Cambridge – Pandemia e COVID-19 do ta lërë ekonominë amerikane me një treg pune thellësisht të shpartalluar. Më shumë se 20 milionë vende pune janë shuar gjatë krizës dhe vetëm gjysma prej tyre janë kthyer përsëri. Nuk është e befasishme që vendet e humbura të punës kanë goditur më së rëndi punëtorët më pak të edukuar dhe me dizavantazhe.
Kjo kthen në trendin paraekzistues. Shumë kohë para pandemisë, tregu amerikan i punës kishte nisur të polarizohej me të madhe. Vendet e mira të punës së shtresës së mesme janë shuar për dekada me radhë, për shkak të automatizimit, deindustrializimit, konkurrencës botërore dhe shfaqjes së ekonomisë me vende pune afatshkurtra.
Për ta kthyer shëndetin e ekonomisë, shoqërisë dhe politikës së Amerikës, administrata e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të drejtpërdrejtë: “Nga do të vijnë vendet e mira të punës?”
Vendet e mira të punës kërkojnë shkathtësi specifike dhe mund të krijohen vetëm prej firmave produktive. Krijimi i vendeve të mira të punës në shifra të larta kërkon adresim të problemit të kërkesës dhe të furnizimit.
Në aspektin e furnizimit, punëtorët duhet të jenë të përgatitur me shkathtësi elementare dhe të avancuara, për të cilat kanë nevojë firmat produktive. Në aspektin e kërkesës, duhet të ketë një segment mjaftueshëm të madh dhe firma të mesme që janë edhe produktive, edhe në gjendje ta zgjerojnë shkallën e punësimit.
Dekadat e fundit janë dëshmi se vetëm tregjet nuk mund ta zgjidhin problemin. Qeveritë në të gjitha nivelet duhet të përfshihen aktivisht. Lajmi i mirë është se ne kemi grumbulluar dëshmi të mjaftueshme të programeve që aktualisht po funksionojnë.
Në frontin e zhvillimit të shkathtësive, të ashtuquajturat “programe të trajnimit sektorial” janë treguar veçmas të suksesshme. Këto programe shkojnë përtej trajnimit tradicional: janë të koordinuara ngushtësisht me punëtorët dhe ofrojnë shkathtësi në përputhje me nevojat e industrive specifike, si teknologjia e kujdesit të shëndetësisë dhe informacionit. Punëtorët e regjistruar në këto programe marrin shërbime të ndryshme prej sistemit të kujdesit shëndetësor për fëmijët, pos trajnimit dhe certifikimit.
Më i njohuri prej këtyre programeve është projekti “QUEST” në San Antonio në Teksas, që është operacional prej viteve ‘90. Ka shumë të tjerë që operojnë me të njëjtin model, si “Per Scholas” në qytetin njujorkez dhe JVS-ja në Boston. Programet e tilla trajnuese sektoriale janë në ngritje në përfitimet e punëtorëve me disavantazhe prej më shumë se 20 për qind në mesataren e kostos së ulët.
Ngjashëm ne kemi përvojë të konsiderueshme në aspektin e kërkesës që mund të na shërbejë si udhëzues. Nismat e taksave dhe subvencionet e investimeve mund t’i nxisin firmat të orientohen në rajone të lëna anash, por këto nuk janë kushedi sa efikase. Janë të kushtueshme dhe shpesh shterin burimet publike për projekte që mund të ishin jetësuar sidoqoftë.
Çfarë funksionon më mirë, sikur ka vërejtur Tim Bartik nga Instituti Upjohn, është që t’u ofrohen bizneseve dhe shërbimeve infrastrukturore programe që mund të jenë të dobishme në nivel lokal. Me kompanitë duhet parë nevojat në të cilat do të mund të ofrohej asistencë, me qëllim që të jenë më produktive dhe të mund të ofrojnë më shumë vende të mira pune. Këto programe kërkojnë krijimin e raporteve ndërmjet firmave lokale dhe investitorëve të mundshëm të cilët i dinë nevojat e tyre, por edhe kapacitetin për të vepruar me efikasitet dhe shpejt.
Kjo është pjesa për lajmin e mirë. Lajmi i keq është se këto nisma për punëtorë dhe firma të suksesshme operojnë kryesisht në përmasa të vogla. Programet e trajnimit sektorial operohen zakonisht prej grupeve komunitare ose prej agjencive joqeveritare dhe janë të kufizuara në fonde, si dhe u mungon interesimi nga shteti dhe agjencitë federale, duke ua pamundësuar që të marrin përmasa masive. Si rezultat i kësaj programet u shërbejnë mijëra nevoja të mijëra punëtorëve, megjithëse miliona syresh kanë nevojë për to.
Ngjashëm, programet për bizneset e shërbimit janë thellësisht të financuara. Bartik llogarit se firmat marrin 47 miliardë dollarë në vit nga nismat shtetërore dhe federale për investime. Përkundrazi, shpenzimi i përgjithshëm vjetor për trajnim dhe përshkallëzimi të shërbimeve të prodhimit, që është larg më efikas për krijimin e vendeve të punës, merr vetëm një miliard dollarë.
Halli tjetër është se programet që janë qendërsuar te punëtorët dhe firmat shpesh nuk janë të koordinuara mirë. Megjithëse programet e trajnimeve sektoriale krijohen sipas qasjes së “konsumatorit”, që shërben edhe për punëtorët, aftësia e tyre për t’i ndikuar politikat e punësimit të firmave mbetet shumë e kufizuar.
Programet efektive për të krijuar vende pune janë përqendruar në nevojat specifike të komuniteteve dhe duhet të prihen prej liderëve lokalë. Por, qeveria federale mund të ketë ndikim të madh njashtu. Mund t’i japë shtytje të rëndësishme me financim të programeve të tilla dhe t’i inkurajojë shtetet dhe lokalitetet që të përfshihen në eksperimentim, duke marrë shembull programet e suksesshme gjetiu. Andaj, kjo është mundësi e madhe për Administratën e Bidenit.
Bideni ka premtuar ta ngrejë pagën minimale federale dhe të inkurajojë sindikalizim më të madh. Përtej këtyre masave të rëndësishme, planet e tij bazohen me të madhe në nisma taksash. Sipas propozimit të tij, kompanitë që ngrenë punësimin në SHBA do të kenë lehtësira në taksa, përderisa ato që investojnë jashtë vendit dhe nxisin eksporte do të përballen me penallti taksash. Ai synon gjithashtu t’i ngrejë investimet federale për mallrat vendore dhe të investojë më shumë për hulumtime dhe zhvillim qeveritar.
Këto plane për nisma me taksa, prokurim dhe inovacion pritet të kushtojnë qindra-miliarda dollarë. Një ngritje e rëndësishme në programet e zhvilluara dhe të menaxhuara lokalisht për të krijuar vende të mira pune do të ishte lëmoshë në krahasim. Administrata e Bidenit duhet të shkojë një hap më larg, duke krijuar programe të ngjashme që kanë demonstruar suksese dhe t’i kthejë ato në thelb të strategjisë për ta rindërtuar Amerikën.
(Autori, profesor i Ekonomisë politike ndërkombëtare në shkollën e qeverisjes të Universitetit të Harvardit, “John F. Kennedy”, ka botuar “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është “Koha Ditore”.)