Pas 14 vjetësh dialog është arritur të konsiderohet normale që Kosova dhe Serbia të mos kenë raporte normale. Kjo ndjenjë është forcuar gjatë mandatit të Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut. Pasardhësja e Josep Borrellit, Kaja Kallas, tashmë e ka shëtitur gjysmën e botës, shkon edhe në rajon, por nuk i viziton Kosovën e Serbinë. Ose s’ka kohë, ose e ka një arsye për këtë. Nëse është “për shkak të agjendës së ngjeshur”, atëherë dialogu nuk qenka më prioritet i saj. Ajo tash flet për “vegla të tjera” për normalizim e jo më për “dialogun i cili nuk ka alternativë”
Se një proces apo një qëndrim “nuk ka alternativë”, është një prej thënieve më të dëmshme dhe më të pasakta në politikë. Për gjithçka në jetë ka alternativë. Sepse kur diçka “nuk ka alternativë” është shumë kataklizmike. Më e saktë do të ishte përdorimi i termit “është alternativa më e mirë” apo edhe “rruga më e mirë”, apo se “s’ka alternativë më të mirë”. Paqja është gjithsesi alternativë shumë më e mirë sesa lufta. Dialogu pa dyshim është alternativë më e mirë sesa konflikti dhe bashkëpunimi gjithsesi është alternativë më e mirë sesa konfrontimi. Alternativa mund të jetë shumë e keqe, e dëmshme, shkatërruese, por edhe kur është e tillë ajo vazhdon të jetë alternativë.
Edhe anëtarësimi i një vendi në BE nuk është diçka që s’ka alternativë. Ka sepse mbetja jashtë BE-së po ashtu është alternativë. Dhe jeta vazhdon jashtë apo brenda BE-së, në Zvicrën dhe Norvegjinë të pasura sikur në Kosovën dhe Moldavinë të varfra.
Sado të mëritur të jemi në dialogun e deritashëm mes Kosovës dhe Serbisë, sado të kemi arsye për ta konsideruar si jo shumë të suksesshëm, megjithatë ai dialog ka qenë, është dhe do të jetë opsioni apo alternativa më e mirë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, edhe ky dialog ka alternativë. Një dialog ndryshe nga ky do të ishte një alternativë. Dhe në BE, pa marrë parasysh mbështetjen e fuqishme të përhershme dhe të parezervë për dialogun, e dinë se ai nuk ka sjellë frytet e pritura. Në fakt gjithnjë e më shumë në BE po humb interesi për dialogun, sepse nuk e kanë të qartë më se për çfarë është apo për çfarë nuk është ai dialog, a ka prodhuar apo jo ai dialog ndonjë marrëveshje dhe a duhet vazhduar apo jo në këtë mënyrë.
Pas 14 vjetësh dialog është arritur të konsiderohet normale që Kosova dhe Serbia të mos kenë raporte normale. Kjo ndjenjë është forcuar gjatë mandatit të Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut. Pasardhësja e Josep Borrellit, Kaja Kallas, tashmë e ka shëtitur gjysmën e botës, shkon edhe në rajon, por nuk i viziton Kosovën e Serbinë. Ose s’ka kohë, ose e ka një arsye për këtë. Nëse është “për shkak të agjendës së ngjeshur”, atëherë dialogu nuk qenka më prioritet i saj. Ajo tash flet për “vegla të tjera” për normalizim e jo më për “dialogun i cili nuk ka alternativë”.
Kosovën dhe Serbinë i ka vizituar i dërguari i posaçëm për dialog, Peter Sorensen, dhe ka qëndruar disa ditë në të dyja vendet. Ndoshta ai është duke i analizuar ato vizita për të parë se si t’i qaset dialogut në të ardhmen. Në anën tjetër, në Kosovë nuk ka qeveri ndërsa situata e brendshme politike nuk është në favor të dialogut as në Serbi. Nëse Kallas pret që të sqarohet situata në të dyja vendet, do t’i shkojë viti i parë i mandatit duke pritur. Një prej mungesave të këtij dialogu ka qenë edhe ai se është personalizuar shumë. Duke llogaritur në fuqinë individuale të liderëve në Kosovë dhe në Serbi. Në këtë mënyrë është krijuar varësi e dialogut nga situatat e brendshme politike. Nuk është arritur që dialogu mes dy vendeve të bëhet një proces i cili do ta ketë rrjedhën e vet pa marrë parasysh se kush është në momentin e caktuar në pushtet në Kosovë e kush në Serbi. Fajin për këtë e kanë para të gjithave palët që nuk krijuan një konsensus të brendshëm në vendet e tyre përkatëse për dialogun (siç e ka pasur për shembull Kosova deri te shpallja e Pavarësisë), por e ka edhe BE-ja, e cila shpresën për sukses e ka lidhur vetëm te liderët e caktuar.
Dialogu, nëse dëshiron të ketë sukses, duhet të fokusohet vetëm në aspektin politik. Problemet praktike në raportet mes Kosovës dhe Serbisë kanë pasoja për qytetarët, por zgjidhja e tyre nuk do të normalizojë raportet. As targat e veturave e as dinari, as njohja e dokumenteve, nuk janë çështje nga të cilat varet fati final i dialogut. Fundi i fundit asnjë nga problemet “teknike”, që për qytetarët janë edhe probleme praktike, nuk do të ekzistonin sikur të mos ishte shkaktari kryesor i raporteve jonormale politike. Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, nuk e njeh atë dhe nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Nuk insiston Serbia në përdorimin e dinarit në Kosovë për shkak se nuk mund të bëjë pagesa me euro, por për shkak se e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë dhe përdorimin e dinarit si simbol të kësaj.
Marrëveshja për të cilën Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak thanë se ishte arritur para dy vjetësh në Bruksel dhe Aneksi i Ohrit, ndonëse jo gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, do t’i zgjidhte disa dilema dhe do të hapte rrugë vërtet për një normalizim. Ajo ishte minimumi i nevojshëm dhe maksimumi i mundshëm në atë moment. Ajo, mes tjerash, hapte rrugë që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet përmes një njohjeje de facto.
Por Borrelli dhe Lajçaku e fundosen vetë atë marrëveshje. Së pari, duke ia mundësuar Serbisë që të mos e nënshkruajë e më vonë edhe duke heshtur në shkeljen e vazhdueshme të saj, që vazhdon edhe sot. Improvizimet me këtë marrëveshje, tentimi që ajo të bëhet “ligjërisht obliguese” përmes përfshirjes në Kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE, rezultuan në futjen e asaj marrëveshjeje në harresë. Pasi anëtarësimi në BE nuk është vetvetiu ligjërisht obligues, por është një synim, si mund të jetë ligjërisht obliguese diçka që është e lidhur me një proces që nuk është i tillë.
Ani pse BE-ja vazhdon të bëjë ftesa për “implementim të plotë dhe pa vonesa” të asaj marrëveshjeje, Serbia këto thirrje nuk i merr seriozisht. Me letra, me fjalë dhe me vepra Serbia po dëshmon se nuk e ka ndërmend ta zbatojë atë.
Tash BE-ja do të duhej të sqaronte fatin e asaj që u quajt “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. Të thotë a ekziston apo jo ajo dhe nëse vazhdon të pohojë se marrëveshja vlen, atëherë duhet të insistojë në zbatimin e plotë të saj. Zbatimi i asaj marrëveshjeje nuk do t’i normalizonte tërësisht raportet, por gjithsesi do t’i bënte më normale sesa që janë sot. E nëse nuk do të ketë zbatim të asaj marrëveshjeje, dhe nëse do të vazhdojë ky nivel i mosgatishmërisë për normalizimin e raporteve, Kosova dhe Serbia duhet të mësohen të jetojnë edhe pa normalizim të raporteve me gjithë pasojat që do të ketë kjo. Sepse normalizimi duhet të jetë diçka konkret e jo një gjë abstrakte.