Sikur një ëndërr e keqe, edhe kjo ëndërr po merr fund. Kosova më në fund po i bashkohet familjes së saj evropiane
Kur do të jeni duke lexuar këtë shkrim do të ngelin edhe pak orë para liberalizimit të vizave. Rrjedhimisht për kolumnen e fundvitit e kisha të pamundur të shkruaja për ndonjë temë tjetër. Kjo jo vetëm sepse është një moment feste dhe gëzimi i denjë për shënimin e fundvitit, por edhe për shkak se ky shkrim do të jetë gjëja e fundit që do të bëjë lidhur me procesin e liberalizimit të vizave pas më shumë se një dekade. Është kohë shumë e gjatë prej kur kam përcjellë këtë proces. Në fakt që nga vetë fillimi i tij. Në zanafillën e tij në momentin e pranimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave në vitin 2012 e kam pasur fatin që të jem pjesë e institucioneve të Kosovës. Kjo më ka mundësuar që të jem dëshmitar i përpjekjeve të sinqerta dhe serioze të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e reformave të kërkuara nga procesi i liberalizimit të vizave. Në kuadër të këtij procesi kam parë se institucionet e Kosovës janë të afta të dialogojnë, planifikojnë dhe zbatojnë reformat evropiane në nivel të barabartë – nëse jo më të mirë - me vendet e rajonit.
Kam parë nga dora e parë se kur ekziston vullneti politik nuk ka gjë që nuk mund të arrihet. Kam parë nga dora e parë përpjekjet e znj. Vlora Çitaku, në tandem me të ndjerin z. Bajram Rexhepi, për të përmbushur pjesën dërrmuese të kritereve të liberalizimit të vizave, kam parë angazhimin e sinqertë të z. Bekim Çollaku për të kaluar vijën e finishit me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi; dhe kam parë së fundi edhe betejën e z. Besnik Bislimi për të siguruar se nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës me të vërtetë do të udhëtojnë më në fund lirshëm në zonën Shengen duke parandaluar me sukses kështu lidhjen e këtij procesi me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS. Kam parë po ashtu edhe angazhimin personal të kryetarëve të komunave nga Komuna e Prishtinës e deri tek ajo e Mamushës për të zbatuar kriteret teknike të liberalizimit të vizave. Të gjithë këta të përkrahur nga një armatë e përkushtuar e shërbimit civil të cilët me gjithë ndryshimet e shpeshta të qeverive kanë siguruar vazhdimësinë e reformave të kërkuara nga ana e Komisionit Evropian. Në këtë sens festa që do të bëjmë pas pak orëve është meritë e gjithë vendit tonë dhe në veçanti e gjithë spektrit politik dhe duhet të na shërbejë si model në hapërimin tonë të ardhshëm drejt Bashkimit Evropian.
Dhe pas pak orëve më së shumti do të festojnë ata që janë torturuar më së shumti. Ndër vitesh në vëmendjen tonë publike janë shfaqur storie të dhimbshme të sfidave me të cilat janë përballur qytetarët në pamundësi për të udhëtuar lirshëm në zonën Shengen. Pacientët të cilët nuk kanë mundur të udhëtonin për qëllime shëndetësore, sportistët të cilëve iu janë mohuar garat dhe medaljet, artistët të cilëve u janë mohuar shfaqjet dhe koncertet, studentëve të cilëve u janë mohuar mundësi shkollimi, afaristët të cilëve iu janë mohuar mundësi biznesi. Dhe ndonëse këto kanë qenë storie individuale dhimbja ka qenë e përbashkët. Dhe sikur një ëndërr e keqe, edhe kjo ëndërr po merr fund. Kosova më në fund po i bashkohet familjes së saj evropiane.
Nga ana tjetër, kohëve të fundit natyrshëm janë ngritur pyetjet se çfarë do të ndodhë pas 1 janarit 2024? A do të këtë eksod të qytetarëve nga vendi? Unë besoj që përderisa në afat të shkurtër një shkallë e lehtë e migrimit mund të pritet, në afat të mesëm nuk duhet pritur lëvizje të mëdha të migrimit. Këtë e them për dy arsye. E para, Kosova tanimë ka kaluar “shokun migrues”. Në vitin 2015-2016 Kosova ka përjetuar atë valën e madhe të migrimit të parregullt me skenat e famshme të stacionit të autobusëve, të cilat të gjithë i mbajmë në mend. E dyta, nga kjo përvojë shumë qytetarë të cilët kanë provuar rrugën e parregullt të migrimit kanë nxjerrë mësimet e rëndësishme. Qytetarët e kanë kuptuar se kjo nuk është rruga e duhur për nisjen e një jete jashtë vendit. Kjo është pikërisht edhe arsyeja përse viteve të fundit kemi parë rritje të kërkesave për vizat ekonomike drejt vendeve të BE-së.
Dhe ashtu siç qytetarët kanë nxjerrë mësimet nga përvoja e liberalizimit të vizave, unë besoj se edhe vendimmarrësit tanë politikë duhet të nxjerrin mësimet përkatëse. Në këtë sens besoj se mësimi më i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga e gjithë lëngata e liberalizimit të vizave është shfrytëzimi i momentumeve unikale politike. Ashtu sikur në jetët tona private, ashtu edhe në punët e shtetit disa mundësi të ofrohen vetëm në një kohë të caktuar. Prandaj, është tejet e rëndësishme që shteti të njohë rëndësinë e kohës dhe mundësive që ajo ofron në momentet unikale. Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2014 Bashkimi Evropian vendosi të fuqizonte prezencën e vet në Lindje. Një nga mënyrat për të forcuar lidhjet politike ishte të liberalizojë vizat për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Pasi që Kosova tanimë ishte në përmbushjen e sipër të kritereve të liberalizimit edhe ne u futëm në këtë pako të liberalizimit. Për shkak rëndësisë politike të kësaj pakoje ishte një interesim i madh i BE-së që sa më shpejt të hiqen vizat për këto vende. Me fjalë të tjera Kosova do të përfitonte nga kjo rrethanë e kohës dhe kjo do të bënte që procesi i vizave të përfundojë brenda katër vjetësh që ishte një kohë relativisht e pranueshme. Sidoqoftë, ishte një kërkesë eksplicite: ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Tani të gjithë e dimë si përfundoi kjo histori dhe kësisoj Kosova humbi mundësinë e vitit 2016 për liberalizimin e vizave. Kur Kosova më në fund ratifikoi demarkacionin në vitin 2018, rrethanat kishin ndryshuar dhe mundësia për liberalizimin e vizave kishte ikur. Tani kjo është histori dhe sot kur jemi në prag të vitit 2024 maksimumi që mund të bëjmë është të nxjerrim mësimin nga kjo përvojë.
Gjatë vitit 2024 Kosova do të gjejë veten përballë një realiteti unik global nga i cili do të mund të lindin momentumet unikale politike me pasoja thelbësore për vendin. Gjatë vitit 2024 bota do të jetë dëshmitare e periudhës më konfliktueze që nga Lufta e Dytë Botërore. Lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, ballafaqimi potencial mbi Tajvanin dhe përshkallëzimi në rajonin tonë do të jenë vetëm disa nga pikat e thyerjes globale. Dhe e gjithë kjo do të zhvillohet në një sfond dinamik politik ku mbi 4 miliardë qytetarë në 76 shtete do të shkojnë në zgjedhje – nga Afrika e Jugut dhe India e deri tek SHBA-ja dhe BE-ja. E gjithë kjo amalgamë politike do të jetë në fakt ballafaqim në mes dy vizioneve të kundërta për të ardhmen e civilizimit. Një të udhëhequr nga SHBA-ja dhe BE-ja: ai i rendit global bazuar në rregullat demokratike dhe lirinë individuale; dhe tjetri i udhëhequr nga Rusia dhe Kina: ai i rendit të forcës dhe pushtetit të pakufishëm të diktatorëve. Në këtë ballafaqim global do të këtë fitues dhe humbës. Për vendin tonë do të jetë me rëndësi që të rreshtohemi në anën e drejtë të historisë, por edhe të jemi vigjilent ndaj çdo momentumi politik i cili do të kërkon kontributin tonë sado të vogël në kuadër të këtij ballafaqimi global. Ky kontribut shpërfaqet përmes kontributit të Kosovës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë sens gjatë vitit të ardhshëm nga Kosova do të pritet që të ofrojë konstruktivitetin e saj në avancimin e marrëdhënieve me Serbinë. Avancimi në këtë drejtim do t’ia ofrojë Kosovës mundësinë e thellimit të integrimit të saj në strukturat euroatlantike dhe në skenën ndërkombëtare në përgjithësi. Prandaj, e mbylli këtë shkrim me një urim. Uroj që në vitin 2024 nuk do të bëjmë gabimin e vitit 2016 pasi që, siç kemi mësuar nga procesi i liberalizimit të vizave, kostoja e humbjes së momentumeve unikale politike është shumë e madhe.