OpEd

Shthurja e politikës së jashtme të Kosovës

Muajin e ardhshëm, Kosova do të shënojë dhjetëvjetorin e saj si shtet i pavarur. Arsye për të kremtuar ka. Mbi të gjitha, territori që nuk ka dalje në det, me më pak se dy milionë banorë e ka konsoliduar ekzistencën e vet. 

Kjo, në vetvete, nuk është e arritur e vogël. Kosova e ka mbijetuar sfidën ligjore ndaj ekzistencës së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe i ka bërë ballë një fushate këmbëngulëse të Serbisë, prej së cilës u shkëput më 2008, për ta lënë të izoluar ndërkombëtarisht.

Në vend se të vuajë nga izolimi ndërkombëtar, Kosova mund ta vërë theksin tek 114 njohjet prej qeverive të tjera nëpër botë. Sidoqoftë, një pjesë e madhe e këtij suksesi tani po vihet në rrezik, shkaku i një politike gjithnjë e më të paparashikueshme dhe nacionaliste të jashtme, e cila nuk i duhet Kosovës. 

Krahas pozitës së saj të brishtë ndërkombëtare, Kosova do të vazhdojë të jetë e varur nga ndihma e konsiderueshme financiare ndërkombëtare.

Arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale nuk kanë ecur shumë, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. Papunësia ka mbetur tejet e lartë, duke i nxitur qytetarët me iniciativa dhe shtytje që fatin e tyre ta kërkojnë jashtë. Zhvillimi i një komuniteti të ndershëm dhe të gjallërishëm të biznesit po pengohet nga shembujt e korrupsionit dhe patronazhit politik, që shkon deri tek dhënia e kontratave publike. 

Pas luftës së NATO-s kundër Serbisë më 1999, Organizata e Kombeve të Bashkuara e administroi këtë territor për gati një dekadë. Asokohe shumë lehtë mund të fajësoje burokracinë ndërkombëtare dhe joefikasitetet për të këqijat e Kosovës. Që nga pavarësia, ky opsion nuk është më dhe arsyet e dështimit duhet të kërkohen brenda. 

Një burim i të këqijave për Kosovën qëndron tek tensioni i pazakonshëm midis jostabilitetit politik dhe vazhdimësisë së marrëveshjeve ekzistuese. Zgjedhjet e kaluara në Kosovë rezultuan me ngërç dhe koalicione të brishta. Arsye e pjesshme e kësaj është fakti se një numër i konsiderueshëm i ulëseve në Parlamentin e vogël të Kosovës janë të rezervuara për përfaqësuesit e pakicave, përfshirë në veçanti komunitetin serb. Ky konstelacion ia vështirëson secilës prej partive që ta fitojë shumicën. 

Sidoqoftë, me gjithë vështirësitë në formimin e koalicioneve qeverisëse, figurat politike në krye të shtetit nuk kanë ndryshuar. Duket se ekziston një kastë e përhershme personazhesh, shumica prej të cilëve vijnë nga koha e rezistencës ndaj shtypjes serbe në vitet nëntëdhjetë dhe lufta e 1999-s.

  • Për versionin anglisht, kliko KËTU

Serinë e plotë të shkrimeve të Wellerit, të botuara në "Koha Ditore", mund ta lexoni më poshtë: