Kosova po e mbyll vitin me numrat më të mirë të mbrojtjes nga COVID-i në Evropë. A mund të mendojë në mënyrë më ambicioze për mbrojtje nga ndotja e prodhimit të energjisë dhe për sistemin e sigurimit shëndetësor?
1.
Afrohet fundi i vitit e me të edhe pyetja që do të rritet për aq sa kalon çdo ditë, se çka po na pret vitin e ardhshëm. Dhe, ndonëse do të rriten me ditë, ndërsa i afrohemi vitit të ri, konturat e analizës se çka janë çështjet kryesore tashmë e kam të qartë se një gjë është e sigurt, shëndeti do të jetë çështje parësore. Jo si në urimin tradicional - që na brof kur të kujtohemi për një të afërt që ka kaluar një sëmundje apo ka pësuar nga ajo - “shëndetin ta kemi, kjo është kryesorja”. Pra, jo si një çështje që e marrim të mirëqenë se jemi të shëndoshë - me përjashtim kur sëmuremi ne apo dikush tjetër, por si një çështje shumë më afër nesh. Në vitin e ri do të bëhen dy vjet që po jetojmë në gjendje latente sëmundjeje, pra kemi praninë globale të virusit dhe kemi përpjekje herë të suksesshme e herë jo, herë kolektive e herë individuale që të mbetemi të shëndoshë.
Perspektiva ka ndërruar ashtu siç ndërron mes të riut dhe të moshuarit. I riu supozon, siç kemi supozuar të gjithë në një pjesë të madhe të botës së zhvilluar apo gjysmë të zhvilluar, se është gjendje e natyrshme që të jemi shëndoshë. I moshuari supozon se të mos jesh shëndoshë apo krejtësisht shëndosh është gjendje e natyrshme dhe se lumturia a fati maten me sa pak i sëmurë je.
Tash matësi global është se sa është e vogël shkalla e infektimeve me COVID; është e natyrshme që e tërë bota të jetë e infektuar deri në një shkallë.
2.
Vitin e ardhshëm sërish do të jetojmë me pandemi dhe kjo është gjëja më e sigurt që mund të themi për 2022. Rrjedhimisht do të thotë që do të jetojmë me ndërrimin e dioptrisë për konceptin e shëndetit. Pra, do të jetojmë me nocionin e rrezikshmërisë kolektive të shëndetit tonë. E kur themi kolektive, kjo e tejkalon fshatin, qytetin apo shtetin tonë: u pa në verë, kur kosovarët nga të gjitha anët e botës u mblodhën, pos këmbimit të dhuratave, përqafimeve e dashurisë këmbyen variante të ndryshme të virusit korona.
Dhe kur themi kolektive, kjo do të thotë se bëhemi pjesë e një sistemi global të mbrojtjes shëndetësore. Kjo do të thotë se do të jemi pjesë e ombrellës, të cilën e siguron pjesa më kulmore shkencore e kërkimeve dhe pjesa më produktive e industrisë farmaceutike. Dhe kjo do të thotë se qytetari i Kosovës, banor i Mikushnicës së Poshtme, ka po aq gjasa mbrojtjeje nga COVID-i sa banori i qendrës në Londrës a Parisit.
3.
Testin global e bëra sërish javën e kaluar. Me të shpallur në Britani të Madhe se është shkurtuar afati mes vaksinës së dytë të COVID-it dhe asaj të tretës, prej gjashtë muaj në tre sish, shkova në pikën time të vaksinimit në Shqipëri, shpjegova se nuk kam arritur (për dy muaj) afatin e marrjes së dozës së tretë, por megjithatë e mora. Së bashku me shumë persona të tjerë që kishin arsyetimin si timin.
Dhe ashtu siç bëra testin e marrjes së vaksinës, ashtu u ballafaqova edhe me lëvizjen injorante të anti-vakserëve. Në adresë të bashkëshortes sime arriti një lutje me shkrim e një personi në Kosovë që me mirësjellje luste që të ndikonte tek unë të ndërroja mendimin për vaksinën, sepse ajo qenka e dëmshme për shëndetin tonë individual dhe kolektiv.
Koincidentalisht, vaksinën tashmë e kishin marrë.
4.
E, pra, meqë shëndeti ka dalë tashmë nga lëvozhga e urimit e njëkohësisht kemi parë se si kjo i ka ndodhur tërë botës, ndoshta mësimi i këtij viti është se duhet ta zgjerojmë kontekstin e të menduarit për shëndetin tonë. Dhe ja dy kauza që kërkojnë ambicie, vendosmëri dhe në njërën prej tyre, angazhim ndërkombëtar.
E para është sistemi i sigurimeve shëndetësore. Kosova është në një kundërthënie të jashtëzakonshme: është vendi i cili ka shifrat më të ulëta të infektimeve me COVID në Evropë e njëkohësisht është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka sistemin e sigurimeve shëndetësore. Kosova ballafaqohet me sfidat e shekullit XXI në shëndetësi me sistem të shekullit XIX, apo nëse llogarisim Darwinin dhe teorinë e tij të mbijetesës së më të fortëve, edhe më herët. Ajo që çdoherë del në pah kur ballafaqohet me sfida të mëdha është vitaliteti i qytetarit e shoqërisë kosovare për t’i bërë ballë. Meqë është kështu, Qeveria e Kosovës duhet më në fund të bëjë hapin përpara dhe këtij vitaliteti t’ia japë një sistem mbështetës.
E dyta është mbrojtja nga ndotja. Tashmë nuk jemi duke folur për filtra për këtë apo pjesë të termocentraleve që e bëjnë Prishtinën me rrethinë pika të kuqe në hartat botërore të ndotjes. Tashmë jemi duke folur për një projekt që duhet të sigurojë që Kosova, ndonëse fle mbi rezervat e dyta më të mëdha të thëngjillit në Evropë, për shkak të shëndetit të qytetarëve të saj të orientohet kah burimet e ripërtërishme në mënyrë që së bashku me shtetet e tjera evropiane të jetojë në një kontinent të liruar nga emetimet e karbonit më 2050. Ky është një megaprojekt që meriton të jetë njëri prej projekteve shembullore evropiane e që mund të tregojë me përkrahje fuqinë transformuese të BE-së.
COVID-i qe, mes tjerash, një test i aftësisë kolektive për t’u përballur me sulmin ndaj shëndetit. E ajri i ndotur dhe mungesa e një sistemi sigurimesh shoqërore vrasin e dëmtojnë më shumë jetë njerëzish sesa ka bërë COVID-i në këta dy vjet.