OpEd

Shpendi do të duhej të krenohej e jo të turpërohej nga jahti

Nuk ka ndonjë kategori shoqërore që meriton respektin më të madh në Kosovë se sa biznesmenët. Ata, të përballur me haraçin e politikanëve dhe kriminelëve, e deri vonë edhe të bankave, të shantazhuar në të gjitha mënyrat e të demonizuar pa të drejtë – sërish ia kanë dalë të sigurojnë 80-përqindëshin e vendeve të punës për kosovarët, të mbushin buxhetin e shtetit, të bëjnë disa nga prodhimet më cilësore… Politikanët e brezit të ri, si Shpendi, do të duhej të ishin të parët që me guxim do ta ndërprisnin traditën e shantazhit nga politikanët kriminelë ndaj tyre dhe jo të dorëzoheshin përballë korit të vlerave të çoroditura.

NGA NJË POLITIKAN normal nga një shtet normal e tëra do të mundë të përmbyllej me një sqarim simpatik, të thjeshtë e të sinqertë:

“Po, kam qenë në pushime vikendi me familje në Budva. Gjatë shëtisë më thirri i njohuri im për ta pirë nga një kafe në jahtin e tij. Natyrisht se pranova. M’u bë zemra mal kur pashë se një shqiptar i Kosovës, njëri ndër prodhuesit dhe tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit, ka të ankoruar jahtin e tij në një qytet ku vetëm pak vite më parë ka qenë gati e paparamendueshme që të shëtisnin shqiptarët e lëre më tjetër. Uroj që ne politikanët të ndihmojmë që sa më shumë kosovarë të përparojnë e – pse jo – të kenë mundësi edhe për jahte”.

Kaq.

Mirëpo, në një shtet jonormal dhe me sistem vlerash të çoroditura, edhe një politikan model i brezit të ri, idhull i shumë të rinjve, i shkolluar në Harvard, i papërfshirë deri më tash në afera korruptive – në vend se ta shfrytëzonte rastin për të thyer një perceptim të ndyrë shoqëror – zgjedh të dorëzohet.

Fatkeqësisht, Shpend Ahmeti zgjedh – gënjeshtrën.

E mohon qëndrimin në jaht. Duke na ofenduar inteligjencën. Fare naivisht. Fare pa nevojë.

Meqë, duke mos u përballur me dinjitet me një situatë të zakonshme, siç është pirja e një kafeje shoqërore me bashkëshorten dhe të njohurit në një anije, pra duke mos e thënë një të vërtetë lehtësisht të vërtetueshme, ai nxit të tjerët ta vrasin mendjen se mos ndoshta me kaq lehtësi po mundka të mos e thotë të vërtetën edhe në rastet kur nuk ka dëshmi fotografike si këto.

Gabim s’është kafja në jaht, gabim është mohimi i saj

E DHIMBSHME, pra, Shpendi, i shpallur edhe nga media të rëndësishme perëndimore si kryetari më i guximshëm i një kryeqyteti në Evropë do të duhej ta gjente guximin të ballafaqohej me perceptimin e lig.

Atij, më shumë se kujtdo tjetër, do t’i takonte ta ndërronte paradigmën.

Mjerisht, dështoi të dëshmonte dinjitetshëm se, megjithatë, nuk është domosdoshmërisht diçka e ligë nëse një politikan i suksesshëm shoqërohet me një biznesmen të suksesshëm dhe kështu ndikoi pa nevojë në dëmtimin edhe të vetvetes e edhe botës së biznesit. Nuk ka pse gjithmonë të pandehet se nëse një shoqërim i këtillë gjithsesi do të ketë diçka korruptive në mes. Të tregojë se është koha të thyhen paragjykimet e padrejta, e në këtë rast sidomos paragjykimi krejt i panevojshëm negativ i biznesit.

Dëshpërimi nuk është se Shpendi u pa në jaht me biznesmenë, dëshpërimi është se pse Shpendi ndjeu nevojën ta fshehë këtë. Në këtë mënyrë, pabesisht, edhe pse piu kafenë e biznesmenëve, ai kontribuoi në demonizimin e padrejtë ndaj tyre, të cilin deri më tash e kanë ushqyer si politikanët gjysmëkriminelë, ashtu edhe grupet e tjera të interesit në këtë vend.

Kështu, Shpendi ra vetë në kurthin e diskursit shoqëror, në të cilin kanë ndikim paraardhësit e tij politikanë të korruptuar, por të cilin e ka ndihmuar njësoj shumë edhe subjekti politik të cilit i takon ai.

Dhe kjo të bën të mendosh se e padrejtë është Kosova përgjithësisht ndaj njerëzve, të cilët, mes tjerash, sigurojnë rreth 80 për qind të punësimit në vend dhe mbushin buxhetin e republikës.

Biznesmenët kosovarë të denjë për Çmimin Nobel për ekonomi

NUK KA ASNJË kategori shoqërore që meriton respektin më të madh në Kosovë se sa biznesmenët. Edhe vetë, derisa po e shkruaj këtë fjali, po më duket se sa e pazakonshme është të thuhet kjo publikisht në një kontekst të përçudnuar shoqëroro-politik të Kosovës. Mirëpo, ja që besoj se biznesmenët e suksesshëm kosovarë, si kolektivitet, do ta meritonin Çmimin Nobel për ekonomi. E mendoj me shumë bindje. Rrugëtimi i tyre i mundimshëm është aq unik, aq frymëzues e aq i paparamendueshëm në të njëjtën kohë, saqë do të duhej të shërbente si model për gjithë botën.

Ka një profil tipik të rrugëtimit të një biznesmeni të suksesshëm kosovar.

Fillon biznes në një vend pa status të definuar shtetëror, pas një lufte shkatërruese, me administratë të ndërlikuar ndërkombëtare dhe vendore, e kjo vendore në disa nivele gjysmëlegale dhe gjysmilegale.

Fillimisht nuk ka asnjë bankë ku do të mundë të merrte një kredi për biznesin.

Kur fillojnë operimin bankat, ato i kanë fillimisht normat më të larta të interesit në tërë Evropën.

Ballafaqohet me haraçet nga grupe të ndryshme, duke filluar nga bandat lokale, abuzuesit në emër të luftës së UÇK-së e deri te subjektet politike.

Aty-këtu u qëllon edhe ndonjë administrator ndërkombëtar që u kërkon t’ia paguajnë ndonjë pushim në Karaibe ose Spanjë, në mënyrë që t’ua kryejë ndonjë shërbim të paraparë me ligj.

Që të gjithëve, me hatër ose me zor, do të detyrohet t’u paguajë diçka. Nuk dorëzohet, vazhdon të punojë.

Politikanët nuk ngopen me kaq, ata do të kërkojnë që para secilës fushatë zgjedhore këta biznesmenë t’ua financojnë partitë.

Ata, po ashtu, do të kërkojnë që t’ua punësojnë motrat, dhëndurët, baxhanakët, tezakët e dashnoret. Biznesmeni tipik kosovar do të detyrohet t’ua punësojë, por në të njëjtën kohë do t’i duhet të punësojë edhe profesionistë të fushës, duke e rritur shpenzimin në paga, meqë kryesisht ata që janë punësuar me “krahun e fortë” as nuk dinë shumë e as nuk duan të punojnë shumë. Dhe sërish nuk dorëzohet.

Sa herë që biznesmeni tipik dëshiron të bëjë ndonjë investim më të madh, të bëjë ndonjë privatizim, ose të hapë ndonjë fabrikë, sërish do të detyrohet me shantazhe t’ua mbushë gushën politikanëve.

Pavarësisht të gjitha këtyre shantazheve të drejtpërdrejta e të tërthorta, biznesmenët ia kanë dalë që të punësojnë rreth 400 mijë kosovarë, krahasuar me rreth 80 mijë sa janë të punësuar në sektorin publik.

Biznesmenët kosovarë mbushin pjesën më të madhe të buxhetit të Kosovës me taksat që paguajnë, nga të cilat marrin pagat edhe politikanët e edhe të gjithë të punësuarit e tjerë në sektorin publik.

Biznesmenët kosovarë kanë filluar ngadalë, por sigurt, të realizojnë prodhime vendore të cilësisë së lartë, duke zëvendësuar prodhimet e huaja.

E sërish këta biznesmenë kosovarë u dashka që të struken kur kanë të bëjnë me politikanët dhe të tjerët, të pranojnë të shantazhohen e të kërcënohen?!

Politikanët do të duhej të ishin përunjësisht në shërbim të tyre dhe jo anasjelltas.

Se ndryshe është absurd, është turp!

Episodi i jahtit si çast kthese pozitive

AJO QË BEFASON shumë është edhe fakti se shoqëria në masë të madhe e ka pranuar si të mirëqenë demonizimin e biznesmenëve.

Për shembull, shpesh flasim për ikjen e investitorëve të huaj nga vendi, sepse dikush nga vendorët u ka kërkuar ryshfet. Mirëpo, fare rrallë dikush e mendon se derisa politikanët po e gjejnë guximin që investitorëve të huaj t’u kërkojnë ryshfet, paramendojeni sa ryshfetin qenkan detyruar me zor ta paguajnë biznesmenët vendas, të cilët ende po veprojnë.

A jep dikush ryshfet për qejf?!

Politikanët e brezit të ri, si Shpendi, do të duhej të ishin në anën e bizneseve.

Shpendi do të duhej të ishte i pari që do ta ndërpriste këtë traditë të shantazhit nga politikanët gjysmëkriminelë e të ngjashmit me ta.

Ende e ka shansin.

Episodin e jahtit, me gabimet e tij fillestare, ende mund ta kthejë në frymë për ndryshim pozitiv. Si leksion për të gjithë.

Nëse çifti i politikanit me imazhin e të pakorruptuarit dhe më të guximshmit nuk do të angazhohet ta bëjë këtë, kush mund ta bëjë tjetër?

[email protected]

Twitter: @adriatikk