Ishte pikërisht PDK-ja ajo e cila e shkatërroi gjigantin financiar Postë-Telekomin dhe e rropi deri në asht. Tash si duket këmbët e Ramushit do t’i mbeten arushës dhe AAK-së së tij me punësimin e fëmijëve, kunatave, vjehërrive, tezeve, burrave, grave etj. në këtë institucion
E enjte, 21.03.2019
Kabllogramet e mia diplomatike të javës që po e lëmë pas janë përplot lajme punësimesh të familjarëve të politikanëve në Telekom, si dhe në ndërmarrjet e tjera publike.
Edhe unë aspak praktik nuk po tregohem. Në vend se tash t’ia diktoja këtë ditar ndonjërit prej familjarëve të mi të punësuar në ambasadën time, tash po më duhet që atë ta shkruaj vetë, dhe po t’u them se jam duke e shkruar në telefonin tim mobil, ju as që do të më besonit, kështu që po e lëmë me aq. Dëgjuam edhe intervista të ndryshme të politikanëve dhe të deputetëve në lidhje me punësimet familjare, partiake dhe nga ta dëgjuam vetëm margaritarë nga më të ndryshmit, dhe një mentalitet i tillë mediokër politik mund të frymojë vetëm në Kosovën tonë martire, edhe atje në disa vende të trazuara afrikane.
Në vitet 2002-2004, kur unë punoja në Postë-Telekomin e Kosovës, katër njësitë e saj punuese, Vala, Telefonia Fikse, Posta e Kosovës dhe Dardaneti, të gjitha së bashku nuk e tejkalonin numrin prej 2.000 punëtorësh në mbarë Kosovën. Nuk do të hyj në atë se sa profitabile ishte, sepse në atë kohë ajo kishte edhe monopolin në treg dhe çmimet e shërbimeve ishin shumëfish më të larta. Mirëpo, kushtet në të cilat punohej mendoj se ishin shumë më të rënda dhe logjistika ishte shumë më e komplikuar seç ajo mund të jetë tani. Gjithashtu edhe pagat ishin shumëfish më të ulëta se ato që aty merren tash. Nëse vetëm u referohem reduktimeve të rrymës elektrike të asaj kohe dhe faktit se secili stacion bazë BTS i VALA ishte i pajisur me agregat dhe bateri rezervë, e ata ishin të vendosur në çdo cep të Kosovës, tregon për vëllimin e logjistikës për mirëmbajtje, servisim, furnizim etj. Tashmë numri i punëtorëve vetëm në sektorin e Telekomit e ka tejkaluar numrin e gjithëmbarshëm të punonjësve të PTK-së dhe kompania është buzë kolapsit financiar. Partitë politike aty e krijuan strofullin për rehatinë e familjarëve, si dhe militantëve të tyre. Këtu AAK-ja dhe NISMA janë të fundit të cilat po i thithin edhe pikat e fundit të gjakut të krijesës së quajtur Telekomb. Përpara tyre ishin LDK-ja dhe PDK-ja, të cilat gjithashtu e bënë të njëjtën gjë. Unë mendoj se ishte pikërisht PDK-ja ajo e cila e shkatërroi këtë gjigant financiar dhe e rropi deri në asht.
Tash si duket këmbët e Ramushit do t’i mbeten arushës dhe AAK-së së tij me punësimin e të gjithë fëmijëve, kunatave, akrabave, vjehërrive tezeve, burrave, grave etj. në këtë institucion.
Po mendoja, në kohën derisa unë isha zëdhënës i PTK-së, ajo kishte edhe Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve, e cila si çdo sindikatë mundohej që t’i mbronte të drejtat e punëtorëve. Pasardhësi im, pas dorëheqjes sime, ishte Seremb Gjergji. Më kujtohet se përveçse ishte kandidat i pavarur për president të Kosovës, ky kishte qenë edhe ideator i Sindikatës Profesionale të Punëtorëve të PTK-së, paralel asaj ekzistueses. Se çfarë bëjnë dy sindikata në kuadër të një kompanie asnjëherë s’kam mundur ta kuptoja! Sidoqoftë, kanë kaluar mjaft vite që nga atëherë. Edhe shumë figura të tjera janë ndërruar aty. Me sa e di, as Sindikatë ka vite që aty nuk ka pasur, ose së paku ne nuk po ua dëgjojmë zërin. Mirëpo, as kësaj radhe unë nuk do ta kursej gjenialitetin tim për t’iu ndihmuar Qeverisë, kryeministrit Haradinaj në veçanti, që të tejkalojmë këtë situatë të vështirë në Telekomb. Pse vëlla t’i ngushtojmë politikanët e deputetët me këso intervistash? Pse të mos e formojmë sindikatën, e cila është organizmi më adekuat në kuadër të një shteti për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Në mënyrë urgjente duhet të formohet Sindikata e Pavarur e Familjarëve të Politikanëve të Kosovës, SPFPK-ja, dhe vetëm ajo mund të jetë shpëtim për Kosovën. Asnjë padrejtësi nuk guxon të bëhet ndaj fëmijëve, familjarëve dhe akrabave të politikanëve, edhe ata janë popull i Kosovës sikurse ne!
Tezja Minefer të zgjidhet kryetare e SPFPK-së, për shembull edhe ankesat e para të saj do të ishin që çika e saj me përgatitje superiore profesionale hala s’është punësuar, e edhe djali Albatriti e ka frizurën për menaxher në Postë, po që hala nuk është duke punuar. Sekretar të SPFPK-së gjithqysh ishte dashur ta zgjidhnin dajën Hajriz, ai e ka pasur minimarketin pas luftës, edhe hala i ka fletoret me rabush e me emrat e krejt njerëzve që kanë marrë mall me veresi aty. Shumica ende nuk ia kanë paguar borxhet. Daja Hajriz i ka 4 fëmijë, asnjëri nuk është në punë. Kokrrat të gjithë ia kanë qitur AAK-së në zgjedhjet e fundit. Ai Kameri, djali i madh i tij, kishte punuar në sigurim për një firmë, po a punohet për 200 euro, e la punën! Krejt familja e thërrasin Kamer menaxheri. Ai, siç po e shihni, e ka menaxherllëkun ashtu me pedigre. Kështu që daja Hajriz më së pari duhet ta rehatojë Kamerin. Drita, çika e dytë, pos goblenëve, tenteneve, aknagishit, e kështu disa punëve të shtëpisë, kurrë punë tjetër s’ka prekur me dorë. E ka të kryer shkollën e lartë për mësuese, po kështu e ka një qëndrim të drejtë, edhe ashtu është e gjatë dhe e drejtë si qiri, por pak si më e mërrolët e si e vështirë, mirëpo daja Hajriz e di që për marrëdhëniet me klientë në Telekom kush nuk do ta kishte pasur. Ata dy djemtë e tjerë janë binjakë, ngarkim dhe shkarkim i kanë ndihmuar dajës Hajriz edhe në minimarket, ashtu halli i tyre, të vegjël si ishin. Këta dy çfarë dreqërish janë, e kanë CV-në për agjentë të shitjes. Këta dy edhe dheun nën këmbë ta shesin, çfarë lazdrakësh janë.
Halla Zejnep ua dërgon një letër të hapur Zijafetit të Bordit menaxhues së Telelombit, dhe SPFPK-së me përmbajtjen se “çika më ka mbetur pa çejz, sepse s’është duke punuar e koha do me i ardhë me u martu. Marigona e ka të kryme për kimi, edhe na si familjarë të deputetit të AAK-së mendojmë që Marigona ish konë adekuate për zavencdrejtoreshë në kompaninë ‘Pastrimi’, se kjo midis dimrit dilke me papuqe të najllonit e fremenka të përviluna deri nër gu e me kambë cullak i lajke çimentat rreth shpisë. Hallin ka mujtë me ma marë çika. Kur t’ma rahatoni Marigonën, sugareshën teme, tojshi edhe mu munëni me ma bo një vend me naj sportel në Postë”. Ju do halla Zejnep!
Në konferencën për shtyp të organizuar nga ana e SPFPK-së drejtoresha e Zyrës për informim, tezja Nagjie, e shpreh indinjatën e saj se qysh çika e Qefserit, që është vjehrra e deputetit të NISMA-s, është punësuar para një viti, e çika e saj Albulena, që çdo vit e ka thirrur LABIA për ato kasetat e Vitit të Ri me u sallanitë aty pas këngëtarëve, aq e bukur që është, tash është pa punë, kjo nuk është e drejtë. Apeloj te ministri Pak Lekaj ta konsiderojë çikën time për kabinet të vetin, ishin fjalët përmbyllëse të konferencës për shtyp nga ana e znj.Qefsere, para se ajo t’iu nënshtrohej pyetjeve të gazetarëve. Do t’i veçojmë disa nga to.
“Zonja Qefsere, unë jam Arta nga RTK-ja. Sytë e popullit të Kosovës janë të drejtuara nga ju, dhe kërshëria, si dhe lutjet e tyre në lidhje me punësimin e Albulenës nuk kanë të ndalur. Rishtazi edhe i sapoliruari nga burgu Basri Peqani me nguti regjistroi kompaninë e tij “Shpirtat e Burdushit”, në mënyrë që t’ia shkruajë Albulenës një hajmali për punën e re, pyetja ime për ju është se çka është Albulena në horoskop”?
“Zonja Qefsere, unë jam Mërgimi nga gazeta ‘Zëri’, pyetja ime për ju është a është Albulena ajo çika me një miniq të sariht, që u sallanitke mas Sinanit në kasetën e Vitit të Ri, ‘Gëzuar me LABIA 2012’, e nëse po, a kish bo imelladresën e sajna apo numrin e telefonit. Ju falmnderës shumë”!
“Zonja Qefsere, unë jam Ridvani nga ‘Zëri i Amerikës’, unë vetëm desha t’ju përgëzoj në punën të cilën ju si Sindikatë e Pavarur e Familjarëve të Politikanëve të Kosovës e bëni që ta zbutni papunësinë në Kosovë. Që dardhat e buta të bijnë ndër dardhë dhe që u keni dhënë aq shumë mundësi popullit dhe rinisë kosovare për një ardhmëri të ndritur dhe për punësime me meritokraci në kuadër të institucioneve dhe kompanive publike në Kosovë. Hallall vota ime dhe e familjes sime, që ndër vite ua dhamë rregullisht familjarëve tuaj politikanë. Tani po i korrim frytet e investimeve tona me votë”.
Lexues të nderuar të ditarit tim, siç po e shihni, ideja ime gjeniale është ajo zgjidhja më adekuate që mund të ekzistojë për Kosovën dhe Qeverinë e saj, që të tejkalojë krizën e shkaktuar me punësimet familjaro-politike dhe që t’i shtojë transparencën dhe përgjegjësinë e politikanëve tanë ndaj votuesve të tyre.
P.S.
Ramush, edhe qat punën e taksës në daç, ashtu kapak nisja e mendoje qysh me ja bo një tërheqje taktike, ashtu në daç nisja mendoje këtë mundësi …