Vonesat në aprovimin e Programit qeverisës do të arsyetoheshin nëse Qeveria do të dilte me një program konkret qeverisës. Por Programi qeverisës 2021-2024 dështon të vendosë vizion dhe objektiva të qarta
Qeveria Kurti 2 e zgjedhur më 22 mars në Kuvend, aprovoi Programin qeverisës më 7 maj. Edhe pse të gjitha qeveritë kanë aprovuar programe qeverisëse katërvjeçare, Programi qeverisës 2021-2024 i Qeverisë Kurti 2 ka mundësi të bëhet Programi i parë qeverisës i cili përmbush ciklin e plotë katërvjeçar.
Programi i Qeverisë Kurti 2 mund të shkurtohet vetëm nga vetë Qeveria, nëse vendos të aplikojë metodat e qeverive Thaçi dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Përndryshe, Kosova për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë ka një qeveri stabile, e cila ka mbështetje të mjaftueshme në Kuvend për të përmbyllur një mandat të plotë.
Por çka parasheh Programi i shumëpritur qeverisës? Si do të duken ekonomia, diplomacia, shteti ligjor, arsimi, shëndetësia, mjedisi, etj. pas katër vjetësh? Fatkeqësisht këtë nuk na e tregon programi qeverisës. Programi nuk mbërrin të na e përçojë vizionin qeveritar afatgjatë, nuk parasheh veprime afatshkurta për përmbushjen e objektivave, e as që vendos objektiva të qarta.
Duket që i vetmi person që e ka të qartë detyrën dhe ka vendosur objektiva të qarta është ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu. Vetingu në institucionet e drejtësisë dhe baza e re ligjore për luftimin e krimit dhe korrupsionit janë hapat më konkretë që gjenden në Programin qeverisës.
Përveç vetingut në institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë, që pa dyshim janë ndërmarrje të mëdha dhe të domosdoshme, elemente të reja në programin qeverisës (ndryshe nga programet e qeverive të kaluara) janë edhe Fondi Sovran, Banka Zhvillimore dhe Agjencia Zhvillimore. Por fatkeqësisht, Programi qeverisës nuk e tejkalon programin zgjedhor të VV-së dhe këto nisma mbesin të pashpjeguara mjaftueshëm.
Përjashtimisht nga këto, pikat e tjera të programit nuk dallojnë shumë nga programet e qeverive të kaluara. Tema të përgjithësuara si luftimi i korrupsionit, përmirësimi i arsimit, ulja e ekonomisë joformale, por pa plane konkrete se si do të arrihen ato, si do të matet progresi dhe cilat janë caqet që synohen. Si i tillë, Programi qeverisës më shumë i ngjan një programi zgjedhor sesa një strategjie konkrete qeverisëse.
Programi qeverisës parasheh dizajnimin e skemave të reja sociale për luftimin e varfërisë, por nuk tregon se çfarë do të bëhet me skemat ekzistuese, ku do të merren paratë për financimin e skemave sociale e si do të veprohet me skemat sociale të bazuara në merita.
Nuk përmendet fare se çfarë do të bëhet me skemën e veteranëve të luftës, e cila është e ndërlidhur me pagën minimale. Rritja e pagës minimale në 250 euro automatikisht rrit shpenzimet për pensionet e veteranëve për 37 milionë euro.
Do të mjaftonte që në program qeverisës të thuhej se Qeveria do të përfundojë kategorizimin e veteranëve të luftës, çfarë do të bënte që automatikisht të hyjë në fuqi ndryshimi i Ligjit për veteranët dhe pensionet të kufizohen në 0.7% të GDP. Por Qeveria Kurti 2 nuk e trajton fare këtë problematikë. Të rikujtojmë se pikërisht procesi i hetimit të veteranëve të rrejshëm ka bërë që prokurori Elez Blakaj të largohet nga Kosova.
Qeveria rikonstaton se ekonomia joformale sillet rreth 30% e GDP-së, apo rreth 2 miliardë euro në vlerë monetare. Burimi më i madh i ekonomisë joformale është veriu i Kosovës. Por në Programin qeverisës nuk thuhet asgjë se çfarë do të bëjë Qeveria për të shtrirë kontrollin në gjithë territorin dhe për të luftuar kësisoj ekonominë joformale. Në opozitë, tashmë ministri i Financave dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, kishte një rekomandim shumë të mirë: heqjen e arkave fiskale, zëvendësimin e tyre me një softuer të ATK-së, i cili instalohet pa pagesë nga bizneset dhe kësisoj rritet fiskalizimi i bizneseve dhe largohet obligimi për biznese që të paguajnë miliona euro në vit (si tërësi) për arka fiskale që mund të zëvendësohen me printerë të thjeshtë e më efikas. Por kjo nuk është përfshirë në Programin qeverisës.
Luftimi i monopoleve që zinte vend të konsiderueshëm në programin zgjedhor të VV-së dhe në fjalorin e politikanëve të kësaj partie nuk përmendet asnjëherë në Programin qeverisës. Në Programin legjislativ që i është bashkëngjitur Programit qeverisës nuk parashihet as Projektligji për automjete, i cili do të trajtonte problemin e monopolit në homologim. Mungesa e këtij ligji në programin legjislativ është arsyetuar me atë se është nismë ligjore e Kuvendit. Por duke marrë parasysh se edhe nismat ligjore të Kuvendit shkojnë në Qeveri për vlerësim, do të ishte më e logjikshme që Qeveria ta përfshinte këtë projektligj në programin e saj legjislativ.
Pjesa më e gjeneralizuar e programit dhe pa veprime konkrete është ajo në fushën e arsimit. Programi qeverisës nuk na thotë se cili do të jetë synimi për përmirësimin e rangimit në PISA (nëse ky është qëllim i kësaj qeverie), si do të veprohet me shkollat me pak nxënës, si do të veprohet me stafin e tepërt nëpër shkolla, cila do të jetë qasja ndaj universiteteve publike në qendrat rajonale, etj.
Energjia, si një ndër sektorët më të rëndësishëm, nuk merr hapësirë më shumë se një paragraf, pa na treguar nëse do të mbyllet “Kosova A”, nëse do të ndërtohen kapacitete të reja energjetike, si do të sigurohet furnizimi me gazin natyror, cila është strategjia për sigurimin e energjisë nga burimet diellore dhe ato të erës, cila është qasja ndaj KEDS-it dhe dështimit për të zvogëluar humbjet sipas kontratës.
Pjesë më qesharake e Programit qeverisës është ajo për zhvillimin e teknologjisë së informacionit. Në tre paragrafë përgjithësues, në më pak se gjysmë faqe tekst, Qeveria ka përmbledhur synimet e saj katërvjeçare për sektorin më të zhvilluar në vend, të vetmit ku kemi suficit tregtar.
Programi përmend reformën në administratën publike, por nuk jep fare përgjigje se si do të veprohet me mijëra shërbyes publikë të cilët nuk kanë punë konkrete në institucione.
Qeverisë iu deshën rreth 45 ditë për të dalë me këtë program. E për vonesën e të cilit u kritikua shumë edhe nga unë. Por, duke parë këtë program, ndoshta do të ishte më mirë që Qeveria të marrë më shumë kohë dhe të hartojë një program më të detajuar sesa të “ngutet” dhe të dalë me këtë dokument.
Ish-kongresisti amerikan Tip O’Neill thoshte se “është më lehtë të garosh për të qeverisur sesa të qeverisësh”. Ose në fjalët e Paul Carrigenit, politikan britanik, detyra e dytë më e vështirë në politikë është të fitosh zgjedhjet, kurse detyra më e vështirë është ta udhëheqësh vendin. Andaj, të gjithë jemi të vetëdijshëm se qeverisja është e vështirë dhe me shumë sfida. E qeverisjen e bën shumë më të vështirë mungesa e një vizioni të qartë. E këtë vizion nuk na e jep Programi qeverisës.