72 për qind e popullatës botërore jeton në autokraci. Niveli i demokracisë në botë është kthyer në vitin 1986. Përparimet e arritura në 35 vjetët e fundit në fushën e demokratizimit janë shkatërruar në dekadën e fundit. Mbi rezultatet dramatike të një studimi të institutit suedez V-Dem
Shifrat nuk shpjegojnë gjithçka, por shifrat sqarojnë shumëçka. Institut Varieties of Democracy (V-Dem) është një institut i Departamentit të shkencave politike të Universitetit të Göteborgut në Suedi. Në një studim të botuar së fundi ky institut ka përpunuar 31 milionë të dhëna dhe ka mbuluar 202 vende nga viti 1789 deri më 2022.
Qëllimi i studimit është të tregojë se si është gjendja e demokracisë në botë, ku po marshon autokracia dhe ku po mbrohet rendi demokratik, ku është duke u shtrënguar censura dhe cili rajon i botës ka shënuar regresin më të madh në demokraci.
Të dhënat e V-Dem tregojnë se të arriturat në fushën e demokracisë në planetin tonë janë shkatërruar në 35 vjetët e fundit. 72 për qind e popullsisë së botës (5,7 miliardë njerëz) në vitin 2022 jetonin në vende autokratike. Kësisoj niveli global i demokracisë është kthyer në vitin 1986. Regresi më dramatik është shënuar në rajonin e Azisë dhe Oqeanit Paqësor. Atje niveli i demokracisë ka rënë në vitin 1978. Evropa Lindore, Azia Qendrore dhe Amerika Latine janë në atë nivel që kanë qenë në fund të Luftës së Ftohtë. Për herë të parë në dy dekadat e fundit në botë ka më shumë autokraci të izoluara sesa demokraci liberale. 28 për qind e popullsisë së botës (2,2 miliardë njerëz) jetojnë në autokraci të izoluara (mbyllura). Vetëm 13 për qind (1 miliard njerëz) jetojnë në demokraci. Në vitin 2022 e drejta e fjalës së lirë është përkeqësuar në 35 vende. Para 10 vjetësh ky tren u shënua në vetëm 7 vende. Censura shtetërore në media është përkeqësuar në 47 vende. Shtypja e shoqërisë civile nga ana e shtetit është përkeqësuar në 37 vende. Cilësia e zgjedhjeve është keqësuar në 30 vende.
Ne krye të listës së vendeve me demokraci pothuaj të përsosur gjenden vendet e Evropës Veriore dhe Zvicra. Tendencat autoritare në Hungari, regresi sa i përket sundimit të ligjit në Poloni, stabilizimi i autokracive në Ballkan kanë pasur efekte negative në Evropën Lindore. Në vitin 2022 Ukraina me luftën e saj heroike kundër agresionit rus dha një shembull të mbrojtjes së demokracisë, por në tablonë e përgjithshme gjendja duket e zbehtë, siç tregon studimi i V-Dem. Gjithandej është duke u shtuar ndikimi i Kinës, e cila synon të eksportojë modelin e saj: kapitalizëm e mirëqenie pa të drejta qytetare. Ky model e sheh njeriun si qenie që ha, pi, argëtohet, udhëton, shijon jetën, ndërsa për cilësinë e qeverisjes mendon kasta udhëheqëse dhe për participimin e qytetarëve në vendimmarrje s’ka vend.
Politologët dallojnë katër forma të qeverisjes. Demokracia liberale është forma më ideale (sistem shumëpartiak, kontroll i qeverisë, liri mendimi e shprehjeje). Demokracia elektorale: një sistem me mangësi (si shembuj përmenden Bullgaria dhe Rumunia). Autokraci elektorale: sistem shumëpartiak, por me dominim të një partie dhe me liri të kufizuar mediale dhe të tubimit (Rusia, Turqia, Egjipti, India). Autokracitë e izoluara: Kina, Irani, Afganistani.
Nëse demokracinë e shohim si pacient, atëherë gjendja e saj mund të përshkruhet kështu: duhet terapi e menjëhershme. Një hap të vogël në këtë drejtim e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më saktë qeveria e presidentit Joe Biden, e cila në dhjetor të 2021 dhe së fundi në mars organizoi dy samite virtuale me liderë të ndryshëm të vendeve demokratike (e ftuar ishte edhe Kosova). Për të forcuar strukturat demokratike në botë Bideni premtoi javën që shkoi rreth 650 milionë euro. Në takim nuk u ftuan Hungaria dhe Turqia, por u ftua Serbia, e cila nuk mund të përshkruhet si demokraci larg më e avancuar se Hungaria. Madje edhe në Turqi, me gjithë represionin e qeverisë, qytetarët kanë dëshmuar se mund të mbrojnë demokracinë, së paku në nivel lokal. Në zgjedhjet e fundit lokale opozita fitoi pothuaj të gjitha qytetet e mëdha, përfshirë Stambollin, ku pushteti ndikoi të përsëriten zgjedhjet dhe prapë fitoi kandidati i opozitës.
“Vendimet që marrim tani do të përcaktojnë në masë të madhe se në çfarë drejtimi do të zhvillohet bota jonë në dekadat e ardhshme. A do të lejojmë që demokracia të përfundojë pakontrollueshëm në defensivë apo do të kemi kurajën t’i prijmë njerëzimit drejt më shumë lirie dhe përparimi?”, tha Biden në samitin e vitit 2021. Fjalë dramatike dhe të rëndësishme. Shpesh vizionet kurthohen në kundërthënie. Në samitin e Washingtonit ishte e ftuar India ku një lider opozitar u fut në burg me një akuzë të rrejshme dhe Meksika ku presidenti po tenton të pengojë zgjedhjet e lira. Siç shkroi “Financial Times” në një koment: me miq të tillë demokracisë nuk i duhen armiq. Por, me gjithë mangësitë e samtit, pa rolin prijës të SHBA-së gjendja e demokracisë në botë do të ishte edhe më dramatike.