Me gjithë huqjet totale të disa shpërthyesve të balonave mediatike, të cilët bëjnë krekosje të kota se me tërheqjen e amerikanëve nga Kosova, Serbia do të hynte brenda 9 orëve në Kosovë ose brenda 3 orëve te Mali i Robit, janë deklarata më se idioteske, të cilat mund t’i thoshte një mendje e shëndoshë e aq më pak dikush që veten e mban për opinionbërës të publikut. Kjo më së paku tregon se këta nuk ia kanë haberin as të Kosovës se lëre më të Afganistanit, e më shumë tregon se në emër të kujt dhe për kë bëhen këto krekosjet e tilla? Në Afganistan ndodhi ndërrimi i pushtetit nga qytetarët e të njëjtit shtet. Një nisje e trupave serbe drejt Kosovës do të ishte invazion në një shtet sovran. E nëse shpërthyesit e balonave mediatike mendojnë se aq kohë do t’i nevojitej Serbisë që ta okuponte Kosovën, ky është vetëm një qëndrim defatist dhe panikndjellës e edhe qëllimkeq
Gjatë javës së kaluar diku në botë ndodhi ndonjë tërmet i fuqishëm, i cili shkatërroi shumëçka dhe solli vdekje të shumta. Diku tjetër në botë ndodhi ndonjë vërshim i madh nga shirat e rrëmbyeshëm, të cilët kishin rënë ditëve të fundit. Për shkaqe të temperaturave të larta në shumë vende të tjera kishin shpërthyer flakë të shumta, të cilat po shkatërronin florën dhe faunën, si dhe ndërtime të shumta materiale të ndërtuara nga dora e njeriut.
Ndërkaq në një vend tjetër, ku Amerika dhe aleatët e saj u munduan që ta ndërtonin një shtet demokratik, ku u munduan që me investimet e tyre qoftë në armatim, qoftë në trajnimin e ushtrisë vendore ta krijonin një shtet të qëndrueshëm dhe stabil.
Mirëpo udhëheqja e atij vendi, si dhe krerët ushtarakë kishin qenë më shumë të zënë duke ndërtuar pallatet e tyre me orendi nga ari, si dhe gjëra të tjera luksoze.
Gjatë zgjedhjeve të fundit në Amerikë, për të fituar sa më shumë vota elektorale Donald Trumpi kishte premtuar, si dhe bërë një marrëveshje me Qeverinë e Afganistanit për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga ai vend.
Këtë trend do ta përcillte edhe Anglia, si dhe vendet aleate të NATO-s, të cilat ishin prezente në atë shtet.
Me të përfunduar zgjedhjet në Amerikë, me moszgjedhjen e Donald Trumpit për një mandat të dytë presidencial, fitoi Joe Biden. Mirëpo sa i përket marrëveshjes për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani dhe marrëveshjes të cilën e kishte nënshkruar Donald Trumpi, as Joe Biden nuk do të dallonte nga paraardhësi i tij në lidhje me këtë çështje dhe tha se Amerika do ta bënte tërheqjen e plotë të trupave të saj ashtu siç ishte paraparë me marrëveshjen e Donald Trumpit.
Mirëpo ajo e cila e çuditi mbarë botën ishte se përderisa ushtria amerikane po i bënte përgatitjet për tërheqjen e ushtarëve të saj, si dhe personelit ushtarak të fundit, në të njëjtën kohë talebanët po avanconin në drejtim të shumë qyteteve të Afganistanit dhe në të shumtën e rasteve ata as nuk po hasnin në rezistencë nga ushtria e rregullt e stërvitur dhe e pajisur me armatim modern nga ana e Qeverisë amerikane dhe dollarët e taksapaguesve amerikanë. Kur talebanët u afruan mjaft pranë Kabulit dhe çdo gjë po aludonte në atë se edhe Kabuli do të binte në duart e tyre pa pasur rezistencë nga ushtria e rregullt afgane, tashmë amerikanët dhe aleatët e saj kishin filluar që të silleshin edhe sikur pula pa kokë, pasi që si duket marrëveshja e tyre "nuk kishte" paraparë skena dhe avancime të tilla të talebanëve e aq më pak një ushtri inerte, e cila as që e tregoi mundin që t’i luftonte talebanët edhe pse në numër ishin së paku katërfish më shumë, plus të pajisur me armë më të sofistikuara.
Por siç po shihet është evidente se nuk paska para në botë, e cila gjithashtu ta blen dhe ta instalon atdhedashurinë.
Me të arritur talebanët në Kabul, presidenti i Afganistanit mori dhenë dhe përflitet se me vete i mori edhe 170 milionë dollarë. Populli afgan ka kujtime të hidhura nga regjimi i talebanëve nga e kaluara, dhe një pjesë e madhe e tyre do të bënte çmos vetëm për t’u larguar nga Afganistani. Në këtë fjalinë "do të bënin çmos" u bindëm edhe me pamjet kacavjerrëse të atyre fatzinjve për krahët apo rrotat e aeroplanit ushtarak amerikan, i cili po nisej nga pista e aeroportit të Kabulit.
Pavarësisht thirrjeve dhe deklaratave të shumta nga regjimi i ri i instaluar taleban se do të ketë amnisti për të gjithë punonjësit qeveritarë dhe se ndaj të gjithë atyre të cilët punuan me të huajt nuk do të ketë hakmarrje, popullata nuk e beson atë gjë dhe janë shumë të frikësuar mbi fatin e tyre.
Disa shtete u paraqitën vullnetare në strehimin e afganëve bashkëpunëtorë të amerikanëve dhe forcave aleate e ndërmjet tyre edhe Shqipëria dhe Kosova. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri ftesë Qeverisë së Kosovës që edhe ajo të pranonte të bashkëpunonte me Qeverinë amerikane në lidhje me strehimin e përkohshëm të afganëve derisa dokumentacioni i tyre të procesohej për lëvizjen e tyre në destinacionin final, që do të ishte SHBA-ja. Kosova jo që do të duhej ta pranonte këtë gjë pse Edi Rampa e kishte kërkuar, porse ne vetë ishim provuar në një situatë të tillë dhe e njohim shumë mirë ndjenjën kur je i dëbuar nga pragu i shtëpisë tënde dhe kur të tjerët të dalin në ndihmë.
Kjo dhe qeveritarët e korruptuar janë të vetmet ngjashmëri të cilat na ndërlidhin neve me situatën e Afganistanit.
Me gjithë huqjet totale të disa shpërthyesve të balonave mediatike, të cilët bëjnë krekosje të kota se me tërheqjen e amerikanëve nga Kosova, Serbia do të hynte brenda 9 orëve në Kosovë ose brenda 3 orëve te Mali i Robit, janë deklarata më se idioteske, të cilat mund t’i thoshte një mendje e shëndoshë e aq më pak dikush që veten e mban për opinionbërës të publikut. Kjo më së paku tregon se këta nuk ia kanë haberin as të Kosovës se lëre më të Afganistanit, e më shumë tregon se në emër të kujt dhe për kë bëhen këto krekosjet e tilla? Në Afganistan ndodhi ndërrimi i pushtetit nga qytetarët e të njëjtit shtet. Një nisje e trupave serbe drejt Kosovës do të ishte invazion në një shtet sovran. E nëse shpërthyesit e balonave mediatike mendojnë se aq kohë do t’i nevojitej Serbisë që ta okuponte Kosovën, ky është vetëm një qëndrim defatist dhe panikndjellës e edhe qëllimkeq. Kosova e vitit 2021 nuk është ajo e vitit 1998, dhe rrethanat e vitit 2021 nuk janë ato të vitit 1998, dashtë universi që më luftë të mos ketë, mirëpo nëse dikush niset me mendimin se do të na okupojë për disa orë, më mirë le të mendohet edhe një herë.
Përndryshe, nuk ekziston as edhe një arsye më e vogël se pse do të duheshin të largoheshin ushtarët amerikanë nga Kosova.
Qëndrimi i tyre është i mirëseardhur, ata janë të mirëpritur nga e mbarë popullata dhe veten nuk e ndiejnë të rrezikuar, siç ishte rasti me Afganistanin, ku deri më sot kanë humbur jetën 2,448 ushtarë amerikanë, ndërsa janë plagosur dhe lënduar rreth 20,000 të tjerë. Ushtarët amerikanë, të cilët mund ta kenë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre 22-vjeçar në Kosovë mund të njihen në gishtat e njërës dorë. Shërbimi i tyre ushtarak në Kosovë nuk dallon aspak nga shërbimi i tyre nëpër bazat e cilitdo shtet amerikan anekënd Amerikës. Të them të drejtën, nuk e di një shtet të dytë në botë ku ata mund të ndihen më në shtëpinë e tyre sesa që ndihen në Kosovë.
Por t’i kthehemi edhe një herë situatës së krijuar në Afganistan. Shumë ish- ushtarakë amerikanë, invalidë të luftës, e edhe britanikë të shumtë nga kategoria e njëjtë e njerëzve ndihen të tradhtuar nga amerikanët dhe aleatët e saj. Ata ndihen se mundi dhe sakrifica e tyre dhe shokëve të tyre, të cilët e humbën jetën në Afganistan, kanë shkuar huq dhe për asgjë. T’i lejosh talebanët që në këtë mënyrë ta marrin komplet shtetin dhe pushtetin është një tradhti ndaj gjakut të martirëve të rënë.
Në anën tjetër, në prononcimin e tij të parë publik qysh se ndodhi kjo ngjarje, presidenti i Amerikës, Joe Biden, ishte mjaft i sinqertë dhe i qartë. Ai nuk ishte i gatshëm t’i dërgonte fëmijët amerikanë në një luftë ku vetë vendorët, edhe pse të trajnuar, të paguar e të armatosur deri në dhëmbë, nuk dëshironin që të luftonin për vendin e tyre. Dikush pra i sheh tërheqjen dhe lënien e popullatës afgane nga ana e amerikanëve si qyqarllëk, por shikuar nga prizma e presidentit amerikan, ajo çfarë po deklaronte ai kishte një logjikë të fortë dhe të qëndrueshme pas vetes.
Deklaratat e talebanëve bëjnë të kuptojmë se atje në Afganistan do të instalohet dhe do të veprohet sipas Ligjit të sheriatit, e që gjithsesi do të jetë kthim mbrapa për shoqërinë aq fragjile afgane.
Mësimi që ne si qytetarë duhet nxjerrë nga kjo përvoja e Afganistanit, është që kurrë të mos lejojmë që pushtetarët tonë ta ushqejnë korrupsionin si bahçen e babës, politikanët vijnë e shkojnë, Kosova do të mbetet.