Charles Pépin është shkrimtar dhe filozof francez. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë. Ai shkruan për tema të afërta me përditshmërinë njerëzore. Te “Filozofia e vogël e takimit” ai shquan rëndësinë që kanë për individin takimet miqësore, romantike, profesionale dhe të rastësishme. Një shembull veçanërisht brilant: miqësia mes Paul Éluardit dhe Pablo Picassos
Pa tjetrin ne jemi askush, njerëz pa vlerë. Duhet të takojmë tjetrin si parakusht për të takuar vetveten. Duhet të takojmë tjetrin për t’u bërë vetvetja. Pak a shumë kështu shkruan në fillim të librit të tij “Filozofia e vogël e takimit” shkrimtari dhe filozofi francez Charles Pépin. Mund të tingëllojë abstrakte dhe mund të trembë lexuesin një fillim i tillë i veprës. Por pa merak: ky libër është një doracak i dobishëm mbi rëndësinë që kanë për individin takimet miqësore, romantike, profesionale dhe të rastësishme.
Shpesh tronditja vizuale shkakton çudi. Kur Ana Karenina e sheh kontin Vronski në stacionin e trenit, ajo nuk di asgjë për të, por çudia e saj e bën ta dallojë Vronskin nga turma. Dhe kësisoj, Lev Tolstoi i lë trashëgim njerëzimit njërën prej historive më tragjike të dashurisë. Tronditja vizuale ka pasoja: përshpejtimi i rrahjes së zemrës, dridhja e zërit, djersitja, heshtja. Nganjëherë mund të jetë vetëm ngjyra e zërit që zgjon kureshtjen tonë. Ose një takim mbi një urë.
Në filmin monumental “The Bridges of Madison County” të Clint Eastwoodit, amvisja me origjinë nga Italia, të cilën e luan Meryl Streep, takon Robertin, një fotograf amerikan. Francesca jeton prej vitesh në një fermë në Iowa, bashkë me burrin e saj dhe fëmijët. Kur e takon Robertin, pjesa tjetër e familjes së saj është në një panair të lopëve. Fillon një pasion katërditor, një intermexo që ndryshon përgjithmonë jetën e Francescas dhe Robertit. Pas në çasti të ngurrimit, Francesca vendos të mos braktisë burrin; Roberti vazhdon rrugën e tij. Por në një mënyrë ata do të mbesin të lidhur përgjithmonë. Në testamentin e saj, Francesca kërkon që hiri i saj të hidhet nga ajo urë e cila u bë sebep i takimit me Robertin. Ato katër ditë të kaluara me Robertin (të luajtur nga Clint Eastwood), Francesca i përshkruan kështu: “Nuk po e njoh më veten, nuk jam vetvetja … njëkohësisht kurrë nuk kam qenë vetvetja si tani.”
Charles Pépin ka një talent të pashoq që filozofinë ta bëjë tokësore. Në librin e tij ai përdor citate të përshtatshme si ky nga vëllimi me poezi të autorit francez René Char: “Duhet të zëmë vend jashtë vetes sonë, në cepin e lotëve dhe në orbitin e urisë, nëse duam të ndodhë diçka e jashtëzakonshme, e cila ka qenë e caktuar vetëm për ne”.
Një shembull veçanërisht brilant se çfarë mund të sjellë në jetën e një njeriu një takim, një miqësi është rasti i Paul Éluardit dhe Pablo Picassos. Ata njiheshin që nga vitet 1920-të, Éluard koleksiononte piktura të Picassos, ndërsa piktori qarkullonte në rrjetin e surrealistëve, figurë kyçe e të cilëve ishte Éluard. Picasso ishte njeri i fjalëve të vrazhda, një artist jopolitik, posesiv ndaj grave, xheloz, shpesh edhe brutal. E kundërta e tij ishte Éluard: idealist dhe pacifist me vetëdije politike. Më 1936 trupat e Francos bombarduan Madridin dhe tentuan ta mposhtin qytetin duke ia bllokuar artikujt ushqimorë.
Éluard botoi në revistën komuniste “L’Humanité” poezinë “Nëntori 1936” dhe siguroi adhurimin e përhershëm të Picassos. Ai e kupton se arti i tij mund të jetë në shërbim të antifashizmit. Më 27 prill 1937 bombardohet qyteza baske Guernica. Pas lutjes së Éluardit, Picasso e përgatit për Ekspozitën Botërore në Paris pikturën “Guernica”. Në zanafillën e pikturës më të famshme të Picassos dhe mbase edhe të shekullit XX nuk qëndron piktori, por miku i tij, poeti francez Paul Éluard. Pa të Picasso zor se do të ishte bërë piktor politik, së paku jo në këto përmasa që njihet sot. Në vitin 1952 Éluard vdiq pas sulmit në zemër. Ishte hera e parë që Picasso shihej publikisht duke qarë.
A do të ishte Albert Camus ky që e njohim po të mos mbante një lidhje 12-vjeçare me aktoren spanjolle Maria Casarès? Vështirë. Falë lidhjes me të, Camus mëson si t’i afrohet një njeriu (Casarès!), si ta respektojë një njeri, si të përqendrohet te një njeri dhe si të heq dorë nga egoizmi dhe narcizmi. Camus e takoi Casarès më 6 qershor 1944, në ditën e zbarkimit të trupave aleate në Normandi. Ky takim i ndihmoi Camus të marrë veten. Ai shkruan: “Rastësisht hyre në jetën time, për të cilën nuk isha krenar, dhe atë ditë filloi të ndryshojë diçka (...). Merrja frymë më mirë; përbuzja më pak, adhuroja lirshëm çfarë meritonte të adhurohej. Para teje, jashtë teje nuk i përkisja asgjëje. Kjo forcë, të cilën ti herë pas here e përqeshje, ka qenë përherë forcë vetmitari, forcë e refuzimit. Me ty kam pranuar më shumë gjëra. Në një mënyrë kam mësuar të jetoj”. Vini re te fjalia: kam mësuar të jetoj!
Te “Etika e Nikomakut” Aristoteli shtjellon një definicion të bukur të miqësisë: një mik na bën njerëz më të mirë. Libri “Filozofia e vogël e takimit” Charles Pépin është një përmendore me shkronja për miqësinë dhe zgjerimin e mundësive të miqësisë, për adhurimin e jetës dhe për t’u bërë krenar me vepra të mira. “Përherë kur zbulojmë një njeri dhe kemi përshtypjen se sërish po e marrim veten dhe po gjallërohemi, ne ndiejmë - në zemrën e realitetit - praninë e një force që pulson, e cila nuk është asgjë tjetër përveç se vetë jeta”, shkruan Charles Pépin në fund të librit të tij.