Lufta e shpallur e Trumpit ndaj “deep state-it” është luftë e humbur, sepse edhe në politikë vlen po i njëjti mësim nga profesioni i tij i mëparshëm – shtëpia gjithmonë fiton
Dikur në Amerikë “armiku publik numër 1” ishin llojet e Al Capones dhe Bin Ladenit, por sot, nën Amerikën e Trumpit, “armiku publik numër 1” është “deep state-i”. Nën termin “deep state”, Trumpi ka futur gjithë establishmentit amerikan, por me theks të veçantë zyrtarët publikë, të cilët janë pjesë e komunitetit të inteligjencës, drejtësisë, ushtrisë, policisë dhe diplomacisë. Ai i sheh ata pengues kryesorë personalisht për të, por edhe për vizionin që ai ka për Amerikën. “Shkatërimi i deep state-it dhe kthimi i pushtetit të popullit amerikan” ka qenë njëri nga top-zotimet e Trumpit në kuadër të fushatës së tij zgjedhore.
Beteja e Trumpit me deep state-in daton qysh nga presidenca e tij e parë. Trumpi ka qenë jashtëzakonisht i frustruar me burokracinë amerikane, e cila në këndvështrimin e tij ka sabotuar aktivisht mandatin e tij të parë. “Afera Ruse” dhe dëgjimet në Kongres për shkarkimin e Trumpit ishin ekzemplarë të luftës së deep state-it kundër presidencës Trump. Trumpi shihte deep state-in kudo. Gjykatat bllokonin iniciativat e ndryshme ekzekutive të tij. I gjithë sistemi i drejtësisë hetonte bizneset dhe bashkëpunëtorët e tij. Komuniteti i inteligjencës ngriti pikëpyetje për aleancat e tij me armiqtë amerikanë në botë. Diplomatët amerikanë refuzonin zbatimin e politikave të Trumpit, të cilat ata gjykonin, janë në kundërshtim me interesat tradicionale amerikane. Gjeneralët amerikanë merrnin masa shtesë për të siguruar se urdhrat e Trumpit nuk kërcënojnë interesat kyçe të sigurisë nacionale. Ndërsa burokratët amerikanë përgjegjës për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore në Amerikë u akuzuan se vodhën nga Trumpi zgjedhjet e vitit 2020. Madje, edhe komuniteti shkencor u akuzua për deep state, pasi gjatë pandemisë COVID-19 ata gjetën veten në konflikt me idetë e Trumpit sikur ajo se konsumimi i Domestosit ndihmon në luftimin e virusit. Kësisoj emri i mjekut Anthony Fauci u bë sinonim i deep state-it në botën e Trumpit. Në pak fjalë, në botëkuptimin e Trumpit, deep state ishte fajtor kryesor për minimin e presidencës së tij të parë, rrjedhimisht sot ai është armiku numër një i presidencës së dytë të Trumpit.
Kësisoj, sot Trumpi ka propozuar në pozitat kyçe të administratës amerikane njerëzit të cilët nuk kanë asnjë lidhje me establishmentin dhe institucionet amerikane dhe njerëzit të cilët janë gati të jetësojnë zotimin e tij për “shkatërrimin e deep state-it”.
Frustrimi i Trumpit me institucionet dhe burokracinë amerikane nuk është asgjë e re. Që nga momentet e para të krijimit të shtetit modern, i cili ka pasur ndarjen e pushteteve element kyç të organizimit të vet ka ekzistuar tensioni i vazhdueshëm në mes ekzekutivit dhe degëve të tjera të pushtetit. Por jo rrallë ky tension ka ekzistuar edhe brenda vetë pushtetit ekzekutiv. Kaiseri Vilhelmi II është ankuar shpesh për pamundësinë e tij për të kontrolluar gjeneralët e vet. Sot ekziston një konsensus i gjerë në komunitetin e historianëve se zgjerimi agresiv i flotës detare ushtarake gjermane dhe planet e hershme të mobilizimit të ushtrisë gjermane – të dy këto të pakontrolluara nga liderët e saj politikë – kanë qenë një nga shkaktarët kryesorë të Luftës së Parë Botërore.
Këtë tension brenda pushtetit ekzekutiv e ka kapur shumë bukur edhe ish-presidenti amerikan John F. Kennedy. Kur njëherë ia kishin propozuar një ide, presidenti Kennedy u përgjigj: “Kjo qenka një ide e mrekullueshme, tani duhet të shikojmë se a mund ta bindim edhe Qeverinë të pranojë”. Vite më vonë, një president tjetër amerikan kuptoi kufizimet e fuqisë së presidencës amerikane. Në kohë fushate, Jimmy Carter kishte propozuar se do të tërhiqte trupat amerikane nga Koreja e Jugut. Sidoqoftë, kur erdhi në pushtet, CIA dhe Departamenti i Mbrojtjes u siguruan që kjo asnjëherë të mos ndodhte. Në fjalët e një zyrtari të lartë të Pentagonit të asaj kohe “ne filluam strategjinë tonë të zakonshme: debato, propozo, vono, pengo.” Dikur Carter-i braktisi gjithë idenë.
Në kohërat tona moderne tensioni në mes politikanëve dhe institucioneve, të cilat do të duhej t’u shërbenin atyre, është shpërfaqur në veçanti në qeverisjen e ish-kryeministrit anglez, Tony Blair. Që nga ardhja e tij në pushtet, Qeveria e Blair-it është parë si një qeveri ambicioze dhe e etur për të zbatuar me agresivitet reformat e ndryshme, për të cilin kishin marrë mandatin demokratik. Kjo ishte në kundërshtim me botëkuptimin e shtyllës kryesore të ekzekutivit: shërbimin civil anglez. Shërbimi civil i Mbretërisë së Bashkuar konsiderohet një nga shtyllat më të vjetra të shtetit anglez dhe si i tillë gjithmonë ka gëzuar një pavarësi të lartë të funksionimit. Madje edhe në titullin e tij formal, shërbimi civil i shërben “kurorës” dhe jo Qeverisë. Kësisoj, që nga ardhja në pushtet, Qeveria e kryeministrit Blair hyri në konflikt të gjatë me shërbimin civil anglez. Aty ku Qeveria Blair dëshironte ndryshim, shërbimi civil kërkonte maturi. Aty ku Qeveria Blair dëshironte shpejtësi, shërbimi civil kërkonte durim. Në gjithë këtë mes, shefi i stafit të kryeministrit Blair, z. Jonathan Powell, konkludoi se “sistemi ynë i kontrollit dhe balancit është i ndërtuar për të parandaluar ndryshimet radikale, dhe arma kryesore e këtij sistemi është shërbimi civil”. Edhe vetë kryeministri Blair personalisht njohu vështirësinë e menaxhimit efektiv të shërbimit civil kur vitet më vonë tha se shërbimi civil nuk pranon ndryshimin dhe se “nëse bëheni i burgosuri i tij, nuk do të arrini asgjë, vetëm do të silleni kot në rreth”.
Tensioni mes politikanëve dhe shërbyesve publikë është pasojë e konfliktit të paevitueshëm ndërmjet interesave afatshkurtra të politikanëve dhe qëllimeve afatgjata të shërbyesve publikë. Partitë politike jetojnë brenda një cikli afatshkurtër kohor, i cili në kushte normale demokratike zgjat katër deri tetë vite. Është e kuptueshme që politikanët synojnë të arrijnë sa më shumë brenda kësaj kornize të shkurtër kohore. Nganjëherë, drejt arritjes së këtyre qëllimeve ata nuk ngurrojnë të sakrifikojnë edhe vlerat morale. Nga ana tjetër, shërbyesit publikë jetojnë mbi një kod shumë më rigoroz etik dhe brenda një cikli shumë më të gjatë kohor. Në fakt mund të thuhet se ata jetojnë në pafundësi, pasi shërbyesit publikë tradicionalisht vazhdojnë trashëgiminë institucionale të paraardhëseve të tyre. Politikanët vijnë dhe shkojnë, por gjykatat, inteligjenca, ushtria, policia, shërbyesit civilë – këta ngelin aty përgjithmonë. Kjo është edhe arsyeja përse Trumpi dikur do të kuptojë se lufta kundër “deep state-it” është luftë e humbur, sepse edhe në politikë vlen po i njëjti mësim nga profesioni i tij i mëparshëm – shtëpia gjithmonë fiton.