Protestat masive në Serbi kanë ekspozuar dobësinë e Vuçiqit për të udhëhequr vendin e tij në moment krize. Dhe derisa intensiteti i protestave po rritet, gjasat janë të vogla se ato mund të kërcënojnë regjimin e solidifikuar të Vuçiqit
Institucionet dhe organizatat ndërkombëtare kanë zhvilluar metodologji të ndryshme për të matur cilësinë e demokracive në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim ata kanë zhvilluar kritere, metodologji dhe procedura të sofistikuara për të kuptuar nëse demokracitë në rajon janë në rrugën e duhur. Kësisoj organizata “Freedom House” dje publikoi raportin e fundit sipas të cilit Kosova ka arritur nivelin më të lartë të demokracisë së saj deri më sot. Po ashtu, Kosova është i vetmi vend në rajon i cili sot ka demokracinë më të avancuar se para dhjetë vjetësh. Të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të rajonit sot jetojnë në demokraci më të dobët se para dhjetë vjetësh. Nga ana tjetër, raporti konfirmoi se demokracia në Serbi është në rënie të lirë.
Por neve qytetarëve që jetojmë këtu nuk na duhen të gjitha këto kritere, metodologji dhe procedura të sofistikuara për të kuptuar nëse jemi apo nuk jemi në rrugën e duhur. Kriteret, metodologjitë dhe procedurat tona janë më të thjeshta. Të marrim shembull çfarë po ndodh ditëve të fundit në Serbi. Nëse Jellena Karlleusha është avokat i regjimit për mbrojtjen e demokracisë, atëherë kjo është shenjë që demokracia nuk është në drejtimin e duhur. Ose për shembull nëse kryeministrja e Serbisë në foltoren e Kuvendit të Serbisë e quan opozitën politike “mutat e fëlliqtë”, kjo po ashtu është shenjë që demokracia nuk është në drejtimin e duhur. Ose nëse presidenti i Serbisë me ndihmën e “shërbimeve vëllazërore lindore” i quan protestat paqësore të qytetarëve si “revolucion me ngjyra” kjo po ashtu është shenjë që demokracia nuk është në drejtimin e duhur.
E gjithë kjo çfarë po ndodh në Serbi ndodh në sfondin e protestave masive të qytetarëve kundër dhunës e cila ka mbërthyer Serbinë kohëve të fundit. Pas tragjedive të këtij muaji ku humben jetën 17 fëmijë dhe të rritur, kërkesat e protestuesve janë të thjeshta: (1) shkarkimi i Këshillit të Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike; (2) shkarkimi i ministrit të Brendshëm; (3) shkarkimi i drejtorit të Agjencisë Informative; dhe (4) ndalimi i dy kanaleve televizive “Pink” dhe “Happy”, të cilat perceptohen si promovues kryesorë të dhunës.
Deri më sot presidenti Vuçiq ka refuzuar të përmbushë këto kërkesa për dy arsye: (1) shkarkimi i personave në fjalë dhe ndalja e dy televizioneve respektive do të shkaktonte një avalansh politik viktimë e cilit do të mund të ishte edhe vetë ai; dhe (2) dorëzimi para kërkesave do të fuqizonte opozitën për ndërmarrjen e aksioneve edhe më të guximshme opozitare.
Kësisoj Vuçiqi ka vendosur t’u shpallë “luftë” protestuesve. Të nesërmen, më 26 maj, Vuçiqi do të mbaj atë që me gjasë do të jetë për herë të parë në histori të njerëzimit: protestë kundër protestës ndaj dhunës. Pra, thënë ndryshe, shteti do të dalë në protestë për të mbrojtur dhunën ndaj qytetarëve. Njëkohësisht, Vuçiqi ka vendosur që të shpërfillë në tërësi kërkesat për frenimin e programit të dhunshëm televiziv dhe në fakt dje është vendosur që tabloidi më famëkeq “INFORMER” të shpërblehet edhe me kanal televiziv.
E gjithë kjo indikon se strategjia e Vuçiqit ka dy qëllime: (1) të dëshmojë që ende gëzon përkrahje të gjerë qytetare përmes organizimit të tubimit të madh më 26 prill; dhe (2) të ngjyrosë protestat e fundit si protestat opozitare politike dhe jo si protestat qytetare kundër dhunës. Kësisoj ai shpreson se protestat e fundit do të kenë fatin e protestave “1 në 5 milionë” të vitit 2019, të cilat pas një kohe u shuan.
Në gjithë këtë mes cilët janë skenarët e protestave të fundit dhe sfidimit eventual të pushtetit të Vuçiqit? Janë dy: skenar optimist dhe pesimist. Në skenarin optimist Vuçiqi nuk do të arrijë të ndalojë rritjen e vazhdueshme të protestave. Edhe pse momentalisht pa lidership të qartë politik, protestat kanë parë pjesëmarrje më masive që nga përmbysja e Millosheviqit. Dhe në këtë sens Vuçiqi kupton që protestat në natyrën e tyre janë të paparashikueshme. Protestat janë një e panjohur politike e cila në çdo moment mund të krijojë situata të pakontrollueshme për regjimin. Po ashtu, Vuçiqi kupton se protestat masive janë historikisht vend ideal për lindjen e liderëve të rinj, të cilët do të sfidojnë nesër në kutitë e votimit. Në këtë skenar protestat do të vënë në lëvizje dinamikat e brendshme politike të cilat do të krijojnë hapësirë për lindjen e një lidershipi më premtues opozitar, i cili nesër mund të sfidojë regjimin e Vuçiqit.
Në skenarin pesimist protestat do ta kenë fatin e protestave të vitit 2019. Pas disa raundesh protestash dhe si pasojë e propagandës intensive shtetërore qytetarët do të heqin dorë nga dalja masive në protestat. Për mua personalisht ky skenar më duket më afër realitetit për tri arsye. E para, protestat masive që kemi parë nuk janë rezultat i besimit në opozitë apo falë punës së saj. Janë reagim spontan i qytetarëve ndaj shokut psikologjik të cilin e përjetuan pas dy tragjedive të tmerrshme që i tronditën brenda 48 orëve. Pasi që ky shok të kalojë dhe pasi që qytetarët të kuptojnë se protestat nuk po arrijnë të bëjnë ndryshimin ato natyrshëm do të shuhen. E dyta, ende në Serbi mungon një nivel kritik i pakënaqësisë qytetare e cila do të kërcënonte regjimin e Vuçiqit. Në fakt, sondazhet e vazhdueshme konfirmojnë se shumica e qytetarëve janë të kënaqur me stabilitetin politik dhe prosperitetin e kufizuar ekonomik të cilin ka siguruar regjimi i Vuçiqit. E treta, opozitës i mungon përkrahja nga elementet kyç të shoqërisë serbe për ndryshimin e regjimit, siç janë media, ambasadat, biznesi, kisha, akademia, forcat e rendit, etj. Në mungesë të këtyre elementeve është e pamundur të imagjinohet sfidimi i regjimit.
Sidoqoftë, këtu jemi në terrenin e parashikimeve prandaj nuk e dimë çfarë do të sjellin protestat, por një gjë ato tanimë kanë arritur. Ato kanë shërbyer për të zbuluar edhe më shumë natyrën radikale dhe atavistike të regjimit të Vuçiqit. E gjithë Serbia ka parë se si regjimi i Vuçiqit nuk arriti të përbashkonte popullin pas tragjedive të tmerrshme që ndodhën këtë muaj. Në vend të mesazheve të përbashkimit, dashurisë dhe shpresës, ata hapur fyen dhe përbuzën protestat, ndërsa Vuçiqi personalisht i quajti organizatorët “hiena dhe çakej”.
Kësisoj ai qëndroj në krahun e kundërt prej ndjenjave të shumicës së qytetarëve serbë. Shumica e qytetarëve mund të mos e përkrahin opozitën serbe, por edhe Vuçiqi kupton që shumica e qytetarëve nuk e përkrahin mënyrën se si regjimi menaxhoi tragjeditë e fundit. Në momente krize qytetarët kthejnë sytë drejt liderit të tyre për t’iu ofruar shpresë dhe siguri. Vuçiqi e di që ai ka dështuar të jetë ai lider. Vendin e tij e kanë zënë njerëzit e rëndomtë sikur Sllobodan Negiq, baba i vajzës së vrarë Sofia Negiq, apo peshkopi Grigorije i Kishës Ortodokse Serbe të Dyseldorfit. Këtë e kupton edhe Vuçiqi. Herët apo vonë, vendin e tij do ta zërë dikush. Protestat mund të përshpejtojnë ardhjen e këtij momenti.