qëndrueshëm për tregun evropian, ngase pjesa më e madhe e infrastrukturës së saj të eksportit të gazit është e kthyer drejt Evropës. Riorientimi i rrjedhës së gazit drejt vendeve si Kina do të kërkojë me vite kohë dhe do të kushtojë me miliarda dollarë.

Ç’është e vërteta, Rusia ka përfituar nga rritja e fundit e çmimit të gazit. Por kjo nuk do të thotë se sanksionet kanë dështuar. Përkundrazi, ne duhet të presim për t’i parë efektet e plota të vendimit të Evropës për t’i shkurtuar importet e saja të energjisë nga Rusia. Deri më tani, Evropa ka ndaluar vetëm importet ruse të thëngjillit dhe i ka reduktuar blerjet e naftës ruse. Megjithëkëtë, edhe në këtë pikë, ndikimi ka qenë i dallueshëm.

Vëllimet e eksportit të thëngjillit të Rusisë së fundmi kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga fillimi i pushtimit, duke reflektuar në dështimin e Kremlinit për të gjetur blerës të tjerë. Po kështu, qëkur BE-ja ka njoftuar se do t’i reduktojë importet e saja të naftës ruse prej 90 për qind deri në fund të vitit 2022, çmimet e naftës kanë rënë. Dhe Kremlini do t'i reduktojë të ardhurat e tij edhe më shumë, po qe se bën shkurtime më të shumta të dërgesave të gazit të tij në Evropë.

Sikur ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka vënë re, Evropa mund të ketë paguar një çmim të ulët financiar për gazin rus në të kaluarën, porse kjo kishte ndodhur ngase po paguante në emër të sigurisë së saj. Rusia e sulmoi Ukrainën ngase ishte e bindur që BE-ja do të ishte tepër e ndarë dhe e varur nga energjia ruse për të vepruar. Mirëpo presidenti rus, Vladimir Putin, e pati gabim në këtë kalkulim.

Duke e tkurrur varësinë e saj prej energjisë ruse, Evropa po çlirohet nga besimi i vjetër se ndërvarësia ekonomike i redukton automatikisht tensionet politike. Kjo gjë mund të ketë pasur kuptim nja 40 vjet më parë, por padyshim se jo tani, kur ndërvarësia ekonomike është shndërruar në armë.

Mirëpo përgjigja e duhur nuk është kthimi përbrenda. Ne ende kemi nevojë për një ekonomi të hapur; por nuk duhet të lejojmë ndërvarësi pa qëndrueshmëri dhe diversifikim. Duhet të llogarisim në identitetet politiek të atyre me të cilët bëjmë tregti dhe ndërveprojmë. Në të kundërtën, do të biem në të njëjtin lloj kurthi që Putini e kishte vendosur për 20 vjet.

Sanksionet qartazi kanë pasur njashtu edhe një efekt bindës. Humbja e qasjes në teknologjinë perëndimore ka nisur ta godasë ushtrinë ruse, tanket, aeroplanët, sistemet e telekomunikacionit dhe armët precize të së cilës mbështeten po ashtu në komponentë të importuar.

Për më tepër, një raport i rrjedhur i brendshëm i Qeverisë ruse paralajmëron për një dëm të tejzgjatur për ekonominë ruse nga kufizimet e importit. Në bujqësi, 99 për qind e prodhimit të shpendëve varet nga inputet e importuara. Në aviacion, 95 për qind e pasagjerëve në Rusi udhëtojnë me aeroplanë të prodhimit të huaj; dhe tani, mungesa e një pjese të vetme po e tkurr flotën e aviacionit komercial rus. Në farmaceutikë, 80 për qind e prodhimit të brendshëm mbështetet në lëndët e para të importuara. Dhe në fund, në rrafshin e komunikimit dhe teknologjisë së informacionit, Rusia mund të përballet me mungesë të SIM kartave deri në vitin 2025, ndërsa pjesët e tjera të sektorit të saj të telekomunikacionit janë duke u penguar për shumë vjet. Mbani mend, ky vlerësim i zymtë ka dalë nga burimet zyrtare, të brendshme ruse.

A do të jenë sanksionet si të vetme të mjaftueshme për të mposhtur pushtuesin? Jo, por kjo është arsyeja përse ne gjithashtu po ofrojmë mbështetje masive ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën dhe po punojmë për ta vendosur një mision ushtarak trajnimi të BE-së për fuqizimin e mëtejmë të forcave të armatosura ukrainase.

Lufta nuk ka marrë fund dhe regjimi i Putinit ende po i mban në duar disa karta. Mirëpo me strategjinë aktuale perëndimore, Kremlini do ta ketë praktikisht të pamundur që ta ndryshojë rrjedhën. Koha dhe historia janë në anën e ukrainasve – për aq kohë sa i përmbahemi strategjisë sonë.

(Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, është zëvendëskryetar i Komisionit Evropian për një Evropë më të fortë në botë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).