OpEd

Si e pushtuan Cima e Leci hapësirën publike?

Politika ka filluar ta imitojë artin, prej “Portokallisë” e deri te “1984” të George Orwellit

1.

Ka qenë një periudhë në vitet e para të këtij shekulli në Kosovë kur disa eksponentë të jetës publike në Kosovë dukej se imitonin Cimën e Lecin, personazhe të parodive televizive të viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Në këtë periudhë, fatmirësisht të shkurtër, ndonjë ministër, kryetar komune, ambasador a gazetar ecnin sikur të kishin dalë nga videokasetat VHS që prodhoheshin atëbotë për të zëvëndësuar mbylljen e TV Prishtinës nga regjimi i Millosheviqit. Ata po ashtu ishin aq afër të mënyrës së të folurit të Cimës e Lecit, sa që fitoja përshtypjen se kur i kanë shikuar ato videokaseta kanë menduar se është program dokumentar, jo komik.

Cimën e Lecin i kam njohur në versionin e tyre “civil”. Rasim Thaçi-Cima ka qenë njëri prej personaliteteve të njohura të Prishtinës, që pos ish-futbollistit dhe akrobatit amator ka pasur një sens shumë të mirë të humorit-madje shumë më të mirë se ç’shprehej në skeçet e videokasetave. Me sens të këtillë humori ishte edhe Ibrahim Krajkova-Leci, të cilin e kam takuar në kohë dramatike, kur si njëri prej drejtorëve të AgroKosovës kur duke u afruar masat e dhunshme të Serbisë ndaj kësaj ndërmarrjeje të madhe të vendit, duhej larguar nga Kosova avionët bujqësorë.

Parodia e tyre e viteve tetëdhjetë ishte tallje e skajshme me personazhe që duhej të personifikimin prapambeturinë dhe nivelin e ulët të intelektit, diçka që me skajshmëri gjestikulacioni e fjalori duhej të ishte e qartë se është e largët, madje e kaluar vite më  parë. E ardhmja u solli diçka që vështirë të kenë paraparë, se personazhet e tyre do të mund të shndërroheshin në modele imitimi nga personalitete publike.

2.

Ndoshta edhe kjo-se disa e kanë konsideruar Cimën e Lecin program dokumentar e jo komedi-mund të jetë një tepri shpotitëse. Por më shërbeu si ndërlidhje për të analizuar një fenomen të ngjashëm në Shqipëri, atë të humbjes së kufirit mes një emisioni si “Portokalli” dhe debatit politik në Shqipëri, posaçërisht gjatë fushatës zgjedhore. “Portokalli” u ndërtua me një sërë skeçesh satirike që vinin në pah anën komike të njerëzve në pushtet- që nga kryeministri deri te polici i trafikut. Skeçet-ku kishte edhe tepri pak më të buta se nga Cima e Leci-megjithatë mbështeteshin te komunikimi me batuta inventive. 

Me vite të tëra, sfera publike e Shqipërisë u mbush me komunikim batutash. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë jo rrallë ishin garë për batutën më të mirë, e kur ky efekt nuk arrihej në Kuvend atëherë bëhej përpjekja e përsëritur në debatet televizive të mbrëmjes. Ndonjëherë, në debatet e mbrëmjes gjëja e vetme që do të kuptohet apo do të mbahet në mend është batuta e radhës- dy orët e gjysmë të tjera të fjalëve të shqiptuara do të jenë një ushtrim kotësie.

Në këtë fushatë zgjedhjesh për Kuvendin e Shqipërisë modeli “Portokalli” ka arritur të jetë forma më e efektshme e porosisë politike. Nuk janë me rëndësi faktet, shifrat ekonomike, projeksionet e sfidave arsimore apo të nevojave të shëndetësisë, me rëndësi është batuta e radhës. Madje kryeministri i vendit dhe një lider i dikurshëm opozitar bëjnë komunikim të ndërsjellë me videomesazhe, duke shpotitur njëri-tjetrin me tekste këngësh e gjetje të tjera artistike të këtij zhanri.  

3.

“Portokallia” ka lindur si vazhdim i një shfaqje teatrore të Kosovës së luftës e pasluftës “Profesor, jam talent se jo mahi” të bërë nga aktori Faruk Begolli, si pjesë e ndërtimit të aktorëve të rinj. Ky model është vazhdimësi e “Audicionit”, me qëllime e metoda të njëjta, të zhvilluara në Beograd e Sarajevë, nga fakultetet e atjeshme të artit. Aktori i ri do të duhej rritur me imitim komik- satirë, sarkazëm, ironi, çkado -të jetës. Kjo është, natyrisht, porosia primare aristoteliane e Teatrit, e “mimesit”, imitimit. Por, vështirë se Aristoteli të ketë menduar se imitimi nuk është rrugë njëkahëshe, pra jo vetëm Teatri imiton Jetën, por edhe Jeta imiton Teatrin, siç u pa me Cimën e Lecin dhe “Portokallinë”. Megjithatë, shumë më herët ndodhi një ngjarje artistike që shënoi në masë të madhe jo vetëm shekullin XX, por edhe atë në të cilin po jetojmë, së paku për një pjesë të konsiderueshme të popullit serb dhe të popujve që jetojnë në fqinjësi me të. Shkrimtari Radoje Domanoviq shkroi më 1901 tregimin “Prijësi”, në të cilin një grup njerëzish që vendosin të ndjekin një udhëheqës të panjohur në kërkim të një jete më të mirë. Udhëtimi është i vështirë dhe i pasigurt – njerëzit kalojnë pyje, lumenj dhe hasin pengesa, por askush nuk guxon të dyshojë në mençurinë e udhëheqësit, duke besuar në pagabueshmërinë e tij. Në vend të një jete më të mirë, ata përfundojnë para një  humnere dhe kur e pyesin se ku të shkojnë më tutje, marrin përgjigje prej Prijësit: “Nuk di, jam i verbër”.

Serbia në shekullin XX, kur e tërë Evropa orientohej kah demokracia pas rënies së Murit të Berlinit, vendosi të imitojë “Prijësin” e Domanoviqit dhe ndoqi thirrjen nacionaliste-autoritare të personifikuar me Millosheviqin. Në shekullin XXI Serbia zgjodhi të ndjekë thirrjen e “prijësit” të ri, presidentit Vuçiq.

4.

Halli, megjithatë, është më i madh se kaq, më i madh se shqiptarët e më i madh se Ballkani. Çka do të ndodhte, për shembull- e për këtë ka shkrime pothuajse të përditshme në këtë vit të shekullit XXI- që jeta të fillonte të imitonte “1984” romanin e George Orwellit, të atij që në formë shembullore ka përmbledhur në letërsi sistemin e mendimit totalitar?

Në shkrimin e fundit që lexova në “The New York Times” , do të tërhiqet një paralele mes ngjarjeve rreth Ukrainës dhe romanit të Orwellit. Për autorin e shkrimit, momenti kur në Washington u tha se Ukraina e filloi luftën kundër Rusisë dhe se Rusia nuk është armik, por një partner i Amerikës –formuluar në këso thjeshtësie, do të ishte në po atë thjeshtësi ai momenti kur “gjatë festimeve të "Javës së Urrejtjes", të dedikuara për demonizimin e Euroazisë, armikut të Oqeanisë, u dha një njoftim i përgjithshëm pa shpjegim: "Oqeania nuk ishte, në fund të fundit, në luftë me Euroazinë. Oqeania ishte në luftë me Eastazinë. Euroazia ishte aleate."

Në një botë ku e vërteta është e lakueshme, faktet janë të negociueshme dhe historia rishtrohet sipas nevojës së pushtetit (Orwell në “1984”: "E kaluara është çfarëdo që Partia zgjedh të jetë “), kuptimi i demokracisë sfumohet nën retorikën e spektaklit. Siç thotë Jorge Luis Borges:

"Nuk ka fjalë më të ngarkuara me tmerr sesa ‘ishte real’. Në fund të fundit, gjithçka është vetëm një seri ëndrrash”.

Dhe kur realiteti imiton artin, e ardhmja nuk është më e shkruar nga historia, por nga tregimtarët e mëdhenj të iluzioneve.