Brenda 24 orëve ndodhën dy ngjarje të ngjashme në anët e kundërta të botës. Dy vajzat e mitura: një në qytetin e Pejës dhe një në qytetin e Penascoles së Kalifornisë u dhunuan. Përgjigjja e shtetit në këto dy raste tregoi se në botë ekzistojnë dy lloj shtetesh: (1) shtet i dështuar që nuk arrin të mbrojë fëmijën nga dhunuesi dhe si pasojë ngjarja përfundon në tragjedi, dhe (2) një shtet i cili, kur ballafaqohet me një pedofil, aktivizon të gjitha siguresat e shtetit për të mbrojtur me vendosmëri më të pambrojturit në shoqërinë tonë
Dhuna dhe vrasjet janë bërë lajme të shpeshta në vendin tonë. Pjetër Ndrecaj ekzekutoj gruan dhe vajzën e tyre 9-vjeçare. Para një kohe një mësimdhënës dhe një polic kishin dhunuar një të mitur në Drenas. Para pak kohësh u publikua lajmi i dhunimit të një fëmije të mitur në mjedisin shkollor në Prishtinë. Pak ditë më vonë në Mitrovicë dy persona kishin dhunuar një të mitur, ndërsa në Fushë-Kosovë një person kishte ngacmuar seksualisht një të mitur.
Këto nuk janë raste të izoluara. Më 14 mars të këtij viti Lulëzim Sopi vrau gruan e tij, Sebahate Sopi, dhe më pastaj veten. Sebahatja kishe paralajmëruar shtetin për rrezikun që i kanosej. Dy muaj më vonë Xhevdet Januzaj, mësimdhënës, vrau Gëzim Kastratin pasi që i ndjeri kishte lajmëruar mësimdhënësin për ngacmim seksual ndaj vajzës së tij 13-vjeçare. Kur mësimdhënësi kishe dhunuar vajzën e tij të mitur, babai i saj gjeti veten në të njëjtin udhëkryq, të cilin e gjeti veten edhe Sebahatja: të vrasë dhunuesin apo të besojë në shtetin e Kosovës. Ai, sikur Sebahatja, zgjodhi të besonte në shtetin e Kosovës. Këtë besim sublim, sikur Sebahatja, ai e pagoi me jetë. Sikur vrasja e Sebahates, vrasja e prindit i cili mbrojti vajzën e vet nga mësimdhënësi dhunues nuk është vrasje makabre e një të çmenduri. Është vrasje nga shteti, i cili ka dështuar të aktivizojë siguresat shtetërore që vihen në lëvizje kur një predator dhunon viktimën.
Në këtë drejtim nga rasti i fundit tragjik mund të shohim qartë së paku tri mënyra se si shteti i Kosovës dështoi të mbrojë më të pambrojturit në shoqërinë tonë.
1. Shteti ka dështuar kur ka pranuar si mësimdhënës dikë, i cili kishte prirje për të ngacmuar dhe dhunuar fëmijët. Në shoqëritë e vogla dhe në veçanti në komunat e vogla fibri social është publikisht i njohur. Etika, morali dhe aftësia e çdo individi janë sekrete publike. Me pranimin në sistemin arsimor të Xhevdet Januzajt shteti ka hapur dyert e shkollës një pedofili.
2. Shteti ka dështuar edhe pasi që ky dhunues është bërë pjesë e sistemit arsimor. Pra, edhe në sistemet më të përsosura në botë mund të ndodhin gabimet dhe në shkolla të hyjnë dhunuesit potencialë, por këto sisteme arsimore kanë ngritur siguresa dytësore alarmi, të cilat aktivizohen për të alarmuar për prezencën e një anomalie në sistemin arsimor. Pra, ministria, komunat dhe SBASHK-u dizajnojnë sistemet të cilat inkurajojnë identifikimin, raportimin dhe sanksionimin e menjëhershëm të dhunuesve potencialë në sistemin arsimor. Menaxhmenti i shkollës, kolegët e mësimdhënësit zbatojnë procedurat dhe praktikat strikte që parandalojnë çfarëdo anomalie që mund të përbëjë kërcënim për fëmijët. Prindërve dhe fëmijëve iu vendosen në dispozicion mjetet e lehta dhe të sigurta për të ngritur alarmin për çdo anomali që ndodh në mjedise shkollore. Në rastin e tragjedisë së fundit të gjitha këto siguresa kishin dështuar apo, thënë më saktë, nuk kishin ekzistuar fare.
3. Pas dështimit të sistemit arsimor dështoi edhe sistemi i sigurisë. Pasi që të gjitha siguresat e lartpërmendura dështuan të mbrojnë fëmijën, të ndjerit, babait të vajzës së mitur, i kishin mbetur vetëm dy rrugë: ose të vriste dhunuesin për hir të mbrojtës së vajzës së tij të mitur, ose të besonte në institucionet e shtetit dhe të kërkonte mbrojtje nga ai. Në këtë udhëkryq ai zgjodhi këtë të fundit. Ai i besoi shtetit të Kosovës. Këtë besim të tij sublim ai e pagoi me jetë.
* * *
24 orë pasi që shteti i Kosovës dështoi të parandalonte një tragjedi, një ngjarje e ngjashme ndodhi në anën tjetër të botës në qytetin e Penascoles në Kaliforni. Një vajzë e mitur 11-vjeçare kishte qenë viktimë e një dhunimi/kidnapimi. Falë fatit dhe fuqisë së saj personale, ajo shpëtoi nga ky dhunim. Dhunuesi, nga ana tjetër, u arrestua menjëherë dhe mbahet në burg nën garancinë prej 1.5 milionë dollarësh. Gjasat që ai të shohë dritën e ditës ndonjëherë janë pothuaj zero.
Në këto dy ngjarje të ngjashme që ndodhen 24 orë larg njëra-tjetrës dy shtetet në fjalë – Kosovë dhe SHBA – vepruan radikalisht ndryshe. E para dështoi të mbronte fëmijën nga dhunuesi dhe përfundoi në tragjedi, ndërsa e dyta mbrojti fëmijën dhe brenda 24 orëve e futi në burg dhunuesin.
Këto dy ngjarje të një vajze nga Peja dhe një vajze nga Penascola e Kalifornisë janë storie të dy shteteve që ekzistojnë në botë: (1) shtet i dështuar që nuk arrin të mbrojë fëmijën nga dhunuesi dhe si pasojë ngjarja përfundon në tragjedi, dhe (2) një shtet i cili, kur ballafaqohet me një pedofil, aktivizon të gjitha siguresat e shtetit për të mbrojtur me vendosmëri më të pambrojturit në shoqërinë tonë.