Skena me panikun rreth tarifave amerikane ndaj Kosovës duhet të zëvendësohet me një analizë të esëllt të botës së re në të cilën po jetojmë. Në vend të porosive në media sociale se sa duhet të jetë tarifa tregtare apo çmimi i energjisë elektrike, nevojitet identifikim i proceseve strategjike përpara
1.
Profesori Fehmi Agani me sensin e tij të hollë të humorit, në momentin kur stjuardesa e avionit shpërndante gazetat dhe kishte mbetur vetëm “Financial Times”, më luti ta merrja një ekzemplar për të:
“Më duhet t’i shikoj vlerat e aksioneve të mia në tregjet financiare”.
Më ra në mend profesori këto ditë, pas shpalljes së tarifave importuese ndaj shteteve të botës nga presidenti Trump, se si Kosova dhe shqiptarët (dhe një pjesë e konsiderueshme e botës që nuk merr pjesë në tregun e aksioneve) janë në pozitën vetëtallëse të profesorit Agani, i cili lëre që nuk ishte pronar aksionesh, por nuk kishte parë një me sy ndonjëherë.
Lexojmë për rënien dramatike të vlerës së aksioneve në botë dhe kjo me siguri duhet të jetë diçka që na brengos, por nuk dimë saktësisht pse. Dimë po ashtu për një pikë reference, faktin se reagimi i tregjeve ndërkombëtare ndaj tarifave të presidentit Trump është i njëjtë si kur u shpall pandemia COVID-19 dhe kjo mjafton për të na frikësuar: po ndodh diçka që i përngjet COVID-it, boll vetëm të dëgjohet ky emër dhe e kemi të qartë ngërçin nëpër të cilin kaluam.
2.
Tronditja më të vërtetë është e madhe dhe tregjet financiare janë vetëm indikatorë emocionalë. Paraja është frikacake e madhe dhe ajo nuk del nga xhepi i investitorit në momentin kur ekziston një ndryshim i thellë e i madh me paparashikueshmëri për zhvillimet në të ardhmen. Kjo është pak a shumë çka po ndodh në botë pas vendosjes së tarifave për të gjitha shtetet e botës nga presidenti Trump.
Dhe problemi nuk është se a i është vendosur dikujt një tarifë prej 40 për qind e dikujt tjetër 10 për qind - kjo duket të jetë zbavitja e analistëve që u ngjasojnë atyre të pasndeshjeve futbollistike, por me faktin se SHBA-ja ka vendosur tarifa.
SHBA-ja i ka prirë ekonomisë botërore pas vitit 1945 me konceptin bazik të tregjeve të lira. Me ide dhe energji prijëse amerikane janë ndërtuar Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Plani Marshall (dhe me të BE-ja dhe tregu i lirë evropian) e deri tek Organizata Botërore e Tregtisë, ku me anëtarësimin e Kinës ndryshuan në mënyrë dramatike edhe Kina e edhe ekonomia botërore.
Vendosja e tarifave nga presidenti Trump qe mbyllje e një kapitulli jashtëzakonisht të suksesshëm konceptual të politikës amerikane të filluar pas Luftës së Dytë Botërore. Në thelb të kësaj politike ishte vetinteresi amerikan e që dukej i formuluar pak a shumë kështu: ne si ekonomia më e madhe në botë do t’i dominojmë tregjet botërore me produktet tona, por ato produkte duhet që dikush t’i blejë, e për t’i blerë duhet të ketë ekonomi funksionale. Për të pasur ekonomi funksionale u duhet ndihma jonë amerikane me një sistem global të tregtisë së lirë.
Kapitulli i ri, me përcaktimin e vetinteresit amerikan nga presidenti Trump, fillon pak a shumë kështu: të gjithë të tjerët janë pasuruar në kurriz të Projektit amerikan të tregtisë së lirë dhe ne do ta ndalim këtë projekt me tarifa importi.
3.
Në Kosovë u reagua me emocion, sikur të bëhej fjalë për njërin prej eksportuesve më të mëdhenj në tregjet amerikane. Për dikë që shikon nga jashtë dhe që i kupton shifrat do të dukej jo fort e kuptueshme; eksportet në Amerikë nuk kanë ndonjë peshë dhe fundja, tarifa ndëshkuese është më e ulët se për shumë të tjera dhe për më tepër, atë në fund do ta paguajë konsumatori amerikan. Për shumë shtete, këto do të duken si tarifa ndëshkuese, por në kuptimin e thjeshtësuar ekonomik janë taksa të rritura për konsumatorin amerikan. Televizori kinez që ka kushtuar 300 dollarë, do të kushtojë 420, kurse atletet e firmave të njohura sportive të prodhuara në Vietnam do të kushtojnë për aq sa është vendosur tarifa. Dallimin në çmim do ta paguajë konsumatori amerikan.
Por, problemi i reagimit emocional kosovar nuk ka të bëjë vetëm me sensin e panikut. Brenda një pasdite pati në media sociale këmbime urgjente porosish të bartësve të institucioneve publike për nevojën e anulimit të tarifave. Edhe kjo duket nuk qe gjë e re, ngase ky këmbim pasoi pas disa këmbimesh të mëhershme lidhur me çmimin e energjisë elektrike, diçka që nuk i përket asnjërit prej institucioneve të prononcuara; të njëjtën kompetencë për caktimin e çmimit të energjisë elektrike do ta kishin edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës.
Reagimi kosovar - një pjesë e të cilit është pjesë e ndërskamcave politike - në shumicën e vet të madhe nuk ka të bëjë fare me tarifat dhe pasojat për tregtinë me Amerikën. Në shumicën e vet të madhe reagimi nuk bëhet për çështje eksporti - pra të mallrave - por për çështje importi, të sigurisë e përkrahjes politike.
Mendja kolektive kosovare - e ndërtuar prej përcaktimit strategjik në lidhje me Amerikën gjatë rezistencës së padhunshme që nga viti 1989 dhe pastaj stërmbushur në përditshmëri me përsëritje të çdo aspiranti për vëmendje publike në betimin e tij/saj si më proamerikan se të tjerët - ka një përllogaritje frike që rrjedh nga një skenar - andralle: Çka nëse një mëngjes presidenti Trump zgjohet dhe sheh se Kosova nuk ka blerë mall të mjaftueshëm amerikan dhe deklaron se më nuk do ta mbrojë Kosovën?
4.
Pra jo, lexuesi kolektiv kosovar i “Financial Times” nuk do të merret me faktin se rënia e tregut ndërkombëtar të aksioneve po e tregon rrezikun e recesionit të ekonomisë botërore, që nënkupton më pak qarkullim ekonomik, më pak para për kosovarët jashtë vendit, më pak remitenca dhe më pak investime në ndërtim të qyteteve të Kosovës dhe më pak para për të shpenzuar gjatë vizitave të verës, pra tkurrje të ekonomisë kosovare.
Lexuesi kolektiv kosovar i “Financial Timesit” është po ai i cili ende e ndien frikën e luftës dhe merret me përjetimin e tij të thjeshtë të një kthese potenciale dramatike botërore: Pra, nëse presidenti Trump po i jep fund garancisë amerikane për tregti të lirë (madje edhe miqsh), a do të thotë se do t’i japë fund edhe garancisë amerikane për mbrojtje të miqve?
Në emocionin kolektiv kosovar, kjo është dyfish më e rëndë, për shkak se kemi të bëjmë me popullin më proamerikan në Evropë, e mbase edhe aty diku në majat në nivel botëror.
5.
Procesi është i vështirë dhe mënyra më e mirë për ta përshkruar është se busulla amerikane e rendit të vjetër, e ndërtuar prej vitit 1945, nuk është më dhe busulla e re nuk është dizajnuar, por po testohet me veprime dekonstruktive, siç janë tarifat.
Reagimi i parë kosovar, ai i panikut me tarifat, duhet të zëvendësohet me analizë të esëllt. Në vend të panikut, analiza duhet të identifikojë mënyrën se si Kosova merr më shumë përgjegjësi dhe iniciativë në relacion me SHBA-në (në të gjitha fushat strategjike, prej energjisë te mbrojtja), por gjithashtu mënyrën se si Kosova integrohet në politikat strategjike evropiane, prej energjisë e deri te mbrojtja.
Në fakt, paniku duhet të zëvendësohet me konstatimin e thjeshtë - tashmë të shqiptuar prej presidentit Trump dhe të kuptuar prej liderëve evropianë - se roli garantues amerikan, prej tregjeve të hapura e deri te mbrojtja e Evropës, nuk duhet konsideruar si i mirëqenë. Dhe ky konstatim, siç po bëhet gjithandej Evropës, duhet të shtyjë një proces marrjeje përgjegjësie dhe krijimi të ideve të reja. Kosova duhet të hyjë në këtë proces.