“Çka me bâ k’tu?”, të thonë. Atë që kemi bërë të gjithë kur jemi gjendur kush si ka mundur kur na kanë dëbuar nga puna. Nuk kemi zgjedhur punë që është lidhur me përgatitjen tonë shkollore. Nuk ka qenë me rëndësi. Me rëndësi ka qenë mosdorëzimi dhe insistimi se të punosh nuk është turp. E në Kosovë, po del, se “të punosh për rrogë të vogël” është turp. Prandaj edhe duhet ikur
Java nisi siç tashmë është bërë disi zakon – me dy ditë pushimi, për dy ditë feste që kishin rënë të njëjtën ditë, një të diel. Ligji ynë i mbrapshtë, i zëvendëson të dielat me ditë pune, duke na e çrregulluar edhe më tepër jetën e punën.
Pra, kushdo që pati mundësi, u largua nga Prishtina (për pjesët e tjera të Kosovës nuk e di) dhe i lidhi katër ditë pushim në shtetin i cili, përfundimisht, është shndërruar në vendin e përtacëve me të mëdhenj në rajon, duke ia kaluar madje edhe malazezëve të barsoletave.
Sa më shumë kohë po kalon, aq më shumë po dëshmohet se Kosova nuk ka njerëz që e duan punën e mirëfilltë; janë njerëz që gjithë ditën e lume e kalojnë duke u ankuar për kushtet “katastrÖfë”, ndërkohë që kafehanet vlojnë prej njerëzve.
Që nga pandemia, kjo është bërë edhe më e theksuar: vende të punës mund të krijohen, pavarësisht vështirësive, porse nuk ka shumë të tillë që do të donin të punonin. Arsyetimi: “rroga e vogël”. Ani që sado e vogël, ajo është rrogë dhe është shumë më e madhe sesa zeroja në xhep nëse je i papunë.
* * *
Është edhe një grup të tjerësh që ankohen. Nuk po them që pak të drejtë kanë. Porse ata të punësuar janë ndërkohë që gjithë kohën shikojnë t’i shmangin obligimet e punës për shkak se ankohen se e kanë rrogën e vogël.
Është shumë e vështirë të jesh dëshmitare e vetëshkatërrimit të një shoqërie, e cila nuk e ka idenë as nga është nisur. Është tepër e rëndë të shihet se në mesin e shumë të rinjve nuk e gjen as vullnetin minimal për të kërkuar punë e për të krijuar karrierë në vend.
“Çka me bâ k’tu?”, të thonë. Atë që kemi bërë të gjithë kur jemi gjendur kush si ka mundur kur na kanë dëbuar nga puna. Nuk kemi zgjedhur punë që është lidhur me përgatitjen tonë shkollore. Nuk ka qenë me rëndësi. Me rëndësi ka qenë mosdorëzimi dhe insistimi se të punosh nuk është turp. E në Kosovë, po del, se “të punosh për rrogë të vogël” është turp. Prandaj edhe duhet ikur.
Kosova përjeton cikle dhjetëvjetëshash ku një pjesë e popullsisë ikë prej këtu për në Perëndim, kryesisht. Do të thotë, çdo dhjetë vjet dikush niset të ikë prej këtu se nuk ka perspektivë. Ashtu thonë, sepse nuk duan “të punojnë për rrogë të vogël”. Puna në të zezën në Perëndim edhe mund t’i bëjë me para, por puna legale mund t’i lërë pa to. Perëndimi nuk duron shmangie tatimesh, apo edhe nëse i duron, herëdokur do të të ndjekë. E kur gjysmën e rrogës duhet ta ndash për tatime, e çerekun për qiranë, nuk është se të mbeten shumë para për mbijetesë. Dikur, megjithatë do t’i kesh dy opsione: të kthehesh e të të quajnë dështim, ose të mbetesh e të luftosh sa më shumë që të mundesh.
* * *
Se pse jemi të këtillë, vështirë do të dija ta shpjegoja. Nuk kam njohuri të thella as psikologjike e as sociologjike për të nxjerrë ndonjë përfundim meritor.
Por e di që kjo që kemi tash e na servohet nga Qeveria, nuk është ndonjë strategji që çon nga krijimi i vendeve të punës, por nga krijimi i një shtrese të përtacëve që më me qejf e presin një subvencion, sesa që shikojnë për të gjetur punë. Nuk ka mjeshtër që nuk kam takuar në disa vjetët e fundit që më ankohet se nuk gjen njeri që do që të punojë.
I pari ishte mjeshtri i rrymës që e rregulloi rrjetin e munguar elektrik në aneksin e Radio Prishtinës. Më thoshte: “Rroga 500 euro, me tatime e kontribute. Vijnë dy ditë dhe e lënë. Provova ta angazhoj dikë nga lista e rasteve sociale. Dështova. Puna jonë nuk është e lehtë, porse është zanat që paguhet mirë, po qe se punohet mirë. Më thoshin më mirë sociali se me u futë në pluhur gjithë ditën”.
Tjetri ishte mjeshtri i pllakave. Edhe ky është zanat që paguhet mirë kur puna kryhet me korrektësi, sado që është jo i lehtë dhe kërkon precizitet. Më thoshte: “Posa e gjej ndokënd, rri disa ditë me mua dhe më pas më thotë, po iki në Perëndim. Se ku dhe çka do të punojë, nuk më tregon. Në fund, prapë po mbes vetëm”.
Dëgjova që edhe fermerët kanë telashe të angazhojnë punëtorë, aq sa detyrohen të angazhojnë fuqi punëtore nga jashtë. Ndërkohë, sipas ASK-së, shkalla e papunësisë është 20% (për vitin 2021, sepse nuk ka shënime për 2022-n në faqen zyrtare, apo unë nuk dita t’i gjej). Shkalla vazhdon të jetë e lartë, pavarësisht se është përgjysmë më e ulët se sa ka qenë ndoshta para një dekade.
* * *
Mbase njëra nga arsyet që e kanë krijuar këtë gjendje është sjellja e deputetëve të Kuvendit. Pra, përfaqësuesit e trupit më të lartë që vendos për ligje që e rregullojnë jetën tonë, janë njerëzit më papunëtorë që kemi pasur rastin të shohim në këta 20 vjetët e fundit.
Kuvendi, si e pate shumicën e absolute, si nuk e pate, është njësoj abuzues i fondeve publike. Sjellja e deputetëve e meriton një protestë masive qytetare. Ngase ata që do të duhej t’i mbronin interesat e qytetarëve, merren me kënaqjen e interesave të veta personale.
Kështu, të mërkurën, seanca nuk u mbajt. E dini pse? Për shkak se në mesditë, kur ishte paraparë të mbahej seanca, në sallë ishin vetëm 5 (dhe me shkronja PESË) deputetë. Pas pritjes gjysmorëshe, këtyre iu bashkuan edhe 39 deputetë. Pamjaftueshëm për kuorum. Mos harroni, e hëna dhe e marta ishin ditë pushimi. Me siguri këta që nuk kishin ardhur në Kuvend ia kanë shtyrë vetes pushimin edhe për një ditë, sepse janë lodhur shumë. Duke ikur nga seancat, kuptohet.
Fajin kryesor për këtë gjendje të punëve në Kuvend e ka shumica parlamentare. E kjo shumicë i merr afro 2 milionë euro në vit nga buxheti, për shkak të ulëseve që ka siguruar në zgjedhje. E se pse këto ulëse rrinë zbrazur, nuk merret kush me këtë punë. Pra, shumë mirë do të ishte që partitë me deputetë joaktivë në Kuvend të penalizoheshin me ligj, në bazë të pjesëmarrjes së tyre në plenare dhe nëpër komisione. Do të ishte mirë, por kjo nuk do të ndodhë, ngase një ligj të tillë duhet ta votojë Kuvendi i dembelëve.
Fajin dytësor e ka opozita, e cila nga komoditeti i hedhjes së fajit te pushteti, gjithashtu nuk i ka deputetët në sallë atëherë kur ashtu e kërkon Rregullorja. Shtrohet pyetja se pse bëjmë rregullore e ligje, kur as deputetët nuk i respektojnë. Pyetje retorike qe kjo. Përgjigjja më e logjikshme në këtë vend është se ligjet bëhen për t’u shkelur.
* * *
Shembulli i keq do të vazhdojë edhe në të ardhmen. E shumëpërfolura reformë zgjedhore erdhi me një propozim as mish, as peshk: Kosova mbetet një njësi votimi; tash do t’i rrumbullakojmë 10 kandidatë, sikur kishim bërë në zgjedhjet e para dhe, merreni me mend, tash do të na e çajnë kokën edhe një ditë para e edhe në ditën e zgjedhjeve duke agjituar, ngase po hiqet heshtja zgjedhore. Ah, edhe harrova – votuesit jashtë votojnë me postë dhe nëpër përfaqësitë diplomatike. Por... por, ky ligj nuk merret fare me financimin e partive politike. E kjo do të thotë se sërish do të kemi punë me parti politike që do t’u thonë mediumeve: “Mos na detyroni të paguajmë me llogari. Keshin nuk e kemi problem”.
* * *
Nuk e di. Mbase arsyeja kryesore se pse kosovarët në përgjithësi nuk duan të punojnë, është se e kanë dëshirën, diku të fshehur aty prapa, që të bëhen deputetë. Pavarësisht kapaciteteve intelektuale e politike. Për shkak se nuk do të ishin përjashtimi i rregullit.
Problemi është që Kuvendi nuk ka vend për të gjithë. I zë “vetëm” 120 përtacë.