OpEd

Si mund të jetojmë diku tjetër, kur në botë ekziston Parisi?

Me ose pa autostradë të Dukagjinit, por pa vende pune e pa perspektivë, qytetarët e Dukagjinit e të krejt Kosovës do t’i kthejnë sytë kah ambasadat për nga një vizë pune. E besa një ditë edhe disa të tjerë që mund të kenë punë të mira aktualisht në Kosovë - të vlerësojnë se mbase është e kotë të çohet e gjithë jeta në një vend ku politikanët gjithmonë do ta kenë parësor interesin e vet para atij të qytetarit dhe - të kujtohen se në botë vërtet ekziston edhe Parisi

“SE SI NJERËZIT mund të jetojnë diku tjetër kur në botë ekziston Parisi, për mua kjo gjithmonë do të mbetet një mister”, thotë në një çast Adriane, personazh të cilin Marion Cotillard e luan në njërin nga realizimet më të arrira të kohëve të fundit të Woody Allenit, “Mesnata në Paris”. Rrallë të ketë ndonjë fjali e cila i përshkruan më qartë bukurinë dhe begatinë e kryeqytetit francez, por edhe dallimin cilësor ndërmjet vendeve të ndryshme të botës. Vetë filmi kthehet në vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur artistë nga e gjithë bota, përfshirë Ernest Hemingway, Picasso, Salvador Dali dhe Scott Fitzgerald, kishin mësyrë qendrën e botës dhe po e jetonin “belle époque” nëpër kafehanet e kabaretë e Montmartre dhe Montparnasse.

Dhe a s’është kjo pyetja që secili vdekatar së paku ndonjëherë nuk ia ka shtruar vetvetes, kur ka vizituar – po se po Parisin – si dhe Romën, Londrën, Nju-Jorkun, Cyrihun, Stokholmin, ose Tokion? A ia vlen të çohet e gjithë jeta në ndonjë qytet, në të cilin s’mund të të plotësohen shpesh as nevojat elementare për jetë të dinjitetshme?!

Natyrisht, ka shumë kalkulime pastaj derisa merret vendimi për të ndërruar vendbanimin.

KOSOVA KA VAZHDUAR gjatë të gjitha viteve të pasluftës ta mbajë, pa ndonjë lëvizje të madhe, trendin e rekordeve të zeza. Ndonëse ka pasur ndonjë përmirësim të vogël, kjo nuk ka mjaftuar që Kosova të mos jetë ndër të parat në Evropë për numrin e papunësisë, ndër të parat në Evropë për gjendjen e dobët në shëndetësi, ndër të parat në Evropë për nivelin e dobët në arsim, ndër të parat për ajrin e ndotur, e vetmja pa liberalizim të vizave Schengen dhe pa qartësi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njësoj siç Kosova po vazhdon me kokëfortësi edhe sot me zell të madh të jetë ndër të parat në Evropë për lartësinë e pagës së qeveritarëve krahasuar me pagën minimale, sasinë e shpenzimit të parave të buxhetit për paga e pensione të kategorive shoqërore të nënkuptuara si klientelë partiake, sasinë e shpenzimit të parave për ndërtimin e autostradave të panevojshme, numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave, numrin e të punësuarve nëpër institucione e ndërmarrje publike vetëm pasi që ta kenë dëshmuar kartelën e anëtarësisë partiake ose rezultatet e analizave të ADN-së së ndonjë prej familjeve partiake. Sikur të mos ekzistonte edhe një dozë e patjetërsueshme e individëve idealistë për të kontribuar me çdo kusht në zhvillimin e vendit që me aq vështirësi i fitoi lirinë e pavarësinë, numri i atyre që do të dilnin jashtë do të mundë të ishte edhe shumë më i madh se ç’është.

QEVERIA E KUNDËRSHTOI para disa ditësh raportin e Bankës Botërore, rrjedhimisht Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për numrin e papunësisë në Kosovë. Deri këtu, gjithçka mund të ishte në rregull, secili institucion dhe secila agjenci edhe mund të gabojë. Mirëpo, kundërshtimi nuk kishte të bënte me kushedi çfarë dallimi në shifra, më tepër në metodë kalkulimi të të papunëve. Doli se në vitin 2018 kishte 348.100 vende pune, ose rreth 12.000 më pak krahasuar me vitin 2017. Rrjedhimisht, Kosova ka 1 për qind më pak papunësi, kryesisht për shkak se më pak njerëz kërkuan punë aktivisht vitin e kaluar.

Shumë prej këtyre individëve që ose hoqën dorë nga kërkimi i punës, ose hoqën dorë nga vendi i punës që kanë pasur, do të mundë të gjenden sot në listat e atyre që kanë fituar viza të rregullta pune për Gjermani ose Kroaci.

Dhe nëse vazhdohet me këtë trend të qeverisjes, gjithsesi se do të shënohet një fitore e Pirros: Kosova do ta ulë papunësinë, por edhe numrin e përgjithshëm të banorëve.

E SE QEVERIA nuk e ka ndërmend të bëjë asgjë më seriozisht sesa dhënia e deklaratave se të rinjtë nuk duhet ta lëshojnë vendin, flasin edhe vendimet e saj të fundit jostrategjike. Një ndër më të dëmshmit dhe më kundërthënësit është ai për të vazhduar me ndërtimin e autostradave, kësaj radhe një autostrade që do të lidhte vetëm disa qytete e qyteza të Dukagjinit, të cilat edhe tash janë të lidhura me rrugë magjistrale solide.

Rreth 1 miliard euro planifikohen të investohen sërish në asfalt. Në vendin ku rreth 30 për qind të qytetarëve janë të papunë, me 1 miliard euro do të mundë të hapeshin me dhjetëra e mijëra vende të reja pune. Nuk do të kishte nevojë që politikanët të na mbanin fjalime patetike në Kuvend me kërkesa që qytetarët të mos e lëshojnë vendin, e në anën tjetër me veprime e me interesa krejtësisht të dyshimta t’i përzënë vetë ata.
Në vend se Kosova e vogël të mos ndahej edhe më tej me filozofinë miopike, sipas së cilës “ata e bënë autostradën e vet, tash për inat do ta bëjmë edhe ne tonën”, por të shikohet të bëhet gara në atë çka vërtet iu mungon qytetarëve. Qytetarëve iu mungojnë vendet e punës, jo rrugët. Më mirë me 1 miliard euro qytetarëve të Dukagjinit t’u hapim vende pune, për të cilat kanë nevojë sesa t’i mashtrojmë me një rrugë, për të cilën nuk ka nevojë.

Me ose pa autostradë të Dukagjinit, por pa vende pune e pa perspektivë, qytetarët e Dukagjinit e të krejt Kosovës do t’i kthejnë sytë kah ambasadat për nga një vizë pune.

E besa një ditë edhe disa të tjerë që mund të kenë punë të mira aktualisht në Kosovë - të vlerësojnë se mbase është e kotë të çohet e gjithë jeta në një vend ku politikanët gjithmonë do ta kenë parësor interesin e vet para atij të qytetarit, dhe - të kujtohen se në botë vërtet ekziston edhe Parisi.

[email protected]

Twitter: @adriatikk