OpEd

Si ta bëjmë Asociacionin?

Pesëmbëdhjetë parime që duhet ndjekur

Diskutimi a ta bëjmë apo mos ta bëjmë Asociacionin duhet kthyer në diskutimin se si duhet ta bëjmë këtë. Këtë proces do të mund ta vonojmë, por rrethanat politike të krijuara nuk do të mund ta shmangin. Nëse është kështu, atëherë si mund ose si duhet ta bëjmë këtë.

“16 modele të asociacioneve janë duke u shqyrtuar’’, pohoi para pak ditësh Miroslav Lajçak, emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. BE-ja po shqyrton modele, ndoshta edhe nisur nga fakti se Kosova nuk e ka një model të saj, të cilin e prezanton dhe pas së cilit qëndron.

Kosova duhet ta bëjë modelin e saj dhe për këtë model duhet të punohet me ekspertë, më shumë vendorë, ngase njohin specifikat dhe praktikat e dobishme e ato që mund të jenë të rrezikshme njohin aspektet ligjore dhe ato buxhetore, njohin procedurat e strukturat, njohin dimensionin politik e atë historik institucional e lokal.

Parimet mbi cilat është ndërtuar Kosova si shtet janë qytetare e njerëzore dhe jo etnike e racore, në frymën e gjithëpërfshirjes e jo të asimetrisë. Kjo është sfiduar në prill 2013, kur në Marrëveshjen e Brukselit pala e Kosovës symbyllur vendosi të krijohet Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky vendim jo vetëm që u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës, por u konsiderua kushtetues edhe nga Gjykata Kushtetuese. Krejt i bindur jam se gjërat sot do të ishin ndryshe nëse rrjedha e këtyre zhvillimeve nuk do të ishte kësisoj. Por, rrjedha dhe e vërteta janë kështu, prandaj edhe ikja jonë nga kjo është jo vetëm e vështirë, por edhe e pamundur.

Por, përmbushja e këtij zotimi të Kosovës duhet bërë duke mos rrezikuar e cenuar funksionimin, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e shtetit. Kjo mund të arrihet nëse ndiqen këto 15 parime ose specifika.

1. Natyra e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk mund të dalë jashtë kompetencave që ka pushteti lokal në Kosovë. Pra, çështjet e ujërave, minierave, pronave publike dhe shoqërore, çështjet që lidhen me sigurinë, policinë, ushtrinë, bazën tatimore dhe doganore, hartimin dhe miratimin e legjislacionit, udhëheqjen e politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe fusha e gjyqësisë, nuk janë përgjegjësi e komunave dhe nuk mund të trajtohen e të adresohen nga ana e asociacioneve.

2. Asociacioni në asnjë model evropian nuk është dhe nuk duhet të jetë organ që vendos në emër të komunave, por një trup që përfaqëson dhe mbron interesat e komunave, në përputhje me kompetencat e tyre, në raport me qeverinë qendrore.

3. Asociacioni pas konsultimit të komunave të përfaqësuara mund të dërgojë në qeveri të Kosovës komente gjatë procedurës së hartimit të ligjeve që prekin funksionin dhe kompetencat e komunave.

4. Asociacioni pas konsultimit të komunave e përzgjedh se cila nga komunat e përfaqësuara merr pjesë në komisionin e granteve që mblidhen mbi baza vjetore për të shqyrtuar shumat dhe ndarjet buxhetore për nivelin lokal.

5. Asociacioni i komunave mund të zhvillojë studime dhe hulumtime për të pasqyruar zhvillimet dhe trendët në nivelin lokal.

6. Asociacioni mund të zhvillojë trajnime për stafin e komunave për të ngritur kapacitetet e zyrtarëve për të rritur cilësinë e shërbimeve publike.

7. Asociacioni mund të organizojë tryeza dhe konferenca me tema që lidhen me pushtetin lokal.

8. Asociacioni e grumbullon dhe menaxhon buxhetin sipas modelit të menaxhimit të buxhetit nga OJQ dhe shpenzohet në përmbushjen e misionit që lidhet me përfaqësimin e komunave dhe interesave te tyre sipas specifikave të cekura më lart.

9. Asociacioni nuk ka mandat dhe as funksion në ndryshimin e mandatit të komunave dhe as nuk mund t’u japë e t’u tjetërsojë kompetenca. Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, njësi themelore të vetëqeverisjes lokale në Kosovë janë komunat.

10. Asociacioni nuk mund të adresojë lëndë në emër të komunave në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

11. Statuti i Asociacionit duhet të konsiderohet i ndryshuar nga Kuvendi i Asociacionit vetëm pas aprovimit të tij edhe nga Zyra e Kryeministrit e Qeverisë së Kosovës.

12. Struktura udhëheqëse e asociacionit rregullohet sipas modelit të OJQ-ve në Kosovë.

13. Asociacioni nuk mund të paditet në emër të komunave dhe as nuk mund të ngrejë padi në emër të tyre.

14. Asociacioni mund t’u rekomandojë komunave pjesëmarrëse se si të përmirësojnë fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit dhe investimeve në përputhje me praktikat e hasura dhe me legjislacionin në fuqi të Kosovës.

15, Asociacioni mund të marrë donacione edhe nga Republika e Serbisë, në procedurën e paraparë sipas Ligjit për financat e pushtetit lokal të Kosovës dhe me dokumentin e Ahtisaarit.

Nëse respektohen dhe zbatohen këto praktika gjatë krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, evitohet një strukturë e re e pushtetit në Kosovë, evitohet elementi i autonomisë e aq më pak i Republikës brenda Kosovës dhe përmbushet kushti kryesor për çka krijohen asociacionet - për t’iu ndihmuar komunave në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave, në asistencë profesionale dhe në adresimin e sugjerimeve ndaj institucioneve të tjera lidhur me pushtetin lokal, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim të përmirësimit të shërbimeve në pushtetin lokal.

(Autori i shkrimit është njohës i pushtetit lokal në Kosovë)