Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë 11 korrikun si Ditë të kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, një shenjë evropiane solidariteti dhe kulture të kujtesës
1.
Njëra prej karikaturave për mbamendje qe ajo nga revista sllovene “Mladina” e fundit të viteve tetëdhjetë. Në pamjen e parë të saj janë disa personazhe të shoqërisë civile që dalin me pankarta për paqe, Evropë e demokraci - një pamje që përfaqësonte kulturën e shumicës sllovene që çoi drejt lëvizjes demokratike për pavarësinë e vendit. Në pamjen e dytë i njëjti grup me të njëjtat pankarta i drejtohen një kalimtari: “Shporru boshnjak!”, një pamje që përfaqësonte ndjenjën ksenofobike të jo pak njerëzve në Slloveni se ardhacakët e ish-Jugosllavisë, që kishin jetuar e krijuar familje aty, nuk e kishin më vendin aty.
Të dyja pamjet të një Sllovenie beninje në kundërthënien e tyre të brendshme vazhduan pastaj nëpër viset e ish-Jugosllavisë për t’u vendosur edhe si narracion e edhe si fërkim i psikologjisë sociale në formën e disonancës kognitive, pra e të mbajturit njëkohësisht brenda vetes të dy besimeve të kundërta. Karikatura sllovene arriti formën e vet më të vrazhdë në Serbi, vendin ku prej kohësh jeton narracioni se Serbia është një shtet demokratik e me rrugë të qartë evropiane dhe narracioni se Serbia është viktimë e konspiracionit të popujve e shteteve fqinje. Në episodin e fundit të kësaj bashkëjetese të bindjeve të kundërta, gjatë disa ditëve të kaluara diskursi publik shtetëror (përfshirë shumicën e medieve që janë pjesë e këtij diskursi) sulmoi Kuvendin e Malit të Zi, sepse aprovoi një rezolutë që trajton gjenocidin në Srebrenicë.
Brenda një jave, madje brenda një dite, diskursi i shumicës politike në Serbi tregonte njëkohësisht se si Serbia është një demokraci e konsoliduar e me shkallë të lartë vjetore të rritjes ekonomike dhe se si çdokush që thotë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi sulmon interesat e Serbisë dhe të popullit serb.
2.
Rezoluta e Kuvendit të Malit të Zi në pikën e vet të tretë në mënyrë eksplicite thotë se “dënon përpjekjet për hedhje përgjegjësie apo për fajësim të popullit serb, boshnjak, kroat apo cilitdo tjetër për gjenocid, krime kundër njerëzimit apo krime të tjera...”, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për shumicën politike në Serbi. Për të ishin problematike pikat e tjera, ato ku thuhet se “konfirmohet që gjenocidi ndodhi në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore e në të pësuan 8 mijë civilë të kombësisë boshnjake”, ku ftohen institucionet që të vazhdojnë me ndjekjen ligjore të kryerësve të gjenocidit dhe që të aplikohen masat ligjore ndaj veprimeve publike “të mohimit të ekzistimit apo të zvogëlimit të gjenocidit në Srebrenicë”.
Me këto formulime të Rezolutës, Kuvendi i Malit të Zi paraqiti një realitet krejt të kundërt me narracionin shumicë të Serbisë. Pra, jo vetëm pranoi se në Srebrenicë u krye gjenocidi, por po ashtu kërkoi që të vazhdohet me ndjekjen penale të përgjegjësve, e kjo do të thotë se (vetëm duke u mbështetur në raportin e dytë zyrtar të Republikës Sërpska) duhet ndjekur 892 pjesëmarrësit e gjenocidit që asokohe ishin të punësuar në institucionet bashkiake dhe qeveritare, gjegjësisht 28 mijë serbë të Bosnjës që ishin të përfshirë në operacionin e gjenocidit.
Dhe, për më tepër, Kuvendi i Malit të Zi kërkoi që institucionet e shtetit të veprojnë ndaj mohimit të gjenocidit në Srebrenicë me kulturën e kujtesës e ndëshkimit të ngjashme me atë që ka vendosur si standard Gjermania me mohimin e Holokaustit. Pra, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë në fjalë e aktivitet publik do të duhej të ishte vepër e dënueshme me ligj.
3.
Njëri prej problemeve të Serbisë ndoshta më së miri shihet në aktgjykimin e shkurtit të vitit 2007 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas padisë së bërë nga Bosnjë-Hercegovina kundër Serbisë e Malit të Zi (që përbënin shtet të përbashkët federativ). Në këtë aktgjykim u rikonfirmua se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi i ushtruar nga Ushtria e Republikës Serbe kundër popullatës boshnjake dhe njëkohësisht u përcaktua se ndonëse Serbia nuk kishte ndikim komandues në këto operacione ka përgjegjësi si palë ndihmuese e Ushtrisë së Republikës Serbe për mospengim të operacioneve që çuan në gjenocid.
Me këtë aktgjykim jo vetëm se u hodh poshtë narracioni shumëvjeçar i relativizimit (“të gjithë në ish-Jugosllavi kanë bërë krime, të gjithë janë përgjegjës për luftëra”), por u vendos një standard i ri moral i vlerësimit, i cili ndan qartazi një palë të armatosur në ushtrues të gjenocidit për dallim prej palëve të tjera në të cilat krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk kanë pasur thellësi e gjerësi të atillë krimi çfarë ka qenë gjenocidi.
Për rrjedhojë, meqë akti i gjenocidit është prodhuar nga politika e shoqëria e caktuar po aq sa akti i gjenocidit, është e dënueshme politika serbomadhe e Milosheviqit dhe rezultatet e saj. E ato janë sot ende të gjalla në bllokimin e funksionalitetit të Bosnjë-Hercegovinës, mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe pengimit të rrugëtimit perëndimor të Malit të Zi.
Problemi i Rezolutës për Srebrenicën është dilema e vjetër dhe e mbrapshtë që e ka Serbia me Slobodan Milosheviqin: ai nuk respektohet në Serbi siç ishte adhuruar më herët, jo pse i zhvilloi luftërat kundër popujve të tjerë, por pse nuk i fitoi ato. Srebrenica është përkujtim i thellësisë së fashizmit në të cilin qe zhytur një shumicë politike në Serbi, thellësi nga e cila nuk mund të dilet pa ballafaqim me atë të kaluar, e atillë çfarë simbolizojnë mbi tetë mijë boshnjakë të vrarë brenda disa ditëve të verës së vitit 1995.
Serbia, duke e mohuar gjenocidin në fakt, po ia mohon vetes të drejtën dhe obligimin që të dalë nga kthetrat e politikës serbomadhe të Milosheviqit.
4.
Mali i Zi i vogël bëri me Rezolutën e Srebrenicës një gjest që ia ngrit respektin të tjerëve e vetërespektin po ashtu. Por, bëri diçka që tashmë është kërkuar në një rezolutë tjetër, ajo e Parlamentit Evropian të janarit të vitit 2009 për vendosjen e 11 korrikut si ditë të përkujtimit të BE-së për gjenocidin e Srebrenicës. Në atë Rezolutë është kërkuar që institucionet evropiane, ato të shteteve anëtare dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ta shpallin këtë ditë të kujtesës si pjesë e solidaritetit evropian ndaj një premtimi të bërë më 1945 “Kurrë më!”, të shqiptuar kolektivisht në botën demokratike pas gjenocidit të Luftës së Dytë Botërore.
Kosova do të bënte mirë ta adoptonte këtë kërkesë të Parlamentit Evropian dhe ta shprehte solidaritetin e vet evropian duke ndihmuar në regjion e edhe brenda vendit për një shkallë tutje drejt vendosjes së kulturës së kujtesës.