Si ndikon zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe fuqia aktive punëtore në sukseset në sport?
“Tri medalje të arta në dy pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, një arritje madhështore për një vend të vogël”. Ky ishte komentimi i gazetarit të Eurosportit kur Nora Gjakova fitoi medaljen e artë në kategorinë e saj në xhudo, dy ditë pasi që të njëjtën e kishte bërë edhe Distria Krasniqi dhe pesë vite pasi që Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë për Kosovën.
Dhe, të gjitha statistikat tregojnë që kjo njëmend është një arritje madhështore për sportin e Kosovës. Qysh tani, Kosova rangohet më mirë se 145 shtete dhe organizata pjesëmarrëse (71 shtete që asnjëherë nuk kanë fituar medalje dhe 74 shtete që kanë fituar dy e më pak medalje të arta).
Sa i përket Lojërave Olimpike Verore “Tokio 2020”, në pesë ditët e para të garave, Kosova rangohet e 14 në mesin e 207 shteteve dhe organizatave pjesëmarrëse. Natyrisht, kjo pritet të ndryshojë në ditët në vijim, duke marrë parasysh se Kosova përfaqësohet me vetëm 11 atletë dhe shumica e tyre vetëm se kanë garuar. Por, nëse shikohet nga efikasiteti apo medalje për atletë, Kosova rangohet e dyta, apo një medalje për 5.5 atletë. Më mirë se Kosova rangohet vetëm Bermuda, e cila me vetëm dy atletë pjesëmarrës ka fituar një të artë.
Edhe po t’i krahasojmë vendet që kanë fituar medalje në proporcion me numrin e popullsisë, sërish Kosova rangohet e dyta pas Bermudeve, një ishull me vetëm 63 mijë banorë që fitoi medaljen e parë të artë në Lojëra Olimpike.
Por, përtej numrave, sporti ka qenë e vetmja fushë që ka arritur të shpërthejë izolimin, shumë vite para se Kosova të pranohet politikisht si shtet i pavarur. Sportistët kanë arritur që ta ngritin flamurin lart edhe në ato vende, të cilat nuk e kanë pranuar Kosovën dhe bëjnë fushatë aktive kundër njohjes së Kosovës, siç janë Rusia, Spanja e Kina. Andaj, me mbështetje minimale nga shteti, sportistët kanë arritur që të promovojnë Kosovën në mënyrë shumë më efektive se sa kampanjat shtetërore.
Pas medaljes së artë të Distria Krasniqit, kërkimet në Google dhe leximet në faqen e Wikipedias për Kosovën, u shumëfishuan brenda ditës.
Sipas të dhënave për subvencionim të federatave sportive del se që nga 2015 deri 2020 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 780 mijë euro për Federatën e Xhudos, në të cilën bëjnë pjesë 17 klube të xhudos. Nga kjo shumë totale nuk dihet se sa shkojnë për klubin e xhudos “Ippon” nga Peja, klub nga i cili kanë dalë tre medalistet e arta. Në anën tjetër, Komuna e Pejës ndan çdo vit 10 mijë euro subvencionim për klubin “Ippon”. Politikanët, të cilët janë të parët që mburren me të arriturat e xhudistëve, nuk kanë arritur që të ndërtojnë një sallë sportive për xhudistet e Pejës.
Sa i përket shpërblimeve shtetërore për medaljet olimpike, Kosova ndan shpërblimet më të mëdha në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit e shumë më shumë se edhe vende tjera të zhvilluara. Për medaljen e artë olimpike, MKRS ndan 100 mijë euro, për medaljen e argjendtë 60 mijë euro dhe për të bronztën 40 mijë euro. Sa për krahasim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë 37.500 dollarë (31.700 euro) për fituesit e medaljes së artë; Franca shpërblen me 55 mijë euro; Gjermania me 22 mijë euro, etj. Por, të gjitha këto vende, shpenzojnë shumë në infrastrukturën sportive, programet dhe pagesat e vazhdueshme për atletët. Në vendet e zhvilluara, pjesa më e madhe e financimit për sportistët vjen nga sponsorët privatë. Britania e Madhe financon sportistët përmes të hyrave që vijnë nga lotaria dhe taksat në lojërat e fatit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duhet që t’i identifikojë klubet me potencialin më të madh për të arritur normat olimpike dhe t’i mbështesë ato klube. Nëse klubi i xhudos “Ippon” nga Peja është klubi i vetëm i suksesshëm, përse duhet të ndahen mjetet financiare edhe për 16 klube të tjera të xhudos? Nëse klubi i atletikës “Rogana” ka arritur që të mbërrijë normën olimpike në dy olimpiada, përse nuk merr financim më të madh nga MKRS-ja apo Komuna e Kamenicës?
Është përsëritur shpesh këtyre ditëve se një lagje e Pejës i ka sjellë Kosovës tri medalje të arta. Por, në të gjitha vendet, suksesi sportiv funksionin në këtë mënyrë, grupacione sportistësh që janë të suksesshëm, pikërisht për faktin se stërviten me më të suksesshmit. Sipas Bill James, historian dhe statisticien, talenti zhvillohet më së shumti në ato grupe ku ka konkurrencë të madhe në një fushë të caktuar. Nuk janë të rralla rastet ku vende të ndryshme janë të suksesshme vetëm në një apo disa sporte të caktuara, për shembull vrapuesit xhamajkas janë më të suksesshmit në botë në distanca të shkurta, kurse kenianët në distanca të gjata; për shumë vite me radhë Kuba ishte vendi më i suksesshëm në boks. Andaj, suksesi i xhudisteve nga Peja është normë, e jo përjashtim nëse e shikojmë se si zhvillohet sporti në përgjithësi.
Por, si ndikon zhvillimi ekonomik dhe korrupsioni në një vend sa i përket suksesit në sport? Dy studiues nga Meksika dhe Çekia, Luis Antonio Andradde Rosas dhe Martin Flegl, kanë arritur të dëshmojnë se bruto- prodhimi vendor, korrupsioni, popullsia ekonomikisht aktive dhe të ardhurat kombëtare bruto, kanë ndikim direkt në numrin e medaljeve olimpike. Sipas këtyre studiuesve, rënia e korrupsionit për një pikë (në indeksin e Transparency International) rezulton me rritjen e gjasave në rangimin e listës së medaljeve olimpike për +2.476 pikë; rritja e shkallës së popullsisë ekonomikisht aktive për 1% rrit gjasat për medalje për 4.29 pikë, si dhe rritja e të ardhurave kombëtare bruto rrit gjasat për medalje për 29 pikë.
Kosova është vendi më i pazhvilluar ekonomikisht në Evropë, me shkallën më të lartë të popullsisë joaktive, si dhe me nivele të larta të korrupsionit. Marrë parasysh të gjitha këto, sportistët kosovarë në dy lojërat e fundit olimpike kanë arritur të peshojnë më shumë se sa ua mundëson ambienti, në të cilin zhvillohen.