Kosova me pandemi është përballur shumë më herët se ajo zyrtarja e COVID-19, vetëm se ishte e një natyre tjetër. Virusi përhapej ekskluzivisht në zyrat, në buxhetin e shtetit apo edhe në kompanitë publike dhe zhvatej poshtë e lart apo majtas e djathtas. Kush sa mundësi kishte, me takat. Diku zhvatja arrihej thjesht vetëm nëpërmjet një nënshkrimi e diku tjetër me 1 mijë e 100 salto të ndryshme të lavazhit dhe patinazhit ekonomik, në procese të privatizimit apo ta quaj më saktësisht në procese të piratizimit të aseteve dhe tokës shoqërore
Edhe viti që e lamë pas ra nën hijen e pandemisë globale të COVIDIT. Nuk mund të jetë qoftë edhe një person i vetëm në këtë botë, i cili po qe se ka arritur drejtpërdrejt t’i rezistojë virusit, indirekt të mos jetë prekur nga masat e ndryshme, të cilat shtetet e ndryshme i kanë ndërmarrë për të zbutur apo pamundësuar bartjen dhe përhapjen e përshkallëzuar të virusit.
Kjo ka mundur të rezultojë me humbje pune apo biznesi, punë nga shtëpia, lëvizje dhe udhëtime shumë të kufizuara, e të tjera. Varësisht nga fuqia individuale ekonomike e shteteve, ka qenë edhe ndihma që ato shtete ua kanë ndarë individëve, punëtorëve dhe bizneseve të afektuara, në mënyrë që sadopak ta zbusin krizën ekonomike të sjellë nga pandemia.
Pandemia Kosovën asokohe e gjeti në krizën dhe presionin politik nga ana e opozitës për ta rrëzuar qeverinë e atëhershme Kurti 1. Tek unë, ashtu si edhe te shumë qytetarë të tjerë, kjo qasje pati zgjuar indinjatë nga arroganca e politikanëve karshi një situate shëndetësore me përmasa globale e me shumë të panjohura.
Fatkeqësisht, në Kosovë, gjendja me pandeminë që nga fillimi e edhe në vazhdimësi është eksploatuar maksimalisht nga ana e politikanëve kosovarë, qofshin ata në opozitë apo qeverisje.
Çdo lëvizje, vendim apo ngjarje e cila ndërlidhej me COVIDIN shfrytëzohej nga oponentët politikë për ta goditur palën e kundërt dhe për ta kritikuar për keqmenaxhim, keqpërdorim, tejkalim kompetencash e çka jo tjetër. Luheshin lojëra për poenë të ulët politikë në koston e jetëve të njerëzve, për të cilët kujdesi shtetëror institucional shëndetësor gjatë 20 vjetëve të fundit kishte bërë aq pak.
Dëshiroj që gjërat t’i shoh dhe t’i analizoj nga një këndvështrim më i gjerë, e jo vetëm nga një pikë e caktuar e referimit kohor. Shëndetësia në Kosovë ishte sjellë buzë greminës së ekzistencës dhe mundësive të saj për t’i ofruar qoftë edhe shërbimet bazike për shërimin e qytetarëve edhe para kohës së pandemisë.
Sa e sa shkrime e raporte të ndryshme ishin bërë gjatë viteve, për të raportuar se spitalet publike të shëndetësisë kosovare nuk dispononin as me barnat bazike, kishte mungesë shiringash, fashash, shtretërish, aparate jofunksionale mjekësore, e çka jo tjetër, përderisa pacientët e shtrirë në këto spitale, apo familjarët e tyre, detyroheshin që këto gjëra t’i blinin privatisht, nganjëherë në distancë as 100 metra nga vetë spitali. E me të tilla paradispozita të gjendjes në sistemin shëndetësor, Kosova hyri që të ballafaqohej me pandeminë më të re globale, me përmasa që ndodhin një herë në 100 vjet.
Çka nënkuptoj me fjalinë e fundit më lart? Se Kosova është udhëhequr nga politikanë injorantë dhe arrogantë, që përpos prapanicës vetjake dhe ushujzave të interesit politik, të vendosura si hemorroide në prapanicën e shefave të tyre të lartë politikë, e zhytën shtetin në afera korruptuese të përmasave pandemike.
Do të thotë se Kosova me pandemi është përballur shumë më herët se ajo zyrtarja e COVID 19, vetëm se ishte e një natyre tjetër. Virusi përhapej ekskluzivisht në zyrat dhe buxhetin e shtetit apo edhe në kompanitë publike dhe zhvatej poshtë e lart apo majtas e djathtas. Kush sa mundësi kishte, me takat. Diku zhvatja arrihej thjesht vetëm nëpërmjet një nënshkrimi e diku tjetër me 1 mijë e 100 salto të ndryshme të lavazhit dhe patinazhit ekonomik, në procese të privatizimit apo ta quaj më saktësisht në procese të piratizimit të aseteve dhe tokës shoqërore. Tashmë veçse që të gjithë jemi në dijeni se politikanë me ndikim e ish-komandantë lufte kishin privatizuar toka, ku çmimin e arit e kishin paguar në vlerë prej 3 eurosh e të njëjtën ia kishin shitur prapë shtetit për shuma 4.000-5.000 euro për ari. Dhe, shih ti, ata nuk skuqen për ta quajtur ndërmarrje të suksesshme të biznesit.
Së fundmi, Qeveria amerikane, apo thënë më saktësisht Departamenti i Thesarit amerikan, doli me një listë emrash, që kësaj radhe ndërlidheshin me kriminelët e Mitrovicës së Veriut, të cilët jo rrallëherë ishin partnerë, qoftë politikë e qoftë të biznesit me struktura politike kosovare, si dhe figura të ndryshme publike e të medias. Lista e publikuar me Zvonko Veselinoviqin, Milan Radojçiqin e edhe ca emra të tjerë, i fut ata në “Listën e zezë” të Amerikës, shkaku i pjesëmarrjes së tyre në afera të shumta korruptuese të krimit të organizuar, dhe aktiviteteve të tyre të ndryshme kriminale.
Lista me këta emra thuhet se ende nuk është e plotë dhe përditësimi i saj pritet që të bëhet dhe shpaloset në muajin janar. Do të jetë shumë interesante ta shohim se a do të na paraqitet ndonjë emër politikani dhe biznesmeni kosovar të etnisë shqiptare në të, e që sigurisht gjatë viteve do te ketë pasur gojën përplot me Amerikë.
U publikuan raporte të shumta, ku thuhej se Zvonko Veselinoviqi dhe gruaja e tij merrnin paga nga Telekomi i Kosovës, kurrë duke mos punuar aty, apo paguheshin për qiranë e vendosjes së ndonjë stacioni bazë të antenave të telefonisë mobile në "pronat e tyre". Atë që mund ta them me shumë saktësi dhe nga burime të sigurta është se nënshkrues të këtyre kontratave ishin shumë ish-drejtorë apo ushtrues detyre drejtorësh e drejtorë të resurseve të ndryshme, si Etrur Rrustemaj, Besnik Jani, Sebahedin Ramaxhiku, Adnan Merovci, Agron Mustafa, Bardhyl Sejdiu. Se a kanë pasur presion politik për ta bërë atë gjë, përgjigjen do të duhej ta kërkonim nga ata.
Një qasje e tillë e lojërave dhe intrigave më të komplikuara të aferave korruptuese, janë ato të cilat sot shtetin e Kosovës e përballin me një mori procesesh të arbitrazhit ndërkombëtar. Nga ajo e arbitrazhit me ‘Z Mobile Kosova’, respektivisht ‘Telekomi i Kosovës’, u dëmtua për 30 milionë euro dhe asnjëri deri më sot nuk dha asnjë përgjegjësi në lidhje me atë gjë. Po, kemi parë seanca të komisioneve parlamentare, të organizuara nga ana e Kuvendit të Kosovës, por e tëra pastaj ka ngecur aty.
Pra, janë gjetur mënyra se si në mënyrë të ligjshme partnerët e ndryshëm me bizneset publike t’i padisin ato në Gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, edhe aty qoftë nga përfaqësimi i dobët ligjor i institucioneve tona, apo thjesht neglizhencave të qëllimshme kontraktuale vjen deri te vendimi për pagesën e dëmit të shkaktuar ekonomik kundrejt palës paditëse.
Kjo e shpjegon edhe ndërtimin aq të brishtë të sistemit ligjor në Kosovë. Jo pse ligjet nuk ekzistojnë apo nuk janë të ezauruara, por thjesht se ato nuk zbatohen dhe se sistemi gjyqësor ishte i kontrolluar nga politika dhe parapolitika. Ndërtimi i një ekonomie të shëndoshë dhe të qëndrueshme në një vend ku gjyqësori kontrollohet nga politika, është pothuajse i pamundshëm. Mungojnë investimet e huaja, pasi që cilido investitor nuk do ta rrezikonte investimin dhe paranë e tij në një shtet ku drejtësia punon dhe funksionon me direktiva politike. Edhe ata pak investitorë të interesuar merreshin në cak nga reketi i ndryshëm sistematik nga shumë nivele.
Jemi dëshmitarë edhe të abuzimeve me subvencionet e shumta ndër vite të bëra në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe agjencive të saj. E si të ndërtosh shtet, apo qoftë edhe nocionin e të bërit shtet, me këso qasje piraterie të parasë publike për përfitime personale apo të grupeve të ngushta të interesit. Është një thënie "secili shtet e ka mafinë e saj, vetëm në Kosovë mafia e ka shtetin e saj".
Unë gjithashtu do t’i referohesha një thënieje epike të ish-kryeministrit Avdullah Hoti: "Nuk keni parë ende asgjë akoma". Sigurisht ai këtë nuk e kishte thënë në kontekstin e gjërave, të cilat unë i kam renditur në shkrim, por si thënie i përshtatet plotësisht.
Tani në fund të këtij Ditari, më mbetet që të gjithë lexuesve dhe më të dashurve të tyre t’u dëshiroj shumë shëndet, mbarësi dhe suksese në jetë, ndërsa Kosovës shërimin sa më të shpejtë nga pandemia dhe viruset korruptuese të instaluara në organizmin e sistemit të saj.