Zhurmës politike e debatit paraprak që devijoi në ofendime, fyerje a akuza për mashtrime, një shuplakë të mirë ia ka dhënë promovimi që festivali “Sunny Hill” ia bëri Kosovës. Dua Lipa, si nismëtare e festivalit, u shpall ambasadore nderi, e festivali në ditën e fundit u vlerësua si i dobishëm ekonomikisht e politikisht për vendin. Tek pasi mori vëmendjen botërore. Të tjerat, i takojnë prapaskenës
Krahas yjeve botërorë që solli dhe grumbullimit të më shumë se 20 e sa mijë të rinjve në secilën natë, “Sunny Hill” ia dha një tjetër dimension ndikimit të vet. “Set me free” (Lërmë të lirë), ishte thirrja që pati për moto edicioni i tretë, duke kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe pse janë organet politike ato që vendosin, deri tash Evropa s’ka treguar se është e bindur që Kosova meriton lëvizje të lirë, ndonëse i ka përmbushur kriteret.
Thirrja e thjeshtë e festivalit përçon mesazh të fuqishëm. Organizimi pa asnjë incident i festivalit për katër net, tregoi se në Kosovë mund dhe do të organizohen ngjarje ndërkombëtare si në Perëndim. Ndoshta Evropa nuk ndikohet nga thirrja e një festivali, por audienca është më e gjerë dhe padyshim që çështja e thirrjes kundër izolimit prek sfera të shumta. Miliona njerëz kanë dëgjuar për herë të parë për Kosovën. E një pjesë e tyre ndoshta synon ta vizitojë në edicionet e ardhshme. Të paktën, numri në rritje nga edicioni në edicion po e jep këtë sinjal.
Me thirrjen për liberalizim, festivali arriti të vetëdijesojë një pjesë të politikës se për promovimin e vendit dhe për shfaqjen e vlerave duhet shfrytëzuar çdo rrugë. Pa inate a hatërmbetje. Në ditët kur u vendos të anulohej edicioni i sivjetmë për t’u mbajtur në Tiranë për shkak të telasheve me lokacionin e ri në Bërnicë, shumë akterë politikë me funksione të larta heshtën, ndërsa të tjerë kritikuan organizatorin. Pushtetarët hidhnin fajin te njëri-tjetrin. Festivali ra nën hijen e debateve partiake e politike. Kur u pa rreziku, shkrepi ideja që megjithatë Kosova humb më shumë sesa një festival dhe u organizua pa shumë kohë në dispozicion, aty ku u mbajt edhe herëve të kaluara – në Gërmi. Asgjë e re. Shpesh i marrim masat me vonesë. Në fund, të gjithë “harruan” fajtorin e ngarendën pas Dua Lipës. Pasi panë suksesin, u përpoqën tash ta promovonin veten në krah të saj.
Fuqia që Dua Lipa ka, bashkë me yjet që i solli në Kosovë, është e paimagjinueshme. Nëse jo numri një, Lipa aktualisht është në top-treshen e këngëtareve më të kërkuara në botë. Ajo s’ka nevojë për Kosovën siç e akuzuan shumë kur u bë zhurmë se “veçse e ka pasur në plan ta braktiste Kosovën për Shqipërinë”. Asnjëri nga dy vendet s’i nevojitet asaj. Por të dyja kanë nevojë për të. Me mbi 85 milionë ndjekës veç në Instagram, ajo është zëri më kumbues i Kosovës. Me postime të shumta për katër ditë, audienca botërore për Kosovën ishte më e madhja ndonjëherë. Prishtina u kthye ndër kryeqendrat më të përfolura në internet. Të merren shembuj veç postimet në rrjetet sociale. Mesazhet e Dua Lipës tejkaluan festivalin.
“Rinia e Kosovës meriton liberalizimin e vizave, lirinë për të lëvizur dhe të ëndërrojë shumë”, shkroi ajo në Instagram drejtuar botës. Thirrja e saj padyshim që pati audiencën më të madhe edhe në krahasim me të gjitha që kanë bërë politikanët ndër vite. Me promovimin që iu bë Kosovës nga ky festival, politika “mori mësim” se më s’duhet të jetë pengesë e t’i pamundësojë ato pak organizime që janë për rininë.
Po, Kosova është në vazhdimësi në lajmet e botës. Por gjithmonë për kërcënime, tensione a lajme të kronikës së zezë. Nuk ndodh shpesh që për Kosovën të shkruajë e gjithë bota pozitivisht. Për një javë kanë qarkulluar me qindra artikuj në mediumet më të mëdha të kulturës në botë. Lajmi preku gjithë Perëndimin, depërtoi në Amerikën Latine e bëri jehonë edhe në Singapor. Emri i “Sunny Hillit” arriti në audiencë prej qindra miliona njerëzish. Ky emër dhe ai i Kosovës përjetuan ngritje në kurbën e kërkimit në botë. Krahas lajmeve për tensione, Kosovës, si rrallë herë, iu paraqit vlera pozitive. Promovimi s’u bë veç nga mediat a ylli kosovar. Artistët e tjerë me nam që erdhën në Kosovë kanë ndikim të madh po ashtu.
J Balvin numëron mbi 50 milionë ndjekës veç në Instagram. Dy-tri postime të tij mjaftojnë për reklamë të Kosovës në Amerikën Latine. Me pak fjalë, gjatë performancës së tij nga kryeqyteti, J Balvin ia dha një tjetër shuplakë politikës kosovare.
“Vij nga Kolumbia. Ishte vend i vështirë dhe e kuptoj se çfarë ndjeni tani. Herët a vonë, drita vjen gjithmonë dhe ju do të jeni mirë. Ne jemi këtu me ju. Vazhdoni, ëndërroni dhe realizoni ato ëndrra”, u shpreh artisti sa për të krahasuar Kosovën me Kolumbinë, shtet me probleme të vazhdueshme të brendshme. Mjaftueshëm sa për të treguar se Kosova nuk njihet për vlerat e saj perëndimore ndërkombëtarisht.
E DJ Diplo, si ndër më të njohurit në botë, duke u treguar miliona fansave se po performon në Kosovë, u shpreh se “e vizitoi Dua Lipën në mbretërinë e saj”. Kaq si dëshmi që emri i saj depërton kufijtë më lehtë se emri i Kosovës.
Me thirrjen për liberalizim, Kosova u paraqit si vend i izoluar që për pak ditë mirëpriti yje botërore e ku të rinjtë brenda rrethojave në Gërmi përjetuan “Perëndimin” që e ëndërrojnë. Asnjë promovim nuk krahasohet me ndjenjën që u shijua në ditët më të mira e më të ngarkuara të verës në Kosovë. Gjallëria që mbushte zemrat vërehej në të gjithë qytetin. Trafiku bllokohej që nga mesdita. Ngarkesat e mëdha s’pengonin. Rrëmuja dukej e hijshme. Si diçka që s’shihet zakonisht. Nëpër autobusë vende të lira s’kishte. Më të shumtë ishin “ushtarët” që ecnin kilometra të tëra për të arritur në Gërmi e për “t’u futur në botën e re”.
Se ka vend për kritika, kjo s’do mend. Nga organizimi e deri te lokacioni. E edhe për listën e këngëtarëve të ftuar. Porse Dua Lipa po e promovon Kosovën në anën e vet më të mirë, as kjo s’do fort koment.
Nëse ka të tjerë përreth saj, që në emër të sajin duan të bëjnë biznes a të përfitojnë ndonjë poen politik, ky është muhabet tjetër. Përherë ka e do të ketë prapaskena.
Nga titulli i këngës “Semafori” të PINT-ave, që tashmë është kthyer në himn të festivalit, mund të nxirren tri përshkrime të shkurtra për lidhjen e “Sunny Hillit” me shoqërinë e politikën.
Nga lart semaforit: Të ndërpriten llafet e kota; të ndalemi e të mendojmë; dhe që në fund, rinisë t’i lihen duart e lira për të organizuar ato që i do dhe që po dëshmohet se i meriton.
Dua Lipa është rinia e Kosovës. Të mos humbet. Ka mjaftueshëm “Dua Lipa” të tjerë në art e gjithkah. Të mos u mbyllet e ardhmja. Vlerësojini ata kur duhet, se një ditë s’do të durojnë më, e edhe pa liberalizim s’do t’i gjeni më këtu.
“Sunny Hilli” tejkalon Prishtinën dhe Kosovën – të mos e humbim. Së paku për nja katër ditë, ishte ai breg dielli për promovimin e vendit.