OpEd

Shthurja e shtetësisë

Në vitin 1933, në Montevideo të Uruguait u nënshkrua Konventa mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Shteteve, e cila ndër të tjera përcakton edhe kriteret për shtetësi, të cilat u adoptuan në të drejtën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë referencë edhe në ditët e sotme. Këto janë katër kritere të thjeshta e të qarta: Popullsia e përhershme; Territori i definuar; Qeverisja efektive; Aftësia e lidhjes së raporteve ndërkombëtare.

Në vitin 2008, kur u shpall pavarësia e Republikës, Kosova i kishte që të katër kriteret e plotësuara. Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës u njoh nga 116 shtete dhe krijoi marrëdhënie diplomatike bilaterale me rreth 88 prej tyre e u anëtarësua në rreth 148 organizata ndërkombëtare.

Me gjithë këto fakte, shtetësia e Republikës së Kosovës u sprovua nga Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), si një pjesë përbërëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku Kosova nuk është anëtare. Aty u gjykua që pavarësia e Republikës së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe (kjo me rëndësi shumë të madhe për ne) nuk ka shkelur as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Opinioni i GJND-së e çarmatosi Serbinë në betejën e saj diplomatike kundër Republikës së Kosovës. Por, edhe pse me një fitore të tillë në GJND, qeveritë e vjetra zgjodhën rrugën e faktorizimit të Serbisë në çështjen e Kosovës, duke i filluar negociatat me të më 8 mars të vitit 2011, me argumentin se “Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar shtetësinë e saj”.

Vetë fillimi i negociatave me Serbinë e zhbëri fitoren e Kosovës në GJND. Ndërsa procesi negociator, i cili po zgjat për gati një dekadë, ka filluar t’i shthurë elementet e shtetësisë së saj.

Në vazhdim, në raport me këto kritere në mënyrë të shkurtër po i trajtojmë disa nga marrëveshjet që po kontribuojnë në shthurjen e shtetësisë.

Raportet ndërkombëtare vs fusnota/reciprociteti/moratorium

Në teoritë mbizotëruese të marrëdhënieve ndërkombëtare, me gjithë kundërthëniet mes tyre, ekziston pajtueshmëria se shteti është aktori kryesor në këto marrëdhënie. Por, nuk është thjesht se shteti përbën parakusht për krijimin e një rendi të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse vetë këto marrëdhënie janë një kriter i domosdoshëm për shtetësinë e një vendi. Aftësia për të lidhur marrëdhënie kontraktuese reflekton faktin se edhe tri kriteret e tjera janë plotësuar tashmë, pra që një vend është i pavarur dhe mund të njihet si aktor në arenën ndërkombëtare. Të gjitha këto nën idenë se shtetet në arenën ndërkombëtare janë nominalisht të barabartë. Sigurisht se njëri mund të jetë më i zhvilluar ekonomikisht se tjetri e tjetri më i zhvilluar ushtarakisht se i pari. Por, në të drejtat e tyre ata njihen si të barabartë.

Hapin e parë në drejtim të kundërt të këtij parimi, kryeministri ilegjitim Hoti e mori 3 ditë pas hyrjes në zyrat e Qeverisë. Më 6 qershor 2020, Hoti largoi reciprocitetin si parim të marrëdhënieve ndërkombëtare me Serbinë. Pra, në raport me Serbinë, e si rrjedhim edhe me vendet e tjera në arenën ndërkombëtare, Hoti e vendosi Republikën e Kosovës në një nivel më të ulët. Thënë thjesht: më afër një Kosove siç e njeh Kushtetuta e Serbisë, sesa një Kosove siç e njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Këtij vendimi i paraprinte një situatë tjetër e raporteve asimetrike e krijuar nga marrëveshja për fusnotën, e arritur në periudhën kur delegacionin e Republikës së Kosovës e drejtonte znj. Edita Tahiri. Një marrëveshje e dëmshme, e cila ia largonte Kosovës denominimin Republikë nga emri i saj, si kusht për anëtarësim në organizata rajonale. Por, puna e dobët dhe e dëmshme diplomatike nga ministrat e jashtëm Hoxhaj, Thaçi e Pacolli bëri që fusnota të shndërrohet në një pjesë përbërëse të përhershme për Kosovën edhe në raport me organizata përtej rajonit. Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës ka përfunduar duke nënshkruar me fusnotë marrëveshjen e MSA-së me BE-në.

Në anën tjetër, Republika e Kosovës që nga pavarësimi i saj, paralelisht me fushatën për sigurimin e njohjeve nga shtetet e ndryshme dhe krijimin e raporteve bilaterale me to, ka qenë në fushatë intensive edhe për krijimin e raporteve multilaterale, nëpërmjet anëtarësimit në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, qofshin ata rajonalë, kontinentalë apo botërorë. Këto anëtarësime janë parë si forcim i sovranitetit të vendit dhe reflektim i këtij sovraniteti edhe në arenën ndërkombëtare. Përderisa raportet bilaterale mund të krijojnë raporte më të forta dhe më të qëndrueshme, ato janë të kufizuara edhe nga interesat e papërputhshme dhe largësia gjeografike me shumë vende. Në anën tjetër, pjesëmarrja në organizata ndërkombëtare ka krijuar hapësira ku Republika e Kosovës me fushatat, mbështetjet e votat e saj, ka pasur ndikim edhe në këto shtete të largëta, gjë që ka krijuar mundësinë e lidhjes së kontakteve dhe të krijimit të raporteve më të thella diplomatike edhe me to. Gjithashtu, me kohë, suksesi në dimensionin multilateral do ta bënte Republikën e Kosovës fakt të kryer edhe për shtetet të cilat ende nuk pranojnë njohjen e saj.

Mbi tërë këtë kontekst, Qeveria ilegjitime Hoti pranoi që Republika e Kosovës ta suspendojë angazhimin e saj për shtrirje të mëtutjeshme në arenën ndërkombëtare. Pra, sipas Hotit, Republika e Kosovës nuk duhet të angazhohet për anëtarësim në OKB apo në ndonjërën nga agjencitë e saj; në BE; në NATO, etj. Dhe kjo nuk bëhet për arsyen që anëtarësimi mund të mos jetë i mundur sot, por thjesht ideja e anëtarësimit është e suspenduar. Sigurisht që ky zotim unilateral i një kryeministri ilegjitim, që u institucionalizua nëpërmjet një qarkoreje nga MPJD-ja, e cila i obligon të gjitha institucionet ekzekutive të Republikës që t’i tërheqin aplikimet për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë, është në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Megjithëse një Kushtetutë shumë e dobët përmbajtjesisht, kur u shkrua ajo, u vendos si synim shtetëror që Republika të anëtarësohej në mekanizma ndërkombëtarë. As atyre që e shkruan këtë kushtetutë të dobët nuk u kishte shkuar mendja ndonjëherë se do të vinte një kohë kur Kosova do ta ketë një kryeministër e qeveri, të cilët do ta lëshonin një qarkore që tërheq dhe ndalon aplikimet për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.

Pra, me këtë akt u suspendua përmbushja e kriterit të katërt të Konventës së Montevideos.

Qeverisja efektive vs “Zajednica”

I tërë procesi negociues me Serbinë, që nga fillimi i tij më 8 mars 2011, ka rezultuar me marrëveshje mbi çështje të ndryshme, e përbashkëta e të cilave ka qenë komplikimi i qeverisjes efektive të vendit. Shumësia e këtyre marrëveshjeve kulmoi me Marrëveshjen e Parë të Parimeve mbi Normalizimin e Marrëdhënieve, të prillit të vitit 2013. Kjo marrëveshje, në 6 nga 15 pikat e saj vendoste themelet e krijimit të “Zajednicës”, si hap i parë drejt krijimit të një entiteti të pavarur serb përbrenda Republikës së Kosovës dhe bosnjëzimin e saj. Së njëjtës iu konkretizuan të drejtat dhe detyrimet në marrëveshjen e vitit 2015 dhe u bë e qartë që në Republikën e Kosovës po tentohet të krijohet një nivel i tretë i qeverisjes. Deri në këtë pikë, vendit i ishin krijuar praktikisht sisteme paralele të arsimit, shëndetësisë, gjyqësisë, zinxhirë komandues të veçantë të policisë, e tani ky kontekst i ri po synohej të përmblidhej përbrenda një modeli vendimmarrjeje dhe përfaqësimi të veçantë të serbëve të Kosovës. E tërë kjo, si kërkesë e Serbisë dhe jo e serbëve të Kosovës.

Marrëveshja e vitit 2013, e cila i vendoste themelet e “Zajednicës”, dhe ajo e vitit 2015 që i konkretizonte kompetencat e saj ekzekutive, ranë poshtë. E para nuk u shndërrua asnjëherë në marrëveshje ndërkombëtare përderisa atë nuk e ratifikoi Kuvendi i Serbisë. Ndërsa, e dyta u kundërshtua nga qytetarët nëpërmjet peticionit më të madh në vend dhe protestave të shumta e masive, derisa në fund u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Me gjithë këto zhvillime të cilat liruan Republikën e Kosovës nga barra e bosnjëzimit, Hoti që në ditët e para të tij, pa ndonjë shtysë të theksuar nga Serbia apo BE-ja, filloi ta përmendë “obligimin” e Kosovës për ta themeluar “Zajednicën.” Kjo i hapi rrugë Serbisë për ta kushtëzuar dialogun me zbatimin e saj (përderisa vetë Serbia nuk zbaton pjesën më të madhe të marrëveshjeve të arritura që nga viti 2011) dhe vendosi Kosovën në defansivë diplomatike përballë Serbisë, duke rrezikuar kështu përmbushjen e njërës prej katër kritereve të Montevideos. Pas këtij dëmi që ia bëri vendit, si pasojë e kundërshtimeve të fuqishme në vend, Hoti filloi t’i rezistojë kësaj ideje. Por, shumë vonë dhe shumë pak.

Territori vs Territorializimi i çështjes së Kosovës

Territori është një ndër elementet kryesore të shtetësisë. Republika e Kosovës nuk kishte ndonjë dilemë apo kontest territorial me fqinjët e saj kur e shpalli pavarësinë më 2008. Njohjet nga 116 vende dhe opinioni i GJND-së trajtonin Republikën e Kosovës pa ia kontestuar asaj territorin. Megjithatë, territori i Kosovës u ngushtua nga marrëveshjet e padrejta e të dëmshme, siç ishte rasti i delimitimit me tash Maqedoninë Veriore dhe me Malin e Zi. Këto marrëveshje të dëmshme ishin objekt i diskutimeve dhe interpretimeve. Por, ndryshe qëndronte situata me deklaratat e presidentit Thaçi në vitin 2018, i cili një ditë u zgjua me idenë se Republika e Kosovës ka territore të cilat nuk i takojnë asaj, sepse janë “dhurata të Rankoviqit.” Kjo qasje e vuri menjëherë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës dhe e bëri të paqartë të ardhmen e rajonit. Relativizimi i problemit shkonte deri atë masë sa analistët ndërkombëtarë të afërt me Thaçin arsyetonin edhe një spastrim paqësor etnik, si dëm kolateral për zbatimin e “shkëmbimit territorial”.

Territorializimi i çështjes së Kosovës filloi që në kohën e pavarësimit të saj, me krijimin e zonave eksterritoriale për Kishën Ortodokse Serbe dhe zgjedhjet lokale të vitit 2009, ku u zbatua decentralizimi etnik, i cili krijonte komuna me shumicë serbe dhe pamundësonte bashkëjetesën, sado që ajo trumbetohej nga misionet e ndryshme ndërkombëtare nëpër billboard-e anekënd Kosovës. Si hap i radhës në këtë projekt sigurisht se ishte shtimi i kompetencave të këtyre komunave dhe lidhja horizontale mes tyre dhe vertikale e tyre me Serbinë. Pra, “Zajednica”. E kjo e fundit nuk ishte synimi përfundimtar, por hap i radhës drejt bosnjëzimit si formë e disfunksionalizimit të shtetit të Kosovës dhe ndarjes së një pjese të saj.

Përgjatë këtij procesi, Thaçi nga pozita e kryeministrit bëri edhe një zotim sekret para KFOR-it, pa pasur ndonjë kërkesë për një gjë të tillë. Ai u zotua se nuk do ta dërgojë FSK-në në katër komunat në veri të Republikës, duke ua dhënë kështu një status të veçantë këtyre komunave. Këtij projekti iu bë krah edhe kryeministri ilegjitim Hoti, duke pranuar të diskutojë çështje të brendshme të Kosovës, siç është liqeni artificial i Ujmanit, dhe duke pranuar që shfrytëzimin e tij ta ndajë së bashku me Serbinë, edhe pse i tërë liqeni i Ujmanit është pronë vetëm e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe pjesën e cila gjendet në Serbi.

“Zajednica” dhe “shkëmbimi territorial” janë një projekt dhe jo dy zgjedhjet e mundshme të kontekstit aktual të Republikës së Kosovës. Tentimi për shpejtimin e këtij procesi, duke çuar vendin drejt ndarjes pa zbatuar ende “Zajednicën”, arsyetohet me gjendjen e vështirë politike të Hashim Thaçit dhe si rrjedhojë e kësaj, kohën e pamjaftueshme që kishte në dispozicion për të realizuar projekte afatgjata. Prandaj, deklaratat e Hotit se ka larguar nga tavolina temën e shkëmbimit territorial, përderisa në të njëjtën kohë flet për “Zajednicën”, janë kundërthënëse. Kur të flasësh për njërën, ke folur edhe për tjetrën, sepse ato janë e njëjta gjë dhe rrezikojnë seriozisht përmbushjen e kriterit territorial të shtetësisë.

Popullsia e përhershme vs Gjykata Speciale

Kriteri i radhës i Konventës së Montevideos është kriteri i popullsisë së përhershme. Ky kriter nuk parasheh numër minimal të qytetarëve si kusht për t’u plotësuar. Kjo sepse popullsia nuk është objekt numrash, por është subjekt politik që konstituon një shtet. Popullsia është aty si vullnet edhe kur shteti është pamundësi, situatë në të cilën ishin shqiptarët e Kosovës para vitit 2008. Në rastin tonë, në përpjekjen e fundit çlirimtare ky vullnet u formësua nëpërmjet luftës për liri, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK.) Megjithëse synimi i këtij formacioni çlirimtar ishte bashkimi kombëtar, shpallja e pavarësisë së Kosovës themel kishte këtë përpjekje, edhe pse ajo nuk përmendet askund në Deklaratën e Pavarësisë apo Kushtetutën e vendit.

Dhe është pikërisht ky dimension i popullsisë si vullnet politik, që u sulmua menjëherë pasi pavarësia e Kosovës u shpall në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Publikimi i raportit të Dick Martyt dhe votimi i tij në Këshillin e Evropës krijuan një situatë të vështirë për Kosovën. Në vend se pushteti në vend t’i kundërvihej një projekti të tillë, ai iu nënshtrua plotësisht. Paradoksalisht, u krijua situata ku nëse nuk voton për krijimin e Dhomave të Specializuara kundër UÇK-së, je kundër UÇK-së. Për të mos qenë kundër UÇK-së, duhej të ishe për Dhomat e Specializuara kundër UÇK-së. Mantra si gjithmonë ishte “miqësia me SHBA-në dhe BE-në”, “integrimet evropiane”, por kësaj radhe me një shtesë të veçantë: “nëse nuk e votojmë ne, e voton Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ku është Rusia dhe Kina.” Ky ishte një argument që vlente vetëm për dikë që nuk e di se përveç Kinës dhe Rusisë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje janë edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca.

Funksionalizimi i Dhomave të Specializuara bashkë me procesin negociator kanë krijuar një situatë nga e cila një person i largët, i cili nuk ka informacion për historinë moderne të rajonit, lehtë mund ta krijojë përshtypjen se për gjenocidin në Kosovë fajtor janë njësoj shqiptarët dhe Serbia. Pra, ka ndodhur një revizionizëm i historisë së fundit. Teori të ndryshme dhe e drejta ndërkombëtare njohin të drejtën e popujve të shtypur për pavarësi dhe në rrafshin historik Serbia është e interesuar që historia e luftës së fundit të mos pasqyrohet ashtu siç ishte në të vërtetë, në mënyrë që të deligjitimohet e drejta e shqiptarëve të Kosovës. Me Dhomat e Specializuara, marrëveshjet e fundit të Hotit në Washington DC dhe deklaratat e Trumpit, të cilat Hoti nuk i kundërshtoi asnjëherë e ku bëhet barazimi i shqiptarëve dhe Serbisë në raport me gjenocidin të cilin kjo e fundit e shkaktoi, Serbia po e fiton edhe këtë betejë për rishkrimin e historisë.

Çfarë duhet të bëjmë?

Me opinionin e GJND-së, pushtetet e vjetra të Kosovës kthyen një fitore të madhe diplomatike në një humbje të vazhdueshme. Sot, opinioni i GJND-së nuk përmendet asnjëherë nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në takime me Serbinë, në Bruksel apo Washington DC. Negociatat e pafundme me Serbinë, për çështjen e brendshme të Kosovës dhe rezultatet nga ky proces, kanë minuar seriozisht shtetësinë e Kosovës, të konkretizuara në kriteret e Konventës së Montevideos mbi të Drejtat dhe Obligimet e Shteteve. Nga situata kur koha punonte për ne, në kuptimin e vendosjes së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare si një fakt i patjetërsueshëm, me projektet si Dhomat e Specializuara, “Zajednica”, “Shkëmbimi territorial” dhe moratorium për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, koha po punon kundër Republikës së Kosovës. Dështimet dhe çakordimet e saj në arenën ndërkombëtare po shndërrohen në normë. Një proces i tillë që rrezikon ekzistencialisht vendin, nuk mund të vazhdojë. Ai duhet të ndalet urgjentisht.

Republikës së Kosovës i duhet një ndryshim rrënjësor i kursit të politikës së saj të jashtme. Kursi i ri duhet të ndërtohet mbi premisën se Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj është e plotë dhe e përmbyllur. Kurdo që të përmendet Rezoluta 1244, ne duhet ta lexojmë atë nëpërmjet syzeve të opinionit të GJND-së. Dialogu me Serbinë ka rëndësi të veçantë për shkak të së kaluarës gjenocidale të Serbisë në Kosovë. Por, ky dialog asnjëherë nuk duhet të lidhet me shtetësinë apo me çështjet e brendshme të vendit. Kosova në koordinim me Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet t’i vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja e thellim të raporteve bilaterale me shtetet njohëse. Kjo përpjekje nuk duhet të bëhet nga pozicioni i fusnotës, por nga opinioni i GJND-së. Fusnota ishte zgjidhje e dëmshme në kuadër të një konteksti rajonal që më nuk ekziston, prandaj ajo sot është jorelevante. Vendit nuk i duhen fitore të lehta që shndërrohen në barrë për dekadat që vijnë, por punë e palodhshme dhe durim, për fitore të mëdha që mbesin.

Këto nuk arrihen me Qeverinë aktuale, e cila është shndërruar në simbol të qeverisjeve të vjetra të së kaluarës. Përmbi arsyet e tjera të shumta, largimi i kësaj qeverie është domosdoshmëri edhe për shpëtimin dhe rikuperimin e shtetësisë së Kosovës.

(Autori është sekretar për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE).