OpEd

Si po i tërheq Vuçiqi politikanët e Kosovës në një kurth

Në fushatën elektorale në Kosovë dëgjohen këso klithmash: “Do të bashkohemi me Shqipërinë”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i mirëpret këto thirrje, sepse i shërbejnë për ta normalizuar dhe ndërkombëtarizuar diskursin për Serbinë e Madhe dhe për t’i prezantuar shqiptarët si rrezik për stabilitetin rajonal.

Ndoshta ndokush është duke e parë alarmin e Aleksandar Vuçiqit: shkon në Paris te Emmanuel Macron dhe thotë Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj duan “Shqipërinë e Madhe”. Kthehet Vuçiq në Beograd dhe thotë: “Haradinaj është njeri i rrezikshëm, ‘Shqipëria e Madhe’ është kërcënim për tërë rajonin”. Mos mendoni se ky është shqetësim i Vuçiqit. Ai në të vërtetë me këtë retorikë po përpiqet që, duke lartësuar rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”, ta normalizojë dhe ndërkombëtarizojë diskursin për “Serbinë e Madhe”.

Hapi i parë në këtë drejtim është prishja e kufijve të Kosovës. Për këtë Serbia punon qe disa dekada. Në dekadën e fundit ndarja e Kosovës është bërë politikë shtetërore serbe. Për këtë projekt pala serbe ka kërkuar partnerë në Prishtinë. Këtë rol e ka lozur nga viti 2018 publikisht Hashim Thaçi. (Ramush Haradinaj kur u bë kryeministër tha se nuk ka kohë të merret me dialogun me Serbinë).

Ndarja e Kosovës për Serbinë është hapi i parë për ndarjen e Bosnjës dhe krijimin e “Serbisë së Madhe”. Tashmë, përmes popëve të Kishës Ortodokse, në Mal të Zi është instaluar një qeveri kryesisht proserbe. Vuçiqi nuk ka hequr kurrë dorë nga programi për “Serbinë e Madhe”. Andaj ai duke alarmuar për rrezikun e krijimit të “Shqipërisë së Madhe” në të vërtetë i josh politikanët e Prishtinës të punojnë për synimet e tij afatmesme apo afatgjata. Jo rrallë politikanët shqiptarë kanë ditur të bien në këso grackash. “Vuçiqi thotë se paralajmërimi i Haradinajt është kërcënim i Europës dhe mbarë botës, por kënaqësia i shihet në mustaqe”, shkruan politologu Boris Varga. Është absurde që politikanët e Kosovës në njërën anë të kërkojnë konsolidimin e shtetit të Kosovës, e nga ana tjetër të thonë se nuk shohin ardhmëri për shtetin e Kosovës, sepse ky shtet duhet t’i bashkohet Shqipërisë. Kjo nuk e shton seriozitetin e politikës së Kosovës në sytë e shteteve perëndimore.

Aleksandar Vuçiqi nuk ka qenë rastësisht nxënës besnik i Vojisllav Sheshelit dhe ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit. Vuçiq di të shtiret në politikë më shkathtë se një aktor filmi i Hollywoodit. Kur del para opinionit për të folur, ai e di saktësisht se çka duan të dëgjojnë përkrahësit e tij dhe cilin mesazh duhet t’ia përçojë Perëndimit. Me atë rast Vuçiq, duke marrë frymë thellë dhe duke bërë pauza të gjata mes fjalive, krijon përshtypjen sikur mbi supe mban një barrë të madhe, por po qëndron i pamposhtur përballë “presioneve të tmerrshme” nga Perëndimi.

Çdo tre muaj mediat e tij lansojnë lajme se armiqtë e brendshëm dhe shërbimet e huaja kanë në plan ta vrasin Vuçiqin. Sa herë që ka tensione (qofshin ato edhe artificiale) në Kosovë, Vuçiq mbledh Këshillin për Siguri Nacionale. Mediat janë aty për ta prezantuar me krejt “dramaticitetin” fillimin e mbledhjes. Vuçiq nuk e ka problem të marrë pjesë në panele ndërkombëtare edhe kur moderator është Bill Clintoni, i cili ka marrë vendim për ta bombarduar Serbinë për shkak të terrorit në Kosovë, por kur kthehet në Beograd Vuçiqi thotë se William Walker e ka “inskenuar” masakrën e Reçakut për t’i ofruar NATO-s një shkas për sulme ndaj Serbisë.

Me vite të tëra Vuçiq është përpjekur që te ekipi i Angela Merkelit të ndërtojë imazhin e një politikani që s’ka asgjë të bëjë me të kaluarën e tij çetnike. Thoshte publikisht se është i entuziazmuar me veprën e sociologut Max Weber dhe etikën protestante gjermane të punës. Së fundi ka nisur të mësojë gjermanisht – dhe këtë e ka bërë publike, përmes një videoje. Kur i drejtohet presidentit kinez, belbëzon diçka kinezisht.

Pas deklaratave të Ramush Haradinajt për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, Vuçiq zhvilloi lojën e tij të njohur. Tha: “Ndaj kërcënimeve nuk duhet të përgjigjemi me kërcënime. Por Serbia nuk do të shtanget. Përgjigjja ime është kjo: ju punët tuaja... (pauzë), bëni çfarë të doni, ndërsa ne do të kemi përgjigje të mirë dhe adekuate. Dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen për këtë. Natyrisht do të dëshiroja të kem dëgjuar më shumë reagime... (pauzë) ... nga Washingtoni, nga Brukseli dhe nga shumë qendra të pushtetit në botë, sepse – zoti mos e bëftë – (pauzë) ...po të shfaqej dikush edhe në Serbi dhe të fliste nga pozicione aq të larta dhe nga pozicione aq të rëndësishme (pauzë) ... për disa lloje të tjera të bashkimit në Ballkan, pothuaj do të na kishin vënë sanksione, e ndoshta do të na kishin bombarduar”

“Morali” i rrëfimit të Vuçiqit: Kosova na qenkësh faktor destabilizimi në rajon, shqiptarët po kërkojnë “Shqipërinë e Madhe”, Washingtoni dhe Brukseli po heshtin ndaj shqiptarëve, ndërsa po të kërkonin serbët “disa lloje të tjera të bashkimit në Ballkan”, atëherë “do të na bombardonin”. – Kështu Vuçiq e maskon politikën e tij me të cilën e destabilizon rajonin vazhdimisht. Kur banditët e Nikolla Gruevskit sulmuan parlamentin në Shkup, aty ishte si “vëzhgues” një agjent serb. Në Mal të Zi qarqet ultranacionaliste serbe nga Beogradi aktivisht kanë përkrahur protestat në Mal të Zi. Në Kosovë Vuçiq tashmë ka instaluar brenda sistemit shtetëror Listën Serbe si “Kalë Troje” me të cilën shantazhin dhe saboton sa herë që ka interes. Në Bosnjë-Hercegovinë Millorad Dodiku është aset besnik i Beogradit për të mbajtur si peng tërë shtetin.