OpEd

Sirenat e tmerreve

Sirenat janë testuar në Kosovë në vitet e fundit. Mirëpo sirenat e Kosovës u testuan më 24 shtator në veri të saj. Të dielën e shatorit sirenat u testuan me shkrepje plumbash dhe shpërthim bombash, ama sirenat nuk u lëshuan. Nën jehonën e sirenave u zgjuan izraelitët në kufi me Gazën më 7 tetor, kur mijëra militantë të grupit të Hamasit sulmuan territorin izraelit. Sirenat për mbrojtjen e demokracisë vazhdojnë të dëgjohen në Ukrainë, ato mund të bien edhe në Amerikë

Dy dhjetor 2023. Ora 12:04. E shtunë e zakonshme në kryeqytet. Qetësi fundvjeshte. Një minutë më vonë këtë qetësi e prish alarmi publik në Prishtinë. Jehona e sirenave për tridhjetë sekonda testimi më ktheu 24 vjet më parë në “Bregun e Diellit”. Atëherë, ditë pranvere prilli, kur po lozja para banesës me shumë fëmijë të tjerë. Aty do ta mësoja kuptimin e asaj jehone. Aso që të ngulitet thellë në mendje. Aso që nuk e harron kurrë. Për tridhjetë sekonda sa ra sirena, u ktheva në momentin e vrapit me aq sa më mbanin këmbët. Turr e në banesë. Edhe shkallët për në katin e dytë, ani pse gjashtëvjeçar, i ngjisja nga dy-tri. Zemra më dilte nga vendi. Natyrisht prej frikës. Nuk e dija përse po iknim. Do ta mësoja mbrëmjeve kur banesa jonë do të lëkundej nga fuqia e bombardimeve të NATO-s, që kishin cak objektet e ushtrisë serbe. Unë me vëllain Lorikun të strukur në krahët e prindërve. Të dy me duar tek mbyllnim veshët. Pas një minute, mendja u kthye në realitet.

***

Mirëpo sirenat e Kosovës u testuan më 24 shtator në veri të Kosovës. Të dielën e shatorit sirenat u testuan me shkrepje plumbash dhe shpërthim bombash, ama sirenat nuk u lëshuan. Agresioni i 80 e kusur personave të uniformuar që erdhën nga Serbia, ndaj integritetit territorial të Kosovës, në të cilin u vra një polic i Kosovës, sinjalizoi se sirenat mund të përdoreshin. Ky grup prihej nga Milan Radojçiq, i afërt me presidentin autoritar të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sirenat e shtetit të Kosovës nuk ishin lëshuar asnjëherë pas luftës. Ato të strukturave ilegale në veri të Kosovës për 24 vjet ishin lëshuar për të terrorizuar komunitetin serb andej lumit Ibër. Të njëjtat përdoreshin edhe për mobilizim të serbëve kundër autoriteteve të Kosovës.

***

Nën jehonën e sirenave u zgjuan izraelitët në kufi me Gazën më 7 tetor, kur mijëra militantë të grupit të Hamasit sulmuan territorin izraelit, duke vrarë 1 mijë e 200 persona. Morën peng 260 të tjerë. Shumë prej tyre u masakruan nëpër shtëpitë e tyre. Ishte sirenë alarmi për demokracinë, e cila në vitet e fundit është në rënie e sipër. Sirena që tregojnë se e sotmja është më e paparashikueshme se kurrë.

Në shenjë hakmarrjeje, shteti izraelit i prirë nga Benjamin Netanyahu, nisi luftën më brutale ndonjëherë ndaj grupit militant të Hamasit. Ani pse krekoset se është ushtria e vetme në botë që me mesazhe apo forma të tjera paralajmëron për vendin se ku do të godasë me raketa, ushtria izraelite ka bërë rrafsh me tokë krejt Gazën. Palestinezëve u është thënë të zhvendosen sa në një vend në tjetrin. Por agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë deklaruar se asnjë pëllëmbë e Gazës nuk është e sigurt nga bombardimet.

Tek shihja kolonat e palestinezëve këmbëzbathur, me qerre e me automjete kur po iknin nga veriu i Gazës, pashë mijëra kosovarë që dhunshëm u dëbuan nga shtëpitë. Në mesin e atyre familjeve ishte edhe e imja. Në automjetin Golf 1, ngjyrë të bardhë, në fillimprill do të futeshim tetë veta dhe do të merrnim rrugën nga Prishtina për në Ferizaj, atje ku po qëndronte familja e gjerë. Edhe sot vazhdoj të pyes babanë dhe gjyshin se si morën guximin për këtë udhëtim. Ajo rrugë që bëmë ishte vija e hollë mes jetës dhe vdekjes. Për fatin tonë, nuk na ndaloi askush. Ne po iknim, sepse në “Bregun e Diellit” kishin filluar të përhapeshin thashethemet se po kërkonin me emra në secilën banesë. Gjyshi im ishte ish-i burgosur politik dhe organizator i protestave të vitit 1968 në Ferizaj.

Koha dhe situata dallonin mes nesh dhe palestinezëve: ne po iknim nën kërcënimin e tytave të armëve në vitin1999, palestinezët nga bombardimet në vitin 2023. Vit i shekullit të 21-të, kur të shkon mendja te liria dhe demokracia në mbarë botën.

Deri në këtë ditë janë vrarë më shumë se 20 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Numri i civilëve të vrarë nuk dihet saktë, sepse autoritetet palestineze nuk ndajnë militantët nga civilët në përditësimet e tyre të të vrarëve. Më e çuditshmja: bombardimi i Gazës vazhdon të bëhet në emër të mbrojtjes së integritetit territorial të Izraelit. SHBA-ja vazhdon të bëjë thirrje për shmangien e vrasjes së civilëve.

***

Jehona e sirenave dëgjohet në Ukrainë tash e pothuajse tre vjet qëkur Rusia nisi pushtimin e shtetit ukrainas. Sirenat po bien kur po mbrohet ajo që po cilësohet vija e fundit e demokracisë në Evropë. Jehona e këtyre sirenave është dëgjuar edhe më fort kur Ukraina konfirmoi se i ka dështuar kundërofensiva e verës pasi nuk kishte avancuar shumë në vijën e frontit. Këtë e ka shfrytëzuar Rusia për t’u fuqizuar si me ushtarë ashtu edhe me armatim. Ka zgjatur bashkëpunimin me Iranin për dronët “Shahed”, me të cilët ka sulmuar Kievin në javët e fundit. SHBA-së së përfshirë në dy fronte, tani edhe me përkrahjen e Izraelit në luftën kundër Hamasit, ka nisur t’i pakohet armatimi për ndihma për Ukrainën. Së fundmi, republikanët që kanë kontrollin e Senatit kanë komplikuar edhe më shumë situatën, duke bllokuar miliarda dollarë ndihma për Ukrainën.

Në një analizë për luftën në Ukrainë, Daniel Hannan, autor dhe kolumnist për revistat si “Conservative Home” dhe Washington Examiner”, shkruante në dhjetor se bota duhet të mbajë sytë kah Ukraina. Ai shkruante se Rusia ka avancuar në lindje të Ukrainës. Por i frikësohej kësaj: “se nëse Rusia përfundon duke aneksuar tokën me forcë, nuk është vetëm Perëndimi që do të humbasë; është i gjithë rendi ndërkombëtar i pasvitit 1945”.

***

Presidenti amerikan është në shumë misione për vitin e ardhshëm. Të gjitha misionet i ka brenda shtëpisë së vet. Si të bindë amerikanët për të vazhduar ndihmën për Ukrainën dhe luftën e Izraelit kundër Hamasit. Sondazhet e fundit kanë treguar se punën e ka pisk. Të rinjtë amerikanë nuk e kanë bindur me qëndrimin e tij që Izraeli për hir të mbrojtjes territoriale duhet të bombardojë Gazën. Të rinjtë amerikanë nuk duan luftë. Mbase kanë mësuar nga përvoja e hidhur e përfshirjes së SHBA-së në Irak dhe Afganistan. Nga lufta në Afganistan u tërhoqën me turp. Krejt këto misione do t’i nisë në vitin 2024, atë të zgjedhjeve presidenciale që me shumë gjasë do t’i mbajë përballë ish-presidentit Donald Trump. Në Amerikë, sirenës që bën thirrje për mbrojtjen e demokracisë, i ka rënë vetë demokrati Biden. Sirena në mbrojtje të demokracisë mund të pushojë paksa në muajin nëntor të zgjedhjeve presidenciale, në rast se ai vazhdon të mbetet zot i Shtëpisë së Bardhë. Ato nuk do të ndalen nëse del nga ajo Shtëpi.

Sirenat vazhdojnë të testohen në Prishtinë, por jehona e tyre është shenjë se mund të përdoren.

[email protected]