Kjo lojë elektorale e Edi Ramës mund të lërë pasoja afatgjata në krijimin e ndasive mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, të cilët gjithnjë e më shumë po afrohen në fusha të tjera, nga arti e tek ekonomia, por po ndahen nga politika
Edi Rama është në kërkim të betejave të reja. Në kërkim të kundërshtarëve të rinj politikë. Kryeministri Rama nuk ka kundërshtarë politikë brenda Shqipërisë. Pas më shumë se një dekade në pushtet, Edi Rama ka arritur të dobësojë aq shumë opozitën, aq sa Shqipëria tani ngjan më shumë me një shtet njëpartiak, ku Partia Socialiste kontrollon të gjitha shkallët dhe degët e pushtetit, kurse Rama është i pasfiduar brenda PS-së.
Brenda vendit, Rama vazhdon keqqeverisjen, duke lejuar lulëzimin e krimit e korrupsionit, duke rritur varfërinë e pabarazinë dhe duke kontrolluar mediat dhe pushtetin gjyqësor. Por, pavarësisht kësaj, Edi Rama është i paprekshëm nga opozita, mediat, gjyqësori.
Andaj, i duhet një kundërshtar i ri politik dhe një betejë e re politike, e që nuk mundet ta gjejë brenda Shqipërisë. Për atë tani e disa vjet Edi Rama synon që të bëhet lideri jozyrtar i Ballkanit Perëndimor. Për këtë qëllim Rama filloi dhe mbështeti aq shumë “Ballkanin e Hapur”, një nismë e tri vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila nuk u mbështet zyrtarisht asnjëherë nga Kosova dhe Bosnja, kurse Mali i Zi e mbështeste nga anash. Kjo nismë e cila u pa si paralelizëm e Procesit të Berlinit nuk mori mbështetjen e duhur as nga BE-ja. Ky eksperiment i Edi Ramës dhe presidentit të Serbisë dështoi përfundimisht këtë vit.
Tani Edi Rama ia ka dhënë vetes rolin e ndërmjetësit dhe shtytësit të zgjidhjes së konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, rolin që ai ia ka dhënë vetes është në kundërshtim të plotë me politikën zyrtare të Kosovës duke kërkuar konferencë ndërkombëtare për Kosovë, duke kërkuar marrjen e kontrollit të plotë të veriut të Kosovës nga ana e KFOR-it, apo duke fajësuar Kosovën për moskonstruktivitet në dialog, për moszbatimin e Asociacionit të komunave serbe, e deri tek hartimi i draft-statutit të Asociacionit, pa ia kërkuar askush. Kryeministri Rama lehtë do të mund të mbështeste pa kushte politikën zyrtare të Kosovës. Por, në këtë rast ai nuk do të ishte interesant, do të shikohej vetëm si mbështetës i politikave të tjetërkujt. Andaj ai mban një rol kontradiktor, duke u paraqitur si një lider jashtëballkanik, një politikan “outlier” në Ballkanin e karakterizuar nga konfliktet dhe prapambetja.
strategji e tij nuk është e re. E kanë përdorur para tij edhe liderë autokratë të vendeve tjera. Shembulli më i ri është ai i Viktor Orbanit në Hungari.
Siç tregon një analizë e gazetarit Hans Grasseger e vitit 2019, pas fitores së thellë në zgjedhjet e vitit 2010, këshilltarët e fushatës së Viktor Orbanit kishin një problem të madh: ndaj kujt duhej të bënte fushatë Orban tash e tutje? Sipas strategut politik George Birnbaum, i cili ndihmoi Orbanin të vinte në pushtet dhe ta mbante atë, “me qëllim që të mbash bazën elektorale të elektrizuar, ju duhet një kundërshtar politik, është shumë më lehtë të mobilizoni votuesit kur kundërshtari ka një fytyrë të cilën mund ta sulmosh.” Andaj, strategët politikë të Orbanit identifikuan një ‘armik’ ndaj të cilit mund të bënte fushatë e i cili nuk do t’ia kthente sulmet e as nuk do ta sfidonte politikisht. Ai ishte filantropi George Soros. Duke sulmuar Sorosin, strategët politikë e këshilluan Orbanin se ai mund të mbetej për shumë vjet në pushtet. Të gjithe e dimë se çfarë ndodhi pas kësaj: Orbani filloi një fushatë të egër ndaj Sorosit, organizatave dhe mediave që fondacioni i tij mbështeste, e deri tek largimi nga vendi të universitetit të themeluar nga Sorosi.
Sipas George Birnbaum dhe mentorit të tij Arthur Finkelstein, konsulentë fushatash nga ShBA-ja e deri në Balkan, në kohërat moderne identifikimi i një armiku të jashtëm mund të sjellë sukses zgjedhor. Andaj sot thuajse të gjithë politikanët autoritarë, të cilët ndihen të pasfiduar në zgjedhjet e brendshme, në agjendë të tyre mbajnë një armik të jashtëm me të cilin e luftojnë e përmes së cilëve mbajnë bazat e elektrizuara.
Për Edi Ramën kjo është Kosova. Më shumë se kundër interesave të Kosovës, Edi Rama dëshiron të duket si zgjidhësi kryesor i problemit të Kosovës, kësisoj duke unifikuar qëndrimin e tij dhe politikës zyrtare të Tiranës me politikën neutrale të BE-së ndaj Kosovës. Dhe në jo pak raste, Rama ka marrë mbështetje për këtë qëndrim nga qendra të ndryshme evropiane dhe kjo e ndihmon atë tek baza e tij elektorale.
Të njejtin model tentoi ta ndiqte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur me partinë e tij i hyri garës zgjedhore në Shqipëri duke ia bërë opozitën homologut të tij në Shqipëri. Humbja turpëruese në zgjedhje në Shqipëri si duket e largoi nga kjo ndërmarrje megalomane.
Kjo lojë elektorale e Edi Ramës mund të lërë pasoja afatgjata në krijimin e ndasive mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre te Shqipërisë, të cilët gjithnjë e më shumë po afrohen në fusha të tjera, nga arti e tek ekonomia, por po ndahen nga politika.