Duket se ky nëntor do të jetë vetëm me gëzime e festa. Pos patriotizmit, që na zë për qafe çdo nëntor, po përjetojmë edhe ditë të lavdishme të futbollit kosovar. Kur kësaj i shtohet gëzimi edhe për xhudistët që marrin medalje me thasë, boksin, hendbollin, pingpongun e të tjera, njeriu harron nga pak trishtimin e përditshëm.
Plus këngëtaret e ranguara në toplistat botërore, tenorët e violinistët që performojnë skenave të famshme e qe besa edhe plot studentë e studente të suksesshme në rang të shkencëtarëve. Nuk ka si të mos ndihesh krenar. Bile merr kuptim edhe ajo “O sa mirë me qenë shqiptar!”. Ose jo, whatever.
Sytë si me X-ray
Ama që më zdritën sytë pas atyre katër golave kundër Azerbajxhanit, sa që më dukej se shihja edhe nëpër terrin që na e dhuroi KEDS-i disa ditë me radhë. Jo prishje, jo ra Blloku A, jo Blloku B, a thua ti këto blloqe po rrinë të varura në gozhda, si vargu i qepëve në akshihane të gjyshes.
Të gjitha këto ngjarje që po na i ofrojnë sportistët tanë po i përcjellim me invertorë e gjeneratorë, kabllo si lëmshi i maces dhe diku-diku nëpër celularë që akoma nuk dhanë shpirt.
Hajde more zoti Kryeqeveritar, bëhu burrë e hiqe atë grigjë treshifrore të zëvendësministrave, që po kryejnë punë në Kosovë sa një ministër i vetëm kur luan “Call of Duty”. Ore krasiti lirisht edhe disa ministra pas tyre se tybe në mbetesh keq as ti, as ne. Merri ato para të gjuajtura kot deri tash në rroga të tyre e jepjani sportistëve, mundësoju salla e kushte, shpërblime e pagesa, sa nuk po na shiten nëpër shtete të tjera që i trajtojnë dinjitetshëm. E as shkrimtarët mos i harro se i ke ambasadorët më të mirë të shtetit, sesa ajo gjysma analfabete që na përfaqëson nëpër diplomaci shtetesh. As pensionistët, as fëmijët.
4:0
Në anën tjetër njerëz, ec e mos u sikletis edhe nga ky Kampionat Evropian që po vjen. OK, më shkrihet zemra kur e mendoj mundësinë të jemi brenda tij dhe të korrim suksese një nga një. Mund ta marr me mend si do të mobilizoheshim menjëherë, siç e kemi zanat kur vjen fjala për festa e fitore. A po do ti që të harrohen të gjitha mosmarrëveshjet, urrejtjet e ndasitë fetare, partiake e kushedi çfarë tjetër. Harrohen grindjet me shumë “rëndësi”: nëse i çove ti lule varrit të Rugovës apo jo; A ia uroi skuadrës kosovare lojën Vetëvendosja a PSD-ja, a po bëhet ushtria apo jo sipas Dudës, dhe çfarë patën për darkë mysafirët e Pacollit.
Ama krejt këto harrohen, bashkë me vrasjet e përditshme për një parking, prokurorët e shitur që japin deklarata pa asnjë ekspertizë, harrohen sharjet, ofendimet, krimet, vjedhjet, shkeljet e Kushtetutës, grindjet në kuvende komunale, në Parlament dhe në terrenin më të rëndësishëm të politikës kosovare – në Facebook!
E pra, nuk ka dert nëse deri dje aty politikani-politikanit i thoshte “gomar”, dikush “hajn”, tjetri “lopë” e tjetri “idiote”. Krejt fshihen si me dorë.
Me rendësi kërcasin surlet e tupanët, flamujt dhe pankartat, kënga e hareja dhe si zakonisht toplista e këngëve tona euforike: “Xhamadani vija-vija”, “Jo nuk ndahet Mitrovica”, “Besa-besë” si dhe slogani “ O sa mirë me qenë shqiptar”.
Dashakëqijtë po thonë se dikush e ka përkthyer këtë nga kënga serbe e “Riblja Çorbës”: “Kako je lepo biti glup”, që i bie “O sa bukur të jesh budalla”.
Qe sa shpirtzinj janë njerëzit. Qe sa të këqij. Quksh atje bre, ky është slogan autokton pellazgo-shqiptar. Aty mos na prek. Nuk ta falim kurrë. Ok, ne falim toka, aeroporte, miliona “Behtelit”, miliona ambalazhuesve të ujit, miliona rrogave të zv-kotministrave, falim Postën, KEDS-in, Çakorrin, Ujmanin, falim “Trepçën”, falim fatura rryme të papaguara nga serbët, falim krime, falim vrasje, falim luftën, falim viktimat, falim mjerimin, falim gjakun. Krejt në rregull jemi. Bile edhe mend japim e falim sahat e dakik. Por ama patriotizëm, ruana Zot! S’ta ka provu dhëmbi kurr’!
E tash, se iu ka bërë adet këtij trurit tim me ia prishë vetes ëndërrimet e mira sahat e dakik, iu ka bërë. Po mendoj, çka nëse vërtet ia dalim të jemi pjesë e Kampionatit? Po çka nëse hyjnë edhe Zvicra, Shqipëria e Serbia bashkë me Kosovën? Çka nëse luajnë kundër njëri-tjetrit?
Haj medet, po kush i duron mandej bisedat e kota të debateve të përnatshme nëpër televizionet tona dhe komentet kilometrike të shqiptarëve të të gjitha trevave në Facebook.
“O juve të Shqipërisë veç Enveri ju bjen në vete”, “O ju kosovarë kokëtrashë, ju mbajtëm me bukë…”, “Mirë ua bëri serbi”, “Mire ua bëri greku”, “Patriotë folklorikë”, “Patriotë me bateri”, “serbdashës”, “serbofobë”…!
Në anën tjetër, tifozët herë me Shqipërinë, herë me Kosovën. “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej!”, “O sa mirë jam kosovar, o hej, e hej!”
Na del punë edhe me shqiponjën. Jo është e jona, jo e jona!
Shqiponjë e shkretë e flamurit ndihet aq shumë e abuzuar në identitetin e saj, sa ka zhvilluar çrregullim bipolar, shihni si ka dyzim personaliteti në të. Dy koka që shikojnë anash, asnjëherë në sy. Çdo vit më agresive e më e trullavtë po më duket. Mbase edhe e ka fajin prodhuesi kinez.
Torta
Eh tash, për festën e Flamurit, euforia merr përmasa gjigante. Ende kam mall për tortën e znj. ish-presidente që u hangër më kaci e legena në përvjetorin e njëqindtë të Pavarësisë shqiptare. Sa plisi, sa musteqja, sa koburja, sa kali, po mendoj nga ata që i kishin kalëruar deri në Vlorë, au, au m’u ngjeth mishi nga nostalgjia pellazge.
Por, edhe këtë herë patriotizmin do ta shfaqim sa më kuqezi nëpër restorante me muzikë orientale dhe ushqim brazilian. Sa më kuqezi me fustane turke dhe tinguj e muhabete tallava. Sa më shqiptarisht nëpër udhëtime të ëndrrave që na ofrohen nga agjencitë, larg viseve shqiptare, e qe besa edhe në Beograd bile.
Është vetëm një problem i vockël, i cili i lidh sukseset e sportistëve dhe festën poshtë.
Kujt hamamin po i gëzohemi ne, një popull grusht brenda kafazit evropian, i cili më 28-in do të ketë më shumë njerëz në radhët para bankave për pension, se të atyre për dreka e makiato. Kujt i bie ndërmend flamuri kur s’ka bukë për fëmijët? Tjetra: Nëse i kalojmë edhe këto dy ndeshje e jemi brenda kampionatit, si do të shkojnë tifozët për mbështetje nëpër ndeshje? Si do të udhëtojnë jashtë?
Nuk ka vizë për ju, thotë ajo zonja bionde evropiane, që na kumton lajme të këqija si ajo qyqja që del prej sahateve të vjetër: Ku-kuu, ku-kuu, ku- kuu, s’ka viza për ju.
Ndërsa për taksën e vënë Serbisë nga Kosova, të shkretën desh e lëshoi shpirti prej mërzisë. Tamam gruaja mendon se e ka ringjallur shpirtin e Boros dhe Ramizit në kajde të Hashës e Vuçiqit, del dikush dhe ia prish ëndrrat për “Nobelin” e paqes. Ama që m’u ka ba si refer midis dy boksierëve të kategorisë (mendje)lehtë.
Buzëqesh çiko, buzëqesh pak allahile, se u lodhëm duke ta parë turirin tri herë në ditë! T’ishe Perëndesha e Bukurisë, ani m’u kishe ba bajat. Qiti do “llokme”! Trego ndonjë strategji! Puno për viza e jo kundër tyre!
Nato dhe Evropa: hyrje-dalje
E besa edhe Amerika nuk është se po jep shumë prej vetes për të na ndihmuar në këtë çështje. Mbase kur ka parë me kë ka punë, thuaj ti. Por, hajde jepi kuptim kësaj: Një Amerikë bashkë me një Evropë bëjnë një luftë të tërë me bombardime për të na çliruar nga izolimi dhe okupimi serb. Pasojnë vite e vite qëndrimi, ndryshimi e gjoja zhvillimi, për të ardhur këtu, ku po këta të njëjtit të mos lejojnë lëvizjen tonë të lirshme.
Domethënë, neve na çliroi bota, për të na izoluar sërish nga bota. Kush i bie në fije kësaj pos mbase Duda e silikonit, e cila e di sekretin pse Kosova nuk duhet të ketë ushtri.
Sinqerisht po them, lëshojeni Burdushin! Set him free!
Nuk është tipi më mashtrues e hajn se Qeveria, mos bëni hajgare!
Je suis Burdush!
Aman, le të na fryjë a shkruajë ndonjë hajmali se na u tranu edhe shqiponja, por as neve më nuk po na do kush.