OpEd

Si të arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë?

Nëse je qytetar i Kosovës, brenda apo jashtë vendit, dhe e ke të vështirë t’u besosh politikanëve në Qeveri apo analistëve në studio televizive sa i përket epilogut të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, mos u frikëso, nuk je i vetëm.

Çdo qytetar i Kosovës sot është i ngarkuar me një temë që nuk sjell para në bankë apo ushqim në tavolinë, e kjo është tema e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, herë në Uashington e herë në Bruksel.

Qytetarët do të donin të dëgjonin për hapjen e vendeve të reja të punës, për luftimin e korrupsionit, për hapjen e shkollave e spitaleve të reja, për ndriçimin e lagjeve të tyre, për çmimet e faturave të ujit e të energjisë, për pensionet e të ardhurat sociale, por këto nuk janë prioritetet e Qeverisë.

Nuk janë, sepse Qeveria që kemi është krijuar për dialog me Serbinë e jo për mirëqenie për qytetarët. Por kjo qeveri e dialogut me Serbinë po vazhdon të sjellë dëme të pariparueshme për Republikën, prandaj përmes këtij shkrimi, paksa të gjatë, do të mundohem të kontribuoj në dy drejtime: Së pari të arsyetoj, me sa saktësi që mundem, përse ‘marrëveshja finale me Serbinë’ do të jetë e keqe. Për këtë do të analizojmë të kaluarën dhe të tashmen, pra një gjurmim historik të procesit të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura, si dhe një analizë të realitetit në Serbi dhe Kosovë. Së dyti, të argumentoj se si do të duhej të arrihej marrëveshja finale.

Një histori e marrëveshjeve të dëmshme

Pas 9 vjet të “dialogut” të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova ka ardhur në një situatë tejet të vështirë ku kërkesat për kompromise dhe koncesione duket se nuk kanë fund.

I filluar në vitin 2011, dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është hapur me kërkesë të Serbisë përmes një rezolute të paraqitur në Asamblenë e OKB-së, pas disfatës që Serbia pësoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes një “dialogu” ta shtynte Kosovën drejt negociatave të reja për statusin, të cilin Kosova e kishte mbyllur me shpalljen e pavarësisë.

“Dialogu”, i cili u mbështet edhe nga Bashkimi Evropian, përmes kësaj rezolute do të duhej të zgjidhte çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj BE-ja kishte refuzuar që në tekstin e Rezolutës së Serbisë të përmendeshin fjalët “negociata” dhe “status i Kosovës”, sepse në atë kohë për BE-në ishte e qartë se Kosova ishte e pavarur. Pra, dialogu asnjëherë nuk duhej të çonte në negociata të reja dhe të hapte çështjen tashmë të zgjidhur të statusit të Kosovës.

Rrjedhimisht në fillim dialogu u quajt si dialog teknik. Por paaftësia e përfaqësuesve qeveritarë të Kosovës më në krye ish-kryeministrin e tash presidentin në ikje, Hashim Thaçi, bëri që Serbia me sukses të kthente një dialog teknik për çështje të pazgjidhura në negociata politike për statusin e zgjidhur.

Momenti kur dialogu teknik u bë politik ishte pikërisht një vit pas fillimit të tij, kur në shkurt të vitit 2012 Edita Tahiri nënshkroi Marrëveshjen për përfaqësim rajonal, e cila solli fusnotën për Kosovën. Fusnota ishte goditja e parë e rëndë që iu bë Deklaratës së Pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Sipas marrëveshjes, të cilën e festonte Serbia, fusnota do ta zëvendësonte emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës” me një fusnotë “Kosovo*”. Fusnota ishte heqje dorë nga republika në kuptimin më të drejtpërdrejtë të saj. Serbia, përmes fusnotës, kishte arritur që ta bindte lidershipin kosovar që, pasi kishte shpallur pavarësinë dhe pasi kjo pavarësi ishte promovuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të pranonte që në përfaqësimet rajonale ta përfaqësonte veten përmes Rezolutës 1244, e cila nuk i njihte as pavarësinë dhe as Kushtetutën e Kosovës.

Kjo nuk duhej të pranohej kurrë, por ja që u pranua nga Qeveria e Hashim Thaçit. Fusnota ia hapi rrugën kontestimit të pavarësisë edhe nga shtetet që tashmë e kishin njohur Kosovën dhe çdo marrëveshje e çdo dokument tjetër pas fusnotës do t’i referohej Kosovës me Rezolutën 1244.

Hapja e pakos së Ahtisarit

Kalimi nga dialogu teknik në atë politk i hapi rrugë jo vetëm kontestimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe koncesioneve të reja, por hapi edhe Pakon e Ahtisarit, mbi bazën e së cilës është shpallur pavarësia dhe është shkruar Kushtetuta e Kosovës.

Marrëveshja për fusnotën do të pasohej me një marrëveshje tjetër të dëmshme, e cila e dëmtoi edhe më rëndë integritetin territorial të Kosovës duke bërë Serbinë hisedar në çështjet e brendshme. Kjo ishte marrëveshja e parë për “normalizimin e marrëdhënieve” e nënshkruar në prill të vitit 2013 nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Kjo marrëveshje në 15 pikat e saj hedh bazën për ndarjen etnike të Kosovës. Marrëveshja ishte dizajnuar që të përfitonte nga decentralizimi mbi baza etnike që kishte bërë Marrëveshja e Ahtisarit, ku ishin krijuar komuna të reja me shumicë serbe, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.

Me Marrëveshjen e Ahtisarit, komunat e reja me shumicë serbe nuk kishin një autoritet përfaqësues etnik që i lidhte ato vertikalisht, pasi Pakoja e Ahtisarit e shpallte Kosovën multietnike. Në Kosovën multietnike komunitetet pakicë përfaqësohen vertikalisht në organet qendrore të Republikës përmes garancive kushtetuese. P.sh. gjuha serbe u shpall gjuhë zyrtare, komuniteti serb fitoi 10 vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës dhe në të gjitha ligjet bazike kërkohej që të ketë dyfish të 2/3 për të fuqizuar pjesëmarrjen në vendimmarrje të minoriteteve, sidomos atij serb. Pra, përfshirja dhe përfaqësimi i komuniteteve garantohen përmes Kushtetutës.

Marrëveshja e prillit në Bruksel, e nënshkruar nga Hashim Thaçi, tejkalon dhe anashkalon Kushtetutën e Kosovës dhe karakterin multietnik të saj duke i dhuruar pakicës serbe në Kosovë një entitet legal me kompetenca ekzekutive për përfaqësim vertikal karshi Qeverisë së Kosovës. Marrëveshja e prillit kishte tri elemente bazë që cenonin karakterin multietnik të Kosovës dhe ndarjen e pushteteve. Elementin politik, policor dhe gjyqësor. Në aspektin gjyqësor kërkohej që komunat me shumicë serbe të kishin gjykatën e tyre të apelit në Prishtinë. Pra, një gjyqësi paralele për një komunitet pakicë i cili do të shërbente një drejtësi tjetër për komunitetin serb. Elementi policor kërkonte që të krijohej një komandë e re dhe një komandant i ri për komunat me shumicë serbe. Pra, një strukturë me komandë paralele të policisë. Këto dy struktura paralele, të cilat tashmë janë jetësuar, do të merrnin kuptim të plotë kur të arrihej elementi politik, pra kur të funksionalizohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që në Serbi quhet “Zajednicë”. Asociacioni do të kishte pastaj në dispozicion një gjyqësi dhe një polici me bazë etnike duke përforcuar kështu idenë se komunat serbe nuk janë pjesë unike e Kosovës, por janë një entitet autonom brenda Kosovës i cili ka lidhje direkt me Serbinë dhe që në një të ardhme të afërt do të kërkonte referendum për shkëputje nga Kosova.

Pauzoni pak ju lutem. Ish-kryeministri i Kosovës, i cili vetëm 5 vjet para kësaj marrëveshjeje kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë që e shpallte Kosovën shtet të pavarur, nënshkroi një marrëveshje për të krijuar një entitet legal me shumicë etnike serbe brenda një shteti të shpallur multietnik ku shumica prej 95% janë shqiptarë.

Kjo marrëveshje, së bashku me Marrëveshjen për fusnotën, hapte zyrtarisht Pakon e Ahtisarit dhe i jepte të drejtë Serbisë që të kërkonte nga shtetet e tjera të pauzonin njohjen e pavarësisë, sepse tashmë kjo pavarësi ishte duke u rinegociuar në Bruksel. Kësisoj, fushata e çnjohjes nga Serbia ishte dhuratë nga Kosova, ose më mirë dhuratë nga Hashim Thaçi, i cili fillimisht pranoi “dialogun” politik me Serbinë në Bruksel e më pastaj nënshkroi Marrëveshjet për Fusnotën e Zajednicën.

Ajo që rrjedh pas këtyre dy marrëveshjeve ishte edhe një marrëveshje tjetër e dëmshme më 25 gusht 2015. Pas këtyre marrëveshjeve të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia, Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht përmes strategjisë së zgjerimit hodhi idenë se Kosova dhe Serbia duhet ta nënshkruajnë një “marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, e cila ndryshe edhe u quajt “marrëveshja finale”, e cila do të “zgjidhte” të gjitha kontestet mes Kosovës dhe Serbisë dhe do t’i hapte rrugë anëtarësimit të të dyjave vendeve në BE.

Kërkesa e BE-së ishte dëmi tjetër që i bëhej Pakos së Ahtisarit dhe Deklaratës së Pavarësisë. Duke kërkuar një marrëveshje “ligjërisht të detyrueshme” mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja ka treguar se Pakoja e Ahtisarit nuk është më dokument i mjaftueshëm dhe ligjërisht i pranueshëm për BE-në dhe kërkon që të ketë një marrëveshje të re, përtej Marrëveshjes së Ahtisarit, e cila apriori nuk mund t’i sjellë më shumë Kosovës, por vetëm më pak.

Kjo kërkesë ishte pa dyshim një fitore e jashtëzakonshme për Serbinë pasi konfirmonte se do të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës, të cilin Serbia e konsideron të pazgjidhur. Pakoja e Ahtisarit ishte kompromisi i dhimbshëm për Kosovën, por ishte kompromis që Amerika dhe BE-ja e kërkuan nga Kosova në këmbim të njohjes së pavarësisë. Nga Serbia kërkohej që ajo ta njihte pavarësinë e Kosovës si një realitet i shpallur në 2008, pra ta njihte Pakon e Ahtisarit, e cila ofronte garanci të mëdha për komunitetin pakicë serb. Sot, 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, 9 vjetëve të “dialogut” dhe një seri marrëveshjesh të dëmshme, askush nuk i kërkon Serbisë që të pranojë Pakon e Ahtisarit, por i kërkojnë dialog për “zgjidhjen e konfliktit” të cilin administrata e presidentit Trump madje e quan edhe marrëveshje të paqes.

PAUZONI pak ju lutem dhe analizoni se në çfarë gjendjeje na kanë sjellë këta 9 vjet të dialogut të Thaçit e Mustafës.

Në vazhdim do të argumentoj se si historiku i dialogut dhe realiteti në të cilin ndodhemi na tregojnë se çdo marrëveshje e ardhshme do të jetë e keqe.

Historia që nuk mësohet, përsëritet

Nëse ke arritur të lexosh deri në këtë pikë besoj që tashmë e ke ndjeshmërinë se dialogu siç është zhvilluar deri tash në Bruksel e ka dëmtuar Kosovën dhe e ka fuqizuar Serbinë. Prandaj pyetja që duhet të shtrojmë natyrshëm është se përse ne po e vazhdojmë këtë dialog?

Kësaj pyetje do të mundohem t’i përgjigjem në këtë pjesë, pra përse ne, duke parë se si pas çdo marrëveshjeje të re kemi bërë dëme më të mëdha, po besojmë se do të kemi marrëveshje të mirë në fund.

Përgjigjja ime është se nuk do të ketë marrëveshje të mirë në Bruksel, as në Uashington dhe askund tjetër. Jo, sepse Amerika dhe BE-ja janë kundër nesh, por sepse kemi një elitë politike të paditur që punon kundër nesh. Por për këtë elitën tonë që s’është e jona, sepse punon kundër nesh, do të flas më poshtë.

Nuk na duhet teksti i “marrëveshjes finale” për të kuptuar nëse marrëveshja do të jetë e keqe, mjafton të hedhim vështrimin nga e kaluara e afërt dhe e tashmja të kuptojmë se kemi prezentë të gjithë përbërësit që prodhojnë marrëveshje të keqe.

Në Marrëveshjen e shkurtit të vitit 2012 për fusnotën; në atë të prillit 2013 për Asociacionin, gjykatën e policinë e në atë të përforcimit të Asociacionit në gusht 2015 kishim të njëjtët akterë që kemi edhe sot. PDK-në e Hashim Thaçit dhe LDK-në e Isa Mustafës në njërën anë dhe Ivica Daçiqin e Aleksandër Vuçiqin në anën tjetër.

E kaluara na mëson se është praktike e veprimit të PDK-së së Hashim Thaçit dhe LDK-së së Isa Mustafës që fillimisht të hedhin nënshkrimet në marrëveshje, t’i ratifkojnë ato përmes shantazhit të Parlamentit e pastaj të ankohen dhe fajësojnë të tjerët për dëmet që ato sjellin. Ju e keni parë tashmë se si pa fije turpi Hashim Thaçi thotë se Asociacioni, të cilin ai vetë e ka sjellë, është kancer për Kosovën.

Thaçi, Mustafa, por edhe Haradinaj & Co (që rezistojnë derisa t’u jepet ndonjë post i lartë), e tash së fundmi edhe Hoti, jo vetëm që gënjejnë por edhe mashtrojnë.

Kur Edita Tahiri gjatë qeverisë Thaçi nënshkroi Marrëveshjen për përfaqësim rajonal, ajo tha se fusnota është një flluskë bore e cila do të shkrihet me ardhjen e pranverës. Kanë kaluar 8 vjet, por ende nuk ka ardhur pranvera e Edita Tahirit.

Kur Hashim Thaçi nënshkroi Marrëveshjen për Asociacionin, ai tha se kjo është marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por ne e dimë se çka sollën marrëveshjet që ata kanë nënshkruar.

Marrëveshja e Ahtisaarit solli edhe decentralizimin mbi baza etnike, ku u krijuan komuna të reja me shumicë serbe.

Marrëveshja për policinë krijoi një komandë të veçantë për komunat me shumicë serbe. Marrëveshja për gjykatat krijoi një gjykatë paralele të apelit për komunat me shumicë serbe.

Marrëveshja për Asociacionin në vitin 2013 krijoi bazën për një entitet legal etnik me shumicë serbe.

Marrëveshja për Asociacionin në vitin 2015, bazuar në atë të 2013-s, zyrtarizoi krijimin e një entiteti me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive ku një pakicë serbe do të vendoste, mes të tjerash, për qeverisjen dhe shfrytëzimin e pasurinë së në pjesë të caktuar të Kosovës.

Për ata që thonë se Kosova nuk po bosnjëzohet, shikoni këto marrëveshje më lart, ju lutem. Plani serb për krijimin e një Republika Srpska brenda Kosovës, për të cilin Albin Kurti dhe Vetëvendosje kishin protestuar e ishin rrahur që nga viti 2005, është në prag të realizimit.

E sikur të gjitha këto marrëveshje të dëmshme të mos mjaftojnë, merrni edhe Marrëveshjen për zotime në Uashington së fundmi të cilën Hashim Thaçi nuk arriti ta nënshkruante, përkundër dëshirës së tij të madhe. Marrëveshja e Uashingtonit është shembulli më i freskët se si e sa gënjejnë këta politikanë që i kemi pasur në pushtet qe 20 vjet. Thanë se do të nënshkruajnë marrëveshje për njohje reciproke, por u kthyen në shtëpi me zotime për të ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë dhe për hyjrje në një marrëveshje rajonale me Serbinë.

Jam i sigurt se këtu ka lexues të cilët ende besojnë se ne nuk duhet të frikësohemi kur Amerika e mbështet dialogun. Dhe për këtë nuk mund t’i fajësojmë qytetarët të cilët me të drejtë ndihen të hutuar. Këtë narrativë e kanë promovuar këta akterët e deritashëm që kanë nënshkruar marrëveshjet e mëhershme, por edhe disa tajkunë të mediave të cilët janë mjeshtër të manipulimit.

Të thuash se Amerika mund të mbështetë një marrëveshje që ndan dhe cenon integritetin e Kosovës është vërtet e pabesueshme, ashtu siç njëjtë do të ishte e pabesueshme që ata që ishin të gatshëm të jepnin jetën gjatë luftës si ushtarë, tash si politikanë janë në gjendje të nënshkruajnë marrëveshje që falin territor të Kosovës e autonomi për serbët brenda Kosovës.

Por ja që ka ndodhur. Njëjtë siç ka ndodhur që ata që luftuan në luftë kur u bënë politikanë u bënë edhe milionerë. Vështirë të besohet, por ndodhi. Ndodhi edhe grabitja e pasurisë publike edhe vjedhja e tenderëve dhe rrënimi i shëndetësisë dhe arsimit. Të gjitha ndodhën dhe pikërisht për shkak se ka ndodhur ne duhet të vetëdijesohemi më në fund, duhet të rrisim ndërgjegjen politike dhe të flasim të vërteten.

Udhëheqës të luftës të kthyer në politikanë, ish-komandantë të UÇK-së, pronarë të mediave e intelektualë, por edhe disa “pronarë” të OJQ-ve nga shoqëria civile, që të gjithë kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë verbërisht një marrëveshje finale me Serbinë, përkundër faktit se të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani e kanë ndarë Kosovën dhe kanë forcuar Serbinë në Kosovë.

Në fund të fundit as Amerika dhe askush tjetër nuk mund të bëjë më shumë për vendin tonë sesa që bëjmë ne për vete. Amerika nuk mund ta dojë vendin tonë më shumë se ne. Amerika nuk mund t’i mbrojë interesat tona nëse liderët tanë i tradhtojnë ato.

Amerika mbështet popullin e Kosovës dhe liderët e zgjedhur nga ky popull duke shpresuar që ata punojnë për interesat e popullit dhe shtetit të tyre. Por për këta 20 vjet ne jemi dëshmitarë se liderët e deritashëm kanë kapur shtetin dhe pushtetin dhe kanë punuar për të mirën e tyre personale dhe të familjeve të tyre, shpeshherë duke i shkaktuar dëm të pariparueshëm shtetit.

Prandaj nuk duhet të presim tekstin e një marrëveshjeje të re për ta kuptuar që ajo marrëveshje me këtë elitë të paditur do të jetë e keqe. Pakoja e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, sepse solli decentralizimin etnik për komunat serbe, eksterritorialitetin për kishat dhe standarde të dyfishta për minoritetin serb, por të gjitha këto i paguam me çmimin e pavarësisë.

Asnjë kompromis tjetër të dhimbshëm nuk duhet ta bëjmë tani që jemi të pavarur.

Realiteti që s’ka ndryshuar

Historia na fakton se jo vetëm marrëveshjet që janë nënshkruar janë të dëmshme, por edhe akterët që kanë nënshkruar këto marrëveshje janë të dëmshëm. Fatkeqësia sot qëndron se në Kosovë e në Serbi ende i kemi akterët e njëjtë.

Prandaj është e arsyeshme të jemi kundërshtues e mosbesues, e jo thjesht skeptikë, të negociatave të reja nga të njëjtët akterë kur dimë se çka kanë nënshkruar këta akterë në këta dhjetë vjet që po lëmë pas. Pra, ky fakt i vetëm është i mjaftueshëm për të kundërshtuar çfarëdo marrëveshjeje finale nga akterët e njëjtë.

Por përtej akterëve që s’kanë ndryshuar nuk ka ndryshuar edhe pjesa tjetër e realitetit. Derisa dialogu e negociatat kanë vazhduar në Bruksel e në Uashington, Serbia ka vazhduar të mbajë të fshehur lokacionin e personave të zhdukur. Për më keq, Serbia vazhdon të mohojë varrezat masive e të mohojë masakrat e spastrimin etnik në Kosovë. Serbia nuk pranon të flasë për dëmet e luftës, për kthimin e pensioneve të vjedhura e për dënimin e kriminelëve të luftës. Përkundrazi, Serbia e Vuçiqit sot promovon Milosheviqin si një lider që ia ka dashur të mirën Serbisë.

Serbia nuk është e gatshme për marrëveshje me Kosovën. Ajo nuk dëshiron marrëveshje normalizimi ku zgjidhen çështjet e pazgjidhura, por dëshiron marrëveshje për ndarjen etnike të Kosovës dhe krijimin e një Republika Srpska brenda Kosovës. Serbia e sotme ende nuk është penduar për krimet që ka kryer. Serbia e sotme nuk kërkon falje për krimet që ka kryer në Kosovë, prandaj me këtë Serbi të Vuçiqit kur i dimë qëllimet që ka nuk mund të arrijmë marrëveshje të mirë.

Por ne duhet të dialogojmë, çdoherë e përherë. Ne duhet të dialogojmë e të ulemi me Serbinë në secilën tavolinë. Dialog pa fund por deri në fund duke mbrojtur përherë e çdoherë interesat e Kosovës. Është Serbia ajo që duhet ta shohë veten në pasqyrë. Është Serbia ajo që duhet të distancohet e pastrohet nga e kaluara e saj kriminale. Është Serbia ajo që duhet të ndalë pretendimet territoriale. Është Serbia ajo që duhet të ndalë retorikën nacionaliste. Është Serbia ajo që duhet të zbardhë fatin e personave të zhdukur, të zbulojë varrezat masive, të kthejë pensionet e vjedhura e të dënojë kriminelët e luftës. Është Serbia ajo që duhet të demokratizohet. Ne, ndoshta edhe nuk mund ta detyrojmë Serbinë të zgjidhë problemet e saj, por ne mund të mbrojmë interesat e Kosovës.

Nëse ke arritur deri këtu, në këtë pjesë të fundit do të tregoj se çka duhet të bëjë Kosova dhe si duhet të arrihet marrëveshja finale.

Si të arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë?

Nëse pajtohesh se marrëveshjet e deritashme kanë qenë të dëmshme për Kosovën; nëse pajtohesh se akterët, pra udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë që kanë nënshkruar këto marrëveshje kanë qenë të dëmshëm për Kosovën dhe nëse pajtohesh se Serbia e para 20 vjetëve që ka kryer krime mbi shqiptarët nuk ka ndryshuar ende qëndrimet ndaj shqiptarëve, atëherë besoj që pajtohesh se qasja jonë është e gabuar dhe ne duhet të ndryshojmë drejtimin.

Propozimi im është që të angazhohemi në një politikë të re, në një filozofi të re të vetëdijesimit politik ku ne ndërgjegjësohemi se nëse nuk veprojmë tash dhe menjëherë nesër mund të jetë shumë vonë. Një qasje se tashmë jemi shumë vonë dhe duhet të veprojmë shumë shpejt.

Ky ndërgjegjësim kërkon që secili nga ne të vendos interesat e Kosovës përpara. Kërkon që në çfarëdo dialogu Kosova të mbrojë interesat e saj dhe mund të bëjë kompromise vetëm kur e kupton se për çka nuk mund të bëjë kompromise. Pra, një sens i ri i patriotizmit që mbron Republikën.

Nëse ne vendosim interesat e Republikës dhe të qytetarëve të saj përpara, atëherë në çfarëdo marrëveshjeje ne do të kemi sukses.

Unë jam për një marrëveshje finale me Serbinë. Por ndryshe nga qasja ku marrëveshja finale mendohet si zgjidhje ndaj problemeve që kemi me Serbinë, unë mendoj se zgjidhja e problemeve me Serbinë duhet t’i prijë marrëveshjes finale.

Si funksionon kjo qasje? Në fakt është fare e thjeshtë. Ne duhet të fillojmë një dialog me Serbinë për të gjitha çështjet e pazgjidhura si dy vende të pavarura, si dy palë të barabarta. Dialogu mund të ndodhë edhe në Prishtinë, edhe në Beograd, por kudo që ai mbahet, Kosova ulet si palë e barabartë dhe refuzon të ulet ndryshe. Kjo qasje është qasje parimore ku ne vendosim interesat e Republikës përpara dhe i mbrojmë ato.

Dialogu i tillë do të ishte parimor dhe askush nuk do të mund ta fajësonte Kosovën për mungesë të vullnetit për dialog. Pakoja e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, por atë e kemi paguar me çmimin e pavarësisë dhe tash duhet të sillemi si shtet i pavarur.

Në këtë qasje të re ne jemi jo vetëm pro dialogut, por edhe pro marrëveshjes finale. Marrëveshja finale duhet të dialogohet në kapituj, njëjtë si procesi i integrimit në BE, ku kapitujt mbyllen atëherë kur ka progres real dhe faktik. Kapitujt mund të jenë të tillë sikurse: zbardhja e fatit të personave të zhdukur; zgjidhja e pretendimeve financiare; të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet; adresimi i dëmeve të luftës dhe dënimi i kriminelëve të luftës etj.

Marrëveshja finale duhet të jetë akt përmbledhës i të gjithë kapitujve të dialogur në të cilët progresi është real, njëjtë siç është akti i anëtarësimit në BE. Kjo qasje ka shumë rëndësi, sepse ne kemi nënshkruar mbi 30 marrëveshje me Serbinë të cilat nuk janë realizuar. Çfarë vlere ka një marrëveshje që nuk realizohet? Ne nuk mund të hedhim nënshkrimin në një marrëveshje e cila nuk e zgjidh asnjë problem, por vetëm krijon probleme të reja.

Disa mund të thonë se ky do të ishte një proces i gjatë dhe pala serbe nuk do të pajtohej. Ndoshta edhe mund të jetë, por ne nuk kemi përse të ngutemi. Ne jemi të fundit në procesin e anëtarësimit në BE dhe më në fund nuk mund të shkojmë. Anëtarësimi në BE nuk duhet të bëhet me çdo kusht.

Miqtë tanë ndërkombëtarë duan një Kosovë të pavarur, të fortë dhe të zhvilluar, njëjtë siç duan një Serbi me vlera demokratike.

(Autori është ish-këshilltar politik dhe për çështje evropiane i ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti)