OpEd

Si u pajtuan Qeveria dhe opozita...

... dhe pse të dyja palët kanë të drejtë e pse sfidat mbeten të mëdha

1.

“Anëtarët e Qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vazhdojnë të ushtrojnë funksionin ekzekutiv deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, për sa kohë që nuk kanë dhënë betimin si deputetë. Në momentin e dhënies së betimit si deputet, ushtrimi i funksionit ekzekutiv ndalohet menjëherë, në përputhje me parimin kushtetues të papajtueshmërisë së funksioneve.”

Po të ishte propozuar një formulim për amendamentim të Ligjit për Qeverinë, i cili do të kishte përkrahjen e Qeverisë në detyrë dhe të opozitës së deritashme, do të tingëllonte pak a shumë kështu. Ose, kur të largohet tërë mjegulla e akuzave dhe kundërakuzave politike, së paku kështu u përpoqa me pak dell dëshiror të më tingëllojë duke integruar argumentet e palëve dhe të ekspertëve ligjorë gjatë ditës së djeshme, kur dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës për shkak të një çështjeje teknike-procedurale.

Nëse kjo qasje pranohet (jo amendamentimi, se kjo i mbetet legjislaturës që ende nuk është formuar, por koncepti përmbajtjesor), mund të shfrytëzohet si pikënisje për zhbllokimin e procesit të konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit — një proces që, edhe ashtu, nuk premton të jetë i lehtë.

Për Qeverinë në detyrë do të përforcohej argumenti i vazhdimësisë së saj deri në formimin e Qeverisë së re. Ky është një argument i mbështetur edhe nga Ligji për Qeverinë, sipas të cilit Qeveria, së cilës i ka skaduar mandati, mbetet në dorëheqje/detyrë deri në zgjedhjen e një qeverie të re. Ndërkohë, për partitë që ishin në opozitë, përmbushet argumenti i nevojës për respektimin e papajtueshmërisë së funksioneve — një obligim jo vetëm ligjor, por edhe kushtetues.

Në thelb, do të arrihej një interpretim i përbashkët që kërkon largimin nga funksioni ekzekutiv të ministrave të zgjedhur si deputetë, dhe jo, siç është keqinterpretuar, largimin e gjithë Qeverisë nga detyra.

2.

Hapi i ardhshëm mund të duket një detaj teknik, por në fakt mund të përfaqësojë vendosjen e një precedenti të rëndësishëm, që tejkalon të gjithë precedentët e mëhershëm. Është e vërtetë, siç shpjegoi një anëtare e kabinetit qeveritar, se ka pasur precedentë kur Gjykata Kushtetuese ka përligjur veprimin e Qeverisë Hoti, edhe pse rrëzoi bazën kushtetuese të formimit të saj. Po ashtu, është e vërtetë, siç theksuan anëtarë eminentë të opozitës së deritashme, se kanë ekzistuar precedentë të natyrës tjetër, si rasti i Qeverisë Mustafa, në të cilin ministrat dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre për të respektuar mandatin si deputetë.

Kësaj here, megjithatë, paraqitet një mundësi — që besoj ekziston si instinkt pozitiv përgjatë spektrit politik — për të vendosur një nivel të respektit ligjor e kushtetues që do të shërbejë si precedent për proceset e ardhshme paszgjedhore. Pra, një precedent që, ndryshe nga rasti Haradinaj më 2019, që kaloi pa ndëshkim, nuk do të ishte i kontestueshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Hapi i propozuar nga dr. Enver Hasani është një marrëveshje politike që zhbllokon konstituimin. Ky zhbllokim kërkon vetëm pranimin e thjeshtë të faktit (teknik) se të gjithë deputetët në listë janë në gjendje të bëjnë hapin e radhës — të japin betimin.

Partitë që bien dakord për këtë konstatojnë se ekziston një Qeveri në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë, dhe se anëtarët e saj që janë zgjedhur deputetë duhet të vendosin për ushtrimin e njërës prej dy funksioneve: deputet ose anëtar i ekzekutivit.

3.

Ka gjasa që ky rrëfim të mos përfundojë këtu, sidomos në një atmosferë të mosbesimit të ndërsjellë mes partive dhe në kushtet e testimit të një terreni të pashkelur më parë — formimi i institucioneve pas përfundimit të plotë të mandatit të një Qeverie të Republikës së Kosovës.

Prandaj, ndoshta është e nevojshme një marrëveshje eksplicite ndërmjet palëve për të pasur një kuptim të përbashkët rreth dy hapave të ardhshëm: kur dhe si pushon ushtrimi i një funksioni (deputeti apo anëtari qeverie), dhe çfarë nënkupton veprimi i mëtejshëm i anëtarëve të Qeverisë në detyrë.

Përgjigjja automatike do të ishte se të gjitha këto janë të rregulluara me Kushtetutë dhe ligj. Dhe po, është e qartë në Kushtetutë dhe në Ligjin për Qeverinë se duhet të jepet dorëheqja, dhe është po ashtu e qartë se cilat janë kompetencat e kufizuara të një qeverie në dorëheqje. Megjithatë, siç ka treguar ky rast, çdo çështje që lidhet me ligjin dhe Kushtetutën është bërë subjekt interpretimi. Andaj, është e nevojshme një interpretim i përbashkët — për shembull, për aktin e dorëheqjes apo për nivelin e vendimmarrjes së Qeverisë në detyrë.

Një marrëveshje e tillë do të kishte dy përfitime: së pari, do të siguronte mbrojtjen e procesit të formimit të institucioneve nga kontestimet në Gjykatën Kushtetuese; së dyti, do të vendoste një precedent të fortë që zëvendëson precedentët e mëhershëm apo garën se cili precedent është më i mirë për cilën situatë.

4.

Edhe nëse kjo rrugë ndiqet — që ndonëse duket e vështirë, në fakt është e realizueshme në një takim pune disaorësh mes ekspertëve të partive politike — kjo nuk do të thotë se procesi i mëtejmë do të jetë i lehtë. Pas konfliktit procedural qëndron realiteti i rezultateve zgjedhore, të cilat duhet të përkthehen në një formulë qeverisëse — sfidë më vete.

Por, mënyra se si zhbllokohet konstituimi i Kuvendit mund të marrë një drejtim tjetër nga ai i tensioneve emocionale dhe akuzave të ndërsjella (me një nivel të papranueshëm demonizimi të kundërshtarëve politikë si “tradhtarë”).

Për Qeverinë dhe opozitën e deritashme, kjo do të përfaqësonte një dëshmi të mëtejshme të bashkëpërgjegjësisë për normalizimin politik dhe juridik të Kosovës.