OpEd

Siguria ime është siguria jote!

Ka disa vite qysh se e kam hequr veturën nga përdorimi dhe këtyre ditëve ngas vetëm biçikletë elektrike. Vetura në Londër është shndërruar në luks të madh dhe po qe se nuk e ke mjet pune, të jesh shofer profesionist taksie apo shofer personal i ndonjë kompanie, shpenzimet në lidhje me posedimin e veturës në qendër të Londrës shumë shpejt konsiderohen të paarsyeshme

Sigurisht se të gjithë ende jemi nën ankthin dhe dhimbjen e humbjes së 45 jetëve, 12 prej të cilëve ishin fëmijë minorë me rastin e aksidentimit të autobusit me pasagjerë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, i cili po kthehej nga ekskursioni disaditor në Stamboll. Një fatkeqësi e përmasave të këtilla është shumë e rëndë për t’u kaluar aq lehtë. Mirëpo, në vetëm katër muajt e fundit ky është aksidenti i dytë fatal i komunikacionit, në të cilin përfshihen autobusët e kompanive me pronarë shqiptarë. E kuptoj se aksidenti i ndodhur në Bullgari është ende në fazën e hetimeve, por pavarësisht asaj ne duhet të ngrehim një mori pyetjesh legjitime në lidhje me këto raste. Sa janë të përgjegjshme kompanitë e udhëtimeve me automjetet e tyre dhe sa seriozisht e marrin ato sigurinë në komunikacion dhe e cila në vete mbërthen një mori gjërash. Servisimi dhe kontrolli i rreptë i gjendjes teknike të autobusëve apo mjeteve të tjera të udhëtimit, disiplina dhe kontrolli strikt i shoferëve të këtyre autobusëve dhe mjeteve të tjera të transportit, licencimi adekuat dhe rigoroz i të gjitha këtyre mjeteve për të ushtruar detyrën me të cilën ngarkohen dhe një mori gjërash dhe kushtesh të tjera teknike që ato do të duhej t’i plotësonin.

Nuk mund të them se personalisht kam qenë shfrytëzues i këtyre shërbimeve të transportit, mirëpo për aq herë sa kam qenë secila herë ka qenë një lloj i përjetimit të ferrit në vete. Furgon me shumë pasagjerë, me ajër të zëntë, zhurmë ekstreme nga muzika e lëshuar në të pa dëshirën e pasagjerëve apo ndoshta pjesës më të madhe të tyre, vozitje e rrezikshme si dhe gjendje e mjerueshme e rrugëve. Gjithashtu, nuk mund të mos e përmendi edhe ngasjen e veturave të tjera në trafik nga ana e shoferëve mospërfillës të kushteve dhe rrethanave në trafik dhe papërgjegjësia e tyre. Nga përvoja ima 35+ vjeçare si shofer e kam kuptuar se arritja në ndonjë cak të caktuar për 5 minuta më herët nuk zgjidh asnjë problem, në fakt një qasje e tillë mund të sjellë shumë probleme të padëshirueshme në jetë. Të gjithë shoferët, të cilët i shoh me timon në dorë i konceptoj si "vrasës potencial me paramendim". Paksa e vrazhdë kjo lloj qasjeje, mirëpo është ajo e cila më ka bërë që gjithmonë të jem vigjilent në komunikacion apo siç thoshte babai im i ndjerë “unë e njoh veten se çfarë magari jam, mirëpo nuk po i di këta të tjerët me vollan në dorë”.

Ka disa vite qysh se unë e kam hequr veturën nga përdorimi dhe këtyre ditëve ngas vetëm me biçikletë elektrike. Vetura në Londër është shndërruar në luks të madh dhe po qe se nuk e ke mjet pune, të jesh shofer profesionist taksie apo shofer personal i ndonjë kompanie, shpenzimet në lidhje me posedimin e veturës në qendër të Londrës shumë shpejt konsiderohen në shpenzime të paarsyeshme. Vitet e fundit shfrytëzimi i biçikletave ka marrë hov të madh këtu e gjithashtu është investuar edhe në infrastrukturën e saj. Ajo ende nuk është e krahasueshme me të themi me atë të Holandës, mirëpo hapat e parë janë bërë dhe është projekt i cili vazhdon me implementim dhe zgjerimin e tij. Ngasja e biçikletës në një metropol siç është Londra ngërthen rreziqet e saja, mirëpo mua personalisht në këtë aspekt më ndihmon përvoja ime shumëvjeçare si shofer pasi që kam vigjilencë dhe përgjegjësi të madhe të cilën e mbaj mbi vete qoftë mbi sigurinë time, qoftë edhe sigurinë e të tjerëve në komunikacion. Gjithmonë e mbaj helmetën, biçikleta ime është e ndriçuar edhe nga para, edhe nga pas e unë shkoj edhe një hap më tutje duke veshur edhe rroba mbrojtëse reflektuese për t’u dalluar nga distanca më të largëta nga ana e shoferëve të veturave, autobusëve, kamionëve, motoçikletave e edhe çiklistëve të tjerë që mund të më vijnë nga pas apo cilido drejtim.

Në fakt, një natë u ndala nga një kombi policor, i cili i kishte lëshuar sirenat e veta që të më bënte me dije që të ndaloja. Polici vetëm hapi dritaren e vet dhe më tha se vetëm dëshironte të më përgëzonte për të gjitha masat mbrojtëse dhe parandaluese të cilat i kisha ndërmarrë dhe të cilat ishin shumë të dukshme në trafik. Më tha se sikur secili si ti, t’i përmbahej kësaj qasjeje, numri i aksidenteve në trafik ku do të përfshiheshin çiklistët do të ishte drastikisht më i ulët.

Edhe pse me shokët tallemi se jam bërë sikur një bredh i stolisur i Vitit të Ri, për mua prapë se prapë siguria në trafik mbetet gjëja kryesore. Nëse u them se për vetëm dy muajt e fundit unë kam kaluar gati 1.000 km me biçikletë nëpër rrugët e ngarkuara të trafikut londinez atëherë ju mund ta keni parasysh se sa kohë dhe sa km në ditë unë i bëj me biçikletë në baza ditore.

Thënë të drejtën edhe qytetin e përjetoj ndryshe dhe e shoh nga një këndvështrim nga i cili nuk e kisha parë më parë. Transporti publik me trenat nëntokësorë apo autobusë të transportit publik të privojnë nga mundësia për ta parë dhe eksploruar qytetin. Në trenat nëntokësorë vetë fjala është vetësqaruese, mbërrin nga njëra pikë në tjetrën duke mos parë asgjë nga bota e cila të rrethon. Në autobus gjithmonë del ndonjë gjë apo punë tjetër të cilën mundohesh ta kryesh dhe ta shfrytëzosh kohën. Leximi apo kthimi i përgjigjes së ndonjë e-maili, ndonjë telefonate që duhet realizuar. Ndoshta leximi i ndonjë lajmi apo libri të lënë në gjysmë, sidoqoftë gjithmonë del diçka e cila të shpërqendron nga shikimi i qytetit përreth, përderisa autobusi qarkullon rrugëve të Londrës. Me biçikletë është një përjetim krejtësisht tjetër. Sado i përqendruar që të jesh edhe në trafikun rreth teje, ti assesi nuk e injoron ambientin i cili të rrethon, e po qe se është diçka mjaft interesante të ndalesh me biçikletë dhe ta sodisësh atë pamje dhe atmosferë, është fare e lehtë.

Rishtazi muajin e kaluar edhe djali im Joni e ka kaluar testin dhe provimin për patentë të shoferit. E kuptoj ekzaltimin e tij dhe blerjen e menjëhershme të veturës së tij të parë me paratë e veta të kursyera. Normalisht vetura nuk është e re, mirëpo pavarësisht atij fakti dhe mendimi se mjafton që vetëm blerja e veturës dhe mbushja e saj me derivate mjafton që të bëhesh shofer i mirë, shumë shpejt i doli që të mos ishte ashtu aspak. Fillimisht sigurimi për të si shofer i ri në trafik dhe në moshën nën 21-vjeçare kapi shumën shumë të lartë prej £2,300 plus për sigurim vjetor. Përveç asaj, vetëm blerja e një veture të vjetër nuk mjaftoi. Me të dërguar atë te mekaniku për një kontroll rutinore aty rezultuan shumë pjesë të cilat duheshin të ndërroheshin. Kostoja e tyre gati se e kapi edhe koston e vet veturës së blerë. Mirëpo, duke qenë se unë jam shumë koshient mbi sigurinë në trafik, assesi nuk do ta lejoja djalin tim që të dilte në rrugë me një veturë në atë gjendje teknike. Edhe pse vetura e kishte “kaluar” kontrollin teknik deri në tetorin e vitit të ardhshëm, unë nuk isha shumë i bindur në atë gjë e kjo gjithashtu mu konfirmua edhe nga ana e mekanikut. Në vozitje, Joni po tregohet shumë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në udhëkryqet e rralla ku nuk ka semaforë (zakonisht në rrethrrotullimet më të vogla) unë i them se për mua vlen e vetmja rregull në këto raste, të gjithëve u jap përparësi “veten e di se çfarë gomari jam, por ata të tjerët në trafik nuk i di”.

Siç po e shihni, ky edicion i Ditarit tim nuk ka asnjë përmbajtje politike. Një rast tragjik me pasoja aq të rënda dhe humbje jetësh na bën që të reflektojmë mbi vetë ne, sigurinë tonë, si dhe sigurinë e të tjerëve, e cila mund të varet direkt apo indirekt prej nesh. E kuptojmë se sa e brishtë është jeta e sidomos kur ta kemi parasysh se atë shpeshherë pa dijen tonë e vëmë nën duar të njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët përfitimin momental material e qesin mbi rëndësinë e sigurisë së jetës të njeriut.

Jonit e edhe të gjithë shoferëve të rinj, e edhe atyre me përvojë shumëvjeçare u dëshiroj fat dhe mbarësi në të gjitha udhëtimet e tyre, qoftë në kapacitet të shoferit, qoftë të pasagjerit. Këshilla ime për të gjithë ne, në kapacitetet e shoferëve apo ngasësve të çfarëdo mjeti transportues, është që asnjëherë të mos e heqim nga mendja se të gjithë jemi “vrasës potencial me paramendim”. Uroj që asnjëherë të mos sprovohemi në jetë me situata të tilla.

Viktimave dhe bashkëkombësve tanë të aksidentit tragjik në Bullgari u pushoftë shpirti në paqe dhe qoftë e fundit nga tragjeditë e tilla.