OpEd

Shëtitja

Shpresat e ngritura tepër lart pas një numri të pafund premtimesh ndryshe do të jenë bumerangu më i fuqishëm që do ta godasë këtë Qeveri, nëse gjërat nuk nisin të ndryshojnë shpejt dhe për të mirë.

Javën që shkoi përcollëm shqiptimin e aktgjykimeve të para të Speciales dhe jo kundër të akuzuarve për krime lufte, por për pengimin e administrimit të gjyqësisë. Do të kujtojmë se në kohë pandemie, Gucati e Haradinaj kishin mbajtur konferenca për shtyp në selinë OVL-së dhe kishin qitur para gazetarëve një mori dokumentesh që dolën të ishin konfidenciale, e që kishin të bënin me hetimet që zhvilloheshin ndaj të akuzuarve potencialë.

Konferencat ishin mbajtur më datat 7, 16 dhe 22 shtator, kurse që të dy u arrestuan më 25 shtator dhe u dërguan direkt në Hagë.

Në këto konferenca, që të dy kishin deklaruar se nuk e dinin se kush i kishte sjellë dokumentet, madje ishin publikuar video-xhirime të një njeriu me kapelë në kokë që i sillte pa asnjë pengesë e asnjë kontroll kutitë me letra në selinë e tyre.

Gjykata ka vlerësuar se Gucati e Haradinaj i kanë rrezikuar dëshmitarët potencialë me veprimin e tyre dhe prandaj edhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë burgim, ndërkohë që në këtë kohëzgjatje do t’u llogaritet qëndrimi që nga dita kur u arrestuan.

* * *

Aktgjykimi kaloi pa ndonjë reagim të madh apo protestë. Natyrshëm, OVL-ja doli të thotë se një aktgjykim i tillë është jo i drejtë, ndërkohë nëpër rrjete sociale u krijua një hashtag “jo në emrin tim”, ngase aktgjykimi u shpall “në emër të popullit”. Përderisa po kuptohet reagimi i atyre që nuk e ndajnë bindjen me atë të Gjykatës, pra se ata si pjesë e popullit nuk konsiderojnë se duhet shqiptuar dënim, megjithatë duhet rikujtuar se kjo gjykatë është themeluar me ligj të veçantë të votuar nga Kuvendi i Kosovës dhe sipas atij ligji, konsiderohet gjykatë e vendit, sado sui generis që është. Gjykatë e vendit, pa as edhe një prokuror e gjyqtar kosovar dhe që e ka selinë në Hagë. Pra, meqë është gjykatë e vendit, aktgjykimet i shpall në emër të popullit, ashtu siç ndodh në të gjitha aktgjykimet e tjera.

Dhe fajin se përse e kemi një gjykatë speciale që hedh dritë të keqe mbi Kosovën e kemi vetë kosovarët. Sa e sa herë e kemi përsëritur, se po ta kishim përcjellë shembullin e Serbisë, e cila ka shkaktuar masakra, krime lufte dhe kundër njerëzimit, që e ka krijuar një degë të veçantë në kuadër të Supremes për krime lufte, kësaj që po ndodh tash nuk i kishte ardhur rendi kurrë.

Në luftë ndodhin krime dhe ne vetë është dashur t’i kishim gjykuar, pa pasur nevojë të krijohet e gjithë drama rreth themelimit të Speciales dhe të përcillen gjykimet tash nëpërmjet videotransmetimeve, me një përkthim katastrofal që shumë shpesh as që kuptohet.

* * *

Porse çështja e dokumenteve për të cilat Gucati e Haradinaj u dënuan do të duhej të ishte objekt hetimi më të thellë, ngase është e pabesueshme që dikush, pavërejtur, ka mundur t’i vidhte ose edhe t’i shpërndante pa asnjë pengesë gjithë ato letra.

Nëse letrat kanë qenë te Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe nuk janë shpërndarë askund gjatë procedurës së hetimeve, kjo do të thotë se ato kanë rrjedhë prej aty. Dhe nëse kanë dalë prej aty, si u bë që erdhën në Kosovë, kush i solli dhe pse vendosi t’i çonte tek OVL-ja.

Ky fakt tregon për mungesën e sigurisë në administrimin e dokumenteve hetimore. Tregon edhe për interesin e dikujt që këto letra të dalin në pah me një qëllim shumë të qartë: që njerëzit që janë ftuar për të dëshmuar ta dinë se janë në përcjellje, pra për pasojë, nuk do të duhej të ndiheshin krejt të sigurt njëherë që ky fakt të jetë bërë publik. Porse edhe tregon për dikë që mbase edhe është paguar për ta kryer këtë punë, ngase pavarësisht besimit në pastërtinë e të akuzuarve, këto janë shërbime që paguhen mirë. Sepse rreziku është i madh.

Nga ana tjetër, dënimi i dy ish-pjesëtarëve të UÇK-së, do t’i ketë shërbyer Speciales për ta matur disponimin e masave në Kosovë dhe vullnetin për të protestuar ndaj këtyre dënimeve. Reagimi, siç u tha më lart, ishte i vakët dhe pa ndonjë qëllim për të bërë më shumë sesa debate televizive dhe statuse në fejsbuk. I ngjashëm me atë të kohës kur u arrestuan Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi – ndaj të cilëve ende po zhvillohet procedura, 18 muaj pasi janë marrë në burg.

* * *

Përderisa për këtë aktgjykim politika nuk reagoi fare (dhe besoj se ka bërë mirë), në rastin e aktgjykimit ndaj dy ish-zyrtarëve komunalë të Prizrenit, që kishin vendosur ta rrënonin një pjesë të objektit të ndërtuar në pronën komunale, u përcoll me reagime nga këshilltarja e ministres së Drejtësisë dhe bile të një deputeti të VV-së.

Një nga të dënuarat me tre vjet burgim dhe gjobë prej 2 mijë eurosh, është edhe deputetja e VV-së, Jetmira Vrenezi, e cila megjithatë nuk e humb mandatin, për shkak se vendimi nuk është i formës së prerë.

Pa u marrë fare me çështjen se nëse aktgjykimi është i drejtë ose jo, parim demokracie është që politikanët të mos reagojnë ndaj vendimeve të njërës shtyllë të pavarur të shtetit – Gjyqësisë, për shkak se kjo qartazi mund të konsiderohet si presion mbi gjyqësorin. Procedura është e tillë që lë hapësirë për paraqitje të ankesës ndaj aktgjykimit në shkallë më të lartë që e ka mundësinë e kthimit të vendimit prapa ose edhe të vërtetimit të këtij aktgjykimi.

Njësoj sikurse në rastin e të gjykuarve në Hagë, edhe këtu duhet pritur aktgjykimin e shkallës së dytë dhe edhe atëherë zyrtarët shtetërorë duhen përmbajtur nga deklaratat. Intimisht dhe si qytetarë të rëndomtë edhe mund të kenë mendim, porse si zyrtarë, nuk e kanë të drejtën e presionit ndaj trupave që Kushtetuta i përkufizon si të pavarura.

* * *

Ndërkohë, Gjykata e Apelit në Prishtinë e vërtetoi pezullimin e zbatimit të tarifave të reja të caktuara nga ZRRE-ja, kurse kjo e fundit e pranoi vendimin, me ç’gjë tash e mbas detyron ofruesin e shërbimeve që ta faturojë rrymën me çmimin çfarë ishte para datës 9 shkurt. Kjo do të thotë se tash qytetarët duhen faturuar edhe më pak, për shkak të shumave që i kishin paguar dimrit me t’u caktuar bllok-tarifa e konsumit mbi 800 kilovatë nëpër shtëpi e banesa.

Ky vendim gjyqësor mund të konsiderohet fitore e PDK-së që e kishte bërë propozimin në Gjykatë. Lëvizje fort e mençme politike që rezultoi me shpalljen e këtij aktgjykimi.

Dhe megjithatë, këto tri aktgjykime nuk e lanë në hije vizitën e stërzgjatur dhe vështirë të kuptueshme të kryeministrit në SHBA, ku as pas thuajse dy javësh, megjithatë nuk u prit nga asnjë zyrtar i lartë politik atje.

Vizitat nëpër Silicon Valley, takime me firma private transporti e takime me diasporën zor se mund të arsyetohen me thënien se kjo do të ketë qenë vizitë e suksesshme dhe që do të sjellë rezultate të tilla për Kosovën sa që do t’ua përmirësojnë jetesën qytetarëve.

Përderisa ai qëndron në Amerikë, edhe një pjesë e ministrave të tij qarkullojnë nëpër botë. Përderisa kjo është e logjikshme te rasti i ministres së Jashtme, se këtë fundja e ka punë, është shumë e palogjikshme te rasti i ministrit të Shëndetësisë që prejse është emëruar, më shumë rri jashtë shtetit se këtu – me gjithë problemet enorme me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë.

* * *

Janë muaj që e përsëris se Kosova nuk mund të dalë nga kriza me të cilën hyri në pandemi dhe nga e cila doli edhe më keq seç ishte. Vazhdoj të them se rritjen ekonomike që e shpalli edhe Banka Qendrore për 2021-n unë nuk po e shoh dhe se nuk po jam e sigurt se ky vend ka krijuar 25 mijë vende pune përnjëmend. Sepse po të ishin të vërteta që të dyja, nuk do të kishte mungesë kaq të madhe të parasë në treg dhe se nuk do të thellohej edhe më shumë praktika jashtëzakonisht e keqe e këmbimit të mallit me mall për t’i mbuluar borxhet e ndërsjella.

Më pak shëtitje e më shumë punë do të ishin të mira edhe për ne, ngase me gjithë shumicën e siguruar në Kuvend, javën e shkuar nuk kaloi rishikimi i buxhetit e as paga minimale, për shkak se shumica nuk e kishte kuorumin për t’i votuar. Tashmë kjo ka filluar të shndërrohet në sëmurje shumë serioze për partitë qeverisëse dhe njëkohësisht shënim autogolash të njëpasnjëshëm që gjithsesi reflektohen në disponimin e qytetarëve karshi kësaj qeverisjeje.

Shpresat e ngritura tepër lart pas një numri të pafund premtimesh ndryshe do të jenë bumerangu më i fuqishëm që do ta godasë këtë Qeveri, nëse gjërat nuk nisin të ndryshojnë shpejt dhe për të mirë.

[email protected]