Miliona euro janë shpenzuar për ngritjen e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), por as pas dhjetë vjetësh ky projekt, që konsiderohet baza e sigurimeve shëndetësore, nuk po arrin të implementohet. Ministri aktual i Shëndetësisë tani paralajmëron një aventurë të re, që rrezikon t’i lërë qytetarët pa sigurime edhe për një kohë të gjatë
Aventura e shtetit me sigurimet shëndetësore vazhdon. Qeveritë shkojnë e vijnë, por asnjëra nuk po ia del ose nuk po ka vullnet politik që t’ia vërë themelet e qëndrueshme sistemit të mbrojtjes shëndetësore për qytetarin.
Në vitin 2016 ministri i Shëndetësisë, që atëkohë vinte nga radhët e LDK-së, paralajmëronte nisjen e mbledhjeve të premiumeve për sigurimet shëndetësore në muajin korrik të atij viti, edhe pse të gjithë parametrat tregonin se nuk ishin përmbushur parakushtet e parapara në Ligjin për sigurimet shëndetësore. Nga punëtorët shëndetësorë dhe ekspertët nisja e mbledhjes së premiumeve atëkohë konsiderohej aventurë. Ministri u spraps, por paralajmëroi fillim edhe një herë më 2017. Nga dështimi i sërishëm e “shpëtuan” rrëzimi i Qeverisë dhe zgjedhjet e reja.
Ministri aktual i Shëndetësisë, që vjen nga radhët e PDK-së, tani paralajmëron aventurën e radhës. Sikurse pararendësi i tij, edhe ky planifikon që në tetor të këtij viti të nisë pilotimin me sigurimet shëndetësore pa u krijuar baza mbi të cilën funksionojnë ato: Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH).
Sistemi Informativ Shëndetësor aktualisht është në kolaps. Gati dhjetë vjet analiza, plane, strategji pa rezultate, rreth 7 milionë të shkuar kot për të ndërtuar sistemin që do të integronte në një të vetëm të gjitha minisistemet informative që shfrytëzohen me vite nga institucionet shëndetësore të Kosovës. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve askush nga përgjegjësit nuk ka dhënë llogari as për vonesat e as për paratë e shpenzuara për ndërtimin e sistemit që shpresohet se do të shtojë përkujdesjen mjekësore për qytetarin, do të vërë rend e rregull dhe do ta zgjojë nga koma njëzetvjeçare shëndetësinë kosovare.
Se asnjë qeveri nuk e ka marrë me seriozitet funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore e tregon themelimi me katër vjet vonesë i organit apo mekanizmit kryesor, Këshillit nacional për sistemin informativ shëndetësor. Ishte planifikuar të themelohej më 2011 e u themelua tek në vitin 2015.
Këtë fakt, si edhe shumë gjetje të tjera të ngecjeve në implementimin e Sistemit Informativ Shëndetësor i ka nxjerrë në pah një auditim performance i kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit, me kërkesë të Kuvendit të Kosovës, që u publikua në dhjetor 2017.
Auditori ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ta realizojë planin e shtrirjes dhe implementimit të Sistemit Informativ Shëndetësor në 30 për qind të territorit të Kosovës deri në fund të vitit 2014. Nuk ka arritur ta bëjë madje as deri në maj të vitit 2017. Gjatë auditimit janë konstatuar mangësi në kontrollin financiar dhe në menaxhimin e kontratave nga Ministria e Shëndetësisë gjatë realizimit të tyre.
Pajisjet e blera për shtrirjen e rrjetit kompjuterik nëpër institucione shëndetësore, sipas raportit të auditimit, nuk janë shfrytëzuar për tre vjet. Janë blerë më 2013, ndërsa kanë filluar të shfrytëzohen më 2016. Ato tashmë rezultojnë të amortizuara.
Programi SISH nuk është duke u shfrytëzuar në nivelin e duhur nga personeli mjekësor, ka konstatuar auditori. Menaxhmenti i institucioneve shëndetësore nuk e ka mbajtur të përgjegjshëm personelin shëndetësor për shfrytëzimin e SISH-it. Personeli shëndetësor i trajnuar nuk ka njohuri bazike lidhur me përdorimin e sistemit.
Auditori ka gjetur se mjetet e ndara për funksionalizimin e projektit të SISH-it, Ministria e Shëndetësisë i ka shpenzuar në mënyrë të paligjshme edhe për qëllime të tjera. Rreth 400 mijë euro janë shpenzuar për të paguar vendime gjyqësore, për ashensorë e aparatura nëpër spitale dhe për pagesa të tjera jashtë SISH-it.
Në kohën kur në Kuvend debatohej rreth zbatimit të Ligjit të veteranëve të luftës, ka pasur propozime që edhe pagesat për veteranët të bëhen nga Fondi i ndarë për sigurimet shëndetësore. Kjo ide nuk u jetësua pas kundërshtimit të disa deputetëve nga opozita.
Moskërkimi i llogarisë nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe hezitimi e neglizhenca e punëtorëve shëndetësorë për të futur në sistemin kompjuterik të dhënat dhe informacionet rreth pacientëve nxisin dyshime se asnjëra palë nuk është e interesuar për krijimin e sistemit unik informativ. SISH-i është mënyra më e mirë për të vlerësuar performancën e punëtorëve shëndetësorë dhe për të pasur kontrollin mbi shpenzimin e parasë publike të dedikuar për shëndetësinë. Duket se të dyja palëve po u konvenon kaosi dhe lënia hapur e mundësisë për keqpërdorime.
Tash për tash SISH-i nuk është funksional dhe efikas. Vonesa në implementimin e këtij sistemi është një nga shkaktarët e prolongimit të zbatimit të projektit të sigurimeve shëndetësore, pasi që SISH-i është kusht për funksionimin e mirëfilltë të projektit. Auditori ka dhënë një varg rekomandimesh, por ministri aktual i Shëndetësisë nuk i ka përfillur. Ai madje as nuk i është përgjigjur kërkesës së auditorit për t’i dërguar një plan të mëtutjeshëm veprimi rreth implementimit të SISH-it. Fundja, mund edhe ta bëjë, meqë rekomandimet nuk pasohen me sanksione.
Për më tepër, ministri tash planifikon që të pilotojë me sigurimet shëndetësore duke anashkaluar SISH-in dhe duke zbatuar vetëm sistemin informativ të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, për të cilin duhet të ndahen mjete të tjera financiare. Se si planifikon ta realizojë vetëm ai e di. Nëse e di.
Fillimi i sigurimeve shëndetësore pa një sistem të integruar unik, sipas ish-koordinatorit nacional të SISH-it, do të ishte vetëm vazhdim i kaosit dhe i hajnisë nëpër institucione shëndetësore, por tani në formë të rimbursimit të shërbimeve që marrin pacientët.
Skema e re që prezanton ministri i ri nuk ka bazë të qëndrueshme dhe patjetër se nxit dyshimin se edhe kjo iniciativë do të përfundojë sikurse ato të mëhershmet. Me dështim. Dhe se mban erë hajnie.
Sipas strategjisë së Ministrisë së Shëndetësisë implementimi i SISH-it në gjithë territorin e vendit parashihet të realizohet deri në vitin 2020. Si po rrjedhin gjërat, SISH-i nuk ka gjasë të realizohet jo në 2020-n, por as në pesë a gjashtë vjetët e ardhshëm.
Ndërkohë, pacienti kosovar do të vazhdojë të përballet me trajtim joadekuat e me mungesë ilaçesh nëpër spitalet publike, do të vazhdojë të mos u besojë diagnozave të mjekëve kosovarë, të kërkojë mendim të dytë e trajtim në klinikat e rajonit. Dhe të lutet të marrin fund eksperimentet e strategjitë e shtrenjta e të parealizueshme të Qeverisë, të gjitha në dëm të xhepit e shëndetit të tij.
P.S.
Sa mirë do të ishte sikur realiteti kosovar të ishte tjetër dhe ky shkrim vetëm një shaka e 1 prillit. Por fatkeqësisht nuk janë.