Në fund të këtij viti mund të dalë se është më lehtë të shporret Rusia prej Ukrainës sesa prej Ballkanit Perëndimor
1.
Para më shumë se një viti, me fillimin e luftës së pushtimit rus të Ukrainës, në komunitetin euroatlantik dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor shumë shpejt u ndërtua pika e parë e konsensusit se lufta në Ukrainë do të ketë efekt gjithandej Evropës, e në veçanti në pikat neuralgjike të saj, siç është Ballkani Perëndimor. Rrjedhimisht, u ndërtua pika e dytë e konsensusit, që ishte se “çështjet e mbetura” në Ballkanin Perëndimor do zgjidhur, në mënyrë që të shpejtohet integrimi i regjionit në BE (dhe NATO, për ata që duan). Kështu, thoshte shpjegimi logjik, bashkësia euroatlantike mund të përqendrohej në luftën e Ukrainës, pa një “front të dytë” rus në Ballkanin Perëndimor.
Një vit e ca më pas, rezultatet e këtij konsensusi analitik nuk duket se janë të atilla çfarë janë proklamuar a pritur. Në Bosnjë-Hercegovinë, një shtet i njohur ndërkombëtarisht por jofunksional përbrenda, nuk ka as edhe një shenjë të vetme që do ta dallonte gjendjen prej para “konsensusit ukrainas” (ta quajmë ashtu) dhe pas tij.
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ku është investuar më së shumti kapital politik perëndimor, karakterizohen me shpërputhje mes deklarimit të rezultateve të ndërmjetësimit evropian dhe realitetit. Bashkimi Evropian vazhdon të proklamojë se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje themelore të normalizimit së bashku me një aneks zbatimi. Madje, vazhdon të proklamojë aq sa një formulim i këtillë ka hyrë në Komunikatën zyrtare të Samitit të sapopërfunduar të G7-s në Hiroshimë.
Realiteti, në interpretimin e presidentit të Serbisë, A.Vuçiq, është se nuk ekziston marrëveshja, vetëm një dakordim për kornizë parimesh. E kur njëra palë në marrëveshje dypalëshe thotë se nuk ekziston marrëveshja, do besuar asaj pale, për faktin e thjeshtë se Kosova nuk mund të arrijë marrëveshje me veten.
2.
Ballkani Perëndimor është ende në tehun e jostabilitetit dhe mospërcaktueshmërisë së drejtimit. Pos trekëndëshit të shteteve të papërfunduara Kosovë-Serbi – Bosnjë-Hercegovinë, dy sfida identitare u janë bashkuar listës së problemeve. Maqedonia e Veriut duhet të ripërcaktojë marrëdhëniet e veta identitare (historike, gjuhësore, etj.) me Bullgarinë. Malit të Zi i rihapet, posaçërisht në procese zgjedhore, çështja delikate e relacionit mes kombit malazias dhe atij serb. Lajmi i mirë në regjion është se Mali i Zi tregon pjekurinë e një rotacioni dinjitoz pushtetesh, që mund të paralajmërojë edhe rotacion gjeneratash politike. Dhe me gjasë, me kaq mbarojnë lajmet e mira.
Në tërë këtë pasqyrim “elefanti në dhomë”, siç do të thoshin anglezët, është shteti më i madh, Serbia, me peshën më të madhe historike e faktike për stabilitetin dhe kahen e zhvillimit të regjionit. Një vit e ca më pas nga fillimi i luftës në Ukrainë, Serbia nuk ka ndonjë shenjë dalluese qoftë në politikën e vet të jashtme apo të brendshme. Presidenti Vuçiq në fillim të luftës ruse në Ukrainë premtoi se Serbia do t’u mbetet konsekuente qëndrimeve të veta dhe këtë premtim e mbajti. Serbia është vend i cili dy të tretat e këmbimit të mallrave e ka me BE-në e dy të tretat e afinitetit popullor ndaj politikës së jashtme e të sigurisë me Rusinë.
3.
Bashkimi Evropian, thuhet, para një viti e ca u ballafaqua me sfidën më të madhe të sigurisë në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Një vit e ca më vonë BE-ja mund të krenohet me unitetin e deritanishëm (përjashto incidentet me Hungarinë), me gatishmërinë për të zbatuar politikën e vet të jashtme e të sigurisë edhe në formën e paprecedent të dërgimit të armëve Ukrainës e me ndryshimin rrënjësor të relacionit me Rusinë, përfshirë edhe përcaktimin strategjik të shkëputjes prej varësisë energjetike.
I njëjti Bashkim Evropian është krejtësisht i paaftë për të bërë çfarëdo ndryshimi në Bosnjë- Hercegovinë. Dhe i njëjti Bashkim Evropian vazhdon të përsërisë se një marrëveshje (si ajo e quajtur themelore Kosovë-Serbi) ekziston, sepse BE-ja beson se ekziston. Gjatë këtij viti e ca BE-ja ia ka vënë detyrë vetes që Serbia të largohet nga Rusia dhe që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Nuk ka arritur sukses në asnjërën. Mbase, sepse ka besuar se këtë do ta bëjë, në besimin e fortë të J.Borell, shefit të politikës së jashtme të BE-së, duke vendosur të gjitha besimet e BE-së brenda Kapitullit 35 të paketës negociatore të Serbisë për anëtarësim në BE, jo ndonjë armë bindëse e menaxhimit të konfliktit.
Apo mbase, siç do të shpjegojnë shumë njohës të BE-së, sepse politika e jashtme e BE-së kërkon pëlqimin e 27 shteteve anëtare. Në praktikë kjo do të thotë gjendja si kjo e këtyre ditëve ku Hungaria mund të bllokojë dërgimin e gjysmë miliardi euro ndihmash për Ukrainën për shkak se Ukraina ka vendosur një bankë hungareze në listën e atyre që janë të afërta me Rusinë.
4.
Në fund të këtij viti, dëgjoj prej burimeve të mirinformuara, Ukraina mund të ftohet që të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Është një ftesë përplot simbolikë solidariteti me një popull që gjendet në luftë e që megjithatë e ka të qartë ardhmërinë e vet.
Do të jetë një gjest që tregon shtrirjen e Evropës së lirë dhe vijën e ardhshme fërkuese me Euroazinë.
Paradoksalisht e njëkohësisht, do të tregojë se si një popull i vendosur me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së po e shporr Rusinë nga Ukraina e po drejtohet kah anëtarësimi në BE, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë aty ku kanë qenë, pothuajse një dhjetëvjetësh.
Ndoshta mësimi i parë për BE-në në Ballkanin Perëndimor, pas një viti e ca, është që të mos u besojë më vetëmashtrimeve.