OpEd

Shpërfillja e fuqisë së natyrës

Dridhjet e tokës apo tërmetet vështirë shlyhen nga kujtesa. Në ato pak sekonda sa zgjasin njeriu përjeton emocione të fuqishme të frikës dhe panikut.

Tek ndien kokën dhe trupin të humbin drejtpeshimin, ndërsa shikon orenditë e shtëpisë që lëvizin andej-këndej, para syve të shfaqet jeta me të gjitha rëniet, ngritjet, humbjet, fitoret, gëzimet e hidhërimet e saj. Pasigurinë e dilemën si të veprohet e sheh edhe në shikimin e njerëzve të shtëpisë. Janë këto çaste kur më shumë se kurrë e ndien pafuqinë tënde si qenie njerëzore brenda universit. Instinktivisht të gjithë mësyni nga dera kryesore.

Momentet e rrezikut për jetën i shtresohen njeriut thellë në skutat e memories. Dalin nga atje sapo dëgjon për ndonjë tërmet diku në botë apo dikush shpalos rrëfime nga përjetime të ngjashme. Dy të tilla së fundmi më janë rikthyer edhe mua.

***

Tërmetin e parë që e mbaj mend ka qenë ai i një nate prilli të vitit 1979, kur isha tetë vjeçe. Sapo na kishte zënë gjumi i parë, kur dëgjuam prindërit tek na shkundullonin krahët ne fëmijëve me thirrjet “Shpejt, shpejt me dalë jashtë!” . Më vinte turp të dilja jashtë derës së shtëpisë në pizhame. Lëkundjet e tokës vazhdonin dhe nuk kishim kohë të visheshim me rroba. Zbritëm shkallëve së bashku me fqinjët që vinin me shpejtësi nga katet e sipërme të ndërtesës pesëkatëshe. Kur dolëm në oborr pashë shoqet e shokët e lagjes. Edhe ata ishin në pizhame. U ndjeva e lehtësuar. Nga distanca e tanishme kohore ajo natë do të mund të cilësohej “pizhama party” jonë e parë. Por jo aso ku qeshet e këndohet. Ishte e ankthit dhe e frikës nëse do të mund të ktheheshim sërish në shtretërit tanë të ngrohtë.

I shihnim të rriturit teksa rrinin me trup e kokë të kthyer në drejtim të ndërtesës. Edhe ne fëmijët shikonim andej. Sikur prisnim që në çdo moment të shkëputej ndonjë ballkon a dritare nga objekti i ndërtuar pesë vjet më herët. Pamje të tilla kishim parë në televizor atë ditë. Një tërmet shkatërrues kishte goditur Malin e Zi, atëherë pjesë e shtetit të përbashkët me Kosovën - Jugosllavinë.

Raportohej për dhjetëra të vdekur, qindra të lënduar, qytete e fshatra të shkatërruara. Lëkundjet ende vazhdonin dhe po i ndjenim edhe ne që ishim qindra kilometra larg. Fatmirësisht në Kosovë nuk pati as dëme materiale, as në njerëz. Në mëngjes u kthyem nëpër banesa.

verë prindërit nuk patën nevojë të na jepnin shumë shpjegime pse nuk do të mund të shkonim për pushime në Ulqin. Dëmet nga tërmeti në qytetin bregdetar shqiptar ishin katastrofale.

***

10 mars 2010. Ora 14:49. Llambadari i dhomës lëkundet andej-këndej, ndërsa më pushton marramendja dhe zemra sikur tenton të dalë nga vendi. Një dridhje e fuqishme lëkund ndërtesën katërkatëshe, shtatë vjet të vjetër. Djali im tetëvjeçar më shikon i hutuar dhe i frikësuar teksa brofi në këmbë dhe e tërheq shpejt nga vetja drejt korridorit të apartamentit. Dridhjet ndalen dhe unë mbetem tek dera e hyrjes me dilemën nëse duhet të zbrisja poshtë nga kati i katërt apo të rrija brenda. Pason edhe një lëkundje. Sakaq më kujtohet se djali tjetër ndodhet në shkollë dhe brenda një ore do të duhej të mbaronte mësimin. Shkolla ku mban mësim është rreth 100 vjet e vjetër. Nisem vrap me djalin përdore dhe e gjej korridorin e shkollës të mbushur me prindër të shqetësuar që janë grumbulluar para dyerve të klasave. Tollovi, panik e shtyrje. Dyert e shkollës janë të ngushta t’i zënë të rriturit e fëmijët që përpiqen të dalin nga objekti shkollor. As drejtuesit e shkollës, as mësimdhënësit e as ne prindërit nuk kishim ide si të veprohet në këso situatash emergjente. Injoranca jonë u reflektua tek të vegjlit e hutuar nga ajo që po ndodhte.

***

Shpalosjen e këtyre dy përjetimeve të mia e nxitën imazhet fotografike dhe televizive të bashkëkombësve nga Shqipëria, të cilët për dy-tri ditë flenë në qiell të hapur si pasojë e tërmetit prej 5.7 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë më 21 shtator të këtij viti. Lëkundjet me epiqendër në Durrës lehtas u ndien edhe në Kosovë. Edhe një herë u dëshmua se tërmeti nuk njeh distanca e as kufij shtetërorë.

Zakonisht në katastrofa natyrore del në pah solidariteti mes njerëzve dhe bashkëndjenja për humbjen e shtëpisë apo pasurisë së tjetrit. Nganjëherë ato sikur na këndellin se përse nuk duhet të humbim kohë me gjëra të kota, por t’u kushtojmë më shumë rëndësi përgatitjeve për t’u mbrojtur më mirë nga e keqja që mund të na vijë nga fenomenet natyrore.

Tërmeti që shkaktoi shumë dëme në Tiranë e Durrës, dy qytetet shqiptare që ndodhen rreth 250 kilometra larg Prishtinës, e shtyri gazetën që të bëjë një hulumtim rreth gjendjes aktuale sizmike të territorit të Kosovës dhe kapaciteteve institucionale për intervenim në rast tërmeti.

Sipas sizmologëve, Kosova nuk është e predispozuar ndaj tërmeteve katastrofale. Megjithatë, ata thonë se Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lartë. Të dhënat, sado që të pakta, tregojnë se rajoni i Kosovës përgjatë historisë ka përjetuar 158 tërmete me magnituda 3.8 deri 6.1 shkallë të Rihterit. Ato nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha sikurse në rajonet fqinje të Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhin në të ardhmen.

Ne shqiptarët jemi të prirë ta shpërfillim rrezikun. Sikur na pëlqen që edhe për të këqijat që kemi mundësi t’i parandalojmë ta fajësojmë fatin. Kur dembelisë sonë i shtohet edhe dembelia e pushtetarëve për të zbatuar rregullat dhe ligjet, pasojat e fatkeqësive natyrore pashmangshëm bëhen më të mëdha.

se njeriu nuk ka forcë të parandalojë e as të ndalë tërmetet. Por, qytetarët dhe institucionet mund të zvogëlojnë apo të reduktojnë dëmet nga fatkeqësitë natyrore, duke i respektuar parametrat e truallit ku bëhen ndërtime në aspektin sizmik. Sado që inxhinierët e ndërtimtarisë pohojnë se ndërtimet e reja po i përfillin kriteret e ndërtimit në aspektin e përballjes me tërmetin, duke e njohur mentalitetin e shqiptarit për të kursyer ca çimento apo beton, e lë të hapur mundësinë e çarjeve të mureve apo edhe shembjeve të ndërtesave kolektive që po ngrihen vend e pa vend kudo nëpër Kosovë.

strikt nga shteti gjatë ndërtimit të objekteve të larta banesore, respektimi i rregullave të ndërhyrjes fizike nëpër banesa, shtëpi e lokale afariste do t’i zvogëlonte edhe dëmet materiale, edhe ato njerëzore në rast të ndonjë tërmeti.

Institucionet arsimore do të duhej të zhvillonin edukim të vazhdueshëm për nxënësit që t’i zgjerojnë njohuritë dhe aftësitë për mbrojtje dhe mënyrat e sjelljes para, gjatë dhe pas tërmetit. Edhe punëtorët në vendin e punës do të duhej të informoheshin se çfarë është paraparë me planin e mbrojtjes dhe të shpëtimit nga tërmeti.

Meqenëse shoqëritë shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri nuk po e gjejnë forcën për ndonjë “tërmet politik” që do t’u hapte rrugë zhvillimit e përparimit më të shpejtë, do të ishte mirë që së paku të përpiqen të jenë më të përgatitura në mbrojtjen nga dëmet e tërmeteve natyrore.

[email protected]