OpEd

Shtatë sekretet e 2020-s

Dikur mendonim, me goxha shumë arsye, se globalizimi ka sfiduar qeveritë kombëtare. Presidentët janë strukur përpara tregjeve të obligacioneve. Kryeministrat kanë injoruar të varfrit e vendeve të tyre, por kurrë jo edhe “Standard & Poor’s”. Ministrat e financave kanë vepruar sikurse batakçinjtë e “Goldman Sachs”-it dhe satrapët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Magnatët e mediave, naftëtarët dhe financierët, jo më pak sesa kritikët majtistë të kapitalizmit të globalizuar, janë dakorduar se qeveritë nuk i kishin më nën kontroll

Një shtëpi prej kartash. Një gamë gënjeshtrash që pavetëdijshëm i kemi pranuar. Kësisoj duket siguria jonë gjatë krizave të thella. Episodet e tilla na shokojnë në njohjen se sa të pasigurta janë supozimet tona. Kjo është arsyeja pse ky vit i ka ngjasuar një batice në tërheqje të shpejtë, duke na shtrënguar që t’iu kundërvihemi të vërtetave të përmbytura.

Dikur mendonim, me goxha shumë arsye, se globalizimi ka sfiduar qeveritë kombëtare.

Presidentët janë strukur përpara tregjeve të obligacioneve. Kryeministrat kanë injoruar të varfrit e vendeve të tyre, por kurrë jo edhe “Standard & Poor’s”. Ministrat e financave kanë vepruar sikurse batakçinjtë e “Goldman Sachs”-it dhe satrapët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Magnatët e mediave, naftëtarët dhe financierët, jo më pak sesa kritikët majtistë të kapitalizmit të globalizuar, janë dakorduar se qeveritë nuk i kishin më nën kontroll.

Pastaj goditi pandemia. Brenda natës qeveritë shtrënguan nofullat dhe i mprehën dhëmbët. Mbyllën kufijtë dhe ulën aeroplanët, duke imponuar orë policore drakonike në qytetet tona, mbyllën teatrot dhe muzetë, dhe na e ndaluan që t’i rehatonim prindërit tanë që po vdisnin. Qeveritë bënë edhe atë që dikush mund të mendojë se ngjan para Apokalipsit: anuluan ngjarjet sportive.

Andaj u ekspozua sekreti i parë: qeveritë rikthyen kompetencat e paepura. Çfarë mësuam më 2020 është se qeveritë ndanë mendjen të mos ushtronin kompetencat e tyre të gjera, me qëllim që ata që i kishte pasuruar globalizimi, do të mund t’i ushtronin të vetat.

E vërteta e dytë është ajo për të cilën kishin dyshuar shumë njerëz, por ishin shumë të brishtë për t’iu dhënë jehonë: pema e parasë është reale. Qeveritë që proklamuan pandjeshmërinë kurdo që u kërkohej të paguanin për një spital këtu ose një shkollë atje, papritmas nxorën pa dhimbje kuletën e shtetit për të ndarë para në dorë për paga për shpenzime, nacionalizuan hekurudhat, morën kontrollin e linjave ajrore, mbështetën prodhuesit e makinave, madje i përkrahën financiarisht edhe sallat e fitnesit dhe floktarët.

Ata që normalisht protestojnë se paratë nuk kultivohen në pemë, se qeveritë duhet të lejojnë rënien aty ku është e domosdoshme, frenuan gjuhën. Tregjet financiare festuan, në vend se të merrnin përsipër një hise të shpërndarjes së parave nga shteti.

Greqia është një rast i përsosur studimi i të vërtetës së tretë të spikatur sivjet: Hapja e kuletës së shtetit është vendim politik, së paku në Perëndimin e pasur. Në vitin 2015, borxhi publik i Greqisë prej 320 miliardë eurosh ishte më i lartë se vlera e të hyrave kombëtare në vlerë prej vetëm 176 miliardë eurosh. Telashet e vendit ishin në ballina të gazetave anembanë botës dhe liderët e Evropës lartësuan hapjen e kuletës.

Sot, në kulmin e pandemisë që e ka përkeqësuar edhe më shumë ekonominë, Greqia nuk është çështje, megjithëse borxhi ynë publik është 33 miliardë euro më i lartë, dhe të hyrat tona për 13 miliardë euro më të ulëta se më 2015. Fuqitë e Evropës që do të duhej të vendosnin se do të duhej një dekadë për të menaxhuar falimentimin e Greqisë, vendosën që ta kategorizonin Greqinë si vend që mund ta përballonte shlyerjen e borxheve. Derisa grekët do të zgjedhin qeveri që vazhdimisht transferojnë te oligarkia e pakufijshme çfarëdo pasurie (publike a private) e mbetur, Banka Qendrore Evropiane do të bëjë çmos – të blejë të gjitha bondet e nevojshme të Qeverisë greke – për të vazhduar ta mbajë larg syrit publik paaftësinë e vendit për t’i shlyer borxhet.

Sekreti i katërt që spikati 2020-a në vëmendjen publike ishte se male pasurie të përqendruar në duart e qytetarëve privatë kanë shumë pak lidhje me sipërmarrësinë. Nuk kam asnjë dyshim se Jeff Bezos, Elon Musk ose Warren Buffet kanë sens për të fituar para dhe penetruar tregjet. Por vetëm një përqindje e vogël e plaçkës së tyre është rezultat i krijimit të vlerës.

Kini parasysh ngritjen e jashtëzakonshme prej mesmarsit në pasurinë e 614 miliarderëve të Amerikës. 931 miliardë dollarët shtesë të grumbulluar nuk rezultuan nga ndonjë inovacion ose gjenialitet që gjeneroi përfitime shtesë. Ata u pasuruan edhe më shumë duke bërë gjumë, nëse mund të flasim kështu, derisa bankat qendrore vërshuan sistemin financuar me para të manifakturuara që shkaktuan fluturimin e çmimeve të aseteve, rrjedhimisht edhe pasurinë e miliarderëve.

Me zhvillimin, testimin, aprovimin dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinës kundër COVID-19, u zbulua edhe sekreti i pestë: shkenca varet nga ndihma shtetërore, dhe efikasiteti i saj nuk vret vëmendjen e opinionit publik. Shumë komentues kanë lavdëruar aftësinë e tregjeve për të reaguar shpejt ndaj nevojave të njerëzimit. Por ironia nuk duhet ta shpërqendrojë askënd: administrata e presidentit amerikan më antishkencor i të gjitha kohëve – një president që injoroi, pengoi dhe përqeshi ekspertët gjatë pandemisë më të keqe në 100 vjetët e fundit – alokoi 10 miliardë dollarë për t’u siguruar se shkencëtarët kishin burimet e nevojshme.

Por ka një sekret më të madh: derisa 2020-a ishte vit flamur për kapitalistët, jo edhe kapitalizmi. Si ka mundësi të ngjajë kjo? Si mund të lulëzojnë kapitalistët kur kapitalizmi po evoluon në diçka tjetër?

Fare lehtë. Apostujt më të mëdhenj të kapitalizmit, si Adam Smithi, spikasnin pasojat e tij të paqëllimta: pikërisht për shkak se individët që kërkojnë përfitim nuk kanë konsideratë për askënd tjetër, ata përfundojnë duke i shërbyer shoqërisë. Çelësi për ta kthyer vesin privat në virtyt publik është konkurrenca, që i shtyn kapitalistët të ndërmarrin aktivitete që maksimizojnë përfitimet e tyre. Në një treg konkurrent, kjo i shërben të mirës së përbashkët, duke nxitur shtrirje dhe cilësi të mallrave dhe shërbimeve të gatshme, njëherësh duke i ulur vazhdimisht çmimet.

Nuk është e vështirë të shohësh se si kapitalistët mund t’ia dalin më mirë me më pak konkurrencë. Ky është sekreti i gjashtë që e spikati 2020-a. Të çliruar nga konkurrenca, kompanitë kolosale me platforma virtuale, si “Amazon”, ia dolën mahnitshëm në kohë të rënies së kapitalizmit dhe zëvendësimit të tij me diçka që të kujton tekno-feudalizmin.

Por sekreti i shtatë që shpërfaqi viti i sivjetmë është i linjës së praruar. Megjithëse asnjëherë nuk është e lehtë të jetësosh ndryshim radikal, tashmë është e qartë kristal se gjithçka mund të jetë ndryshe. Më nuk ka asnjë arsye pse duhet t’i pranojmë gjërat qysh janë. Përkundrazi, e vërteta më e rëndësishme e vitit 2020 nga aforizmi i veçantë dhe elegant i Bertolt Brechtit: “Meqë gjërat janë kështu si janë, nuk do të vazhdojnë të mbesin kështu”.

Nuk mund të mendoj burim më të mrekullueshëm shprese se kjo spikamë, të shpërfaqur në vitin që shumica do të preferonin ta harronin.

(Autori është ish-ministër i Financave i Greqisë dhe lider i partisë MeRA25, si dhe profesor ekonomie në Universitetin e Athinës.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)