Si të pushojnë sirenat e alarmit që filluan që nga 24 marsi i vitit 1999?
SIRENAT KANË filluar të dëgjohen në Kosovë që nga 24 marsi i vitit 1999. Me rënien e bombave të para të NATO-s, administrata e atëhershme serbe lëshonte sirenat e alarmit të sulmeve ajrore. Në qytetet e mëdha, siç është Prishtina, qytetarët me të dëgjuar këto sirena ngarendnin për t’u strehuar në strehimoret e ndërtuara afër ndërtesave kolektive për banim. Mirëpo në to nuk mund të hynin të gjithë qytetarët. Ose më saktë, në to nuk mund të hynin shumica e qytetarëve.
Shqiptarët kishin kërkuar NATO-n dhe për këtë arsye do të duhej edhe të mos e kishin frikë NATO-n, ishin përgjigjet e zakonshme të mbajtësve të rendit.
Serbët ishin viktima të shqiptarëve dhe të NATO-s, për këtë arsye ishin të privilegjuar në kohë sirenash, shoqërohej përgjigjja.
SIRENAT ZANORE në Prishtinë nuk janë dëgjuar më që nga 10 qershori i vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s dhe i hapi rrugë çlirimit të Kosovës. Mirëpo ky nuk ka qenë edhe rasti me veriun e Kosovës, i banuar me popullatë shumicë serbe.
Sirenat atje nuk janë ndalur asnjëherë.
Sirena e rrezikut nga sulmet kundërajrore dëgjohet në komunat e veriut të Kosovës sa herë që vlerësohet se ka ndonjë depërtim të përfaqësuesve të institucioneve kosovare. Me të dëgjuar sirenat, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, si me një urdhër ushtarak, shkojnë jo më në strehimoret kundërajrore, por në pikat e caktuara strategjike. Zakonisht kjo nënkupton bllokimin e akseve rrugore ose të urave.
Njëjtë ndodhi edhe të martën, ditën kur njësitë e Policisë së Kosovës shkuan për të arrestuar zyrtarë policorë të dyshuar për krim të organizuar dhe kontrabandë.
Sirenat bënë që disa qytetarë të provonin t’i bllokonin patrullat e Policisë së Kosovës për të bërë arrestimet.
Autoblindat e Policisë, me sirena të lëshuara, arritën t’i thyenin barrierat dhe ta kryenin aksionin.
ZILJA E TELEFONIT ndoshta nuk është krejt e barabartë me sirenën, mirëpo për punëtorin e spitalit në veri të Mitrovicës e kishte kuptimin e njëjtë më 19 maj, në ditën e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave. Ai kishte qenë në mesin e atyre serbëve të veriut të cilët e quanin farsë gjithë atë që po ndodhte me serbët e veriut, si nga Beogradi, ashtu edhe nga Prishtina. Dhe kishte vendosur të mos bëhej marionetë e kësaj farse, të mos dilte në zgjedhje. Këtë ua kishte bërë të qartë edhe kolegëve të vet në spital, përfshirë edhe eproren e tij të drejtpërdrejtë.
Kjo derisa rreth pasdites nuk e kishte dëgjuar sirenën e alarmit – zilen e telefonit.
Të gjithë serbët, një për një, duhet t’i përgjigjen thirrjes – sirenës së lëshuar nga Beogradi – dhe të dalin të votojnë.
Të gjithë serbët, një për një, i kishin të shënuar emrat në listat e ndërmarrjeve ku punonin, ose të lagjeve ku jetonin, dhe eprori e kishte për detyrë të shihte nëse ndonjëri nuk kishte dalë ende për të votuar.
Emri i punëtorit të spitalit kishte ndezur sirenën e alarmit. Nuk kishte votuar ende. Eprorja e kishte marrë në telefon duke e lutur dhe duke i bërë be në emër të familjarëve që të dilte për të votuar.
Se ndryshe, ajo s’kishte rrugë tjetër, veçse ta zbatonte urdhrin – ata që s’votojnë s’kanë çka dalin më në punë.
NË VERI të Kosovës dëgjohet edhe sirena e trenave. Dy prej tre trenave të cilët janë shpallur ilegalë nga autoritetet kosovare vazhdojnë të qarkullojnë nga Serbia në brendi të Kosovës.
Në ditën kur janë lëshuar sirenat e alarmit për Policinë e Kosovës në veri, në Prishtinë sirenë alarmi kanë dhënë përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave para Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik.
Këta trena nuk kanë licencë për operim duke filluar nga janari i vitit 2017.
Ndoshta sirenat zanore në Prishtinë nuk janë dëgjuar që nga 10 qershori i vitit 1999, porse veriu i vendit që nga ajo ditë ka mbetur sirenë e pandalur alarmi për qeveritë e Kosovës.
Twitter: @adriatikk